Golloborda

Golloborda është një ndër pjesët përbërëse të krahinës së madhe të Dibrës. Sipas K.Frashërit dhe M.Hasanit, në Republikën e Shqipërisë, Golloborda përfshin fshatra nga njësitë administrative Steblevë, Gjoricë, Trebisht, Ostren, dhe një pjesë të njësisë Zerqan (Frashëri, 2012; Hasani, 2016). Në Maqedoninë e Veriut, pjesë e Gollobordës kanë qenë fshatrat Jabllanicë, Llakaicë, Drenok, Modriç, Llabunisht, Llukovë, Nerezë, Bezovë, Zhepisht, Otishan (Hasani, 2016). Duke qenë pjesërisht dygjuhëshe, por edhe për shkak të dokeve të veçanta, popullsia e Gollobordës ka tërhequr vazhdimisht vëmendjen e historianëve dhe etnografëve shqiptarë dhe të huaj.

Kampioni

Si një trevë mjaft e thellë kodrinoro-malore, deri tani, nuk ka pasur shumë banorë që kanë kryer teste gjenetike. Falë mbështetjes nga disa vullnetarë nga Golloborda, por edhe punës së vullnetarëve të tjerë të projektit, janë mbledhur 33 rezultate gjenetike nga pjesa e Gollobordës në territorin e Shqipërisë. Edhe pse është kampioni më i madh i mbledhur deri sot, përmasat e krahinës, si dhe larmia e linjave atërore, kërkojnë një numër edhe më të lartë testesh, ndaj ftojmë të gjithë banorët e kësaj zone të kryejnë nga një test gjenetik dhe të bashkohen me projektin tonë.

Rezultatet vijnë nga fshatrat: Gjinovec, Gjoricë e Epërme, Gjoricë e Poshtme, Klenjë (3), Lejçan, Okshtun i Madh (2), Okshtun i Vogël, Oreshnje, Ostren i Madh (2), Ostren i Vogël, Pasnik, Smollik, Tërnovë e Madhe, Tërnovë e Vogël, Trebisht (7), Borovë (3), Steblevë (2), Vërncë dhe Zabzun (2). Asnjë prej të testuarve nuk kishte dijeni për lidhje deri në 3 breza me të testuarit e tjerë. Sipas Hasanit, banorë që flasin dy gjuhë ka në 17 fshatra, kurse në 21 fshatra të tjerë flitet vetëm shqip (Hasani, 2016). Sipas këtij klasifikimi, kampioni prej 33 rezultatesh mund të ndahet në: 18 rezultate nga fshatra dygjuhësh dhe 15 nga fshatra shqip-folëse.

Rezultatet

Frekuenca e haplogrupeve për Gollobordën në tërësi, si dhe për fshatrat shqipfolëse dhe ato dygjuhëshe, paraqitet në tabelën e mëposhtme.

 GollobordaFshatra shqipfolësFshatra dygjuhësh
N=33N=15N=18
J2b-L28327.313.338.9
R1a-M41721.226.716.7
E-V1318.233.35.6
I2a-Y31209.116.7
R2b-M2696.111.2
J2a-M4106.16.75.6
I2a-M22336.7
I2a-CTS59536.7
E-M12335.6
E-M13236.7

*Përcaktimi si fshat dygjuhësh apo shqipfolës sipas M. Hasanit (2016).

 

Përveç përcaktimit të haplogrupeve, në disa raste është arritur të përcaktohet edhe degëzimi. Ndër rezultatet J2b-L283, dy i takojnë nëndegës  J2b-L283>Z638>Z1297>Z1295>Y21878, një tjetër nëndegës J2b-L283>Z638>Z1297>Y23094, kurse të tjerët nuk janë përcaktuar ende; ndër rezultatet R1a-M417, katër i takojnë nëndegës R1a-M417>M458>L1029>Y133383, tre të tjerë nëndegës R1a-M417>Z280>CTS1211; të dy rezultatet R1b-M269 janë nën R-M269>PF7563>FGC40202; rezultatet I2a-Y3120 janë në grupin e degëve “Dinaric North”. Në nivel haplogrupesh dhe nëndegësh, vërehet larmi e lartë e linjave atërore. Para se të diskutohen rezultatet e deritanishme, duhet thënë se, me kalimin e kohës, në krahina relativisht të vogla si Golloborda, frekuencat e haplogrupeve mund të ndikohen nga “founder effect”, apo shtimi më i shpejtë i një linje në raport me të tjerat. Prandaj, frekuencat e sotshme nuk duhen marrë patjetër si përfaqësuese edhe për periudha të tjera historike.

Diskutim

Nisur nga rezultatet e mësipërme, mund të dalim në disa përfundime:

–   Ngjashmëritë me popullsinë përreth: dallohet ngjashmëri me shqiptarët në tërësi, por më shumë me gegët. Vërehet përqindje e lartë e J2b-L283, haplogrup shumë karakteristik i pjesës veriore të trojeve shqiptare, i cili gjendet dendur edhe në pjesët e tjera të Dibrës; haplogrupi E-V13 është gjetur më rrallë se mesatarja për shqiptarët, por mbetet brenda variacioneve normale lokale; haplogrupi I2a-Y3120 vërehet në përqindje të ngjashme me pjesën më të madhe të trojeve shqiptare.

–   Ngjashmëria më e madhe vërehet me pjesën tjetër të Bulqizës, me të cilën, popullsia e Gollobordës ka të përbashkëta linjat E-V13>Z17107, J2b-L283>Y23094, J2b-L283>Y21878 dhe E-M132.

–   Veçoritë më dalluese janë dendësia e lartë e haplogrupit R1a-M417, dhe përqindja shumë e ulët e R1b-M269. Madje edhe dy rezultatet e deritanishme R1b-M26, siç thamë më lart, janë nga nëndega R1b-M269>PF7563>FGC40202, kurse R1b-M269>Z2103>CTS9219>BY611, e cila ka shpërndarjen më të njëtrajtshme në trojet shqiptare (~14%), deri tani nuk është gjetur. R1b-M269>Z2103>CTS9219>BY611 ka përqindje të ulët edhe në pjesën tjetër të Bulqizës.

–   Ndër linjat atërore që mendohet se kanë mbërritur në Ballkan gjatë Antikitetit të vonë dhe Mesjetës përmes dyndjeve të popullsive nga Europa qëndrore e lindore, te shqiptarët gjenden nëndegë të caktuara të R1a-M417, I2a-Y3120 (Fothi, 2020), I1-M253, etj. Me qenë se sllavët ishin një ndër popujt që u përhapën në atë periudhë, përqindja e linjave atërore të vendosura në Ballkan me vërshimet sllave në Gollobordë nuk mund të jetë më e lartë shuma e përqindjes së këtyre linjave. Në Gollobordë, shuma është 30% e linjave të testuara (R1a-M417: 21.2%; I2a-Y3120: 9.1%). Golloborda hyn te trevat shqiptare me përqindje relativisht të lartë të linjave R1a-M417 dhe I2a-Y3120, por gjithsesi pak më të ulët se zonat jug-lindore, si Korça apo Erseka (~35%).

–   Brenda Gollobordës, ka ngjashmëri të përgjithshme midis grupit të fshatrave shqipfolës me atë të fshatrave dygjuhësh. Të dyja grupet kanë dendësi të lartë të R1a-M417 dhe prani të rrallë të R1b-M269. Dallimet kryesore janë prania e I2a-Y3120 në fshatrat dygjuhësh, një linjë që nuk është gjetur tjetërkund në Bulqizë dhe Librazhd, dhe shpeshtia e haplogrupit E-V13, që është shfaqur më shpesh në fshatrat shqipfolës. Duhet theksuar se për krahasime të tilla nënkrahinore, kampioni mbetet i kufizuar, prandaj duhet pritur që të dhënat të rifreskohen me rezultate të reja.

–   Përgjithësisht, fshatrat e Gollobordës nuk përbëhen ose mbizotërohen nga një trung i vetëm fisnor, por nga disa vëllazëri me prejardhje të ndryshme. Trebishti ka shtatë rezultate me të paktën katër linja të ndryshme. Borova dhe Klenja kanë nga tri rezultate, në të dyja rastet nga tri linja të ndryshme atërore. Në fshatrat me nga dy rezultate ka tri raste kur të dy janë të të njëjtës linjë.

–   Katër çifte fshatrash që i lidh emri kanë të paktën nga një rezultat për fshat: Gjoricë e Epërme dhe e Poshtme, Ostren i Madh dhe i Vogël, Okshtun i Madh dhe i Vogël, Tërnovë e Madhe dhe e Vogël. Ndër to, vetëm në Okshtun të Madh e të Vogël kemi gjetur të njëjtën linjë atërore. Mbetet mundësia që përputhje të tjera të zbulohen me teste të reja.

–   Në Gollobordë, mbiemrat e njëjtë nuk tregojnë gjithmonë prejardhje të njëjtë. Deri tani, mbiemra të njëjtë janë testuar në katër raste; dhe në tri prej tyre rezultatet kanë qenë të ndryshme.

Ky artikull do të përditësohet me zgjerimin e kampionit. Ftojmë edhe një herë çdo gollobordas të bëjë një test të kromozomit Y, dhe të na bashkohet në zbulim të rrënjëve tona.

 

Burime:

Frashëri. (2012). Historia e Dibrës: që nga lashtësia deri në mars 1939. M&B: Tiranë.

Hasani. (2016). Visare të Gollobordës. Tiranë.

Fóthi, E., Gonzalez, A., Fehér, T., Gugora, A., Fóthi, Á., Biró, O., & Keyser, C. (2020). Genetic analysis of male Hungarian Conquerors: European and Asian paternal lineages of the conquering Hungarian tribes. Archaeological and Anthropological Sciences, 12(1), 31.