Ballkani i lashtë – Harta

Studimi i historisë së shqiptarëve mbi të dhënat e rezultateve gjenetike mbështetet në krahasimin e rezultateve moderne me ato nga lashtësia. Për të lehtësuar këtë krahasim, publikojmë sot hartën e rezultateve gjenetike të shteteve të Ballkanit, që nga fillimi i Epokës së Bronzit. Hartën e plotë mund ta gjeni këtu.

Të gjitha rezultatet vijnë nga studime të publikuara në revista shkencore, ose në publikim e sipër. Janë gjithsej 34 rezultate nga eshtra të datuara nga viti 3500 p.e.s, ose më vonë, nga Moldavia, Rumania, Kroacia, Serbia, Bullgaria dhe Greqia (nga shtetet e tjera të Ballkanit ende nuk ka asnjë rezultat nga eshtra të kësaj periudhe). Në disa raste, atëherë kur mund të arrihet një klasifikim më i thellë e i saktë se ai që kanë dhënë autorët, të dhënat janë ri-analizuar manualisht.

Çdo rezultat përfaqësohet nga një shenjë e veçantë në hartë, e cila tregon në vendndodhjen e përafërt të eshtrave, kulturën të cilës i përkisnin, studimin ku është publikuar rezultati dhe burimin online të të dhënave, klasifikimin nga autorët, klasifikimin e thelluar të verifikuar nga Projekti Rrënjët, mutacionet e gjetura SNP të cilat përcakojnë këtë klasifikim, si dhe pozicionin në pemën botërore të YFull. Duhet theksuar se disa mostra kanë prodhuar një numër relativisht të ulët të leximeve në disa pozicione të kromozomit Y që kanë përcaktuar, prandaj rekomandojmë lexuesit të marrin parasysh edhe numrin e leximeve, që gjithashtu mund t’a gjejnë duke klikuar te shenjat përkatëse. Nuk janë përfshirë në hartë katër rezultate (jo ndër linja atërore të shpeshta të shqiptarëve) që nuk kemi mundur t’i rishikojmë, të cilat shpresojmë t’i verifikojmë dhe t’i vendosim në të ardhmen.

Synimi ynë është që me kalimin e kohës t’a zgjerojmë hartën edhe me rezultate nga vende përreth Ballkanit, si dhe nga periudha e Neolitit (një ndër rezultatet neolitike është një E-L618 nga Kroacia, grupi nga është degëzuar E-V13). Sigurisht do të vazhdojmë t’a pasurojmë pas çdo studimi të ri që sjell rezultate të reja nga vetë vendet e Ballkanit.

Shpresojmë se harta do të mundësojë studimin e historisë sonë nga hulumtues të fushave të ndryshme, dhe të lehtësojë ndërthurjen e të dhënave gjenetike me ato historike, arkeologjike e gjuhësore. Gjithashtu, harta i mundëson shqiptarëve që kanë testin e ADN-së dhe atyre që do të testohen në të ardhmen, të gjejnë vetë haplogrupin e tyre dhe të kuptojnë më mirë kohën e mbërritjes në Ballkan dhe shpërndarjen e linjave të përafërta atërore.