Bytyçi

Bytyçi është një ndër fiset e mëdha të shqiptarëve, me shtrirje në Malësi, Pukë, Has, Llapushë, Gjakovë, dhe shumë treva të tjera shqiptare. Qendra kryesore territoriale ku Bytyçi pati edhe bajrakun e vet zë pjesën juglindore të Malësisë së Gjakovës (Tropojës).

Bytyçi në Malësi

Bytyçi përmendet për herë të parë në Malësinë e Gjakovës, në defterin osman të vitit 1571, ku fshati Rodogosh quhet “Rodogoshi dhe Mëhalla Bytyç” (Pulaha, 1975). Lidhur me prejardhjen e fisit, qarkullojnë dy mendime. Gazulli thotë se fisi Bytyç doli nga Buzhala në Malësi të Gjakovës dhe më tej (Gazulli, 1939). Kurse Rrok Zojzi thekson se Bytyçi është fis me Shkrelin e Malësisë së Madhe, dhe për të mbërritur në territorin e sotshëm ka kaluar lumin e Tropojës (Zojzi, 2018). Gojëdhënat e traditat gjithashtu theksojnë se djemtë e Lekës, Biba, Krali dhe Vili, mbërritën në Tropojë nga Shkreli (Malaj, 2004). Madje pleqtë kujtojnë se deri në fillim të shek XX, rrugës për Shkodër (për treg), bytyçasit mirëpriteshin në Shkrel si të kthyer në tokën e të parëve. Po sipas gojëdhënave, të gjithë anëtarët e fisit Bytyç në Malësi të Gjakovës vijnë dy vëllezër Bibë dhe Kral Leka, që kanë jetuar para rreth 15-16 brezash: Bibë Leka, nga i cili e kanë prejardhjen fshatrat Pac, Zherkë, Çorraj, Leniq, Kam, Kepenek dhe Zogaj; dhe Kral Leka, nga i cili vijnë banorët e Viliqit, Vladit, Bregut të Vladit dhe Çorrojit (Malaj, 2004).

Bytyçi në Dukagjin

Në gjysmën e parë të shek. 17, fshati Bytyçi përmendet nga Gj. Bardhi në afërsi të Komanit, i cili e vizitoi në vitin 1637. Bytyçasit që banojnë ende në Pukë, ashtu si dhe Komani e Kçira, mendohet se e kanë prejardhjen nga kjo popullsi e lashtë (Bytyçi i Buzhalës). Këto familje bytyçase kanë qenë pjesë e bajrakut të Qerretit, një ndër 7 bajraqet e Pukës (Meçi, 1996). Më shumë për rezultatet gjenetike dhe përgjithësisht mbi prejardhjen e Qerretit mund të lexoni këtu.

Bytyçi në Kosovë

Bytyçi është ndër fiset më të përhapura në Kosovë. Në treva të ndryshme të Kosovës, gojëdhënat mbi prejardhjen ndryshojnë. Në Llap, Has e Llapushë, pleqtë mbajnë mend lidhjet me Bytyçin në Tropojë. Në fshatrat në jug të Gjakovës, si dhe në disa fshatra rreth Pejës, kujtohet prejardhja nga zona e Komanit dhe Qerretit. Në shumë raste tradita përmend edhe lidhje fisnore me Shkrelin.

Rezultatet gjenetike

Deri tani kemi mbledhur 16 rezultate nga fisi Bytyç, sipas tabelës:

FisiFshati/LagjiaRrethiQarkuRezultati
BytyçPacTropojëKukësR1b-CTS9219>BY611>Z2705>A24000
BytyçKërvaseriMalishevëPrizrenR1b-CTS9219>BY611>Z2705>A24000
BytyçShajkofcPodujevëPrishtinëR1b-CTS9219>BY611>Z2705>A24000
BytyçLladofcPodujevëPrishtinëR1b-CTS9219>BY611>Z2705>A24000
BytyçViliqTropojëKukësR1b-CTS9219>BY611>Z2705>A24000
BytyçShkozëMalishevëPrizrenR1b-CTS9219>BY611>Z2705>A24000
BytyçShkozëMalishevëPrizrenR1b-CTS9219>BY611>Z2705>A24000?
BytyçShkozëMalishevëPrizrenR1b-CTS9219>BY611>Z2705>A24000
BytyçKastercëSuharekëPrizrenR1b-CTS9219>BY611>Z2705>A24000
BytyçNishorSuharekëPrizrenR1b-CTS9219>BY611>Z2705>A24000
BytyçSemetishtSuharekëPrizrenR1b-CTS9219>BY611>Z2705>A24000
BytyçZhegovcGjilanGjilanR1b-CTS9219>BY611>Z2705>A24000
BytyçKarashëngjergjZymPrizrenR1b-CTS9219>BY611>Z2705>Y32147
BytyçQerretPukëShkodërI1-M253>Z63>S2077>Y60985>BY105294
BytyçPejëPejëPejëI1-M253>Z63>S2077>Y60985>BY105294
BytyçPejëPejëPejëI1-M253>Z63>S2077>Y60985>BY105294

Nga këto rezultate, mund të nxjerrim disa përfundime:

– Bytyçi i Tropojës dhe ai i Pukës nuk kanë lidhje gjaku në vijë atërore. Dallohet qartë se kemi dy linja kryesore atërore: R1b-M269>CTS9219>BY611>Z2705>A24000, e cila vërehet te Bytyçi i Malësisë, dhe I1-M253>Z63>Y60985>BY105294 që lidhet me Bytyçin e Buzhalës. Linja R1b-M269>CTS9219>BY611>Z2705 është pasardhëse e popullsive Indo-Europiane që u dyndën nga stepat e Euroazisë drejt Europës e Ballkanit gjatë Epokës së Bronzit. Mendohet se mbijetoi në një prej popullsive të lashta ballkanike deri në Mesjetën e hershme, kur duhet të ketë pasur rol thelbësor në etnogjenezën arbërore. Në të ardhmen do të shkruajmë më në hollësi për këtë linjë atërore. Haplogrupi I1-M253 ka prejardhje europiane dhe mendohet se deri në Epokën e Bronzit ishte përqendruar në Europën veriore/qendrore, prej ku duhet të jetë përhapur më pas, deri në Mesjetë, në të gjitha anët e kontinentit, përfshirë edhe Ballkanin dhe trojet shqiptare. Më shumë për këtë haplogrup mund të lexoni këtu.

– Ekziston edhe një linjë e tretë atërore e fisit Bytyç, nga Hasi i Prizrenit: R1b-M269>CTS9219>BY611>Z2705>Y32147. Sipas traditës, familja në fjalë është zhvendosur nga Shkreli në Tropojë, dhe nga Tropoja në Has. Edhe pse personi në fjalë ka lidhje gjaku me Bytyçin në Tropojë, kjo lidhje është rreth 1500 vjeçare, pra shumë më e vjetër se formimi i supozuar i fisit para rreth 15 brezash. Prejardhja më e largët, nga lashtësia, është e njëjtë me gjithë nëndegët e tjera të R1b-M269>CTS9219>BY611>Z2705, shpjeguar më sipër.

– Testet nga fisi Bytyç i Pukës tregojnë se të testuarit janë të një vije atërore, dhe kanë lidhje gjaku edhe me shumicën e gjithë Qerretit, lidhje që sipas traditës vijnë nga Bytyçi i Buzhalës. Lidhje gjaku edhe më të vjetra janë ato me Kçirën dhe Kabashin. Dy rezultatet nga Kosova sugjerojnë prejardhje nga anët e Qerretit ose Komanit, ashtu siç edhe përmendet në gojëdhëna të trevave përkatëse. Mbi lidhjet e Bytyçit të Pukës me fiset e tjera të krahinës mund të lexoni më shumë këtu.

– Rezultatet e Bytyçit të Tropojës janë gjithashtu të gjitha nga një trung i vetëm. Duke qenë se pema gjenealogjike është ruajtur me hollësi për 15 breza, kemi mundur të mbledhim rezultate nga degët e ndryshme të fisit. Deri tani, pema e ndërtuar nga gojëdhënat del e saktë. Përveç faktit se të gjithë Bytyçët e Malësisë janë të të njëjtës linjë, rezultatet vërtetojnë edhe degëzimet brenda fisit. Mutacionet SNP dhe STR tregojnë se ekzistojnë dy nëndegë të fisit që përkojnë me traditën: dy familje që mbahen si pasardhëse të Bibë Lekës formojnë një nëndegë, dy të tjera që mbahen si pasardhëse të Kral Lekës formojnë një nëndegë tjetër. Madje, këto dallime të vogla gjenetike na lejojnë edhe zbulimin e nëndegës së fisit edhe për ato familje të cilat e kanë humbur këtë informacion (përcaktimi  i nëndegës ka siguri pak më të ulët për një person nga Malisheva dhe një nga Gjilani). Edhe gojëdhënat e trashëguara nga familjet bytyçase në Podujevë e Llapushë për lidhjet e gjakut me Bytyçin në Malësi janë të sakta.

– Edhe pse Shkreli është ndër fiset më të testuara deri tani, asnjë rezultat shkrelas nuk përputhet me linjat atërore të Bytyçit. Madje, kemi rezultate edhe nga familjet anase të Shkrelit, si dhe nga fshatra të tjerë që thuhet se kanë prejardhje nga Shkreli, por edhe këto nuk përputhen me rezultatet e bytyçasve. Për më tepër, kemi zbuluar në zona të tjera linja të afërta me ato të Bytyçit: Bytyçi i Tropojës ka lidhje të largët me një familje nga Librazhdi dhe një nga Skrapari, kurse Bytyçi i Pukës, siç përmendëm, ka lidhje edhe më të afërta me fise të tjera në Pukë. Nuk mund të themi me siguri të plotë se nuk ka pasur kurrë lidhje mes Bytyçit e Shkrelit, pasi nuk mund të përjashtojmë mundësinë që ndonjë linjë e rrallë, ose e zhdukur e Shkrelit, të ketë mbetur e patestuar. Megjithatë, kjo lidhje, deri tani, nuk gjen mbështetje nga të dhënat gjenetike.

 

Burime:

BV. A. Tapu defterli, defter nr. 499, f. 96 -172; shqip. Selami Pulaha. (1984). Popullsia shqiptare e Kosovës gjatë shek. XV- XVI, Tiranë.

Zamputi, I. (1963). Relacione mbi gjendjen e Shqipërisë veriore e të mesme në shekullin XVII: teksti origjinal dhe përkthimi përgatitur nga Injac Zamputi. Tiranë: [Universiteti Shtetëror, Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë].

Gazulli, N. (1939). Fjalori Toponomastik. Hylli Dritës, v.8-10, f.412, 1939. Marrë me 17 prill 2020 nga www.bibliotekashkoder.com

Zojzi, Rr. (2018). Ndamja krahinore e popullit shqiptar. Gegnia, 6-2018. Marrë me 17 prill 2020 nga www.bibliotekashkoder.com

Malaj, I.K. (2004). Tropoja në breza. Dardania: Tiranë.

Meçi, Xh. (1996). Kanuni i Lekë Dukagjinit – Varianti i Pukës. Çabej: Tiranë.