E-PH2180

Linja E-V13>Z1057>CTS5856>BY3880>Z5018>Z2979>Z16659>L241>PH2180, shkurt E-PH2180, është nëndegë e haplogrupit E-V13, ku bëjnë pjesë rreth 25-30% e shqiptarëve. Bartësit e E-PH2180 lidhen në vijë atërore me gjithë anëtarët e haplogrupit E-V13 në rreth 2000-4900 vjet, ndërsa me njëri-tjetrin kanë lidhje më të afërta, deri në rreth 1400-1600 vjeçare. Kjo linjë është sot shumë e përhapur në pjesën më veriore të Shqipërisë: rreth zonës së Alpeve Shqiptare (rreth 25-30% të popullsisë në Tropojë), në Pukë, Kukës, Shkodër, Lezhë, Gjakovë dhe Ferizaj. Gjendet në dendësi më të ulët edhe në treva të tjera shqiptare, si dhe në Mal të Zi e Sanxhak, ku shfaqet sidomos në fise me prejardhje nga Shqipëria veriore.

Pavarësisht se nuk është gjetur në eshtra të lashta deri tani, shpërndarja dhe diversiteti i E-PH2180 sot sugjerojnë se prejardhja e kësaj linje duhet kërkuar diku në Ballkan të paktën që prej Antikitetit të vonë, ndoshta edhe më herët. Si shumë linja të tjera atërore, E-PH2180 shfaq një efekt të fortë bottleneck (një rrallim i degëzimeve, gati deri në zhdukje) deri fund të Antikitetit dhe fillimit të Mesjetës, periudhë që përkon me trazirat e shkaktuara nga zhvendosjet masive të popujve veriorë e lindorë drejt Perandorisë Romake. Rreth shek 6-10 e.s, fillon një zgjerim të vrullshëm që vijon edhe në shekujt e mëvonshëm, kohë që përkon me etnogjenezën e shqiptarëve. Duke parë dendësinë dhe larminë shumë të ulët në Shqipërinë qendrore dhe jugore, mund të hamendësojmë se përhapja e kësaj linjë ka nisur në pjesën veri-perëndimore të Shqipërisë.

 

Shumica anëtarëve të klasifikuar nën E-PH2180 lidhen tek një paraardhës i përbashkët që duhet të këtë jetuar para rreth 1500 vitesh. Këtu hyjnë rezultate nga fiset Gash-Bardhaj, Gash-Shipshan, Thaçi i Pukës, nga vëllazëritë Ponari e Dushaj në Tropojë, nga dera e Bushatllinjve të Shkodrës, si dhe nga disa zona të tjera veriore. Përmes testeve me rezolucion të lartë, kemi zbuluar se vllaznia Ponari dhe familja Bushati janë pozitiv edhe per mutacionin FT176420, që tregon se kanë një paraardhës të përbashkët edhe më të vonë, i cili duhet të ketë jetuar para rrëth 1000-1200 vitesh. Gjithashtu, disa ndonjë prej rezultateve të këtij grupi mund të jetë veçuar pak më herët (1500-2000 vjet), gjë që duhet të verifikohet përmes testeve më të thella.

*Skema është bazuar në pemën BlockTree të FTDNA.com dhe në pemën YFull.com. Disa degë nuk janë paraqitur për thjeshtësi.

 

Është mjaft interesant fakti se shumë prej këtyre fiseve mbajnë në kujtesën kolektive prejardhjen nga treva veri-perëndimore të Shqipërisë: Bushatllinjtë mendohet se janë nga fshati Bushat ose zona përreth; Ponarët thuhet se janë banorët më të vjetër të Malësisë së Gjakovës, të ardhur para më shumë se 400 vitesh nga trevat buzë Bunës (Malaj, 2004); Dushaj thuhet se kanë prejardhje nga Dushi, në perëndim të Pukës (Malaj, 2004); Gashi-Bardhaj mendohet se ka prejardhje nga pjesa perëndimore e Alpeve (Malaj, 2004); Thaçi i Pukës, ka disa gojëdhëna, ndër të cilat, më të përhapurat flasin për prejardhje nga Mamurrasi, duke kaluar nëpër Bushat, e më pas në treva të Pultit e Dukagjinit, deri sa u vendosën në Iballë (Meçi, 1996). Lidhjet gjenetike, edhe pse mjaft të vjetra, sugjerojnë se këto gojëdhëna mund të përmbajnë një shkallë vërtetësie, të paktën në rrafshin gjeografik. Nga ana e tyre, gojëdhënat mbështesin hipotezën e përhapjes së kësaj linje nga pjesa veri-perëndimore e Shqipërisë.

 

 

Burime

Malaj, I.K. (2004). Tropoja në breza. Dardania: Tiranë

Meçi, Xh. (1996). Kanuni i Lekë Dukagjinit – Varianti i Pukës. Çabej: Tiranë

Dushi, A. (2014). Bushatllinjtë e Shkodrës. Marrë në mars, 2020, nga ShkodraDaily.com