E-V13

Haplogrupi E-V13 është haplogrupi më i përhapur ndër shqiptarë, me rreth 25-30% të linjave atërore. Ka shtrirje pak a shumë të njëtrajtshme në të gjitha trevat shqiptare, edhe pse nga një krahinë në tjetrën mund të mbizotërojnë nëndegë të ndryshme.

 

Të gjithë bartësit e E-V13 kanë një paraardhës të përbashkët që ka jetuar rreth 4900 vite më parë. Zbulimet degëve paraardhëse ose të afërta me E-V13 në lashtësi përfshijnë E-L618 nga Neoliti në Kroaci dhe Hungari, dhe E-Z1919 në Bullgarinë e shek 8-6 p.e.s. (kjo sipas një analize jo-zyrtare), kurse vetë E-V13 është gjetur në Moldavi: shek 4-2 p.e.s., në Itali: shek 5-6 (Romë) dhe shek 6-7 (Lombardi), në Danimarkë: shek 9-10, dhe ka gjasa që të jetë përhapur edhe në Rusi të paktën që në shek 11.

 

Nisur nga gjetjet e eshtrave të lashta, E-V13 ose një linjë pararendëse, duhet të ketë mbërritur në Europë të paktën që në Epokën e Neolitit, me shumë gjasë përmes Ballkanit, por zgjerimi i vrullshëm i kësaj linje ka filluar në Epokën e Bronzit. Mungesa e deritanishme E-V13 ndër eshtrat ballkanike të Epokës së Bronzit si dhe ato romake të Bronzit dhe Hekurit, ashtu si dhe gjetja e E-V13 në Moldavi në një individ skith të shek 4-2 p.e.s., sugjerojnë se epiqendra e E-V13 deri në fundin e Epokë së Bronzit mund të ketë qenë hapësira e Ballkanit verior dhe Europës qëndrore-lindore. Fakti që sot E-V13 ka shtrirje në të gjithë Europën gjithashtu mbështet idenë e përhapjes nga ajo zonë, në valë të ndryshme zhvendosjesh. Në shumicën e rasteve, lidhjet e linjave ballkanike të E-V13 me ato më veriore janë 2700-3500 vjeçare, gjë që sugjeron një vendosje përfundimtare në Ballkanin jugor rreth fundit të Epokës së Bronzit ose fillmit të Epokës së Hekurit. Gjasat janë që në periudhën kur dalin në skenë popullsitë e njohura paleo-ballkanike, si Ilirët, Trakët, etj., linjat atërore E-V13 të kenë qenë tashmë të vendosura dhe të përhapura në Ballkan. Rezultate nga eshtra ballkanike të Epokës së Hekurit mund t’i heqin edhe dyshimet e fundit mbi prejardhjen degëve ballkanike të E-V13.

 

*Skema është bazuar kryesisht në pemën e YFull.com. Disa degë nuk janë paraqitur për thjeshtësi.

 

Duhet thënë që pavarësisht prejardhjes së përbashkët, degë të ndryshme të E-V13 mund të kenë ndjekur rrugë të ndryshme shtegtimi, ndaj secila duhet parë më hollësisht në veçantinë e saj. Degët më të përhapura të E-V13 ndër shqiptarë janë kryesisht nën E-V13>Z5017 dhe E-V13>Z5018: E-V13>Z5017>CTS9320>Z17107, E-V13>Z5018>S2979>FGC33625>Y93102, E-V13>Z5018>S2979>FGC11450>Y173822, E-V13>Z5018>S2979>FGC11450>Y146086, E-V13>Z5018>S2979>L241>PH2180, etj. Nën rubrikën e E-V13, do të publikojmë vazhdimisht përmbledhje analizash për secilën prej këtyre degëve, si dhe degëve të tjera më të rralla.