I2a-Y3120

Nëndega I2a-Y3120 e haplogrupit I, është grupi i katërt më i shpeshtë i linjave atërore të shqiptarëve, me rreth 8% të tyre. Si gjithë linjat e haplogrupit I, edhe bartësit e I2a-Y3120 janë pasardhës të banorëve më të vjetër të Europës, të ardhur prej më shumë se 30.000 vitesh. Me mbërritjen e bujqve nga Lindja e Mesme dhe më vonë të indo-europianëve blegtoralë nga stepat euro-aziatike, degët e vjetra të I2a duket se janë rralluar dhe kanë mbijetuar të veçuara në pjesë të ndryshme të kontinentit.

Larmia më e madhe e linjave të vjetra që lidhen me I2a-Y3120 në rreth 4.000-10.000 vite më parë , sot gjenden kryesisht në Europën qendrore dhe perëndimore, prandaj prejardhja e largët e I2a-Y3120 duhet të lidhet me atë zonë. Nga ana tjetër, vetë I2a-Y3120 fillon një zgjerim tepër të vrullshëm para rreth 2100 vitesh, duke shfaqur larmi të lartë në një hapësirë që përfshin pjesë të Polonisë, Ukrainës e Bjellorusisë. Gjasat janë që pas zhvendosjes drejt lindjes, kjo linjë të jetë përhapur në të gjitha drejtimet duke filluar nga Antikiteti i vonë dhe Mesjeta e hershme. Shumica e nëndegëve që mbërritën në Ballkan mund t’a kenë ndërmarrë këtë udhëtim rreth 1400-1700 vite më parë, me qenë se lidhjet me linjat e afërta në Europën e lindjes datojnë nga ajo periudhë. Për momentin, gjetjet më të hershme nga eshtra të lashta përforcojnë hipotezën e prejardhjes nga Europa lindore, edhe pse vijnë nga një periudhë pak më e vonë: janë zbuluar disa rezultate I2a-Y3120 nga Hungaria e shek 9-10, një nga Polonia e shek 10, një nga Rusia e shek 11 dhe së fundi nga Çekia e shek 12. Popullsitë që mund të kenë sjellë këto nëndegë në Ballkan përfshijnë sllavët, fiset gjermanike, avarët, popujt nomadë nga Azia qendrore apo Uralet, etj.

*Skema është bazuar kryesisht në pemën e YFull.com dhe I-P37.2 Haplogroup Research. Disa degë nuk janë paraqitur për thjeshtësi.

Në trevat shqiptare, edhe pse gjendet në të gjitha anët, I2a-Y3120 ka një dendësi dallueshëm më të madhe te toskët, ku përqindjen më të lartë e ka në juglindje të Shqipërisë. Në veri, përqendrimi më i madh gjendet në Shkodër dhe fushat në jug dhe jugperëndim të saj, si dhe në disa pjesë të Kosovës. Përgjithësisht, vërehet një përqindje më e lartë në zona fushore.

Nga testet e deritanishme, vihet re se te shqiptarët gjenden pothuajse të gjitha nëndegët kryesore të I2a-Y3120. Gjithashtu, nëndega I2a-Y3120>PH908 (Dinaric South) mbizotëron ndër linjat e I2a-Y3120 tek gegët, ndërsa tek toskët vërehen më shpesh nëndegët e grupit Dinaric North. Në muajt e ardhshëm do të shkruajmë mbi shpërndarjen dhe prejardhjen e disa prej këtyre linjave në veçanti.