J-FGC12816

Linja atërore J1-M267>P58>Z1884>FGC12816 është dega më e përhapur e haplogrupit J1-M267 ndër shqiptarë. Degë të ndryshme të J1-M267 kanë filluar të mbërrijnë në Europë e Ballkan nga Lindja e Mesme, sidomos nga Levanti, që në periudhën e Neolitit, me popujt që përhapën bujqësinë në Mesdhe. Degë të tjera duhet të kenë mbërritur në vazhdimësi edhe gjatë Epokës së Bronzit dhe më pas edhe gjatë asaj të Hekurit dhe Antikitetit. Dega paraardhëse e J-FGC12816, J-Z1884 ka një përhapje të gjerë në Mesdhe dhe Lindje të Mesme, me rezultate nga të dy rajonet të lidhura në rreth 2500-4000 vjet, sipas YFull, gjë që sugjeron shtrirje të gjerë të saj nga Italia, në Ballkan, Turqi e Levant që në Epokën e Bronzit dhe Hekurit.

Vetë J-FGC12816 ka një moshë disi më të re që mund të lidhet me lëvizje pak më të vona. Edhe pse nuk mund të përjashtohet mundësia e një zgjerimi të parë rreth gjatë Epokës së hershme të Hekurit, ka gjasa që shpërndarja e sotshme vjen më shumë si pasojë e disa valëve të ndryshme, deri në shekujt e parë të erës sonë. Ndër lëvizjet që përputhen më së shumti me shpërndarjen dhe diversitetin e kësaj linje sot, janë ato të disa popujve (ose formacioneve politike) të dokumentuar historikisht, si fenikasit, grekët e lashtë, romakët, etj. Në fakt, nje skelet nga Roma, shek 5-6 e.s., i takon linjës J-FGC12816>L829, prandaj një zgjerim të paktën i pjesshëm i kësaj nëndege gjatë periudhës perandorake romake është pothuajse i sigurtë. Nga testet e thella të projektit, kemi zbuluar deri tani dy nëndegë shqiptare nën J-FGC12816: J-FGC12816>L829 dhe J-FGC12816>FT4955>FT196614>FT274185.

Informacioni për skemën dhe rezultatet e huaja vjen nga YFull.com dhe BlockTree në FTDNA.com. Rezultatet shqiptare vijnë vetëm nga anëtarë të projektit tonë.

 

J-FGC12816>L829

J-FGC12816>L829, është gjetur deri sot vetëm në një person nga Gjirokastra. Kjo linjë lidhet me rezultate të sotshme nga Malta dhe Sardenja në rreth 2500-2600 vjet (dhe një rezultat nga Irani me degëzim të paspecifikuar), dhe siç përmendëm më sipër, me një skelet nga Roma që daton nga Antikiteti i vonë. Duhet thënë se gjatë periudhës perandorake, përbërja gjenetike e banorëve të Romës ndryshoi ndjeshëm, duke u afruar më shumë me popuj të Mesdheut Lindor, që sipas autorëve shpjegohet me lëvizje të njerëzve nga Lindja drejt kryeqytetit perandorak. Pra, edhe pse i gjetur në Romë, ndoshta edhe ky skelet ka pasur prejardhje më lindore. Ndërkohë dega vëllazërore e saj, J-CTS2572, me moshë rreth 3000 vjeçare, gjendet gjithashtu në Itali e Levant. Vjetërsia dhe shpërndarja e të dy degëve, si dhe gjetja në skeletin romak sugjerojnë përhapje gjatë periudhës së Antikitetit, ndoshta me fenikasit, ose më vonë gjatë sundimit romak. Megjithatë, duhet pritur edhe për teste të tjera me rezolucion të lartë për të pasur më shumë siguri në llogaritjen e moshës së degës.

J-FGC12816>FT274185

Nëndega J-FGC12816>FT4955>FT196614>FT274185, gjendet nga Bujanovci në veri, deri në zonat më jugore të Shqipërisë. Lidhjet e largëta të J-FGC12816>FT4955>FT196614>FT274185 janë me një person nga Siria dhe një nga Turqia. Këta persona janë testuar vetëm në FTDNA (jo në YFull), prandaj vjetërsia e këtyre lidhjeve mund të hamendësohet me përafërsi, respektivisht rreth 2100-2600, dhe rreth 2400-2900 vjet. Kjo moshë dhe shpërndarje përsëri sugjeron një prejardhje nga lindja, me gjasë fenikase.

Kurse lidhja më e afërt e zbuluar deri tani është me një person nga Pulja, në anën perëndimore të Adriatikut. Mendojmë se personi në fjalë ka gjasa të ketë prejardhje arbëreshe, pasi gjithë rezultatet më të afërta vijnë nga Shqipëria dhe Kosova, dhe largësia mes tyre nuk shkon përtej Mesjetës. Gjithashtu, nga shënuesit STR, duket se diversiteti i rezultateve shqiptare e përfshin edhe degëzimin e gjetur në Pulja. Brenda grupit shqiptar të rezultateve, përqendrimi më i lartë vërehet në jug të Shqipërisë, sidomos në Labëri dhe Gjirokastër. Vjetërsia rreth 1100-1600 vjeçare (llogaritur me përafërsi nga shënuesit STR) përputhet me periudhën kur janë zgjeruar edhe linja të tjera karakteristike shqiptare, prandaj, duke parë edhe përhapjen e gjerë, mund të themi me siguri mjaft të lartë që kjo linjë ka qenë pjesë e popullit mesjetar Arbëror. Larmia e rezultateve është gjithashtu pak më e lartë në jug, por ka mundësi që ndonjë nëndegë të ketë lëvizur drejt veriut që në Mesjetë. Për të vlerësuar me siguri më të lartë moshën e nëndegës dhe vjetërsinë e lidhjeve me rezultatet nga Siria e Turqia, si dhe për të konfirmuar pozicionin e degëzimit në Pulja në raport me trungun e rezultateve nga trojet shqiptare, duhet të shqyrtojmë të paktën edhe 1-2 një teste të tjera me rezolucion të lartë. Me mbërritjen e këtyre rezultateve, së shpejti do të publikojmë një analizë edhe më të hollësishme të të gjithë degës.

Sot J-FGC12816 përfaqëson rreth 1-1.5% të linjave atërore të shqiptarëve, dhe ka shpërndajrje të gjerë, nga veriu në jug. Duke parë që përveç rezultatit nga Pulja, lidhjet e degëve shqiptare të J-FGC12816 me ato të huaja datojnë mbi 2300 vjet, mund të hamendësohet se vendosja e tyre në trevat e sotshme ka ndodhur jo më vonë se periudha e Antikitetit. Gjasat janë që në shekujt vijues, paraardhësit e J-FGC12816 janë shkrirë me popullsinë e Ilirisë jugore ose Epirit, kanë mbijetuar po aty dyndjet mes Antikitetit dhe Mesjetës së hershme, dhe kanë rifilluar më pas përhapjen e tyre njëkohësisht me linja të tjera atërore të Shqiptare.