J-Y21045

J-Y21045 është një linjë atërore rreth 3400 vjeçare dhe sot është linja më e përhapur e haplogrupit J2b-L283 ndër shqiptarë, me rreth 9-10% të gjithë linjave atërore. Si për gjithë J2b-L283, gjetjet e lashta në Vojvodinë, Dalmaci e Sardenjë sugjerojnë një përhapje rreth Ballkanit veri-perëndimor dhe Italisë nga Epoka e Bronzit.

Përveç këtyre rezultateve, në rastin e J-Y21045 dhe sidomos nga dega J-Y20145>Z38300, vërehet edhe përhapje dhe degëzim i vazhdueshëm i kësaj linje nga Epoka e Bronzit të vonë deri sot, dhe të gjitha nëndegët e zbuluara kanë larmi të lartë në trojet shqiptare. Larmia e lartë ndër shqiptarë, së bashku me shfaqjen shumë më rrallë të J-Y20145 popuj të tjerë, na lë të kuptojmë që zhvillimi i gjithë këtij grupi degësh duhet të ketë ndodhur diku në në trojet shqiptare, ose shumë pranë. Duke qenë se prej tri nëndegëve kryesore, J-Y161916 gjendet në Mat, J-Y20899 është e përqendruar në Dukagjin (Mirditë dhe Pukë), kurse J-PH1751 ka larmi më të lartë në trevat veriore, rajoni kryesor i zhvillimit dhe pranisë së vazhdueshme të J-Y21045>Z38300 është gjysma veriore e trojeve të sotshme shqiptare. Nga ana tjetër, duhet thënë se ndonjë nëndegë e më e rrallë mund të ketë mbijetuar dhe në zona të jugut, ose ndoshta më në brendësi të Ballkanit, që në lashtësi. Një rast i tillë mund të jetë rezultati nën J-Y20415>PH4679* i një familje me prejardhje vllahe nga Voskopoja, e cila nuk lidhet me asnjë të testuar me rezolucion të lartë në më pak se 3200 vjet.

J-Y21045, J-Z38300, J-PH1751, J-Z38299

Informacioni për skemën dhe rezultatet e huaja vjen nga YFull.com dhe BlockTree në FTDNA.com. Rezultatet shqiptare vijnë vetëm nga anëtarë të projektit tonë.

J-Y161916

Siç përmendëm më lart, ndër rezultatet shqiptare, kjo degë është gjetur vetëm në dy familje nga Mati. Lidhja e tyre më e afërt gjenetike është rreth 3100 vjeçare, me një rezultat nga Spanja. Nuk mund të themi me siguri nëse ndarja e dy degëve ka ndodhur në periudhën e përhapjes së J-Y21045, apo ka ardhur si pasojë e ndonjë lëvizjeje nga Iliria gjatë periudhës romake, pasi dihet që Iliria u bë një ndër rajonet kryesore që furnizonte legjonet romake gjatë epokës perandorake. Kujtojmë se lidhje të ngjashme me rezultate nga Spanja janë gjetur edhe në linjat J-Y21878 dhe R-BY611.

J-Y85522

Kjo linjë rreth 550 vjeçare është gjetur deri tani në Mirditë, Pukë dhe në Mat. Gjendet kryesisht e lidhur me fiset e Mirditës, si Spaçi e Kuzhneni. Në fakt, dy rezultate nga Mirdita janë të fisit Kuzhnen, dy rezultate nga Puka janë të fisit Spaç, dhe rezultati nga nga Mati vjen nga një familje që duhet të ketë prejardhje të largët nga Oroshi. Pra, rezultatet gjenetike konfirmojnë traditën që tregon se Oroshi, Spaçi e Kuzhneni kanë prejardhje të përbashkët. Kjo linjë është gjetur edhe në një rezultat nga fisi Kryezezë, afër Rubikut, dhe në Kryezi të Pukës, fisi Kabash. Gjasat janë që familja e fisit Kabash të lidhet me rezultatet e lartpërmendura në largësi më të madhe se 550 vjet, prandaj nëse dikush nga kjo familje kryen test me rezolucion të lartë, vjetërsia e kësaj dege do të rritet.

Gjithë dega ka lidhje nga Antikiteti me degën tjetër, më të përhapur, J-PH1751, e cila gjendet më rrallë në Mirditë e Pukë, dhe në dendësi shumë të lartë në gjithë zonën përreth. Ka mundësi që përhapja e vrullshme e J-Y85522 (Orosh, Spaç, Kuzhnen) me fiset e Dukagjinit në Mirditë e Pukë të jetë e lidhur me uljen e dendësisë së e J-PH1751, por kjo mbetet për t’u shqyrtuar me testimin më të plotë të familjeve të zonës.

J-PH1751 & J-Z38299

J-PH1751>Z38299: Çerçiz Topulli.
Çerçiz Topulli

Më shumë se gjysma e gjithë rezultateve shqiptare të haplogrupit J2b-L283 i takojnë nëndegës J-PH1751, linjë e përhapur në të gjitha trojet shqiptare. Larmia dhe sidomos dendësia e kësaj linje janë më të larta në veri të trojeve shqiptare, sidomos në Tropojë, ku përbën >50% të gjithë popullsisë, Deçan, dhe në hapësirën nga Vushtrria deri në Gjilan, sidomos në malësitë e Gollakut. Gjendet gjithashtu në përqindje të lartë në pjesë të Malësisë së Madhe, Matit, Dibrës, etj. Duhet thënë se edhe pse në jug gjendet më rrallë (5-10%), dendësia mbetet dallueshëm më e lartë se në vendet fqinje, dhe me gjasë është përhapur herët. Një ndër familjet që i takojnë kësaj linje janë Topullarët e Gjirokastrës. Siç do të shohim më poshtë, kjo linjë është gjetur jo rallë edhe ndër arbëreshë në pjesë të ndryshme të Italisë. Gjasat janë që një pjesë e mirë, nëse jo të gjithë anëtarët e kësaj linje nga vendet e tjera, të kenë prejardhje shqiptare përmes zhvendosjeve të arvanitasve, lëvizjeve të ndryshme shqiptare gjatë periudhës osmane, etj.

Deri tani, të gjitha rezultatet me rezolucion të lartë nën J-PH1751 lidhen në rreth 1200 vjet, mirëpo kemi disa anëtarë të tjerë në projekt që mund të formojnë degë edhe më të vjetra nëse përmirësojnë rezolucionin e testit të tyre. Sidoqoftë duket qartë që J-PH1751 ishte pjesë e grupit të linjave paleo-Ballkanike që mbijetuan gjatë periudhës së dyndjeve dhe rifilluan përhapjen e tyre gjatë Mesjetës së hershme, me siguri si pjesë e etnogjenezës arbërore. Nën J-PH1751 kemi dy degë të rralla nga Deçani dhe Shijaku, dhe degën J-PH1751>Z38299, ku gjenden gjithë rezultatet e tjera të thelluara. Vetë J-PH1751>Z38299 ka katër nëndegë me disa anëtarë, dhe katër degë të tjera me nga një anëtar secila. Kemi gjithashtu edhe grupe rezultatesh që ndajnë disa mutacione dalluese prandaj duhet të formojnë nëndegë të reja nëse testohen me rezolucion të plotë, si rasti i anëtarëve nga fisi Karmë dhe nga fisi Dush në Pukë. Pozicioni i kësaj dege nuk është përcaktuar ende përfundimisht, por është e sigurtë që tradita e prejardhjes së përbashkët për këto dy fise mbështetet rezultatet gjenetike.

J-Z38299>Y190804

Kjo nëndegë gjendet ndër arbëreshë nga Pulja. Përderisa nuk kanë lidhje më të afërt se 1200 vjet me asnjë të testuar tjetër, nuk mund të dimë me siguri nga cila krahinë e Shqipërisë mund t’a kenë prejardhjen, por rezultati sigurisht përforcon prejardhjen e tyre arbërore.

J-Z38299>Y67581

Nën këtë nëndegë kemi një rezultat nga Lezha dhe një nga Korça. Ka gjasë që prejardhja e saj të lidhet me zonat qendrore dhe jugore të gegërisë dhe me Shqipërinë e Mesme. Presim që në këtë degë të gjejmë edhe rezultate të tjera në të ardhmen.

J-Z38299>FT134628

Kjo është nëndega e dytë më e shpeshtë e J-PH1751>Z38299, dhe gjendet gjithashtu në veri dhe në jug. Fisi Kastrat i Malësisë së Madhe ka prejardhje pikërisht nga kjo nëndegë, dhe formon një grup të vetin nën të, i cili përcaktohet nga trashëgimi i mutacionit DYS385=14-15. Deri tani kemi katër anëtarë nga fisi Kastrat i Malësisë së Madhe që i takojnë kësaj linje. Tre nga vëllazëri të ndryshme të fisit në Malësi dhe një është nga Peja, prandaj mund të themi me siguri të lartë se shumica dërrmuese e këtij fisi duhet të kenë të njëjtën prejardhje. Presim edhe rezultatin e thelluar të një kastratasi tjetër që duhet të formojë edhe me SNP një nëndegë të veçuar për këtë fis. Në anën tjetër, nga Kastrati i Hasit kemi një rezultat të ndryshëm: R-Z2705.

Një fis tjetër fis me rezultate në këtë nëndegë është Lura, nga ku kemi dy anëtarë që lidhen në rreth 1200 vjet me Kastratin. Duhet thënë se Lura përbëhet nga disa linja atërore ku J-FT134628 është një ndër më të përhapurat, R-Z2705 një tjetër po ashtu mjaft e përhapur, dhe mund të ketë edhe linja të tjera që nuk i kemi zbuluar ende. Nën J-FT134628 gjenden edhe dy rezultate nga Berati dhe Lushnja, të cilët kanë një lidhje pak më të afërt me njëri-tjetrin, prandaj kanë formuar një nëndegë të përbashkët. Kjo nëndegë më jugore mund të jetë një shembull i përhapjes dhe pranisë së hershme të linjave J-PH1751 në Shqipërinë e jugut.

J-Z38299>Y52453 (J-Y46913)

J-Y52453, apo siç shfaqet në YFull, J-Y46913, është nëndega më e përhapur e J-PH1751. Pjesa më e madhe e rezultateve të kësaj dege u takojnë anëtarëve nga fiset Krasniqe, Nikaj dhe Gash i Gurit, kryesisht nga Tropoja, Gollaku dhe krahina të tjera në Kosovë. Sipas gojëdhënave më të dëgjuara, përfshirë edhe ato të paraqitura në librin “Tropoja në Breza” të I. Malaj, të gjitha vëllazëritë e fisit Krasniqe (Kolmeksh, Hysenmeksh, Kolgecaj) kanë prejardhje të përbashkët mes tyre, por edhe me fisin Nikaj. Krasniqja, me 32 rezultate në projekt nga të gjitha vëllazëritë, është më i testuari ndër fiset shqiptare në Kosovë dhe në Shqipëri, kurse nga fisi Nikaj kemi katër anëtarë. Rezultatet tregojnë se gojëdhënat janë të sakta rreth prejardhjes së përbashkët, por edhe se vëllazëritë e Krasniqes lidhen me njëra-tjetrën pak më ngushtë se me Nikajt, gjë për të cilën gojëdhënat kishin mospërputhje.Fisi Krasniqe dhe fisi Nikaj (prejardhja)

Gjithashtu, pavarësisht se tradita nuk e përmend, edhe Gashi i Gurit ka prejardhje nga J-Y52453, mirëpo largësia me rezultatet e tjera nuk është përcaktuar ende me hollësinë maksimale. Jemi në pritje edhe të disa rezultateve të reja nga vëllazëri të patestuara nga fisi Nikaj, fisi Gashi i Gurit dhe një nga Krasniqja, pas të cilave do të të shkruajmë më gjerësisht për vjetërsinë e këtyre fiseve dhe lidhjet mes tyre. Duke parë moshën dhe larminë e linjave të J-Y52453 që lidhen me Malësinë e Gjakovës (Tropojën), mund të hamendësojmë se kanë qenë të pranishme në këtë trevë të paktën që në Mesjetë. Edhe në këtë nëndegë gjendet një rezultat arbëresh, por nga Siçilia.