J-Y21878

J2b-L283>Z638>Z1297>Y21878, shkurt J-Y21878, është ndër degët më të shpeshta të haplogrupit J2b-L283 te shqiptarët, me ~1.5% të gjithë linjave atërore në projekt. Ashtu si për gjithë rezultatet J2b-L283, prejardhja e largët e J-Y21878 duhet të lidhet me popujt e lashtë të Ballkanit, duke qenë se ky haplogrup është gjetur në eshtra të Epokës së Bronzit në Dalmaci dhe Vojvodinë (rezultatet e eshtrave ballkanike nga Epoka e Bronzit e më vonë mund t’i gjeni këtu). Rezultatet bashkëkohore të J-Y21878 përputhen me skenarin e përgjithshëm të J2b-L283, mirëpo shfaqin edhe disa veçori të dallueshme.

Informacioni për skemën dhe rezultatet e huaja vjen nga YFull.com dhe BlockTree në FTDNA.com. Rezultatet shqiptare vijnë vetëm nga anëtarë të projektit tonë.

Mosha e J-Y21878 llogaritet rreth 3500 vjet nga YFull. Kjo shifër mund të ndryshojë disi me rezultate të reja, por periudha më e mundshme e shpërndarjes fillestare të J-Y21878 është Epoka e vonë e Bronzit. Deri tani janë zbuluar tri degë e nëndegë ballkanike, kurse rezultatet e tjera vijnë kryesisht nga Europa qendrore e perëndimore. Me qenë se degët ballkanike e ato perëndimore nuk lidhen më afër se 3300 vjet më parë, ka shumë gjasë shpërndarja e shekujve të fundit të Epokës së Bronzit të ketë filuar në Ballkanin veri-perëndimor, ose të paktën që ky rajon të ketë qenë i përfshirë në valën e parë të shpërndarjes. Një karakteristikë tjetër është se degët ballkanike kanë shpërndarje relativisht të ngushtë kurse ato perëndimore shfaqen në dy raste me shpërndarje në shumë shtete e pjesë të ndryshme të Europës. Ky dallim sugjeron se degët perëndimore ishin vazhduan të përhapen në valë të njëpasnjëshme, ndoshta edhe përmes dukurive me përmasa kontinentale, si zgjerimi i Perandorisë Romake. Në anën tjetër, pas shpërndarjes fillestare, degët ballkanike kaluan kanë kaluar efekt bottleneck deri rreth Antikitetit të vonë, dhe kanë rifilluar përhapjen nga ajo kohë. Rezultatet shqiptare gjenden në dy nëndegë: J-Y21878>FT29003, dhe J-Y21878>Y166564.

J-FT29003

J-FT29003 përmban një grup rezultatesh shqiptare të përqendruara kryesisht në Bulqizë dhe në pjesët veriore të Librazhdit e Elbasanit, ku përbën rreth 10% të gjithë linjave atërore. Gjendet edhe ndër shqiptarët në Maqedoni, ku ky haplotip është gjetur nga Jankova et al (2019), në dendësi pak më të ulët. Dallimet në shënuesit STR sugjerojnë se përhapja e këtij trungu ka filluar rreth Mesjetës së hershme, po për një llogari me siguri më të lartë duhen të paktën dy teste NGS/WGS. Duke qenë se deri tani nuk është gjetur jashtë krahinave juglindore të Gegërisë, mundësia më e madhe është që përhapja përfundimtare ka filluar pikërisht në këtë zonë. Prejardhja më e largët, siç u tha më sipër, duhet të lidhet me fiset paleo-Ballkanike, por nuk mund të themi me siguri nëse lidhet me Ballkanin perëndimor apo qendror. Lidhja e gjithë këtij grupi me një rezultat nga Spanja llogaritet rreth 3300-3500 vjeçare, pra mund të bëhet fjalë për dy linja që janë ndarë që në kohën e përhapjes fillestare të gjithë J-Y21878, prandaj nuk ndikon në studimin e prejardhjes së grupit shqiptar.H

J-Y166564

J-Y166564 ka disa degëzime dhe shpërndarje të gjerë, sidomos në trevat veriore shqiptare. Së pari, të gjitha rezultatet shqiptare lidhen në rreth 1500-1800 vjet me një rezultat nga Sllovenia, lidhje që përforcon idenë e përhapjes nga veri-perëndimi i Ballkanit. Në degën shqiptare, kemi tri nëndegë. Njëra është gjetur vetëm në Elbasan, dhe ka rreth 30-35 breza largësi me gjithë të tjerët. Dega e dytë, J-Y166564>FT124757* është gjetur në dy persona nga fshatra të ndryshme të Lumës Kukës, dhe një person nga Kaçaniku, në komunën e Ferizajit. Ka mundësi që të tre këta anëtarë të vijnë nga një trung i vetëm, por do të duhej rezolucion më i lartë testimi për verifikimin e kësaj mundësie. Nëndega e tretë, J-Y166564>FT124757>FT124983 i takon trungut të Gegë Lazrit të fisit Hot, të Malësisë së Madhe. Të gjitha degëzimet e testuara të këtij trungu i takojnë kësaj linje, prandaj gojëdhëna e tyre mbi prejardhjen e përbashkët është e vërtetë. Gjithashtu, edhe disa rezultate të fisit Hot nga projekti boshnjak lidhen ngushtë (~400 vjet) me Hotin në Malësi. Nga ana tjetër, pavarësisht lidhjes rreth 1500-1800 vjeçare me një rezultat nga Sllovenia, nisur nga lidhjet më të ngushta, nuk duket se ka shumë vërtetësi gojëdhëna mbi prejardhjen e Hotit nga Bosnja. Nëse ka patur ndonjëherë lëvizje të tillë, ajo ka ndodhur shumë më herët se Mesjeta e vonë. Për prejardhjen e Hotit do të shkruajmë më gjerësisht në një artikull të posaçëm.