J-Z631

J2b-L283>Z638>Z1297>Z1295>Z631 është ndër degët kryesore të J2b-L283, një haplogrup me prani në Ballkan të paktën që në Epokën e Bronzit, dhe që sot shfaq diversitet dhe dendësi shumë të lartë te gegët. Edhe pse ndan të njëjtën prejardhje të largët me degët e tjera të këtij haplogrupi, J2b-L283>Z631 tregon disa karakteristika të veçanta, si në moshë, shpërndarje dhe në larmi.

J-Z631 në lashtësi

Nga testet moderne, vlerësohet se J-Z631 ka një moshë rreth 2800 vjeçare, kurse një shumica e nëndegëve të saj llogariten rreth 2400-2800 vjeçare. Valët kryesore të përhapjes së J-Z631 duket se i takojnë Epokës së Hekurit, dhe mund të kenë vazhduar edhe gjatë Antikitetit. Po nga testet moderne me rezolucion të lartë, vërehet se diversiteti i J-Z631 nuk është i përqendruar vetëm në një zonë të ngushtë por në një hapësirë që përfshin Ballkanin, Europën qendrore dhe atë perëndimore e veri-perëndimore. Rezultate nga secili prej këtyre rajoneve janë gjetur thuasje në çdo nëndegë të J-Z631.

Kultura lindore të Hallstattit (Metzner-Nebelsick).

Me këto të dhëna, nuk është e lehtë të përcaktohet në mënyrë përfundimtare prejardhja e gjithë degës. Megjithatë, nisur nga përhapja e shpejtë gjatë Epokës së Hekurit dhe Antikitetit dhe nga shpërndarja e sotshme, por edhe nga të dhënat mbi degët e tjera të J2b-L283, rajoni më i mundshëm i origjinës duket Ballkani veri-perëndimor ose pjesa lindore e Alpeve të Europës. Një mundësi është që J-Z631 të ketë qenë ndër linjat atërore të kulturës Hallstatt dhe kulturave pasardhëse të saj, të cilat u përhapën në një pjesë të madhe të Europës perëndimore dhe qendrore, si dhe në Ballkan, gjatë Epokës së Hekurit. Ndër popujt e lashtë që njohim sot, J-Z631 mund të jetë përhapur në fillim nga disa prej tyre, si keltët, italikët, ilirët, etj., kurse një valë më e vonë zgjerimi mund të ketë ndodhur gjatë Perandorisë Romake. Në fakt, nga eshtrat e lashta, zbulimi më i rëndësishëm nga këtë linjë atërore vjen nga një skelet rreth 1800-2000 vjeçar, gjetur në Romë, që sipas autorëve të studimit, ishte varrosur sipas traditës romake të kohës (Antonio et al, 2020).

 

J-Z631 dhe nëndegët e saj te shqiptarët

J-Z631 përbën rreth 12% të linjave atërore të haplorupit J2b-L283, dhe rreth 1.5% të gjithë linjave atërore shqiptare. Ndryshe prej pjesës tjetër të J2b-L283, që është shumë më e përqendruar në veri, J-Z631 ka shpërndarje më të ekuilibruar, me rreth 1.3% të linjave atërore te gegët dhe rreth 2.1% toskët. Dendësia më e lartë vërehet në Labëri dhe në Dibër.

Nëndegët J-Z631>Y155546 dhe J-Z631>Y144394 janë gjetur në Labëri, e para përgjatë bregut të Jonit, kurse e dyta në zonën malore në brendësi. Në të dyja rastet janë zbuluar lidhje nga Antikiteti me persona me prejardhje nga Europa veriore: nën J-Y155546 gjendet një amerikan me prejardhje nga Europa veri-perëndimore, kurse nën J-Y144394 gjendet edhe një polak. Të dy këto nëndegë ka mundësi që janë shpërndarë gjatë periudhës romake.

Informacioni për skemën dhe rezultatet e huaja vjen nga YFull.com. Skema paraqet vetëm degët ku gjenden anëtarë të projektit.

 

Shumica e rezultateve shqiptare që janë klasifikuar thellësisht gjenden nën J-Z631>Z1043, ku kemi tri degëzime kryesore: J-Y185476, J-Y191359, J-Y22894.

J-Z631>Z1043>Y185476: Kjo nëndegë përfshin dy rezultate nga Gora e Korçës, me një lidhje të afërt mes tyre. Mbetet për t’u parë nëse do të gjenden rezultate të tjera në këtë nëngrup që të na tregojnë më shumë mbi prejardhjen e tij.

J-Z631>Z1043>Y22894: Kjo nëndegë është formuar nga dy rezultate nga Rumania dhe Greqia, mirëpo duke parë vlerat e shënuesve STR të anëtarëve të projektit tonë, si dhe nga studime të ndryshme, është pothuajse e sigurtë se këtu do të klasifikohen edhe një grup jo i vogël shqiptarësh nëse përmirësojnë testet e tyre. Ky grup ka shtrirje të gjerë dhe diversitet relativisht të lartë në pjesën verilindore të trojeve shqiptare, nga disa zona të Dibrës, Maqedonisë perëndimore, etj. Po në këtë nëndegë ka gjasa të gjenden edhe rezultate nga Rumania, gjithashtu nga teste me rezolucion të ulët. Duhet theksuar se ndërsa rezultatet nga Bosnja dhe Greqia shfaqin një lidhje mjaft të ngushtë mes tyre, sipas shënuesve STR, rezultatet shqiptare, dhe ndoshta edhe ato rumune, duhet të jenë më larg prej tyre, prandaj mosha e kësaj dege duhet rikalibruar me disa teste të reja të rezolucionit të larta.

J-Z631>Z1043>Z8424>Z8429>Y191359: Dy shqiptarë dhe një rumun kanë një lidhje rreth 1000-1200 vjeçare nën J-Y191359. Përsëri shfaqet një lidhje e mundshme me pjesën qendrore dhe veri-lindore të Ballkanit, në këtë rast llogaritur nga periudha e Mesjetës.

Si për J-Y22894, ashtu edhe për J-Y191359, ka mundësi që lidhjet me Rumaninë të përfaqësojnë marrëdhëniet mesjetare mes paraardhësve të shqiptarve, dhe atyre të vllehëve dhe rumunëve. Me diversitetin dhe dendësinë verilindore mes shqiptarëve, me rezultate nga Rumania dhe vende të tjera ku ka gjurmë të ngulimeve vllehe por edhe arbërore, si dhe me vjetërsinë mesjetare të J-Y191359, të dhënat e para nga këto nëndegë përputhen me përfundimet e disa teorive gjuhësore mbi kontaktet mes shqiptarëve dhe vllehëve e rumunëve (Malcolm, 1998; Illyés, 1988). Sipas Malcolm, këto kontakte janë përqendruar pikërisht në trevën e Dardanisë (1998). Mundet që këto linja të jenë vërtetë pasardhëse të popujve të lashtë ballkanik, që mbijetuan, pjesërisht të latinizuar, deri në ditët e sotme. Zhvillimi i mëtejshëm filogjenetik i tyre përmes testeve të thelluara do të jetë me shumë interes për të vlerësuar me siguri më të lartë vazhdimësinë e tyre historike në Dardani dhe më gjerë.

 

 

Referenca:

Metzner-Nebelsick, C. (2017). At the crossroads of the Hallstatt East. Connecting Elites and Regions, 349. URL: https://openaccess.leidenuniv.nl/handle/1887/67977.

Antonio, M. L., Gao, Z., Moots, H. M., Lucci, M., Candilio, F., Sawyer, S., … & Aneli, S. (2019). Ancient Rome: A genetic crossroads of Europe and the Mediterranean. Science366(6466), 708-714.

Sarno, S., Tofanelli, S., De Fanti, S., Quagliariello, A., Bortolini, E., Ferri, G., … & Sineo, L. (2016). Shared language, diverging genetic histories: high-resolution analysis of Y-chromosome variability in Calabrian and Sicilian Arbereshe. European Journal of Human Genetics24(4), 600-606.

Jankova, R., Seidel, M., Videtič Paska, A., Willuweit, S., & Roewer, L. (2019). Y-chromosome diversity of the three major ethno-linguistic groups in the Republic of North Macedonia. Forensic science international. Genetics42, 165–170. https://doi.org/10.1016/j.fsigen.2019.07.007.

Malcolm, N., & University Pres New York. (1998). Kosovo: A short history (pp. 22-40). London: Papermac.

Illyés, E., & Illyés, E. (1988). Ethnic continuity in the Carpatho-Danubian area (No. 249). East European Monographs.