Labëria

Labëria është treva më e madhe malore në pjesën jug-perëndimore të Shqipërisë. Nga ana gjuhësore, janë të shumtë autorët kanë vënë re se popullsia e Labërisë shfaq karakteristika të veçanta brenda dialektit toskë (Friedman, 2005; Elsie). Po ashtu, në aspektin kulturor, etnografik dhe historik, krahina ka tipare dalluese që i japin banorëve të saj vetëdije të spikatur të identitetit lab brenda atij shqiptar (Elezi & Zojzi, 2006; Mahony, 2011; Zojzi, 2018; etj). Për këto arsye, është me interes të shqyrtohet në mënyrë krahasimore përbërja gjenetike e popullsisë labe me atë të pjesës tjetër të trevave shqiptare dhe sidomos me pjesën tjetër të Toskërisë.

Të dhënat gjenetike

Për të identifikuar sa më saktë bërthamën e krahinës, do të mbështetemi tek kufijtë e vjetër të ruajtur në traditën vendase (Zojzi, 2018, f.56): Ura e Drashovicës në veri, Ura e Tepelenës në lindje, Ura e Kalasë në jug dhe bregdeti i Jonit dhe Adriatikut në perëndim. Treva brenda këtyre kufijve është ndër më të testuarat deri tani, me 85 rezultate nga 36 vendbanime të ndryshme. Sipas vendlindjes së gjyshit në vijë atërore të çdo personi të testuar, rezultatet vijnë nga vendbanimet: Nivicë (8), Golëm (6), Kuç (5), Brataj (4), Progonat (4), Rradhimë (4), Sevastër (4), Tepelenë (4), Dhërmi (3), Himarë (3), Smokthinë (3), Vranisht (3), Bolenë (2), Dukat (2), Fterrë (2), Kardhiq (2), Luzat (2), Qeparo (2), Rexhin (2), Tragjas (2), Vajzë (2), Vuno (2), Borsh (1), Dhemblan (1), Fushëbardhë (1), Gjorm (1), Gusmar (1), Humelicë (1), Kudhës (1), Memaliaj (1), Picar (1), Prongji (1), Shkozë (1), Turan (1), Velçë (1), Zhulat (1). Tabela e mëposhtme paraqet rezultatet nga Labëria dhe treva të tjera shqiptare:

 NE-V13R-M269J-L283I-Y3120R-M417I-M253J-M410 J-M267I-M223
GE-M123
Gegët36725.921.518.84.67.19.04.91.41.40.81.6
Labëria8532.9209.42.43.512.97.17.11.2
Toskët
(pa Labëri)
22521.8165.314.711.15.37.15.34.441.3

Rezultatet nga krahina e Labërisë shfaqin lidhjet e pritshme me trojet e tjera shqiptare, megjithatë tregojnë edhe disa veçori krahinore.

– Si në përgjithësi në trojet shqiptare, gjasat janë që shumica e linjave atërore labe kanë prejardhje të lashtë ballkanike (nga Epoka e Bronzit dhe e Hekurit), kurse një pakicë kanë mbërritur në Ballkan prej Antikitetit të vonë ose Mesjetës së hershme me dyndjet gjermanike, sllave, apo të popullsive nomade nga stepat euroaziatike. Në nivel haplogrupesh, E-V13, R1b-M269, J2b-L283 dhe I1-M253 kanë dendësi më të lartë në Labëri se tek toskët e tjerë. Madje edhe jashtë kufirit që përcaktuam, këto haplogrupe gjenden disi më dendur në Tepelenë dhe Mallakastër. Sidomos I1-M253, në Labëri mbërrin përqindje më të lartë se në gjithë trevat e tjera shqiptare me përjashtim të Pukës, ku gjithashtu ka përqindje shumë të lartë. Vërehet gjithashtu dendësi mjaft e ulët e haplogrupeve R1a, I2a, G, dhe disa haplogrupeve të tjera më të rralla. Të dhënat përputhen me shpërndarjen e këtyre haplorupeve edhe në trevat e tjera shqiptare, ku R1a-M417, I2a-Y3120 dhe G gjenden më dendur në zona fushore, kurse I1-M253, R1b-M269 dhe J2b-L283 kanë dendësi më të lartë në zona malore.

– Në nivel subkladash (degëzime haplogrupesh), Labëria shfaq disa dallime me pjesën tjetër të Toskërisë:

  • Rezultatet E-V13 janë në pjesën dërrmuese E-V13>Z5018>FGC11450>Y173822, E-V13>Z5018>FGC11450>Y146086, ose një degëzim i veçantë i E-V13>Z5018, të cilat gjenden rrallë ose aspak në pjesën tjetër të Toskërisë. Nga ana tjetër, nëndega mjaft e përhapur në juglindje, E-V13>Z5017>CTS9320>Z17107, pothuajse mungon në Labëri.
  • Shumica e rezultateve nga haplogrupi R1b-M269, ashtu si në përgjithësi në trevat shqiptare, i takojnë nëndegës R1b-BY611. Një veçori e R1b-së së gjetur deri tani në Labëri është se degëzimi i dytë më i shpeshtë nuk është R1b-PF7563, i cili deri tani mungon, por R1b-L51.
  • Haplogrupi J2b-L283, relativisht i rrallë në pjesën më të madhe të Toskërisë, përveç dendësisë, shfaq edhe larmi mjaft të lartë në Labëri, me rezultate nga disa degëzime të vjetra.
  • Një ndër rezultatet më tipike labe është I1-M253>Z58>A6397>Y97339, që dominon haplogrupin I1-M253 në Labëri, por jashtë saj gjendet vetëm në Mallakastër.
  • J2a-M410 po ashtu përmban degëzime të pagjetura në troje të tjera, ndërsa shmuica e linjave J1-M267 kanë lidhje me disa rezultate të tjera Berati, Korça dhe Gjirokastra.

– Një numër i relativisht i lartë linjash atërore janë vendosur dhe përhapur në Labëri, duke formuar grupe që gjenden vetëm aty dhe në zonat përreth. Grupe të dallueshme për momentin janë I1-M253>Y97339, dhe degëzime të E-V13>Z5018, E-V13>Z5018>FGC11450>Y146086 dhe J2a-M410>L25. Ka shumë gjasa që nëndegë të veçanta labe të kenë edhe E-V13>Z5018>FGC11450>Y173822 dhe R1b-BY611, por duhen disa teste me rezolucion më të lartë për t’u dalluar. Për të gjitha këto degëzime do të kemi artikuj të veçantë në të ardhmen nëse rritet numri i testeve me rezolucion të lartë.

– Fshatrat e Labërisë janë shpesh të dominuara nga një trung i vetëm gjenealogjik. Në shtatë prej dhjetë fshatrave me tri, ose më shumë rezultate, të paktën gjysma e të testuarve janë të një linje atërore. Në këtë nëndarje të rezultateve, kampioni është pak më i vogël, prandaj përfundimi duhet marrë disi me rezervë. Nëse ky trend përforcohet me rritjen e numrit të testeve, ky tipar i Labërisë mund të jetë tregues i themelimit të disa prej fshatrave si bashkësi fisnore dhe ruajtjes deri në një farë shkallë të kësaj strukture deri në ditët e sotshme.

– Shpërndarja gjeografike e grupeve kryesore të linjave atërore paraqitet jo e njëtrajtshme. Përveç E-V13>Y146086, që ka shpërndarje të gjerë, linjat e tjera janë të përqendruara në zona më të kufizuara: rezultatet E-V13>Y173822 gjenden në pjesën më lindore të krahinës; linjat R1b-BY611 vijnë kryesisht nga brigjet e Vjosës dhe nga Kurveleshi; J2a-M410 gjendet gjatë gjithë bregdetit, por jo në brendësi; I1-M253>Y97339 është përhapur pak më gjerësisht por shumica e rezultateve të kesaj linje vijnë gjithashtu nga Kurveleshi. Përsëri duhet thënë se një kampion më i madh mund të tregojë me siguri më të lartë shpërndarjen lokale të secilës linjë atërore, por shpërndarja e deritanishme e linjave atërore në Labëri ka karakter lokal më shumë se krahinor. Në pritje të më shumë rezultateve, mund të hamendësojmë se formimi i identitetit të përbashkët krahinor lab ka qenë më shumë pasojë e proceseve kulturore apo ekonomike/shoqërore, se sa si zgjerim i disa fiseve kryesore, sic mund të ketë ndodhur në disa zona të veriut.

– Labëria shfaq ngjashmëri të kufizuar me linjat atërore të gegëve. Në fakt, shumë ndër fshatrat e Labërisë kanë gojëdhëna për prejardhje nga veriu, për verifikimin e të cilave nevojiten teste me cilësi të lartë. Nga rezultatet e deritanishme, mund të themi se një numër i kufizuar i të testuarve mund të ketë prejardhje veriore. Këtu hyjnë rezultate R1b-BY611>Z2705>Y31247>Y133365, R1b-BY611>Z2705>BY105603, J2b-L283>PH1751, J2b-L283>Y82533 dhe ndoshta ato E-V13>Y173822. Duhet theksuar se edhe pse ka gjasa që perjardhja e tyre të jetë nga veriu: 1- kjo duhet verifikuar me teste me rezolucion më të lartë; 2- deri tani nuk ka prova që lidhin rezultate nga Labëria me rezultate veriore në afërsi nën 500 vjet; 3- shumica dërrmuese e linjave atërore labe nuk shfaqin afërsi të dukshme me linja veriore. Në këtë rast, më shumë se rritja e kampionit ka rëndësi përmirësimi i rezolucionit të testeve të deritanishme.

 

Burime:

Friedman, V. (2005). Albanian in the Balkan Linguistic League: A Reconsideration of the Theoretical Implications. Studia Albania, nr.1. Marrë me 25 prill 2020 nga home.uchicago.edu

Elsie, R. Albanian Dialects. Marrë me 25 prill 2020 nga www.dialects.albanianlanguage.net

Elezi, I. & Zojzi, Rr. (2006). Kanuni i Labërisë. Toena: Tiranë

Mahony, M. (2011). An investigation of the polyphonic folk music of Albania. Marrë me 25 prill 2020 nga http://hdl.handle.net/2263/27337

Zojzi, Rr. (2018). Ndamja krahinore e popullit shqiptar. Gegnia, 7-2018. Marrë me 17 prill 2020 nga www.bibliotekashkoder.com