Linjat Atërore

Haplogrupet e linjave atërore (Y-DNA)

Ndër 23 çiftet e kromozomeve të çdo njeriu, 22 janë një ndërthurje e materialit gjenetik të dy prindërve. Por, me qenë se vetëm meshkujt kanë kromozom Y në çiftin 23, çdo mashkull e trashëgon atë nga babai i tij, pothuajse pa asnjë kontribut nga materiali gjenetik i nënës. Pra, me përjashtim të mutacioneve, një pjesë e kromozomit 23 kalon e pandryshuar nga babai te i biri. Kështu, të gjithë meshkujt që kanë të njejtin paraardhës në vijë atërore, kanë Y-DNA identike, përveç mutacioneve që mund t’i dallojnë lehtësisht.

Këto veçori të trashëgimisë gjenetike të vijës mashkullore mundësojnë studimin e lidhjeve të gjakut deri në qindra apo mijëra vite largësi. Gjithashtu, çdo mutacion që i ndodh një mashkulli në kromozomin Y trashëgohet gjithashtu tek pasardhësit e tij në vijë mashkullore, gjë që lejon dallimin gjenetik të linjave të ndryshme atërore. Këto mutacione dalluese emërtojnë gjithë grupin e linjave atërore që rrjedhin nga i njëjti paraardhës. Për shembull, të gjithë personat që i takojnë haplogrupit R-M269 janë pasardhës të personit tek i cili ka ndodhur mutacioni M269.

Duhet theksuar se linjat atërore nuk përcaktojnë identitetin etnik personal. Shqiptarët e të gjitha linjave atërore i bashkojnë gjuha, kultura, traditat dhe mbi të gjitha ndjenja e të qenit shqiptar. Megjithatë, edhe gjenetikisht, shqiptarët janë popull shumë homogjen, gjë që sugjeron se shumica e paraardhësve të secilit prej nesh duhet t’u takojnë disa haplogrupeve karakteristike shqiptare, pavarësisht nga haplogrupi i linjës së drejtpërdrejtë atërore.

Linjat atërore të shqiptarëve

Si te çdo popull, edhe te shqiptarët gjejmë linja atërore të disa haplogrupeve të ndryshme. Ndër haplogrupet më të përhapura te shqiptarët janë E-V13, R1b-M269, J2b-L283, I2-Y3120, R1a-M417, I1-M253, J2a-M410, etj. Në faqet e kësaj rubrike do të paraqesim shkurtimisht të dhëna mbi prejardhjen dhe shpërndarjen e këtyre haplogrupeve, duke u përqendruar kryesisht në momentin e mbërritjes së tyre në Europë e Ballkan, si dhe në përhapjen e tyre në trevat shqiptare. Për secilin haplogrup, do të publikojmë në vazhdimësi edhe materiale të veçanta për nëndegët e tyre kryesore. Këto publikime do të përditësohen rregullisht, duke ndjekur hapin e zbulimeve nga testet e ardhshme.

Publikime të deritanishme mbi linjat atërore shqiptare:

E-V13E-Z17107, E-Y173822, E-PH2180.

R1b-M269: R-FGC40202, R-BY147912.

J2b-L283: J-Z631

I2a-Y3120

R1a-M417: R-L1029.

I1-M253

J1-M267: J-FGC21816