R-L1029

Rreth 2.5% e linjave atërore shqiptare i takojnë grupit R1a-M417>Z645>Z282>M458>L1029. Kjo linjë rreth 2100 vjeçare gjendet si te gegët edhe te toskët, me një përqendrim pak më të lartë në Bulqizë dhe disa rrethe të jugut të Shqipërisë.

Mosha e degëve të R1a-M417>M458 dhe divrsiteti i lartë i tyre në Europën qendrore dhe lindore sugjerojnë se përhapja e këtyre linjave, përfshirë R-L1029, të ketë filluar në një zonë mes Gjermanisë dhe Rusisë rreth Antikitetit të vonë ose Mesjetës së hershme. Edhe rezultatet nga eshtrat e lashta, pavarësisht se ende të pakta, mbështesin këtë hipotezë. R1a-M417>M458 nuk është gjetur as ndër eshtra ballkanike nga Epoka e Bronzit, as ndër eshtra romake nga Epoka e Bronzit deri në Mesjetë. Gjetjet më të vjetra të saj vijnë nga individë vikingë ose nordikë te shek 9-13 nga Polonia, Ukraina, Danimarka, Rusia, dhe një sllav i shek 12 nga Gjermania veri-lindore. Rezultatet nga Polonia dhe Danimarka i takojnë pikërisht nëndegës R-L1029, kurse skeleti nga Gjermania nuk është analizuar më thellë se deri te mutacioni M458.

Duhen ende më shumë analiza nga eshtra ballkanike të Epokës së Hekurit, mirëpo gjasat janë që R-L1029 ka mbërritur në Ballkan mes Antikitetit dhe Mesjetës. Duke pasur parasysh lëvizjet e shumta në Ballkan e Europë lindore në atë periudhë, është vështirë të përcaktohet një popullsi apo fis me të cilët të lidhet zhvendosja e R-L1029 drejt Ballkanit. Kandidatët kryesorë përshijnë sllavët, fiset gjermanike të Europës qendrore dhe lindore, bullgarët dhe hungarezët (magjarët) e lashtë, vikingët, etj. Ka mundësi që nëndegë të ndryshme të kenë lëvizur me popuj të ndryshëm. Lëvizja e R-L1029 drejt trojeve shqiptare mund të ketë ndodhur në disa valë e nga disa drejtime, por duke qenë se larmia dhe dendësia e saj është më e lartë në Bullgari se në ish-Jugosllavi, duket se shumica e nëndegëve kanë mbërritur nga drejtimi i lindjes.

 

*Disa degë nuk janë paraqitur për thjeshtësi.

Nga rezultatet e testeve të anëtarëve të projektit Rrënjët, kemi zbuluar se ekzistojnë të paktën dy nëndegë të R-L1029 mbi 1000 vjeçare që deri sot janë gjetur vetëm ndër shqiptarë. Njëra prej nëndegëve, R-L1029>Y133383, me moshë rreth 1100 vjeçare, është e përqendruar kryesisht në rrethin e Bulqizës, nga ku duket se është përhapur edhe drejt rretheve të tjera në veri dhe jug të Shqipërisë, si dhe ndër shqiptarët e Maqedonisë. Nëndega tjetër, R-L1029>YP263>MF93145 ka përhapje në një zonë më jugore. Edhe kjo nëndegë ka filluar të përhapet që në Mesjetën e hershme, para rreth 1300-1400 vitesh. Ekzistojnë edhe linja të paklasifikuara më thellë se R-L1029, të shpërndara pak a shumë në të gjitha trojet shqiptare, si dhe në diasporë. Ka mundësi që një pjesë e këtyre anëtarëve të zbulojnë se i përkasin njërës prej dy nëndegëve të lartpërmendura, ose të formojnë nëndegë të reja mes tyre, nëse përmirësojnë rezolucionin e testit të kryer. Me të dhënat e deritanishme, mund të hamendësojmë se linja atërore të R-L1029 kanë qenë pjesë e integruar e proto-shqiptarëve të paktën që në Mesjetën e hershme, dhe gjasat janë që të kenë marrë pjesë në proçeset formësuan popullsinë Arbërore që shfaqet në burime historike nga shek 11.