E-V13

E-V13 është haplogrupi më i shpeshtë ndër shqiptarë, me rreth 28% të linjave atërore në projekt. Ka shtrirje dhe përqendrim pak a shumë të njëtrajtshëm në të gjitha trevat shqiptare, prandaj ka rëndësi të hulumtohet prejardhja e përgjithshme e haplogrupit. Nga ana tjetër, degët specifike kanë shpërndarje dhe shpeshtësi të ndryshme nga njëra-tjetra dhe duhen shqyrtuar secila sipas historisë së vet të përhapjes.

Prejardhja e E-V13

Të gjithë bartësit e E-V13 kanë një paraardhës të përbashkët që ka jetuar rreth 4900-5100 vite më parë, pra gjatë Epokës së Bronzit. Përpara kësaj periudhe, si pjesë e makrohaplogrupit E, paraardhësit e E-V13 duhet të jenë vendosur në Europë me valët e njëpasnjëshme të përhapjes së kulturave neolitike nga Anadolli dhe Levanti. Zbulimet degëve paraardhëse ose të afërta me E-V13 në lashtësi përfshijnë E-L618 nga Neoliti në Kroaci, Hungari, Ukrainë, etj., kurse degët e sotshme më të afërta janë në Europë dhe Afrikën veriore. Gjasat janë që linja të ndryshme të makrohaplogrupit E ishin pjesë e kulturave të ndryshme nga Neoliti deri në Epokën e Bronzit. Sidoqoftë, trungu i degëve kryesore të E-V13 nisi të formësohej mijëra vjet pas përhapjes së bujqve, në Epokën e Bronzit, në të njëjtën periudhë me dyndjet indo-europiane nga Stepat. Edhe shpërndarja kryesore e E-V13 në Ballkan ndodhi në Epokën e Bronzit dhe të Hekurit, kur popujt historikisht të njohur të Ballkanit (ilirët, trakët, etj.) ishin tashmë indo-europianë në gjuhë dhe kulturë.

Rezultatet moderne

Zona e mundshme e përhapjes para 4000-5000 vjetësh, sipas rezultateve të sotshme

Duke përdorur rezultatet gjenetike të popujve të sotshëm, prejardhja e një vije atërore mund të gjurmohet duke vlerësuar larminë e degëve e nëndegëve të saj.   Në këtë drejtim, peshën më të madhe e kanë degët më të vjetra që përmbajnë edhe nëndegë të vjetra me përqendrim në një zonë të caktuar, pasi këto sugjerojnë prani të lashtë në atë zonë. Sot, E-V13 ka disa degë me moshë para-romake në pjesë të ndryshme të Europës, por pjesa më e madhe kanë nëndegë ballkanike dhe jo-ballkanike që lidhen në rreth 2400-3100 vjet largësi. Një pjesë e madhe nëndegëve perëndimore me siguri u vendosën aty në periudhën romake, por një numër i madh degësh duhet të jenë përhapur më herët. Duke qenë se këto zakonisht kanë moshë që përputhet me Epokën e Hekurit dhe sot gjenden në të dy anët e Danubit, mund të hamendësohet se Panonia ishte një burim i rëndësishëm i përhapjes së E-V13 në këtë periudhë. Këtu përfshihen pjesa veriore/qendrore e Ballkanit dhe zona fqinje në Europën qendrore, rajon që e kemi përmendur prej vitesh si mundësi e pikënisjes së shpërndarjes së E-V13. Duhet theksuar se deri në këtë pikë kemi shqyrtuar vetëm rezultatet moderne, që japin një orientim të rëndësishëm, por që duhet kombinuar me të dhënat e eshtrave të lashta.

Rezultatet e lashta

Rezultatet e lashta E-V13: >2500 vjet – të kuqe; 2000-2500 vjet – portokalli.

Në studimet e publikuara 3-4 vitet e fundit, gjetjet e E-V13 në eshtra të lashta kanë shpërndarje më lindore. Gjetjet nga fillimi i Epokës së Hekurit janë një numër i madh nga Bullgaria dhe një rezultat i vetëm nga Sllovakia, kurse nga periudha më e vonë para-romake ka edhe rezultate të tjera nga Siçilia, Praga, Kroacia, Moldavia, Ukraina dhe përsëri nga Bullgaria, shtet ku E-V13 është gjetur në vazhdimësi nga fillimi i Epokës së Hekurit. Pra, deri tani, E-V13 ka përqendrim dhe larmi para-romake dukshëm më të lartë në Ballkanin qendror/lindor, dhe me gjasë gjendej dendur mes trakëve dhe më rrallë në Ilirinë veri-perëndimore. Nuk ka ende rezultate para-romake nga Dardania dhe zona përreth, por rezultatet e mëvonshme sugjerojnë se ka gjendej mes dardanëve, ndoshta në përqindje të lartë (mbetet të verifikohet). Duhet përmendur se këto rezultate shfaqen plot 2000 vjet pas përhapjes fillestare të E-V13, prandaj përfundimet janë përsëri relativisht paraprake. Rezultate të reja të lashta, sidomos nga Epoka e Bronzit, mund të sjellin risi kyçe.

Hapësira e mundshme e përhapjes së E-V13 sipas rezultateve të sotshme dhe të lashta (Panonia, Dardania & përreth, Trakia).

Nga diversiteti i rezultateve moderne dhe nga rezultatet e lashta, duket se hapësira më e mundshme e përhapjes së parë të E-V13 ka qenë diku mes pellgut të Panonisë (Vojvodinë/Hungari & Rumania perëndimore) dhe Bullgarisë së sotshme, duke përfshirë gjithë Ballkanin qendror. Ndoshta ishte pikërisht kjo zonë e ndërmjetme që nisi përhapjen në disa drejtime, por detaje të këtij niveli kërkojnë të dhëna edhe më të plota. Pavarësisht se cila pjesë specifike e saj ishte pikënisja, e gjithë kjo hapësirë duhet të ketë qenë pjesë thelbësore e përhapjes së hershme të E-V13, duke shërbyer edhe si burim për degë të E-V13 në rajona të tjera. Do të duhen më shumë rezultate cilësore moderne dhe sidomos më shumë rezultate nga eshtra të Epokës së Bronzit për t’a përcaktuar me saktësi dhe siguri më të lartë zanafillën gjeografike të E-V13. Në çdo rast, duke parë gjetjet mjaft të shpërndara, duket se të gjithë popujt kryesorë të Ballkanit kishin në përbërje të tyre të paktën disa degë të haplogrupit E-V13 që në periudhën para-romake.

E-V13 ndër shqiptarë

Sot, haplogrupi E-V13 ka dendësinë më të lartë në botë në trojet shqiptare. Përqindja më e lartë gjendet në Kosovë, Malësi, Labëri, Tiranë/Durrës. Shumica e degëve kryesore, si psh: E-BY4459, E-Y146085, E-PH2180, etj., kanë nisur të përhapen që në periudhën e etnogjenezës shqiptare, në antikitetin e vonë dhe mesjetën e hershme. Me qenë se origjina e E-V13 në përgjithësi nuk është përcaktuar ende me saktësi, edhe vendosja e shumicës së degëve të E-V13 në trojet shqiptare mbetet e diskutueshme. Megjithatë, mes Panonisë dhe Bullgarisë, nga cilido rajon të ketë nisur përhapja e E-V13, lidhja më e afërt me trojet shqiptare është ish-territori i lashtë i Dardanisë. Me shumë gjasë, shumë linja të sotshme E-V13 mes shqiptarëve ose kanë zanafillën e tyre rreth zonës së Dardanisë, ose janë vendosur fillimisht në Dardani (nga veriu ose lindja) dhe më pas janë përhapur më gjerësisht edhe në troje të tjera.

Duhet thënë se koha dhe rruga e përhapjes mund të dallojnë nga një degë në tjetrën, por periudhat kryesore ka mundësi që kanë qene Epoka e Hekurit dhe periudha mes Antikitetit dhe Mesjetës. Siç përmendëm më lart, që në periudhën para-romake, E-V13 duhet të ketë qenë e pranishme në popujt paleo-Ballkanikë nga Adriatiku deri në Detin e Zi. Konkretisht në Dardani, prova më e fortë për prani të lashtë, janë rezultatet e shek.3-5 nga Nishi dhe nga Timacum Minus.

Në nivel degësh, ka dallime mjaft të mëdha në shpërndarjen e sotshme në trojet shqiptare. Një numër i madh degësh të E-V13 mund të gjendet në krahina të ndryshme, gjë që sugjeron prani në popullatën arbërore/shqiptare që në periudhën e etnogjenezës. Mes këtyre janë E-Y173822, E-Y146085, E-BY4459, E-PH2180, E-FT17132, E-Y159601, etj. Larmia e sotshme sugjeron se shumica e këtyre linjave duhet të jenë përhapur nga verilindja para rreth 1400-1800 vjetësh.

Ka shumë mundësi që edhe një numër i madh degësh të tjera të kenë qenë pjesë e etnogjenezës arbërore/shqiptare pavarësisht shpërndarjes më të vonë ose më të kufizuar gjeografikisht. Për secilën prej degëve kryesore të E-V13 mes shqiptarëve kemi publikuar artikuj të veçantë ku secila shqyrtohet me më shumë hollësi: E-BY4459, E-Y173822, E-Y146085, E-Y93102, E-PH2180, E-BY168279. Artikujt do të rifreskohen vazhdimisht me shtimin e të dhënave. Ndërkohë, theksojmë se E-V13 është haplogrui shqiptar me numrin më të lartë të rezultateve me cilësi të pamjaftueshme për përcaktimin e nëndegës, me rreth 80 rezultate të tilla. Ftojmë anëtarët e haplogrupit E-V13 që të përmirësojnë cilësinë e analizës, që larmia dhe shpërndarja e degëve të E-V13 mes shqiptarëve të kuptohet më thellësisht.