Çamwria

Çamëria është krahina më jugore e trojeve shqiptare. Nga veriu, nis nga Konispoli në Shqipëri, dhe zgjatet deri në Gjirin e Artës në jug, në Greqi. Si pasojë e dëbimeve, shpërnguljeve dhe asimilit gjuhësor, çamët sot janë një grup krahinor shumë më i vogël se labët apo toskët, dhe gjenden të shpërndarë në disa zona të Shqipërisë. Për këto arsye, mbledhja e rezultateve të vijave atërore çame është sa e vështirë, aq edhe e domosdoshme.

Haplogrupet 

Deri tani, kemi 32 rezultate nga Çamëria. E-V13 është haplogrupi më i shpeshtë, me një përqindje të përafërta me treva të tjera shqiptare. Ndërsa degët e E-V13>Z5018 mbizotërojnë në Labëri, kurse ato të E-V13>Z5017 në Toskëri, Çamëria i ka të dyja në numra të ngjashëm. R1b-M269 gjendet pak më rrallë se në trevat e tjera (12.5% vs. 20%). Dallimi më i madh këtu është në dendësinë e R1b-Z2705, që deri tani është gjetur vetëm në një famije, pra ~3% e kampionit, ndërkohë që është ~14% në trevat shqiptare në tërësi. Dega R1b-L51 me ~6% është më lart se në trevat e tjera ku zakonisht del rreth 1%. Një statistikë krejtësisht e veçantë e Çamërisë është mungesa e J2b-L283, që deri tani nuk është gjetur në asnje familje nga 31. Në veri, ky haplogrup mbërrin 20-30% të gjithë linjave atërore, kurse në Labëri e Toskëri rreth 7-9%. Nga ana tjetër, I2a-M223, që në tërësi përbën rreth 2.5% të linjave atërore shqiptare, deri tani është 13% në Çamëri. Në krahasim me zonat e tjera jugore, vërehet gjithashtu një përqindje relativisht e lartë e R1a-M417, dhe relativisht e ulët për I2a-Y3120 dhe I1-M253. Ka mundësi që këto trende të zbuten me rritjen e kampionit, mirëpo dallime më të lehta me gjasë do të mbeten si veçori të Çamërisë në raport me krahinat e tjera. 

Në përgjithësi, si në trevat e tjera, mbizotërojnë linjat me prejardhje nga Ballkani i lashtë, kurse një grup më i vogël u vendosën në Ballkan në Antikitetin e vonë dhe në Mesjetën e hershme. Raporti mes këtyre dy grupeve në Çamëri është afërsisht 65/35%.

Haplogrupet në Çamëri

Degëzimet

Nga degëzimet e zbuluara përmes testeve të thella, vërejmë lidhje gjenetike mes familjeve çame nga fshatra e zona të ndryshme të krahinës. Degëzimet e gjetura në të paktën dy familje të ndryshme janë: E-V13>Y133830, E-V13>FTG57709, I2a-M223>Y363427, J2a-FGC6662, R1a-YP3994. Pavarësisht kampionit të kufizuar, më shumë se gjysma e të testuarve me teste të thella kanë gjetur përputhje gjenetike me familje të tjera çame. Ka mundësi që disa linja atërore mesjetare të jenë zgjeruar vrullshëm e të kenë arritur të mbizotërojnë gjithë zonën. Një fenomen të tillë e hasim edhe në Labëri e në krahina të tjera, rreth shek.12-15. Deri tani, Çamëria shfaq një veçori në këtë drejtim, pasi linjat më të shpeshta janë disi më të përqendruara në nënzona të caktuara. Për shembull, I2a-M223>Y363427 është gjetur në dy fshatra të Gumenicës dhe në Pjadhul, R1a-YP3994 po ashtu në Gumenicë dhe një fshat pranë saj, E-V13>Y1333830 në dy familje nga Konispoli. Pra, duket se mbizotërimi i disa linjave mund të jetë më lokal se në disa treva të tjera, por kjo duhet verifikuar me një kampion më të bollshëm. 

Lidhjet mes familjeve çame

Nga lidhjet gjenetike mes familjeve të ndryshme çame, vërehet se largësia mes tyre mbërrin deri në Mesjetë, gjë që sugjeron se paraardhësit atërorë të çamëve të sotshëm duhet të kenë qenë në të njëjtën krahinë prej të paktën 600 vjetësh. Gjithashtu, edhe pse grekët janë një prej popujve më të patestuar deri tani, janë gjetur tashmë disa lidhje me rezultate nga Greqia (psh nën I2a-M223). Për shkak të numrit të ulët të rezultateve, nuk mund të dilet në përfundime përgjithësuese, por gjasat janë që këto përputhje tregojnë ose për popullatën e helenizuar çame ose toskë në Greqi, ose për lidhje gjenetike mes çamëve e arvanitëve më në jug.

Lidhjet me krahina të tjera

Lidhjet më të shpeshta me krahina të tjera shqiptare janë me Labërinë dhe me Toskërinë, por ka edhe lidhje më të rralla me veriun. E-V13>Y133830 dhe R1a-YP3994 janë gjetur edhe në Berat dhe Gjirokastër, kurse I2a-M223>Y363427 dhe J2a-FGC6662 lidhen kryesisht me familje nga Labëria. Lidhja mes familjeve çame dhe atyre labe në këto degë mbërrin në rreth 800-1000 vjet. Dega I1-S20289 ka një përhapje mjaft të rrallë, pasi deri tani e hasim në Mat, Tiranë dhe në Çamëri, dhe gjithashtu ka një përhapje prej rreth 1000 vjetësh. Periudha e shek.11-15, pra, mund të shënojë kohën kur Çamëria nis të veçohet si një krahinë e dallueshme prej të tjerave.