E-FGC11450 është degëzim i haplogrupit E-V13 dhe nëndegës E-V13>Z5018, sipas zinxhirit të mutacioneve E-V13>Z5018>S2979>FGC11457>FGC11451>FGC11450. E-FGC11450 përmban disa prej linjave atërore më të shpeshta shqiptare, të cilat gjenden në të gjitha trojet, por secila me tiparet e saj të veçanta. Përhapja e E-FGC11450 duhet të ketë nisur gjatë Epokës së Bronzit, me shumë mundësi nga Ballkani verior, ose një territor i afërt diku mes Alpeve Europiane dhe Karpateve, ashtu si edhe nëndegë të tjera të E-V13.
Përhapja fillestare
Fakti që E-FGC11450 gjendet në të dy anët e Danubit në larmi të lartë mbështet skenarin e përhapjes nga zona e lartpërmendur. Edhe i vetmi rezultat para-modern deri tani, është gjetur nga një studim në një skelet nga Hungaria mesjetare (shek. XII). Nga ana tjetër, nëndegët e E-FGC11450 duhet të kenë qenë ndër të parat e E-V13 në pjesët më jugore të Ballkanit, ndoshta prej Epokës së Bronzit ose të Hekurit, siç tregon larmia mjaft e lartë e degëve shqiptare, por edhe prania në Bullgari, Greqi, etj. Gjithsej, rreth 6% e gjithë linjave atërore shqiptare janë pjesë e këtij grupi që ndan një paraardhës të përbashkët prej Epokës së Bronzit.
Degëzimet që gjenden ndër shqiptarë janë të shumta, duke filluar nga rezultate të afërta me E-FGC11450 dhe rezultate nën E-FGC11450 që nuk kanë afërsi të madhe me asnjë prej rezultateve të tjera, kryesisht nga krahina të ndryshme të Shqipërisë jugore. Kurse degët më të përhapura ku hyjnë mbi 90% e gjithë rezultateve janë E-Y173822, E-Y146086>Y140828 dhe E-Y146086>BY68094>Y227294.
E-Y173822
Të gjithë anëtarët e E-Y173822 deri sot janë shqiptarë. Të gjithë ndajnë një paraardhës të përbashkët që ka jetuar para rreth 1400 vitesh. Si shumë linja të tjera karakteristike shqiptare, edhe E-Y173822 duket se është përhapur vrullshëm pikërisht gjatë Mesjetës së hershme, pas një mbijetese me gjasa të vështire që nga fillimi i Epokës së Hekurit. Sot përbën rreth 2% të popullsisë (~8% të E-V13), me përhapje të gjerë në trojet shqiptare. Dendësia më e lartë vërehet në disa zona veriore si Mirditë, Ulqin & Anamal, Tiranë por edhe në Labëri. Nga ana tjetër, shfaqet shumë rrallë në Malësi dhe Kosovë.
*Skema është bazuar në pemën BlockTree të FTDNA.com dhe në pemën YFull.com. Rezultatet shqiptare vijnë vetëm nga anëtarë të projektit tonë.
Përkundër dendësisë në disa treva veriore, larmia më e madhe vërehet në jug dhe në Shqipërinë e mesme. Nga të dhënat e testeve me rezolucion të lartë del degëzimi më i vjetër i zbuluar deri tani gjendet në jug të Shqipërisë: në Dropull e Labëri. Rezultati nga Dropulli vjen nga një familje e vjetër shqiptare e zonës. Këto dy familje lidhen jo më afër se 1300-1400 vjet me pjesën tjetër të rezultateve, të cilat formojnë një nëndegë paralele me ta: E-Y173822>Y228147. Brenda kësaj kemi anëtarë nga të gjitha trojet, mirëpo është për t’u theksuar fakti se të gjitha rezultatet nga trevat mbi lumin Mat (vetëm pozicioni i një rezultati nga Postriba mbetet për t’u verifikuar) i takojnë një nëndege më të re: E-Y173822>Y228147>FT184022, rreth 1000-1100 vjeçare. Në krahun tjetër, rezultatet nga Tirana, Elbasani dhe Labëria janë më të largëta mes tyre. Pra, për E-Y173822, gjasat janë se përhapja në trojet shqiptare ka filluar nga Shqipëria jugore ose e mesme, duke u përhapur edhe në veri të paktën që prej Mesjetës.
E-Y146086
Nga shpërndarja dhe larmia mes shqiptarëve, por edhe më gjerë, E-Y146086 është ndër degët më interesante të E-V13. Pjesë e kësaj linje rreth 3400 vjeçare janë degëzime shqiptare, finlandeze, gjermane, etj. Deri tani janë zbuluar dy nëndegë: E-Y146086, e përhapur gjerësisht ndër shqiptarë, me dendësinë më të lartë në Labëri, dhe që nuk është gjetur në popujt të tjerë; dhe E-Y146086, e përhapur më shumë në veri, por që gjendet edhe në vende të ndryshme të Europës. Lidhja 3400 vjeçare mes këtyre dy degëve përfshin edhe lë hapur disa skenarë të përhapjes. Ekzistenca e një degëzimi finlandez i cili nuk ka lidhje për mbi 3000 vjet me rezultatet e tjera, sugjeron se pikënisja nuk ka qenë e ndryshme nga pjesa tjetër e E-FGC11450. Mirëpo përhapja mund të ketë vijuar përmes valëve të ndryshme përgjatë shekujve. Nisur nga prania e njërës nëndegë vetëm te shqiptarët, dhe lidhjeve rreth 2300-2500 vjeçare të shqiptarëve me të rezultate nga Europa perëndimore në degën tjetër, mund të hamendësojmë se një valë e dytë lidhet me lëvizjet e ballkanasve drejt perëndimit në periudhën romake të Romës. Përsa i takon vjetërsisë së E-Y146086 në Ballkanin perëndimor, të dhënat e deritanishme favorizojnë prani të paktën nga Epoka e Hekurit.
E-Y146086>Y140828
Kjo nëndegë gjendet në të gjitha trevat, por në Labëri ka përqindjen më të lartë, me rreth 21% të gjithë rezultateve, dhe me përhapje gati në çdo fshat të krahinës. Rreth kësaj linjave kryesore në Labëri do të shkruajmë së shpejti në hollësi, por ndërkohë mund të themi me siguri se E-Y146086>Y140828 ka luajtur rol thelbësor në formimin, fillimisht fisnor e gjenealogjik, e më pas edhe etnografik të Labërisë, me gjasë bashkë me I1-Y97339 dhe R-Z2705. Gjithashtu, duke qenë se në Labëri gjenden dy nëndegë të saj me moshë rreth 700-1000 vjeçare, mund të themi se prania e saj në Labëri fillon të paktën në Mesjetë (pra nuk ka mbështetje për legjendat e vendosjes nga veriu pas periudhës së Skënderbeut). Nga ana tjetër, rezultatet nga treva të tjera, sidomos veriore, edhe pse më të rralla, shfaqin larmi më të lartë. Pra, prejardhja më e largët e degës edhe mund të lidhet me krahina veriore, mirëpo në këtë pikë nevojiten disa teste me rezolucion të lartë nga veriu për të verifikuar largësinë mes tyre dhe me rezultatet nga Labëria, Çamëria, Korça, etj.
*Skema është bazuar në pemën BlockTree të FTDNA.com dhe në pemën YFull.com. Rezultatet shqiptare vijnë vetëm nga anëtarë të projektit tonë.
E-Y146086>BY68094>Y227294
Në lidhje rreth 3400 vjeçare me linjën E-Y146086>Y140828 gjendet linja atërore E-Y146086>BY68094>Y227294. Rezultatet shqiptare të kësaj linje gjenden kryesisht në veri: në Kaçanik, në Shkodër, me shumë mundësi edhe në Rrafsh të Dukagjinit, por edhe Kavajë, dhe më në jug, në Skrapar e Berat. Vjetërsia e lidhjeve mes këtyre rezultateve është rreth 1200-1400 vjeçare, pra tipike për linjat paleo-Ballkanike të ri-përhapura në trojet shqiptare gjatë Mesjetës së hershme. Veçantia e kësaj linje është lidhja jo fort e largët me rezultate nga vende të ndryshme europiane: Gjermani, Holandë, Finlandë, Kroaci, Greqi, Bosnje-Hercegovinë. Dega finlandeze, siç u përmend më herët, përbën një rast të veçantë, kurse lidhjet e tjera datojnë rreth 2300-2500 vite më parë. Duke qenë se degët ballkanike shfaqin diversitet shumë të lartë, dhe duke pasur parasysh degën paralele me rezultate shqiptare, hipoteza më bindëse për shpjegimin e këtyre lidhjeve mund të jetë ajo e përhapjes nga Ballkani drejt perëndimit. Në kontekstin perandorak romak, lëvizje të tilla mund të lidheshin me zhvendosjet e legjioneve romake në zona kufitare, si psh. kufiri i Rinit, i cili ka një farë ngjashmërie me përhapjen e kësaj dege në Gjermani dhe Holandë (në zonën e Rinit ka edhe rezultate J2b-L283). Megjithatë, nevojiten edhe disa rezultate të tjera të thelluara për të pasur siguri më të lartë për moshën e degës dhe për të interpretuar kohën dhe drejtimin e përhapjes.