E-Y173822

E-Y173822 është nëndegë e haplogrupit E-V13, sipas zinxhirit të mutacioneve E-V13>Z1057>CTS5856>BY3880>Z5018>S2979>FGC11457>FGC11450>Y173822. Grupi i linjave E-FGC11450, ka shtrirje mjaft të gjerë në Europë dhe sidomos në Ballkan. Shpërndarja e sotshme e nëndegëve të E-FGC11450, me degë të veçuara në rajone të ndryshme të Europës, tregon për një grup që është shpërndarë në shumë drejtime në fillimet e Epokës së Hekurit, ndoshta nga Ballkani verior ose pellgu panonian. Për shkak të kësaj shpërndarjeje, lëvizjet e secilës nëndegë prej 3200 vitesh duhet të trajtohen në mënyrë të veçantë.

Të gjithë anëtarët e E-Y173822 deri sot janë shqiptarë. Të gjithë ndajnë një paraardhës të përbashkët që ka jetuar para të paktën 1200 vitesh. Ndonjë nëndegë mund të jetë veçuar edhe më herët, gjë që mund të verifikohet me teste SNP në YSEQ, ose me teste me rezolucion të lartë. Si shumë linja të tjera karakteristike shqiptare, edhe E-Y173822 duket se është përhapur vrullshëm pikërisht gjatë Mesjetës së Hershme, pas një mbijetese me gjasa të vështire që nga fillimi i Epokës së Hekurit. Sot përbën rreth 2-3% të popullsisë (~10% të E-V13), me përhapje të gjerë në trojet shqiptare. Dendësia më e lartë vërehet në disa zona veriore si Mirditë, Ulqin & Anamal, Tiranë por edhe në Labëri. Nga ana tjetër, shfaqet shumë rrallë në Malësi dhe Kosovë.

E-Y173822 ndër shqiptarë.

Informacioni për skemën dhe rezultatet e huaja vjen nga YFull.com dhe BlockTree në FTDNA.com. Rezultatet shqiptare vijnë vetëm nga anëtarë të projektit tonë.

Nga disa teste me rezolucion të lartë, kohët e fundit kemi zbuluar dy nëndegë të E-Y173822 dhe kemi arritur të klasifikojmë një pjesë të mirë të anëtarëve. Nga këto të dhëna të reja del se ekzistojnë të paktën tri nëndegë që janë ndarë prej rreth 1200 vitesh. Dy prej tyre gjenden në pjesën jugore të Gegërisë, ndërsa e treta, E-Y173822>FT184022, shfaqet më në veri. Me interes është fakti se shumica dërrmuese e anëtarëve më veriorë të E-Y173822 janë nën këtë degëzim më të ri. Për dy anëtarë të projektit, respektivisht nga Ulqini dhe nga Kukësi, mund të themi se paraardhësi i tyre i fundit i përbashkët ka jetuar para rreth 650 vitesh. Edhe anëtarë të tjerë nga treva të ndryshme veriore janë testuar dhe klasifikaur po në këtë grup, edhe pse degëzimet e tyre mund të jenë pak më të vjetra. Pra, larmia e E-Y173822 duket më e ulët se në Shqipërinë e Mesme, dhe ndoshta në jug. Mund të hamendësojmë se pavarësisht dendësisë së kësaj nëndege në veri, përhapja e kësaj ka filluar nga një zonë më jugore.

Pema e kësaj dege do të zhvillohet më tej në muajt e ardhshëm. Pasi të përcaktohen më me hollësi disa nëndegë më jugore, mund të flasim më me siguri për vendin nga ka filluar përhapja e E-Y173822.