E-Y328959

E-M123 është haplogrupi i dhjetë më i shpeshtë ndër shqiptarë sot, me rreth 1.1-1.2% të gjithë linjave atërore të projektit, por disa nga degët e tij kanë përqendrim të lartë në krahina të ndryshme. Linja E-M123>Y4972>Y328959 gjendet dendur në gjithë rajonin e maleve të Sharrit. Deri tani është gjetur në Topojan, Turaj, Belë e Kollovoz të Kukësit, në Shipkovicë të Tetovës, në Nikaj të Kaçanikut si dhe në një familje serbe përsëri nga zona e Sharrit. Jashtë këtij rajoni është gjetur vetëm në një familje shqiptare nga Tirana dhe një familje serbe nga Bosnja.
Pasi disa prej familjeve kryen teste me rezolucion të lartë, u përcaktua se koha kur ka jetuar paraardhësi i përbashkët i këtyre familjeve është rreth 1300-1400 vjet më parë. Gjithashtu, deri tani janë zbuluar dy degë: në njërën janë dy familje shqiptare nga Kukësi dhe Kaçaniku (prejardhje nga Luma), kurse në tjetrën një familje shqiptare nga Tirana dhe dy familjet serbe.
Prejardhja e lashtë e kësaj linje duhet të lidhet me lëvizjet nga juglindja, jo më vonë se Antikiteti (ndoshta edhe më herët) pasi një skelet nga Zara e shek.2-3 është nën një degë tjetër të E-Y4972 në pemën e FTDNA, dhe linjat moderne europiane lidhen me ato aziatike në rreth 2500-5300 vjet. Me shumë gjasë, nëndega Y328959 arriti t’i mbijetojë rënies së Perandorisë Romake dhe periudhës së dyndjeve në zonën e Sharrit, nga ku edhe u përhap më vonë. Nisur nga koha e përhapjes në Mesjetën e hershme dhe nga diversiteti më i lartë ndër shqiptarë por me disa nëndegë në popujt përreth (këto ndoshta fillimisht të përhapura si vllehë, para sllavizimit), Y328959 ngjason me disa prej linjave kryesore atërore shqiptare.
Një kuriozitet për Y4972 është se edhe familja e Napoleon Bonapartit bart këtë linjë atërore, dhe sipas pemës së FTDNA është rreth 5300 vjet larg nga nëndega Y328959 që gjendet mes shqiptarëve.