Linja E-Z17107 (E-V13>Z1057>CTS5856>BY3880>Z5017>Z5016>Y3762>CTS6377>CTS9320>Z17107), është ndër nëndegët më të përhapura të E-V13 ndër shqiptarë, me rreth 3% të popullsisë (~13% e E-V13). Deri tani nuk është gjetur në eshtra të lashta, prandaj prejardhja e largët duhet gjurmuar përmes rezultateve bashkëkohore. E-Z17107 bën pjesë në grupin E-CTS9320, nga ku dalin disa linja të shpeshta në trevat shqiptare dhe në Ballkan. Megjithatë, një pjesë e mirë e rezultateve E-CTS9320 vjen edhe nga Europa veriore dhe ajo lindore. Një shpërndarje e përafërt vihet re edhe në degëzimet e E-Z17107, e cila përmbledh rezultate të shumta nga Ballkani, disa nga Hungaria, madje edhe nga Suedia, Ukraina e Rusia.
Informacioni për skemën dhe rezultatet e huaja vjen nga YFull.com dhe BlockTree në FTDNA.com. Rezultatet shqiptare vijnë vetëm nga anëtarë të projektit tonë.
Duke parë këtë shpërndarje gjeografike, si dhe faktin se degët ballkanike kanë lidhje rreth 2300-2900 vjeçare me ato të Europës qendrore, veriore e lindore, mund të hamendësojmë se paraardhësit e shqiptarëve të E-Z17107 janë zhvendosur gjatë Epokës së Hekurit nga hapësira e Ballkanit qendror/verior, ose Europës qendrore/lindore, drejt jugut (në këto elemente, E-Z17107 ngjason edhe me E-BY4526, për të cilën mund të shkruajmë në të ardhmen). Vija shtegtuese ka mundësi të ketë kaluar nëpër korridorin e Ballkanit qendror, megjithatë për verifikimin e kësaj hipoteze duhen më shumë të dhëna, sidomos nga eshtrat e lashta. Pavarësisht nga kanë kaluar, larmia e lartë e linjave shqiptare E-Z17107 sugjeron se prania e tyre në Ballkanin perëndimor fillon të paktën që në Antikitet. Për më tepër, kemi një numër rezultatesh të reja mjaft të veçanta në projekt, të cilat pasi të thellohen sipas nevojës, mund t’a rrisin edhe më tepër larminë e këtij grupi mes shqiptarëve (rreth tyre do të shkruajmë gjatë muajve të ardhshëm).
Pas vendosjes në trojet e sotshme, E-Z17107 filloi të zgjerohej pak a shumë në të gjithë hapësirën shqipfolëse. Sot e gjejmë sidomos nga Drini në Shkumbin, si dhe në Shqipërinë juglindore. Gjendet edhe në trojet shqitpare jashtë kufijve shtetëror të Shqipërisë, nga Plava deri në Çamëri. Dendësia më e ulët vërehet në trevat më veriore dhe në Labëri.
Brenda E-Z17107, pothuajse të gjitha rezultatet janë nën E-Z38456. Në këtë nëndegë gjenden anëtarë të disa fiseve të veriut, si Toplana, Shllaku, Dibrri dhe Çidhna. Po nga ky nëngrup kemi në projekt edhe një anëtar nga Frashëri i Përmetit, pinjoll i familjes së shquar Frashëri. Pra, gjasat janë që edhe atdhetarët e Rilindjes Kombëtare, vëllezërit Frashëri, kanë pasur linjën atërore E-Z17107>Z38456, dhe ndajnë një paraardhës të përbashkët me gjithë anëtarët e tjerë të të njëjtës linjë.
E-Z38456 përfshin dy grupe të mëdha: E-Y97307, që gjendet kryesisht në veri, dhe E-Y161799, që deri tani është gjetur në Shqipërinë e mesme dhe jugore. E-Y97307 ka një moshë pak më të vjetër mirëpo shpërndarja më e vrullshme e të dy degëve ka ndodhur rreth 1100-1300 vite më parë. Shtrirja në pjesën më të madhe të trojeve shqiptare, së bashku me përputhjen kohore të përhapjes me linjat e tjera atërore sugjeron se E-Z17107 përben një ndër linjat themeltare të etnogjenezës arbërore.