Fisi Shkrel është ndër fiset kryesore të Malësisë së Madhe. Territori i Shkrelit shtrihet përgjatë luginës së Lumit të Thatë, duke u kufizuar me Kastratin, Kelmendin, Bogën, Shalën, Planin, Rrjollin, Reçin, Lohjen. Fshatrat e Shkrelit janë Vrithi, Bzhetë, Zagora, Dedaj, Ducaj, Xhaj, Makaj, Grishaj.
Fisi Shkrel në histori dhe gojëdhëna
Fisi Shkrel nis të përmendet në dokumenta historike nga shekulli i 15, kur del si vendbanim në trevën ku gjendet edhe sot, dhe mbiemër i banorëve të disa fshatrave të ndryshme në zonën mbi Shkodër (Zamputi, 1977). Sipas një gojëdhëne thuhet se Lekë Shkreli ishte i pari i fisit, dhe djemtë e tij Vrith, Dedë, Buzhetë dhe Zog formuar fshatrat kryesore të fisit: Vrith, Dedaj, Bzhetë dhe Zagore (Ukgjini). Ka hipoteza të ndryshme për vendin nga erdhi Leka me të bijtë: një version i mbledhur nga në 1858 thotë se i pari i fisit erdhi nga Peja (Hecquard, 1858), Rrok Zojzi përmend Fushën e Kosovës (1944), kurse një version tjetër më i njohur thotë se Leka mbërriti nga Bosnja (Durham, 1908; Nopsca 1912; Ukgjini), por duhet thënë se në shekujt e kaluar edhe territore të afërta që sot janë pjesë e Malit të Zi thirreshin Bosnje.
Kujtesa e trashëguar thekson se të parët e këtij trungu gjeneaologjik gjetën në Shkrel një popullsi më të vjetër, nga të cilët mbetën vetëm pak familje, kurse të tjerat u larguan. Nga këta banorë të vjetër, sipas të gjitha gojëdhënave, rrjedhin banorët e fshatit Xhaj, dhe sipas Ukgjinit edhe Vukajt, Kolajt, Kapllajt, Luizi dhe Tuçajt. Rrok Zojzi tregon:
“Kur fisi i Shkrelit u dynd prej fushës së Dardhanis (Kosovës), kaloi bjeshkët dhe i ra në shpinë Xhanit qi banojshin në tokën ku sot banon Shkreli. Xhajt luftuen sa mujten e në fund u dbuen dhe u ndoqën prej Shkrelit gjatë luginës së Prronit të That. Xhani i lodhun, nji pjesë i briti Shkrelit “në dorë t’ande, mos më çart”, e nji pjesë tjetër u kap mbi qafë të Shtogut e duel në Pult ku përtrini Xhanin edhe atje.”
Që në fillim të shekullit të 17 Shkreli del si njësi e veçantë, pasi përmendet nga Bolizza me 65 shtëpi dhe 43 burra të armatosur nën udhëheqjen e Gjon Parubës. Pas kësaj periudhe Shkreli vijon të zjgerohet deri sa mbërrin në rreth 600 shtëpi në 1900. Përveç Shkrelit në Malësi të Madhe, shumë shkrelas u zhvendosën edhe në treva të tjera, si në Sanxhak, në Rugovë e më tej në Kosovë, në Shestan, në trevat fushore bregdetare mes Shkodrës e Lezhës, etj. Ka edhe fise të tjera që kujtojnë prejardhjen e tyre nga Shkreli, edhe pse tashmë nuk e mbajnë veten pjesë të këtij fisi, si psh Bytyçi (Rrok Zojzi thotë në 1962 se Shkreli e Bytyçi ishin një Mal që u nda në dy fise), Markajt e Margegajt në Tropojë, Vrithi e Dedajt në Pukë, Shëngjini në Mirditë, etj. Kurse Boga thuhet se ka qenë pjesë e Shkrelit përpara bashkimit me Kelmendin, por nuk ka gojëdhëna konkrete për lidhje gjaku.
Rezultatet gjenetike
Në databazën e projektit kemi, deri tani, 14 anëtarë të fisit Shkrel. Prej këtyre, 10 janë nga Shkreli në Malësi të Madhe, kurse 4 nga zonat e tjera të banuara nga anëtarë të fisit.
Fshati | Vëllazëria | Rezultati |
---|---|---|
Grykë Lugje | J2b-L283>Y23094>Y82533>CTS8786 | |
Ducaj | Bzheta | J2b-L283>Y23094>Y82533>CTS8786 |
Dedaj | Dedaj | J2b-L283>Y23094>Y82533>CTS8786 |
Dedaj | Dedaj | J2b-L283>Y23094>Y82533>CTS8786 |
Poicë | Dedaj | J2b-L283>Y23094>Y82533>CTS8786 |
Zagorë | Zagora | J2b-L283>Y23094>Y82533>CTS8786 |
Makaj | J2b-L283>Y23094>Y82533>CTS8786 | |
Makaj | J2b-L283>Y23094>Y82533>CTS8786 | |
Fushë Kosovë, Prishtinë | J2b-L283>Y23094>Y82533>CTS8786 | |
Xhaj | Xhaj (anas) | R1b-M269>Z2705>BY105603>Y177774 |
Xhaj | Xhaj (anas) | R1b-M269>Z2705>BY105603>Y177774 |
Lezhë | E-V13>Z5018>S2979>L241>PH2180 | |
Klinë, Pejë | I1-M253>Z63>S2077>Y60985>BY105294 | |
Vogovë, Gjakovë | I1-M253>Z63>S2077>Y60985>BY105294 |
Nga këto rezultate, disa përfundime rreth prejardhjes së shkrelasve janë tashmë të qarta.
Përfundime
– Trungu kryesor gjenealogjik në Shkrel i takon vijës atërore J2b-L283>Y23094>Y82533. Kjo linjë është gjetur në të gjithë fshatrat e Shkrelit, përveç fshatit Xhaj. Pra Shkreli është fis mjaft homogjen dhe gojëdhëna që tregon se Vrithi, Zagora, Dedajt dhe Bzheta kanë prejardhje të përbashkët është e saktë. Prejardhja e largët e kësaj linje lidhet me fiset e lashta të Ballkanit, gati me siguri me ato ilire (më shumë rreth kësaj linje mund të lexoni këtu). Lidhur me kohën e vendosjes në Shkrelin e sotshëm, vjetërsia e nëndegës sugjeron së paku periudhën e Mesjetës së vonë, ndoshta edhe më herët. Ka mundësi që në vend të zëvendësimit të një fisi të vjetër me një fis të ardhur rishtaz, gojëdhënat kujtojnë përplasjet që lindën si pasojë e fuqizimit dhe zgjerimit të njërit prej fiseve të zonës kundrejt fiseve të tjera.
– Duke parë shpërndarjen dhe larminë e linjës atërore J2b-L283>Y23094>Y82533, mund të thuhet me siguri se të parët e Shkrelit nuk kanë prejardhje nga Bosnja, por nga pjesa veriore e trojeve shqiptare, të paktën nga Antikiteti i vonë deri sot, kurse prania në Ballkan është të paktën 4200 vjeçare.
– Familjet anase të Shkrelit kanë vazhdimësi sot në fshatin Xhaj, ku familjet e testuara nuk i takojnë trungut kryesor gjenealogjik, por një linjës atërore R1b-Z2705>BY105603. Edhe kjo është linjë e vjetër në Ballkan por pa lidhje me linjën e mësipërme (më shumë rreth kësaj linje mund të lexoni këtu). Përveç gojëdhënave, edhe rezultati mbështet vjetërsinë e Xhajit në këtë zonë, pasi kjo linjë është gjetur edhe ndër fise të tjera anase të Malësisë e përreth. Kurse ndër familjet e tjera që përmenden si anase, deri tani, rezultatet thonë se kanë prejardhje të njëjtë me trungun kryesor të fisit.
– Ndër familjet shkrelase që banojnë jashtë territorit të fisit në Malësi të Madhe, vetëm disa kanë përputhje me trungun kryesor të fisit. Për familjet nga Peja dhe Fushë-Kosova, përputhja gjenetike me fisin në Malësi tregon për prejardhjen e tyre nga kjo zonë. Po ashtu, në projektin boshnjak të ADN-së ka anëtarë nga zona e Sanxhakut të cilët gjithashtu përputhen me linjën atërore të Shkrelit në Malësi. Një pjesë e këtyre kanë ende ose mbiemrin Shkreli ose ruajnë kujtimin e prejardhjes nga ky fis. Edhe një familje nga zona e Muriqanit, e cili tashmë e ka humbur lidhjen me fisin, lidhet në rreth 300 vjet (10 breza) me shkrelasit në Malësi. Në rastin e rezultatit nga Lezha me haplogrup E-V13>PH2180, nuk ka përputhje me anëtarët nga Shkreli, mirëpo rezultati është tipik për Malësinë, prandaj ka mundësi që bëhet fjalë për ndonjë familje anase të larguar. Kurse familjet nga zona e Gjakovës, të linjës atërore I1-M253>Y60985, kanë prejardhje nga Puka (Kçira dhe Komani). Nuk është e qartë nëse identifikimin si shkrelas e kanë trashëguar gjithashtu si të larguar nga Shkreli, apo e kanë përvetësuar diku mes Pukës dhe Gjakovës, por nisur nga mungesa e plotë e haplogrupit I1 në Malësi, gjasat anojnë nga mundësia e dytë.
– Fiset e tjera që tregojnë prejardhje nga Shkreli, si Bytyçi, Markajt e Margegajt në Tropojë dhe Shëngjini në Mirditë, u takojnë linjave të ndryshme atërore, pa lidhje gjaku me fisin e Shkrelit. Nga Dedajt dhe Vrithi i Pukës nuk kemi rezultate, mirëpo nisur nga rezultatet e fshatrave përreth me të cilat kanë afri, ka më shumë gjasë që edhe këto fshatra mos të lidhen me Shkrelin. Po ashtu, nëse Boga ka qenë pjesë e Shkrelit, lidhje gjaku nuk ka pasur pasi familjet e Bogës janë kryesisht të linjës atërore E-V13>CTS9320>Z16988>BY62310.
Mbeten disa familje të Shkrelit në Malësi të Madhe që ende nuk janë testuar. Po ashtu mbeten për t’u testuar shumë shkrelas nga treva të tjera, si nga Shestani, nga disa zona të Kosovës dhe nga zonat fushore rreth Lezhës. Ka mundësi që testimi i këtyre familjeve të zbulojë edhe ndonjë linjë tjetër atërore që tashmë nuk gjendet në trojet e fisit në Malësi.
Burime
Durham, M. E. (1928). Some tribal origins, laws and customs of the Balkans (p. 301). London: Allen & Unwin.
Elsie, R. (2015). Fiset Shqiptare. Artini: Tiranë.
Hecquard, H. (1871). Histoire et description de la Haute-Albanie ou Guégarie, Paris 1857.
Nopcsa, F. (1912). Beiträge zur Vorgeschichte und Ethnologie Nordalbaniens. Holzhausen.
Nopcsa, F., Malaj, E., Verli, M., & Zallari, M. (2013 (1908)). Fiset e malësisë së Shqipërisë veriore dhe e drejta zakonore e tyre. Qendra e Studimeve Albanologjike Instituti i Historisë.
Ukgjini, N. Shkreli: Një vështrim i shkurtër historik. Marrë nga http://kulturserver-hamburg.de/home/shkodra/shkodra/shkreli.html, 23 mars 2022.
Zamputi, I. (1977). Regjistri i kadastrës dhe i koncesioneve për rrethin e Shkodrës 1416-1417. Akad. e Shkencave, Inst. i Historisë.
Zojzi, Rr. (1944). Fisi si njisi politike: Fisi-Shtet. Hylli i Dritës, 1944 (5), f. 63.
Zojzi, Rr. (2018)[1962]. Ndamja krahinore e popullit shqiptar. Gegnia, 6-2018. Marrë me 17 prill 2020 nga www.bibliotekashkoder.com.