Uncategorized

I-M233 dhe dega I-S25733>PH2670

I-M223 është degëzimi i dytë më i shpeshtë i haplogrupit I2a ndër shqiptarë, me rreth 2.5% të gjithë linjave atërore. Prejardhja e largët e kësaj linje, ashtu si për I2a-Y3120 dhe I1-M253, lidhet me popujt e vjetër të Europës, të cilët fillimisht merreshin kryesisht me gjueti. Deri në Epokën e Neolitit, haplogrupi I2a mbizotëronte në gjithë kontinentin europian, gjë që vërtetohet edhe nga gjetjet e shumta të eshtrave mbi 8000 vjeçare që bartin këtë haplogrup. Dega I-M223 ishte ndër degët kryesore të këtij haplogrupi dhe gjithashtu është gjetur shpesh në eshtra të lashta. Me mbërritjen e bujqve dhe blegtorëve nga lindja gjatë Neolitit dhe Epokës së Bronzit, shume degë të I2a u shuan ose u rralluan, por disa arritën jo vetëm të mbijetojnë, por edhe të përhapen më tej, me gjasë duke u shkrirë me popullsitë e ardhura nga lindja.

Pjesa dërrmuese e rezultateve shqiptare I-M223 i takojnë degës I-M223>L701. Kjo degë është gjetur në eshtra të lashta në disa pjesë të Europës lindore zonës së Stepave të Euroazisë, duke përfshirë edhe eshtra kultura indo-europiane Jamnaja (eng: Yamnaya), eshtra nga Epoka e hershme e Bronzit në Bullgari, dhe eshtra të Antikitetit nga skithët të Moldavisë dhe sarmatët në Kazakistan. Këto rezultate dëshmojnë se linja I-M223>L701, ose të paktën disa degë të saj, duhet të jenë bashkuar diku në Europën lindore me blegtorët indo-europianë, dhe janë përhapur bashkë me ta, duke u vendosur në Europën perëndimore, Ballkan dhe Azi.

Harta e I-M223 ndër shqiptarë (eng: Map of I-M223 among Albanians)
Harta e I-M223 ndër shqiptarë.

Rezultatet bashkëkohore mbështesin këtë mundësi, si me shpërndarjen e tyre nga Ishujt britanik deri në thellësi të Azisë, ashtu edhe me vjetërsinë e lidhjeve mes degëve, rreth 3000-6000 vjeçare që përkon me përhapje në Epokën e Bronzit. Pas përhapjes me valët indo-europiane, I-L701 ka vijuar lëvizjet edhe në periudhat e mëvonshme, si për shembull gjatë periudhës perandorake romake.

Degët më të afërta me rezultatet shqiptare gjenden sot në Europën perëndimore dhe në Turqi. Largësia e tyre me anëtarët e projektit tonë ende nuk mund të përcaktohet me siguri të plotë, pasi shumë prej tyre nuk gjenden në pemën botërore të YFull, mirëpo me përafërsi, duket se lidhjet janë rreth 2500-3500 vjeçare. Në këtë pikë vërehet përputhje me disa degë të E-V13 dhe R1b-M269, dhe ka mundësi që vendosja në Ballkanin perëndimor të ketë qenë një fazë e dytë e përhapjes, ndoshta nga Ballkani verior ose veri-lindor. Rezultate të reja nga Epoka e Hekurit sigurisht do të hedhin dritë mbi lëvizjet e I-L701 në këtë periudhë.

Sot, dendësia më e lartë e I-M223 ndër shqiptarë gjendet në trevat jugore të Gegërisë, sidomos në Tiranë, Elbasan, ku mbërrin rreth 6-7% të popullsisë, më pas në Dibër, Kërçovë, Librazhd, Fier e Mallakastëër. Kurse në përqindje më më të ulëta gjendet edhe në Shkodër, Kurbin, Berat, Mirditë, Vlorë, Mitrovicë, etj.

*Skema është bazuar në pemën BlockTree të FTDNA.com dhe në pemën YFull.com. Rezultatet shqiptare vijnë vetëm nga anëtarë të projektit tonë. Disa degë nuk janë paraqitur për thjeshtësi.

Dega më e përhapur shqiptare e I-M223>L701 është I-S25733>PH2670>PH44>PH18. Ashtu si për shumë degë tjera shqiptare, përhapja e saj ka filluar gjatë Mesjetës së hershme, para rreth 1200-1400 vitesh. Me shumë mundësi, pikënisja e përhapjes ka qenë diku në hapësirën mes Tiranës, Elbasanit dhe pjesës veriore të Librazhdit (malësia e Shpatit), pasi në këtë trevë ka larminë më të lartë të degëzimeve. Prejardhja nga Shqipëria e mesme mbështetet edhe nga fakti që të gjitha rezultatet e deritanishme nga treva më veriore apo jugore, kanë lidhje nën 1000 vjeçare me rezultate më qendrore. Degëzimi i vazhdueshëm i I-PH18 nga Mesjeta e hershme deri sot, në krahina të ndryshme, flet për marrëdhënie të ndërsjellta mes disa rajoneve të ndryshme shqiptare. I-PH18 është gjetur edhe në një rezultat grek, në një studim shkencor të vitit 2015. Me shumë gjasë bëhet fjalë për një linjë atërore arvanitase, pasi të gjitha rezultatet më të afërta të tij janë shqiptare.

Ndër linja atërore I-M223 të cilat nuk i takojnë degës I-M223>L701, më e shpeshta është I-M223>L1229>Z2068, e cila deri tani është gjetur në Mitrovicë, Kërçovë, Prsepë, Fier, Mallakastër, dhe Vlorë. Këto rezultate u takojnë nëndegëve të ndryshme të I-Z2068, përgjithësisht me lidhje të largëta nga njëri-tjetri, mirëpo ndonjë grup më i ngushtë rezultatesh me lidhje më të afërt mes tyre mund të zbulohet përmes testeve me rezolucion të lartë. Mbërritja e I-Z2068 në Ballkan ka mundësi të lidhet ose me lëvizje të ngjashme me I-L701, ose me valët kelte dhe gjermanike gjatë Antikitetit, por mbetet të shqyrtohet më hollësisht pasi të kemi disa rezultate të tilla.