Anëtarët e haplogrupit I, ku hyn edhe I1-M253, janë pasardhës të banorëve më të vjetër të kontitnentit europian. Eshtra Homo Sapiens të haplogrupeve C, F dhe I të gjetura në Europë datojnë mbi 30.000 vjet, dhe haplogrupi I duhet të ketë qenë ndër më të përhapurit në Europë deri në periudhën e Neolitit. Përsa i përket degës I1-M253, duket se ka kaluar një periudhë shumë të gjatë në “bottleneck effect” deri sa filloi zgjerimin e vet kryesor gjatë Epokës së Bronzit. Sot, larmia dhe dendësia e I1-M253 arrijnë maksimumin në Skandinavi, gjë që sugjeron përhapje nga ai rajon drejt pjesës tjetër të Europës. Nga Skandinavia vijnë edhe pjesa më e madhe e eshtrave të lashta të I1-M253 duke filluar nga Epoka e Bronzit, edhe pse ka edhe rezultate nga vende të tjera, si Franca apo Hungaria. Gjetjet janë më të shumta në eshtra nga popuj mesjetarë gjermanikë si lombardët e sidomos te vikingët. Po nga Mesjeta e hershme shfaqet edhe ndonjë rezultat në Europën e jugut, si psh. një rezultat nga Roma e shek 5-6.
Këto të dhëna, së bashku me faktin që shumica e linjave atërore ballkanike të I1-M253 takohen mes tyre jo më larg se 1600 vite më parë, ndërsa lidhjet më të largëta i kanë me linja nga Europa veriore, sugjerojnë se pjesa më e madhe e linjave I1-M253 janë vendosur në Ballkan duke nisur nga Antikiteti i vonë. Gjasat janë që përhapja e shumicës së këtyre linjave në Ballkan ka ndodhur me fiset gjermanike, si psh gotët, vandalët, etj. Më pak mundësi ka që një pjesë e tyre të ketë mbërritur edhe me popullsi të tjera, si vikingët/normanët, sllavët, apo me ushtri të ndryshme perëndimore (psh kryqëzatat).
Rreth 6-8% e linjave atërore shqiptare i takojnë këtij haplogrupi. Një veçori e I1-M253 është shpërndarja jo e njëtrajtshme. Edhe pse gjendet në të gjitha anët e trevave shqiptare, dendësia e I1-M253 ndryshon shumë sipas krahinës: mbizotëron në disa zona malore si Puka (fiset Qerret dhe Kabash), Labëria apo kufiri mes Matit dhe Mirditës, por është shumë më e rrallë në shumicën e territorit. Edhe në Kosovë ka një dendësi relativisht të lartë, të lidhur kryesisht me anëtarë të fiseve Qerret, Kabash, Kryezi, por edhe të tjerë. Degët më të shpeshta ndër shqiptarë janë I1-M253>Z58>A6397>Y97339, përqendruar kryesisht në Labëri, I1-M253>Z63>S2077>Y60985, me dendësi shumë të lartë në Pukë dhe me përhapje të gjerë edhe në Kosovë. Për këto do të shkruajmë më hollësisht në artikuj të veçantë.