I2a-L621>S19848>CTS4002>CTS10228>Y3120, shkurt I-Y3120, është grupi i katërt më i shpeshtë i linjave atërore të shqiptarëve, me rreth 7-8% të tyre. Si gjithë linjat e haplogrupit I, edhe bartësit e I2a-Y3120 janë pasardhës të banorëve më të vjetër të Europës, të ardhur prej më shumë se 30.000 vitesh. Me mbërritjen e bujqve nga Lindja e Mesme dhe më vonë të indo-europianëve blegtoralë nga stepat euro-aziatike, degët e vjetra të I2a u rralluan, por disa degëzime arritën të mbijetojnë të veçuara në pjesë të ndryshme të kontinentit. Sot gjendet në Europën lindore dhe në Ballkan. Dendësia më e lartë gjendet në Kroaci dhe Bosnje, pak më rrallë në Serbi, Ukrainë, Bullgari, pastaj edhe në vendet e tjera të Europës lindore dhe Ballkanit.
Përhapja e I-Y3120 në Europën lindore dhe në Ballkan
Larmia më e madhe e linjave të vjetra që lidhen me I-Y3120 në rreth 4.000-10.000 vite më parë , sot gjenden kryesisht në Europën qendrore dhe perëndimore, prandaj prejardhja e largët e I2a-Y3120 duhet të lidhet me atë zonë. Nga ana tjetër, vetë I2a-Y3120 filloi një zgjerim të vrullshëm para rreth 2100 vitesh, duke shfaqur larmi të lartë në një hapësirë që përfshin pjesë të Polonisë, Ukrainës e Bjellorusisë. Gjasat janë që pas zhvendosjes nga perëndimi drejt lindjes, kjo linjë të jetë përhapur në të gjitha drejtimet duke filluar nga Antikiteti i vonë dhe Mesjeta e hershme. Shumica e nëndegëve që mbërritën në Ballkan mund t’a kenë ndërmarrë këtë udhëtim rreth 1400-1700 vite më parë, me qenë se lidhjet me linjat e afërta në Europën e lindjes datojnë nga ajo periudhë. Deri tani, gjetjet më të hershme nga eshtra të lashta përforcojnë hipotezën e prejardhjes nga Europa lindore, edhe pse vijnë nga një periudhë pak më e vonë: janë zbuluar disa rezultate I2a-Y3120 nga Hungaria e shek 9-10, një nga Polonia e shek 10, një nga Rusia e shek 11 dhe së fundi nga Çekia e shek 12. Nisur nga gjetjet në eshtra të lashta, dhe nga larmia në rezultate bashkëkohore, gjasat janë që shumica e linjave ballkanike të I-Y3120 duhet të jenë vendosur në Ballkan me fiset sllave, por nuk përjashtohet që ndonjë degëzim i veçantë të ketë mbërritur me fiset gjermanike, avarët, popujt nomadë nga Azia qendrore apo Uralet, etj.
Të dhënat e rezultateve të deritanishme nga linjat shqiptare I-Y3120, R-M458 dhe R-CTS1211 (linja që mendohet se mbërritën në Ballkan nga Europa lindore gjatë mijëvjeçarit të parë e.s.), kanë filluar të shfaqin edhe disa trende që tregojnë për dinamikën e përhapjes së tyre brenda Ballkanit. Së pari, ndër 18 rezultate të këtyre linjave (9/18 janë nën I-Y3120) nga teste me rezolucion të lartë, asnjë nuk ka lidhje më të afërt se 1400 vjet me rezultate nga vende sllave. Së dyti, lidhjet e largëta 1400-1700 vjeçare janë pak më të shpeshta me rezultate nga Maqedonia dhe Bullgaria, se me rezultate nga Kroacia, Bosnja dhe Serbia. Së fundi, edhe nga rezultate me rezolucion jo të lartë, dallohet dendësi relativisht e lartë e nëndegëve që gjenden më shpesh në Ballkanin lindor dhe jugor, si I-Y3120>Z17855, I-Y3120>Y18331 dhe R-M458>L1029. Këto të dhëna sugjerojnë se linjat shqiptare I-Y3120 mbërritën në trevat e sotshme nga veri-lindja më shpesh se nga veri-perëndimi, dhe me të mbërritur duhet të jenë veçuar shpejt nga linjat e afërta që u vendosën në vendet sllave fqinje. Për të pasur siguri më të lartë në këto përfundime duhet të shohim nëse lidhje më të afërta me vendet fqinje do të zbulohen me teste të reja, sidomos nga trojet veriore që nuk kanë shumë teste me rezolucion të lartë në këto degë, por edhe nga vendet fqinje që nuk janë testuar gjerësisht, si Maqedonia Veriore.
Sot I-Y3120 ka një dendësi dallueshëm më të madhe te toskët, ku përqindjen më të lartë e ka në juglindje të Shqipërisë (në Korçë përbën rreth 30% të linjave atërore). Në veri, përqendrimi më i madh gjendet në Shkodër dhe fushat në jug dhe jugperëndim të saj, si dhe në disa pjesë të Kosovës. Përgjithësisht, vërehet një përqindje më e lartë në zona fushore. Nga testet e deritanishme, vihet re se te shqiptarët gjenden pothuajse të gjitha nëndegët kryesore të I2a-Y3120. Gjithashtu, nëndega I2a-Y3120>PH908 (Dinaric South) mbizotëron ndër linjat e I2a-Y3120 tek gegët, ndërsa tek toskët vërehen më shpesh nëndegët e grupit Dinaric North.
*Skema është bazuar kryesisht në pemën e YFull.com. Për thjeshtësi, degët që nuk kanë rezultate shqiptare nuk janë paraqitur.
I-Y3120>Y18331
I-Y18331 është dega e I-Y3120 me shpërndarjen më të veçantë, pasi pavarësisht se ashtu si degët e tjera, gjendet në Europën lindore dhe në Balkan, rezultatet nga Ballkani vijnë nga gjysma jugore e tij (Greqi, Maqedoni, Shqipëri e jugut), kurse ato nga Europa lindore janë kryesisht nga familje me prejardhje hebreje. Në ish-Jugosllavi dhe në Bullgari, kjo degë ende nuk është gjetur. Shpërndarja gjithsesi sugjeron një përhapje nga Europa lindore drejt Ballkanit gjatë Antikitetit të vonë ose Mesjetës së hershme. Në Shqipëri, deri tani, është gjetur në disa zona jugore: në Tepelenë, Përmet, Berat. Duhet theksuar se në shumicën e rasteve kjo degë nuk mund të dallohet nga teste standarte me STR, prandaj një pjesë më e madhe e rezultateve shqiptare I-Y3120 mund zbulohen nën I-Y18331 nëse testohen edhe me SNP.
I-Y3120>Z17855
I-Z17855 është dega më e përhapur e grupit Dinaric North në trojet shqiptare. Deri tani e kemi gjetur në Elbasan, në Korçë, dhe së fundi edhe në një rezultat nga Manastiri. Ashti si Y18331, në shumicën e rasteve nuk dallohet vetëm me test STR. Përhapja kësaj linje duhet të jetë pikërisht pjesa juglindore e Shqipërise dhe trevat e Maqedonisë perëndimore. Në Ballkan, ka larmi dhe dendësi më të lartë në lindje (Bullgari, Maqedoni), se në perëndim (ish-Jugosllavi). Ka gjasë që përhapja e saj lidhet kryesisht me fiset u vendosën në Ballkan jo përmes Pellgut Panonik, po duke kaluar Danubin në juglindje të Karpateve, rreth kufirit të sotëm Rumani-Bullgari. Dy rezultatet shqiptare me rezolucion të lartë nga kjo degë, lidhen në rreth 1700 vjet mes tyre dhe me rezultatet e tjera ballkanike.
I-Y3120>S17250>PH908
I-PH908, apo siç njihet ndryshe, Dinaric South, deri tani është dega më e përhapur e I-Y3120 ndër shqiptarë, me rreth 1/3 e gjithë I-Y3120. Në Ballkan, I-PH908 gjendet në çdo shtet, mirëpo dendësia më e lartë është në Kroaci, Bosnje e Serbi. Edhe në trojet shqiptare gjendet e përhapur në çdo anë, po në trevat veriore, sidomos në Shkodër, Lezhë dhe në disa zona të Kosovës, ka dendësi më të lartë se në Shqipërinë e jugut dhe në Maqedoninë perëndimore. Nën I-Y3120>PH908 kemi katër anëtarë me të testuar me rezolucion të lartë, që u takojnë nëndegëve I-Y3120>PH908>FT277965 (x2), I-Y3120>PH908>A13912 dhe I-Y3120>PH908>Z16983>Y4789. Ashtu si në nëndegët e tjera, lidhjet më të afërta janë mbi 1400 vjeçare. Nëndega I-Y3120>PH908>FT277965, e zbuluar muajt e fundit, deri tani ka një shpërndarje mjaft të veçatë, kryesisht e përqendruar në Ballkanin qendror, pasi përveç tri rezultate vijnë nga Struga, nga një fshat i Follorinës në Greqi, jo larg Liqenit të Prespës, dhe nga Bullgaria veri-perëndimore.
Me zgjerimin e databazës dhe rritjen e numrit të të testuarve me rezolucion të lartë, do të shkruajmë më gjerësisht edhe për degë të veçanta të shqiptarëve nën I-Y3120.