Linja atërore J1-M267>P58>Z1884>FGC12816 është dega më e përhapur e haplogrupit J1-M267 ndër shqiptarë. Degë të ndryshme të J1-M267 kanë filluar të mbërrijnë në Europë e Ballkan nga Lindja e Mesme, sidomos nga Levanti, që në periudhën e Neolitit, me popujt që përhapën bujqësinë në Mesdhe. Degë të tjera duhet të kenë mbërritur në vazhdimësi edhe gjatë Epokës së Bronzit dhe më pas edhe gjatë asaj të Hekurit dhe Antikitetit. Dega paraardhëse e J-FGC12816, J-Z1884 ka një përhapje të gjerë në Mesdhe dhe Lindje të Mesme, me rezultate nga të dy rajonet të lidhura në rreth 2500-4000 vjet, sipas YFull, gjë që sugjeron shtrirje të gjerë të saj nga Italia, në Ballkan, Turqi e Levant që në Epokën e Bronzit dhe Hekurit.
Vetë J-FGC12816 ka një moshë disi më të re që mund të lidhet me lëvizje pak më të vona. Edhe pse nuk mund të përjashtohet mundësia e një zgjerimi të parë rreth gjatë Epokës së hershme të Hekurit, ka gjasa që shpërndarja e sotshme vjen më shumë si pasojë e disa valëve të ndryshme, deri në shekujt e parë të erës sonë. Ndër lëvizjet që përputhen më së shumti me shpërndarjen dhe diversitetin e kësaj linje sot, janë ato të disa popujve (ose formacioneve politike) të dokumentuar historikisht, si fenikasit, grekët e lashtë, romakët, etj. Në fakt, nje skelet nga Roma, shek 5-6 e.s., i takon linjës J-FGC12816>L829, prandaj një zgjerim të paktën i pjesshëm i kësaj nëndege gjatë periudhës perandorake romake është pothuajse i sigurtë. Nga testet e thella të projektit, kemi zbuluar deri tani dy nëndegë shqiptare nën J-FGC12816: J-FGC12816>L829 dhe J-FGC12816>FT4955>FT196614.
Informacioni për skemën dhe rezultatet e huaja vjen nga YFull.com dhe BlockTree në FTDNA.com. Rezultatet shqiptare vijnë vetëm nga anëtarë të projektit tonë.
J-FGC12816>L829
J-FGC12816>L829, është gjetur deri sot vetëm në një person nga Gjirokastra. Kjo linjë lidhet me rezultate të sotshme nga Malta dhe Sardenja në rreth 2500-2600 vjet (dhe një rezultat nga Irani me degëzim të paspecifikuar), dhe siç përmendëm më sipër, me një skelet nga Roma që daton nga Antikiteti i vonë. Duhet thënë se gjatë periudhës perandorake, përbërja gjenetike e banorëve të Romës ndryshoi ndjeshëm, duke u afruar më shumë me popuj të Mesdheut Lindor, që sipas autorëve shpjegohet me lëvizje të njerëzve nga Lindja drejt kryeqytetit perandorak. Pra, edhe pse i gjetur në Romë, ndoshta edhe ky skelet ka pasur prejardhje më lindore. Ndërkohë dega vëllazërore e saj, J-CTS2572, me moshë rreth 3000 vjeçare, gjendet gjithashtu në Itali e Levant. Vjetërsia dhe shpërndarja e të dy degëve, si dhe gjetja në skeletin romak sugjerojnë përhapje gjatë periudhës së Antikitetit, ndoshta me fenikasit, ose më vonë gjatë sundimit romak. Megjithatë, duhet pritur edhe për teste të tjera me rezolucion të lartë për të pasur më shumë siguri në llogaritjen e moshës së degës.
J-FGC12816>FT196614
Nëndega J-FGC12816>FT4955>FT196614, gjendet nga Bujanovci në veri, deri në zonat më jugore të Shqipërisë. Lidhjet e largëta të J-FGC12816>FT4955>FT196614 janë me një të testuar nga Siria, Libani dhe Turqia. FTDNA e llogarit vjetërsinë e lidhjes me turkun nga Epoka e Hekurit, kurse lidhjet me rezultatet nga Siria dhe Libani si FTDNA edhe YFull i datojnë rreth 2000 vjeçare. Kjo moshë dhe shpërndarje përsëri sugjeron një prejardhje nga lindja, me gjasë fenikase. Kjo mbetet mundësia kryesore e prejardhjes, por duhet verifikuar me rezultate të lashta.
Brenda grupit shqiptar të rezultateve, degëzimi më i vjetër është nga Përmeti, më pas nga Tirana dhe nga treva të tjera. Shumica e nëndegëve bashkohen në rreth 1100-1600 vjet, gjë që përputhet me vjetërsinë e shumë degëve të tjera shqiptare që filluan një përhapje të shpejtë në të njëjtën periudhë, pra J-FT196614 me siguri ka qenë pjesë e etnogjenezës arbërore në atë periudhë. Në përgjithësi ndër shqiptarë, J-FT196614 ka larmi më të lartë në jug dhe në Shqipërinë e Mesme, pra edhe shpërndarja mund të ketë nisur nga këto zona. Megjithatë kjo mbetet të rishikohet pasi të kemi rezultate të thelluara të kësaj dege nga trevat shqiptare në Maqedoni ose nga Presheva. Sot J-FT196614 përmbledh rreth 1% të gjithë linjave atërore shqiptare, me përqendrim më të lartë në disa krahina. Dendësia më e lartë gjendet në Labëri, ku ka bartës të kësaj linje në Vranisht, Dukat, Palasë dhe Iljas, të gjithë pasardhës të një burri që ka jetuar para rreth 500-600 vjetësh, me gjasë diku në zonën Dukat-Tërbaç-Vranisht. Përveç rezultateve nga trevat shqiptare, nën J-FT196614 është edhe një rezultat nga Pulja që ka prejardhje arbëreshe, si dhe nga Greqia (me gjasë prejardhje arvanitase).
(përditësimi i fundit: 01.2023)