Haplogrupi J2b-M205, ose J2b1, është nje haplogrup relativisht i rrallë por me përhapje të gjerë në Mesdhe dhe Lindje të Mesme. Përhapja e kësaj linje duhet të ketë nisur gjatë Epokës së Bronzit, nga rajoni i Levantit. Kjo hipotezë mbështetet si nga gjetjet e J2b-M205 në eshtra të Epokës së Bronzit në Jordani, Izrael, Liban dhe Turqi. Për një pjesë prej këtyre rezultateve, mbulimi i kromozomit Y nuk ka qenë ideal, edhe për shkak të degradimit të materialit gjenetik, mirëpo numri i lartë i gjetjeve në një zonë relativisht të ngushtë nuk lënë vend për hamendësime. Për më tepër, edhe sot larmia e kësaj linje shfaqet më e madhe ndër popujt e Levantit. Zgjerimi i J2b-M205 nga Epoka e Bronzit mund të ketë ndodhur në disa valë të ndryshme, dhe nëndegët mund të kenë pasur edhe shtegtime të ndara. Gjithsesi, dihet që gjatë Antikitetit J2b-M205 ishte tashmë e përhapur në disa pjesë të Europës, gjë që vërtetohet nga gjetjet në eshtra të periudhës romake në Angli dhe në Romë.
Sot, J2b-M205 përbën rreth 1% të gjithë linjave atërore të shqiptarëve. Shpërndarja nuk është aspak e njëtrajtshme: në Gjirokastër dhe në zonën mes Koplikut dhe Shkrelit, J2b-M205 shfaqet si një ndër linjat më të shpeshta, kurse në troje të tjera gjendet pak ose aspak. Këto rezultate u takojnë tri nëndegëve të ndryshme, dy prej të cilave gjenden në Gjirokastër, si dhe J2b-M205>PF7321>CTS1969>YP51>Y22075>A11525>Y22059, që gjendet në trevat veriore shqiptare.
Pozicioni i njërës prej degëve në Gjirokastër nuk është saktësuar ende plotësisht, mirëpo dimë se është negativ për mutacionin PF7321 i cili përcakton një prej dy degëve të J2b-M205. Do të duhej një test me rezolucion të lartë për siguri të plotë, mirëpo nuk duket se kjo nëndegë ka afri me të testuar të tjerë deri sot. Degëzimi i dytë në Gjirokastër është J2b-M205>PF7321>CTS1969*. Kjo degë përfshin një grup rezultatesh nga familje të qytetit, të cilat sipas dallimeve në shënuesit STR, duhet t’i takojnë një trungu gjenealogjik rreth 700-1200 vjeçar, kurse dy prej këtyre familjeve kanë lidhje edhe më të ngushtë gjenetike. Pra, ky trung duhet të jetë vendosur rreth Gjirokastrës gjatë Mesjetës. Përderisa lidhjet më të afërta të këtij grupi me rezultate të tjera nga e gjithë bota datojnë nga periudha e Bronzit, koha e vendosjes në Ballkan nuk mund të përcaktohet me saktësi të lartë, por mund të themi me siguri se bëhet fjalë për lëvizje nga lindja, mes Epokës së Bronzit dhe Mesjetës së hershme.
Informacioni për skemën dhe rezultatet e huaja vjen nga YFull.com dhe BlockTree në FTDNA.com. Rezultatet shqiptare vijnë vetëm nga anëtarë të projektit tonë.
H
J2b-M205>Y22059
Linja J2b-M205>Y22059 mbizotëron plotësisht ndër rezultatet e J2b-M205 në gjysmën veriore të Ballkanit, duke pasur dendësi 1-3% në gjithë këtë rajon. Si degët e tjera, ka mbërritur në Ballkan nga lindja, gjë që dallohet edhe nga rezultatet nga Levanti dhe Lindja e Mesme në degët më të afërta të saj. Përsëri bëhet fjalë për përhapje mesdhetare që në Epokën e Bronzit, edhe pse nuk është ende e qartë koha e mbërritjes në Ballkan. Ajo që dihet me siguri është se duke filluar në Mesjetë, para rreth 900-1200 vitesh, kjo nëndegë u përhap me shpejtësi në gjithë Ballkanin qëndror e veri-perëndimor.
Sot, dendësia më e madhe gjendet në disa zona të Bosnjes, pjesës veriore të Malit të Zi, dhe Serbisë juglindore, ku mbërrin mbi 5% të linjave atërore. Sipas projektit serb mbi ADN, një pjesë shumë e madhe e këtyre rezultateve vijnë nga pasardhës të fisit Kriçi në Mal të Zi. Fisi Kriçi mendohet se është sllavizuar rreth fundit të Mesjetës.
Në projektin Rrënjët, J2b-M205>Y22059 është gjetur në Malësi të Madhe dhe në Kosovë. Rezultatet nga Malësia e Madhe vijnë kryesisht nga fisi i Lohjes, si dhe një rezultat nga Reçi, dhe i takojnë të gjithë të njëjtit trung. Ky grup duhet të ketë prani të hershme në këtë trevë, jo vetëm sepse gjendet në dy fise të ndryshme, por edhe sepse një prej rezultateve vjen nga familja më e vjetër (anasit) e zonës. Një prej rezultateve nga Kosova, konkretisht Ferizaji, gjendet po ashtu në të njëjtin grup. Kjo afërsi pritej pasi gojëdhëna e kësaj familjeje tregon për prejardhje nga fisi i Lohjes. Rezultati tjetër, nga një familje e vjetër e fshatit Zhegër, gjendet në nëndegën J2b-M205>Y22059>Y22063>Y153290 dhe ka afërsi gjenealogjike (~500-600 vjet) me një rezultat nga Greqia kontinentale, për prejardhjen e të cilit nuk kemi hollësi pasi vjen nga një studim i anonimizuar.
Nisur nga mosha e J2b-M205>Y22059, si dhe përhapja e saj e sotshme në trojet shqiptare e në Ballkan, prejardhja e saj ka gjasë të lidhet me trevat e brendshme të Ballkanit. Një mundësi do të ishte treva e Dardanisë/Moezisë bizantine, ku mund të kenë pasur kontakt të shpeshtë paraardhësit e shqiptarëve me ata të vllehëve, mirëpo nevojiten më shumë teste me rezolucion të lartë për të shqyrtuar hipoteza të tilla më në hollësi.