J-M410, ose shkurt J2a, është haplogrupi i shtatë më i shpeshtë në trojet shqiptare, dhe sot gjendet në rreth 5% të popullsisë. Për shkak se përhapja e këtij haplogrupi ka nisur shumë herët, degë të ndryshme kanë mbërritur në Ballkan me valë të ndryshme lëvizjesh.
Mbërritjet e para ishin ato të periudhës së Neolitit, me popujt që përhapën bujqësinë nga Lindja e Mesme dhe Azia e Vogël, gjë që dëshmohet qartë nga gjetjet në eshtra të lashta. Prej para 6000-7000 vitesh haplogrupi J2a kishte depërtuar nga lindja edhe përtej Ballkanit, pasi eshtra mbi 6000 vjeçare janë gjetur me këtë haplogrup në Kroaci, Austri, Hungari, Itali. Me fillimin e Epokës së Bronzit, shtresëzime të reja të popullsisë sollën edhe degë të tjera. Nga kjo janë gjetur skelete J2a në Greqi, nga kulturat Minoane dhe Mikenase, gjë që sugjeron se këta ishin pjesë e popujve para-grekë të rajonit, një pjesë e të cilëve u helenizua me kalimin e kohës. Gjatë antikitetit, J2a ishte edhe ndër haplogrupet kryesore të romakëve, dhe mund të jetë përhapur pjesërisht përmes zgjerimit të perandorisë. Një skelet J2a nga Antikiteti i vonë është gjetur edhe në afërsi të Nishit, në kufinjtë e Dardanisë romake. Sot, përqindjet më të larta gjenden ndër popuj të Kaukazit e të Lindjes së Mesme, kurse në Europë gjendet më shpesh në popullsi mesdhetare, në dendësi që vjen duke u zbehur nga juglindja drejt veri-perëndimit. Në Ballkan, dendësia më e lartë gjendet te grekët (sidomos në ishujt e Egjeut), më pas te bullgarët, rumunët, etj.
J-M410 ndër shqiptarë
Haplogrupi J2a gjendet në rreth 5% të meshkujve shqiptarë sot, por shpërndarja e tij nuk është aspak e njëtrajtshme. Përqendrimi më i lartë, deri tani rreth 14%, vërehet në trevën qendrore (Kavajë, Tiranë, Elbasan). Më pas, përqindrim të lartë gjejmë në disa zona jugore, si Myzeqeja, Labëria, Çamëria, etj. Në trevat jugore me numër të lartë rezultatesh, si psh në Labëri e në qarkun e Korçës, J2a përbën rreth 8-10% të linjave atërore. Në disa grupe më të ngushta rezultatesh, si psh. në rezultatet e Përmetit (sidomos në pjesën veriore), apo ndër anëtarët me prejardhje vllahe, gjendet deri në 15-20%, mirëpo këto kërkojnë kampion më të madh për siguri në shifra. Në anën tjetër, në trevat veriore shqiptare, duke filluar nga Mati e deri në Malësi e Mitrovicë, J2a gjendet në më pak se 2% të linjave atërore. Ky dallim është pjesërisht pasojë e tendencës kontinentale të J2a që vjen në ulje në veri e në perëndim, por edhe e mbizotërimit të linjave atërore të fiseve të mëdha në veri, ndër të cilat vetëm fisi i Reçit të Shkodrës dhe vëllazëritë e Shëngjinit në Fan të Mirditës i takojnë këtij haplogrupi.
Prejardhja e linjave shqiptare duhet të shqyrtohet sipas degëzimit, pasi çdo degë ka pasur historinë e saj të lëvizjeve. Shqiptarët u takojnë degëve të ndryshmë, asnjë prej të cilave nuk përbën shumicën e linjave J2a, mirëpo disa kanë përhapje relativisht më të gjerë dhe numër më të lartë anëtarësh.
J-M410 në Labëri e Toskëri
Në Labëri, disa prej degëzimeve më të shpeshta janë J2a-M410>Z36829, J2a-M410>FGC6662 dhe J2a-M410>Y197867. J-Z36829 gjendet disa vëllazëri të fshatit Gjorm, dhe deri tani, askund tjetër. Të njëjtës degë i takon edhe një skelet rreth 6600 vjeçar nga Kroacia, pra kjo degë është në Ballkan që prej Epokës së Neolitit. J-FGC6662 mbizotëron në Kudhës, mirëpo e kemi gjetur edhe në anëtarë nga Çamëria dhe nga Përmeti. Gjithë këta anëtarë ndajnë një paraardhës të përbashkët nga periudha e Mesjetës (shek 12-13). Përhapja e hershme e kësaj dege ka vijuar nga Neoliti deri në Epokën e Hekurit ose deri gjatë Antikitetit.
J-Y197867 gjendet në disa vëllazëri të Dhërmiut, por edhe në një anëtar nga Himara dhe një nga Libohova. Edhe paraardhësi i përbashkët i këtij grupi ka jetuar para rreth 800 vitesh. Lidhjet më të afërta të zbuluara deri tani datojnë mbi 6000 vjet më parë, çka sugjeron përhapje gjatë Neolitit. Në Rradhimë gjendet një linjë e degës J2a-M410>Z39726, nga e cila kemi edhe anëtarë nga Korça dhe Devolli. Kjo është një degë rreth 12.000 vjeçare, por përhapja e saj kryesore ndodhi gjatë e Epokës së Bronzit. Përhapja e linjave të veçanta të J2a në Labëri shfaqet e ngjashme me linjat e tjera të krahinës jo vetëm në moshën e degëve, por edhe në përqendrimin e theksuar në ndonjë fshat mungesën të plotë në zona të tjera, që mund të interpretohet si shenjë e një përhapje karakteristike me fiset blegtorale të zonës. Nga ana tjetër, në tërësi, J2a paraqet një diversitet më lartë linjash atërore që nis nga Epoka e Neolitit.
Tendenca e përgjithshme për rezultatet J2a nga trevat jugore është gjetja e lidhjeve rreth 3000-7000 vjeçare me rezultate të huaja. Shumica e këtyre lidhjeve gjenden me rezultate nga Turqia e Italia, por edhe nga Lindja e Mesme. Deri tani, lidhjet me rezultate nga Greqia janë të papërfillshme, por duhet thënë se numri i rezultateve greke është disa herë më i ulët se ato turke e italiane. Këto lidhje, por edhe afria me ndonje rezultat neolitik balkanik që përmendëm më herët, sugjerojnë se vendosja e një pjese të madhe të linjave shqiptare J2a në Ballkan daton nga Neoliti dhe nga Epoka e Bronzit, dhe mund të kenë qenë pjesë e popujve që u indo-europianizuan në vijim, pas mbërritjes dhe mbizotërimit të fiseve, ilire, trake, helene, etj.
J-M410 ndër gegë
Në trevat më veriore, gjenden po ashtu një mori degësh, duke përfshirë disa nën J2a-M410>M67, mirëpo një përqindje më e lartë se në jug i takon nëndegëve të J2a-M410>L24, sidomos J-L70. J-L70 është ndër degët më të përhapura të J2a në Europë, sidomos në zonat më veriore/qendrore të saj. Ka mundësi që një pjesë e rëndësishme e nëndegëve të saj të jetë përhapur që në parahistori, kurse një pjesë tjetër të jetë përhapur gjatë antikitetit. Përveç rezultateve gegë nga Mirdita, Dibra, Tirana, etj., në këtë degë kemi edhe anëtarë me prejardhje vllahe. Deri tani, lidhjet e zbuluara datojnë kryesisht nga Epoka e Hekurit dhe e Bronzit, por jemi në pritje të zbulimit të pozicionit përfundimtar filogjenetik të vëllazërive të Shëngjinit të Fanit për të pasur siguri më të lartë edhe për linjat më veriore.