J-Y82533

J-Y82533 është linja e dytë më e shpeshtë shqiptare nën haplogrupin J2b-L283, me rreth 10% të rezultateve të tij, apo 2% të gjithë linjave atërore shqiptare. Prejardhja e largët e kësaj dege sipas zinxhirit të mutacioneve J2b-L283>Z638>Z1297>Y23094>Y82533 lidhet sigurisht me popujt e lashtë të Ballkanit, sipas gjasave më së afërmi me fiset ilire.

J-Y23094

Dega pararendëse e J-Y23094, J2b-L283>Z1297 është gjetur tashmë në eshtra të lashta të Epokës së Bronzit në bregdetin e Dalmacisë jugore. Duke qenë se ky skelet kishte moshë rreth 3500 vjeçare, kurse vete J2b-L283>Z1297 mendohet të jetë formuar para rreth 4200 vitesh, mund të thuhet gati me siguri se përhapja e kësaj dege ka nisur nga pjesa perëndimore e Ballkanit. Nga shekulli 10 e njëjta degë shfaqet edhe në një skelet hungarez. Diversiteti i sotshëm i J-Y23094 është i përqendruar më së tepermi në Ballkanin perëndimor, por ka edhe degë të vjetra në Itali e në Europën perëndimore. Shumica e këtre degëve duhet të jenë zhvendosur nga Ballkani gjatë periudhës romake, kur ushtria romake rekrutonte masivisht ndër fiset e lashta ballkanike, kurse ndonjë degëzim i vjetër mund të ketë shtegtuar edhe më herët me lëvizjet e ilirëve përtej Adriatikut. Kujtojmë se J2b-L283 është gjetur edhe mes Daunëve të Puljas, mirëpo nuk dihet se cilës degë i përkisnin. Deri sot, dy degëzime të J-Y23094 janë zbuluar ndër shqiptarë: J-Y23094>Y80036, dhe J-Y23094>Y82533.

J-Y23094
J-Y32094 sipas yfull.com

J-Y80036

J-Y80036 është një degë shumë e rrallë, e cila deri tani është gjetur vetëm në dy anëtarë të projektit tonë, të dy nga Mallakastra. Largësia mes tyre llogaritet rreth 500 vjet, prandaj të dyja familjet duhet të jenë banorë të vjetër të zonës. Rezultatet më të afërta nga popuj të tjerë vijnë nga Resnja në Maqedoni, dhe nga dy rezultate nga studime shkencore, nga Bullgaria dhe Turqia. Largësia me këto rezultate është rreth 1300 vjet, tipike për linjat atërore paleo-ballkanike që u përhapën gjatë Mesjetës së hershme, ndoshta nga një zonë pak më e brendshme se bregdeti i Adriatikut. Do të jetë me interes të shqyrtohet më tej kjo degë dhe përhapja e saj ndër popuj të ndryshëm të Ballkanit, me më shumë rezultate nga pjesët jugore të Shqipërisë dhe Maqedonisë.

J-Y82533

J-Y82533 përmban pjesën dërrmuese të rezultateve shqiptare nën J2b-L283>Y23094. Përhapja e J-Y82533 përfshin një numër të madh krahinash, duke filluar nga Malësia e Madhe, ku gjendet në Grudë (vëllazëria Bojaj) dhe në të gjitha vëllazëritë e Shkrelit përveç Xhajit, po ashtu në Fushë-Kosovë, Çidhën, Krujë, Tiranë, Elbasan, Librazhd, Gollobordë, Strugë, në Labëri e në Lunxhëri. J-Y82533 llogaritet nga YFull të ketë nisur përhapjen para rreth 1800 vitesh, duke vijuar të degëzohet vazhdimisht deri në ditët tona.

J-Y82533
Pema e J2b-L283>Y23094>Y82533

Zanafilla e J-Y82533 në trojet shqiptare

Zona nga ka nisur kjo përhapje nuk mund të përcaktohet ende me siguri të plotë, pasi diversiteti i kësaj linje nuk është qartësisht i përmbledhur në një krahinë të vetme, por kandidat kryesor deri tani është Gegëria jugore.

J-Y23094 map
J-Y23094 ndër shqiptarë

Malësia e Madhe ka rezultate si në nëndegën J-Y82533>FT133538 ashtu edhe në J-Y82533>Y106260, dhe ndonjë rezultat nga që ende nuk është në rezolucion maksimal mund të rrisë më tej larminë e degës në këtë krahinë. Mirëpo në zonat përreth, si në Malësi të Gjakovës, Pult, apo në trevat jugore të Malit të Zi, J-Y82533 nuk është gjetur deri tani. Po ashtu, prania e saj në Sanxhak, Rugovë dhe Gollak është dukuri e vonë, pasi lidhet me lëvizjet e fiseve të Malësisë së Madhe gjatë 300-350 viteve të fundit.

Nga ana tjetër, zona tradicionale e Gegërisë tradicionale (në jug të vijës Milot-Kala e Dodës) përmban rezultate nga të dy degët, dhe në zonën e Dibrës ka diversitet shumë të lartë nën J-Y82522>Y106260. Një degëzim me moshë rreth 1100 vjeçare, J-Y82533>Y106260>Y257550, gjendet në të paktën dy familje në Çidhën, por edhe në Labëri e deri në Greqi. Kurse në degëzimin J-Y82533>Y106260>Y82978, ku bën pjesë edhe linja që përfshin rezultatet nga Shkreli, gjendet një linjë që e përhapur në disa fshatra të Gollobordës. Këto dy degëzime janë ndarë fill pas përhapjes së parë të gjithë J-Y82533. Një numër i madh rezultatesh nga Dibra, Tirana, Kavaja e Elbasani janë ende në rezolucion të ulët ose të mesëm. Përmirësimi i tyre me siguri do të degëzonte edhe më shumë J-Y82533 në këto treva. Së fundi, prania e J-Y82533 në numër jo të vogël edhe në rajone më jugore gjithashtu përforcon mundësinë e përhapjes nga trevat mes Dibrës dhe Elbasanit në raport me përhapjen nga Malësia. Sidoqoftë, si në Malësi, ashtu edhe në Dibër e Shqipëri të mesme, prania e kësaj dege mbetet mjaft e hershme, të paktën nga Mesjeta.

Përhapja në jug dhe në lindje

Përhapja e J-Y82533 drejt jugut duhet të ketë ndodhur që në Mesjetë, pasi nga 3 rezultate me rezolucion të lartë nga Labëria e Lunxhëria, por edhe dy të tjera nga Greqia, asnjë nuk ka lidhje të afërt me rezultate veriore. Rezultatet nga Greqia pothuajse me siguri të plotë lidhen me lëvizjet arbërorve drejt jugut në shekujt 14-15 dhe asimilimin gradual të pasardhësve të tyre arvanitas. Në Shqipërinë e jugut, J-Y82533 duhet të ketë qenë e pranishme edhe në Mesjetën e hershme.

Në trevat më lindore, si në Maqedoni e Kosovë, J-Y82533 është mjaft e rrallë dhe lidhet me lëvizje nga Shqipëria e sotshme. Për shembull, rezultati nga Struga vjen nga një familje që ruan traditën e prejardhjes nga Klenja, gjë që përputhja gjenetike me anëtarë nga kjo zonë e konfirmon. Edhe një rezultat nga Gollaku ka prejardhje nga fisi Shkrel. Nuk përjashtohet zbulimi i ndonjë rezultati të ri me vjetërsi më të madhe në këto zona, mirëpo në përgjithësi, prejardhja e hershme e J-Y82533 lidhet me treva më perëndimore.

(përditësimi i fundit: 02.2022)