J2b-L283

J2b-L283 është haplogrupi i tretë më i përhapur ndër shqiptarë. Degë të vjetra të J2b janë gjetur në Lindjen e Mesme neolitike, dhe ende degë të ndara prej asaj periudhe gjenden të veçuara: disa në Indi, disa në Azinë qendrore, disa Lindje të Mesme, dhe J2b-L283 pothuajse ekskluzivisht në Europë. Veçimi i J2b-L283 dhe zhvendosja drejt Europës duhet të ketë ndodhur në një periudhë ndërmjet Neolitit të hershëm dhe Epokës së Bronzit. Ka mundësi që J2b-L283 të ketë lëvizur bashkë me popujt indo-europianë, me qenë se është gjetur në Kaukaz në eshtra 3800 vjeçare nga veriu i Kaukazit. Ajo që dihet me siguri të plotë është se gjatë mijëvjeçarit të tretë p.e.s. J2b-L283 tashmë ishte shtrirë gjerë në Mesdheun verior, ku gjendet në një numër të madh skeletesh: në një numër të madh eshtrash të Epokës së Bronzit dhe Hekurit nga Ballkani veri-perëndimor, duke nisur nga Sllovenia deri në Dalmacinë jugore, në tri eshtra nga Sardenja, shek 10-13 p.e.s, në një skelet etrusk, shek 7 p.e.s, në eshtra të Daunëve në Pulja, etj. Sipas të gjitha gjasave, J2b-L283 ka luajtur rol të rëndësishëm në gjenezën e popujve të lashtë të Ballkanit (me shumë mundësi të ilirëve, ndoshta dhe më gjerë) dhe Italisë.

J2b-L283 dhe degët kryesore

*Skema është bazuar kryesisht në pemën e YFull.com. Disa degë nuk janë paraqitur për thjeshtësi.

 

Map of J-L283 among Albanians
J2b-L283 ndër shqiptarë

Sot J2b-L283 ka dendësinë më të lartë në botë pikërisht mes shqiptarëve. Brenda trojeve tona, shfaq një përqendrim dallueshëm më të lartë te gegët se tek toskët. Përqindja më e lartë vërehet në zonat më veriore të Shqipërisë (~30-50% në Tropojë e Malësi të Madhe), në trevat mes Gjakovës e Pejës në Rrafsh të Dukagjinit, në Gollak, në Malësi të Dibrës, në Gollobordë, etj. Një pjesë e madhe e fiseve veriore, si fisi Krasniqe, Nikaj, Hoti, Shkreli, Gashi i Gurit, Kastrati dhe tri fiset kryesore të Mirditës i takojnë këtij haplogrupit, ashtu si edhe një pjesë e rezultateve nga Lura, Selita, Fani, etj. Tek toskët, dendësia më e lartë gjendet në Labëri (rreth 10%), ku po ashtu ka larmi të lartë. Shumica dërrmuese e linjave shqiptare J-L283 gjenden në nëndegën J-L283>Z600>Z585>Z615>Z597>Z2507>Z638, me moshë rreth 4200 vjeçare. Brenda kësaj, nëngrupet më të mëdha janë J-L283>Z638>Z38300>Y20899>PH1751,  J-L283>Z638>Z38300>Y20899>Y85522, J2b-L283>Z638>Z1297>Y23094>Y82533, J-L283>Z638>Z1297>Z1295>Y21878, dhe J-L283>Z638>Z1297>Z1295>Z631 me disa degëzime më të vogla. Për secilën prej tyre do të shkruajmë më hollësisht në vazhdimësi.

(përditësimi i fundit: 01.2022)