Kabashi dhe Qerreti

Kabashi dhe Qerreti janë dy ndër shtatë bajraqet kryesore të trevës së Pukës, sipas traditës së mbledhur nga Xhemal Meçi (Meçi, 1995). Pavarësisht se kanë secili veçoritë e tyre, po i paraqesim bashkë për shkak të prejardhjes së përafërt të vëllazërive të tyre.

Kabashi

Kabashi mbahet si bajrak i parë i Pukës (Meçi, 1995). Për prejardhjen e fisit Kabash ka dy mendime kryesore. Një gojëdhënë mjaft e dëgjuar pretendon se të parët e fisit mbërritën në Pukë nga jugu, konkretisht nga Kolonja (Nopcsa, 1908, përkth. 2013, f.226; Meçi, 1995), ku madje gjendet edhe një toponim Kabash. Një version tjetër, paraqitur nga Gazulli, flet për prejardhje nga Nishi (Gazulli, 1941, f.270). Sot fis Kabash ka në Pukë, në Kosovë, Maqedoninë perëndimore, etj. Në disa raste, si psh në fshatin Korishë të Prizrenit, ende ruhet kujtimi i zhvendosjes nga Puka drejt Kosovës, lëvizje që Gazulli e jep si një rikthim në trojet e të parëve.

Qerreti

Fisi i Qerretit zë pjesën lindore bregut të Drinit. Sipas Elsie-t është një fis me prejardhje heterogjene, pra ku jo të gjithë anëtarët vijnë nga i njëjti paraardhës në vijë mashkullore (Elsie, 2015). Tradita vendase tregon se prejardhja e fisit Qerret është nga Buzhala fqinje, ku ndodhej dikur fisi Bytyç (Meçi, 1995). Fisi Bytyç mendohet që ka prani të lashtë në këto treva pasi është përmendur aty që në vitin 1637 nga Gj. Bardhi (Zamputi, 1963). Meçi tregon se popullsia e fisit ndahet në disa lagje, dhe se shumica e vllaznive të fisit mbahen të vijës së Bytyçit të Buzhalës, kurse një pakicë e përqendruar në lagjen e Gegës kujtojnë prejardhje nga Dibra. Shumica e fisit mbahen të një gjaku edhe me Kçirën (Meçi, 1995). Përveç Pukës, nga fisi i Qerretit/Bytyçit të Buzhalës ka edhe shumë anëtarë në afërsi të Gjakovës, Pejës e disa zona të tjera në Kosovë.

Rezultatet gjenetike

Në projektin tonë kemi pesë anëtarë të fisit Kabash nga Puka, Prizreni dhe Gjilani, dhe tre anëtarë me rezultate të afërta me ta. Nga fisi i Qerretit dhe Bytyçit të Buzhalës kemi 19 anëtarë nga Puka dhe Peja (njëri me prejardhje nga Gjakova), dhe tre anëtarë të tjerë të projektit kanë rezultate të afërta. Tabela e mëposhtme përmbledh të dhënat sipas fisit, vendlindjes së gjyshit në anën e babait, dhe rezultatit gjenetik.

FisiFshati/LagjiaRezultati
KabashKabash, PukëI1-Y60985>BY207773
KabashMeçe, PukëI1-Y60985>BY207773
KabashRrapë, PukëI1-Y60985>BY207773
KabashKorishë, PrizrenI1-Y60985>BY207773
KabashViti, GjilanI1-Y60985>BY207773
Bytyç (Qerret)QerretI1-Y60985>BY105294
QerretLagjia Pilacë, QerretI1-Y60985>BY105294
QerretLagjia Pilacë, QerretI1-Y60985>BY105294
QerretLagjia Pilacë, QerretI1-Y60985>BY105294
QerretLagjia Pilacë, QerretI1-Y60985>BY105294
QerretLagjia e Agës, QerretI1-Y60985>BY105294
QerretLagjia e Agës, QerretI1-Y60985>BY105294
QerretLagjia e Agës, QerretI1-Y60985>BY105294
QerretBuzhalë-KomanR1b-M269>FGC40202
QerretBuzhalë-KomanR1b-M269>FGC40202
QerretLagjia e Gegës, KomanR1b-M269>FGC40202
QerretLagjia e Gegës, KomanR1b-M269>FGC40202
QerretLagjia Raskaj, KomanI1-Y60985>BY105294
QerretLagjia Raskaj, KomanI1-Y60985>BY105294
QerretLagjia Raskaj, KomanI1-Y60985>BY105294
QerretLagjia Raskaj, KomanI1-Y60985>BY105294
QerretLagjia Geraj, KomanI1-Y60985>BY105294
Bytyç (Qerret)PejëI1-Y60985>BY105294
Bytyç (Qerret)GjakovëI1-Y60985>BY105294

 

Nga këto të dhëna mund të nxjerrim disa përfundime mbi prejardhjen e fiseve Kabash dhe Qerret, si dhe mbi saktësinë e gojëdhënave rreth tyre.

– Anëtarët e fisit Kabash janë të gjithë të të njëjtës linjë, I1-M253>Z63>S2077>Y60985>BY207773, që llogaritet të ketë moshë rreth 350-500 vjeçare. Pra, të gjithë kanë një paraardhës të përbashkët që ka jetuar në atë periudhë. Numri i testeve për këtë fis është pak më i kufizuar se për Qerretin, megjithatë fakti që të pesë rezultatet vijnë nga vendbanime të ndryshme, e nga persona që nuk mbajnë mend asnjë lidhje me njëri-tjetrin, rrit besueshmërinë e gjetjes. Me rrijen e kampionit, mund të verifikojmë përfundimisht a i takojnë të gjitha degët e fisit kësaj linje.

– Dallohen dy linja atërore në vllaznitë e Qerretit: shumica i takojnë linjës I1-M253>Z63>S2077>Y60985>BY105294, kurse katër persona janë të linjës R1b-M269>PF7563>Z29758>PF7566>FGC40202. Në fakt, dy nga këta katër persona vijnë pikërisht nga lagjia Gegaj, ku disa familje ruajnë gojëdhënën e prejardhjes nga Dibra. Pjesa tjetër përfaqësojnë vllaznitë që kujtojnë prejardhjen nga Buzhala, si dhe lidhjet me Kçirën, Lëvrushkun, etj.

– Kabashi dhe Qerreti janë dy fise të një gjaku. Paraardhësi i përbashkët i këtyre dy fiseve (me përjashtim të disa familjeve R1b në Qerret) duhet të ketë jetuar para rreth 500-600 vitesh.

–  Lidhur me gojëdhënat e përmendura më sipër, rezultatet nuk mbështesin idenë e lëvizjeve të vona të këtyre fiseve drejt Pukës. Fillimisht, vetë fiset Kabash e Qerret (shumica) kanë lidhje gjaku mes tyre. Gjithashtu, lidhjet me anëtarët e tjerë të projektit shfaqen kryesisht me familje të tjera nga Puka ose zona përreth. Fisi Kabash ka lidhje me një anëtar nga Bushati i Shkodrës, dhe një person nga Llapusha (sipas gojëdhënës së tyre me prejardhje nga Puka), dhe një person nga Ukthi në Pukë, kurse Qerreti ka lidhje rreth 500 vjeçare me fisin Kçirë dhe me një familje tjetër nga Kamenica (Gjilan), e cila kujton prejardhje nga zona e Shkodrës. Pra, për fisin e Kabashit mund të themi se rezultatet mbështesin traditën e prejardhjes së përbashkët, por jo ato të lëvizjes nga Kolonja apo Nishi. Nëse vërtet ka pasur zhvendosje të tilla, ato mund të kenë ndodhur shumë më herët se formimi i këtyre fiseve.Kabashi, Qerreti dhe Kcira Për Qerretin, konfirmojmë përkatsinë e shumicës së fisit në një trung, dhe lidhjen e tij me Kçirën. Gojëdhëna që lidh disa familje të lagjes Geraj me Dibrën ka mundësi të ketë vërtetësi, pasi R-FGC40202 ka larmi të lartë në pjesën lindore të Shqipërisë. Megjithatë, duhet gjetur një lidhje edhe më e afërt me ndonjë familje dibrane për të pasur provë bindëse. Për të dyja fiset mund të themi se kanë rrënjë në treva të Dukagjinit prej të paktën 500 vitesh, ndoshta edhe më gjatë.

– Anëtarët e të dy fiseve në Prizren, Gjakovë e Pejë, konfirmojnë lidhjet e gjakut me banorët e krahinave nga ku tradita familjare ruan kujtimin e prejardhjes. Për Kabashët nga Prizreni e Gjilani, vërtetohet edhe lidhja mes tyre, e cila ishte po ashtu e ruajtur në traditat përkatëse.

– Për prejardhjen më të hershme, mund të themi se anëtarët e fisit Kabash dhe shumicës së fisit të Qerretit, pra linja I1-M253>Z63>S2077>Y60985, janë pasardhës të popujve të parë që mbërritën në Europë, si gjithë halogrupi I. Degëzimet e I1-M253>Z63 që gjenden sot në Ballkan mendohet se kanë mbërritur me fiset e Europës veriore (kryesisht gjermanike) gjatë Antikitetit të vonë ose Mesjetës së hershme. Më shumë për haplogrupin I1-M253, mund të lexoni këtu. Kurse linja R1b-M269>PF7563>FGC40202 mendohet se ka mbërritur në Europë dhe Ballkan gjatë Epokës së Bronzit, me dyndjet indo-europiane. Më shumë informacion për gjithë haplogrupin R-M269 gjeni këtu, kurse për degëzimin e ngushtë mund të lexoni artikullin e posaCCëm R-FGC40202.

 

 

 

Burime:

Meçi, Xh. (1996). Kanuni i Lekë Dukagjinit – Varianti i Pukës. Çabej: Tiranë.

Nopcsa, B. (1908, përkth. 2013). Fiset e Malësisë së Shqipërisë veriore dhe e drejta zakonore e tyre. Eneas: Tiranë.

Elsie, R. (2015). The Tribes of Albania: History, Society and Culture. I.B. Tauris & Co Ltd: London.

Gazulli, N. (1941). Fjalori toponomastik, Hylli i Dritës”, nr 6-8, Shkodër.

Zamputi, I. (1963). Relacione mbi gjendjen e Shqipërisë veriore e të mesme në shekullin XVII: teksti origjinal dhe përkthimi përgatitur nga Injac Zamputi. Tiranë: [Universiteti Shtetëror, Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë].