Malësia është një prej krahinave përbërëse të pjesës veriore të trojeve shqiptare. Populli i gjithë kësaj treve shfaq tradita të përbashkëta dhe ruan gojëdhëna që lidhin fiset e ndryshme me njëri-tjetrin, e që, përtej verifikimit të vërtetësisë së tyre historike, i japin Malësisë një karakter të përbashkët që kërkon studimin e saj në tërësi si krahinë etnografike.
Ndër fiset shqiptare të Malësisë, për të cilat kemi shkruar ose do të shkruajmë artikuj të veçantë në të ardhmen, janë:
Vendndodhja, kufijt, pjesët përbërëse
Sipas Rr. Zojzit, Malësia si krahinë etnografike, është zhvilluar kryesisht në trojet që në Mesjetë ishin pjesë e Pultit. Megjithëse sot vetëdija e përbashkët e prejardhjes nga popujt e Pultit thuasje është shuar, emri “Pult” ende përdoret si emër krahine, por vetëm për trojet e fiseve Xhan, Plan e Kir. Pas shembjes së sistemit mesjetar feudal të principatave arbërore, emri “Pult” vazhdoi të përdorej për disa shekuj, por me organizimin e ri shoqëror në Male, e gjithë krahina filloi të përmlidhej në termin “Malësi”.
Disa prej traditave që e dallojnë popullin e Malësisë si një grup i veçantë i shqiptarëve të veriut, si përdorimi i lahutës, vallja e shpatave, Eposi i Kreshnikëve, Kanuni i Maleve, organizimi shoqëror me bazë Malet si dhe vetë-emërtimi si Malësi e malësorë (kjo e fundit haset edhe në treva të tjera, si psh. “Malet e Dibrës”). Po ashtu, fiset malësore kanë trashëguar gojëdhëna që i lidhin me njera-tjerën: sipas një gojëdhëne shumë të njohur, fiset Hot, Triesh, Krasniqe, Nikaj, Piper e Vasojeviç rrjedhin nga një paraardhës i përbashkët; po ashtu, fiset Kastrat, Bardhët e Gashit, një pjesë e Lohjes, Reçit, Rrjollit dhe Kirit, thuhet se janë me prejardhje nga Kuçi, sot në Mal të Zi; fisi Bytyç dhe Markajt e Margegajt e Krasniqes mbahen një fis me Shkrelin, një pjesë e Planit mbahen me prejardhje nga Kelmendi, etj.
Zojzi tregon se Malësia përfshin gjithë trevat nga Lumi i Skatinës (kufiri Tropojë-Has) në lindje, duke vazhduar përgjatë Drinit si kufi jugor, deri në Liqenin e Shkodrës dhe skajet më veri-perëndimore të trevave shqiptare, që sot gjenden në Mal të Zi. Brenda këtij territori ka edhe popuj që sipas traditës kanë ardhur nga zona e Dukagjinit, si Shala e Shoshi, që u vendosën në toka që sot njihen edhe si Dukagjini i Ri, dhe një pjesë e Mërturit që u vendos mbi Drin, në jug të Nikajve. Pjesë e grupit të bajraqeve të Dukagjinit u bënë më vonë edhe fiset të tjera të territorit të Malësisë, si Toplana, Temali dhe fiset e Pultit. Kurse ndër 12 Malet e Malësisë, Zojzi numëron nëntë që formuan Malësinë e Madhe: Trieshi, Hoti, Gruda, Piperi, Vasojeviçi, Kelmendi, Kastrati, Shkreli dhe Kuçi; dhe tri që formuan Malësinë e Vogël, ose siç njihet ndryshe sot, Malësinë e Gjakovës: Krasniqja, Gashi e Bytyçi.
Me qenë se në zonat fushore që Zojzi përfshin në Malësi ka pasur lëvizje të shumta të popullsisë, në rezultatet e mëposhtme do të përmendim vetëm ato nga trevat malore të Malësisë së Madhe në Shqipëri e Mal të Zi – mbi Koplik dhe deri në Plavë –, nga tri fiset e Pultit të cilat politikisht janë lidhur me Dukagjinin e Ri, por në gojëdhëna lidhen më ngushtë me fiset malësore, dhe nga Malësia e Gjakovës.
Rezultatet gjenetike në Malësi
Deri sot (maj 2021) kemi 106 rezultate nga Malësia, sipas fisit: Berishë (4), Bytyç (4), Gash (8), Grudë (3), Hot (7), Kastrat (4), Kelmend (12), Kir (2), Krasniqe (22), Lohje (5), Nikaj (6), Plan (3), Reç (7), Rrjoll (1), Shkrel (11), Shoshi (1), Triesh (1), Xhan (2), pa fis (3). Numri i përgjithshëm është i mjaftueshëm për të nxjerrë disa përfundime të qëndrueshme, por për të dhëna më të plota dhe përfundime më të hollësishme do të duhen më shumë rezultate sidomos nga trevat e fiseve Triesh, Grudë dhe Kojë e Kuçit, nga Plava, Gucia, Juniku dhe Pulti. Shpërndarja e haplogrupeve dhe nëndegëve në Malësi (n=106), dhe në dy nënndarjet kryesore, Malësi e Madhe & Pult (n=60), dhe Malësi e Gjakovës (n=56) është si më poshtë:
Haplogrupi | Nëndega | Gjithsej | Malësia e Madhe & Pulti | Malësia e Gjakovës |
---|---|---|---|---|
E-V13 | 35.8% | 40% | 30.4% | |
E-Z5017>CTS9320>Z16988>BY62310 | 13.2% | 21.7% | 2.2% | |
E-Z5018>S2979>L241>PH2180 | 10.4% | 5% | 17.4% | |
E-Z5018>S2979>FGC33614>Y93102 | 3.8% | 8.7% | ||
E-Z5018>Y145455 | 1.9% | 3.3% | ||
E-Z5017>CTS9320>Z17107 | 0.9% | 1.7% | ||
E-Z5017>Z19851>A18833 | 0.9% | |||
E-Z5018>S2979>Y3183>BY168279 | 0.9% | 2.2% | ||
E-V13 pa nëndegë të përcaktuar | 3.8% | 6.7% | ||
J2a-M410 (M67) | 1.9% | 3.3% | ||
J2b-L283 | 41.9% | 28.3% | 58.7% | |
J-Y21045>PH1751>Y52453 | 25.5% | 58.7% | ||
J-Y21045>PH1751>FT134628 | 3.8% | 6.7% | ||
J-Z1297>Y23094>Y82533 | 7.5% | 13.3% | ||
J-Z1297>Z1295>Y81278>FT125046 | 3.8% | 6.7% | ||
J-Z1297>Z1295>Z631>Z1043 | 0.9% | 1.7% | ||
J2b-M205 (Y22059) | 4.7% | 8.3% | ||
R1a-M417 (Y2608) | 1.9% | 3.3% | ||
R1b-M269 | 14.2% | 15% | 13% | |
R-Z2103>BY611>Z2705>A24000 | 3.8% | 8.7% | ||
R-Z2103>BY611>Z2705>FT49932 | 2.8% | 5% | ||
R-Z2103>BY611>Z2705>Y32147 | 2.8% | 5% | ||
R-Z2103>BY611>Z2705>BY147912 | 1.9% | 3.3% | ||
R-Z2103>BY611>Z2705>BY218801 | 0.9% | 2.2% | ||
R-Z2705 pa nëndegë të percaktuar | 1.9% | 1.7% | 2.2% |
Siç dallohet në tabelën e mësipërme, malësorët janë një popull mjaft homogjen, pasi mbi 90% e gjithë linjave atërore u takojnë vetëm tri haplogrupeve: E-V13, J2b-L283 dhe R1b-M269. Duke parë nëndegët dallohet se homogjeniteti vjen kryesisht nga përhapja e gjerë e një numri relativisht të ulët fisesh të mëdha. Për shembull, rezultatet nga Krasniqja janë në pjesën dërrmuese të linjës J2b-L283>Y52453, të Shkrelit J2b-L283>Y82533, të Kelmendit E-V13>BY62310, të Bytyçit R1b-Z2705>A24000, etj. Kjo mund të dallohet fare qartë edhe në hartën e rezultateve, ku shenjat me ngjyrë të njëjtë gjenden pranë njëra-tjetrës. Në fakt, ndër gjithë trojet shqiptare, Malësia shfaq karakteristikat më të forta të bashkësive të tilla të ndërtuara mbi lidhjet e gjakut në vijë atërore. Brenda Malësisë, treva më homogjene është Malësia e Gjakovës (Tropoja) dhe më pas pjesa veriore e Malësisë së Madhe, kurse Pulti, dhe sidomos Rranzat, shfaqin diversitetin më të lartë.
Lidhjet gjenetike mes dy njësive përbërëse të Malësisë përmblidhen sidomos në linjat atërore rreth 1200-1500 vjeçare E-V13>PH2180, J2b-L283>PH1751 dhe R1b-Z2705, të cilat përbëjnë rreth 26-30% të linjave atërore në Malësi të Madhe dhe Pult, dhe rreth 90% të linjave atërore në Malësi të Gjakovës. Këto lidhje duhet të jenë mjaft të vjetra, me gjasë që nga Mesjeta e hershme, pasi deri tani, nuk është gjetur asnjë lidhje gjenetike më e re se 1000 vjet.
Nga ana tjetër, linjat atërore E-V13>BY62310, J2b-L283>Y82533, J2b-L283>FT125046, J2b-M205>Y22059 shfaqen në Malësi të Madhe dhe mungojnë ose gjenden rrallë në Tropojë, kurse E-V13>Y93102, e cila lidhet me fiset Berishë dhe Mërtur, gjendet dendur në Tropojë por mungon në Malësi të Madhe.
Malësia si pjesë e Gegërisë
Në krahasim me trevat e tjera të Gegërisë, Malësia paraqet disa veçori. Së pari, bie në sy përqindja e lartë e haplogrueve që lidhen me popujt paleo-Ballkanikë, sidomos e haplogrupit J2b-L283, i cili është edhe shumë i larmishëm në këtë rajon. Edhe E-V13 ka përqindje e larmi të lartë, kurse R1b-M269 është relativisht e rrallë, por nëndega R-Z2705 gjendet shpesh dhe ka larmi të lartë.
Nga ana tjetër, haplogrupet që lidhen me popujt që u vendosën në Ballkan gjatë mijëvjeçarit të parë e.s., janë në përqindje shumë të ulët, gjë që sugjeron se gjurmët e dyndjeve gjermanike, avare, sllave, etj., ndër popullsinë e Malësisë janë pothuajse të papërfillshme. Raste më të vona (psh rreth Mesjetës së vonë) të asimilimit të ndërsjelltë gjuhësor, nëse kanë ndodhur, me siguri duhet të kenë përfshirë kryesisht pasardhës të popujve të lashtë të Ballkanit. Në treva të tjera shqiptare, I1-M253, R1a-M417 dhe I2a-Y3120 gjenden në dendësi më të lartë.
Tabela e mëposhtme thekson veçoritë gjenetike të malësorëve, sipas haplogrupit:
N | E-V13 | R-M269 | J-L283 | I-Y3120 | R-M417 | I-M253 | J-M410 | J-M267 | I-M223 | J-M205 | E-M123 | |
---|---|---|---|---|---|---|---|---|---|---|---|---|
Malësorët | 106 | 35.8 | 14.2 | 41.9 | 1.9 | 1.9 | 4.7 | |||||
Gegët e tjerë | 601 | 26 | 21.1 | 18.1 | 6 | 7.3 | 6.7 | 1.3 | 2.3 | 0.7 | 0.5 | 1.5 |
Në nivel nëndegësh, veçoritë kryesore janë përqindjet dhe larta të E-BY62310 dhe J-Y82533 që janë më të rralla tjetërkund. Përveç përhapjes së gjerë e në fise të ndryshme, E-BY62310, E-PH2180 dhe R-Z2705 paraqesin edhe larmi të lartë, dhe janë gjetur edhe ndër familjet anase, pra duhet të kenë prani të hershme në Malësi. Kurse disa degë të shpesta në troje të tjera shqiptare, si E-Z17107, E-Y17322, E-Y146086, R-Y168201, R-FGC40202, R-L1029, I-Y3120, J-L70 dhe I-S25733 deri tani ose mungojnë tërësisht, ose janë shumë të rralla. Nuk përjashtohet që disa prej tyre të gjenden në Malësi në të ardhmen, por rezultatet e deritanishme tregojnë se nuk janë ndër linjat kryesore atërore të krahinës.
Gojëdhënat për prejardhje nga Bosnja
Një pjesë e madhe e fiseve malësore kanë ruajtur gojëdhëna që e lidhin prejardhjen e tyre me treva në veri e veri-perëndim të trojeve shqiptare, në Bosnje. Zojzi ngre hipotezën se mbërritja e tyre në Malësi daton në shekujt e parë të mijëvjeçarit të dytë. Të dhënat gjenetike nuk e mbështesin mundësinë e prejardhjes nga Bosnja të paktën prej fillimit të Mesjetës, ndoshta edhe më herët. Secili prej fiseve Hot, Kelmend, Bytyç, Kuç, Kastrat, Shkrel kanë lidhjet e tyre gjenetike 1000-1500 vjeçare me rezultate nga treva më jugore e lindore si Lura, Dibra, Kruja, Elbasani e Librazhdi. Fiset Krasniqe, Nikaj e Gash i Gurit, përveç lidhjeve rreth 800 vjeçare mes tyre, lidhen më tej me rezultate të tjera nga veriu i Shqipërisë, Kosova, Dibra, etj. Lidhur me gojëdhënat rreth Bosnjes, mund të lëmë të hapura tri mundësi: ose gojëdhënat janë të gabuara në këtë rast, ose lëvizje të tilla kanë ndodhur gjatë Mesjetës së hershme dhe më herët, ose me termin “Bosnje” mund të jetë kuptuar treva e Sanxhakut në Mal të Zi, me të cilën ekzistojnë më shumë lidhje gjenetik.
Fiset e Malësisë në Kosovë dhe në ultësirën veri-perëndimore
Gjatë shekujve, fiset e Malësisë kanë lëvizur vazhdimisht nga zonat malore drejt atyre më fushore, në disa raste për kullota dimërore, në raste të tjera për t’u vendosur përfundimisht në ultësirë ose në qytete. Prania e familjeve të vetëdijshme për fisin e prejardhjes në fushat e nën-Shkodrës, në Krajë e Anamal, si dhe në shumë pjesë të Kosovës, ka shtyrë shumë autorë të hamendësojnë mbi prejardhjen e këtyre familjeve.
Nga krahasimi i 71 rezultateteve nga familje të tilla me ato të fiseve të njëjta në Malësi, del se rreth 55-60% e këtyre familjeve kanë “kushërinj” gjenetikë në Malësi (këtu kemi llogaritur vetëm anëtarët nga Kosova ose zonat fushore të Shqipërisë që ruajnë gojëdhënën se vijnë nga një fis malësor, pra anëtarët e fiseve të Dukagjinit si Berishë, Thaç, Shalë, Fan, etj., dhe familjet e këtyre zonave që nuk i takojnë asnjë fisi, nuk janë përfshirë). Rreth 30-40% mund të jenë bashkuar me fiset malësore pa patur lidhje gjaku me ta. Bashkime të tilla me kanë qenë të shpeshta, për arsye politike dhe ekonomike. Duhet theksuar se përqindja e lidhjeve gjenetike mund të pësojë rritje të lehtë nëse rezultate të reja zbulojnë lidhje që nuk janë shfaqur deri tani. Po ashtu, duhet përmendur se ka pasur edhe raste kur të fiseve ose vëllazërive malësore që janë shpërngulur tërësisht, dhe për këtë arsye nuk kanë lidhje me malësorët e sotshëm, pavarësisht prejardhjes nga e njëjta trevë. Sidoqoftë, është e qartë që në trevat fushore veriore ka pasur ndërthurje mes familjeve malësore dhe atyre vendase.
Përditësimi i fundit: 24.05.2021
Burime:
Zojzi, Rr. (2018)[1962]. Ndamja krahinore e popullit shqiptar. Gegnia, 6-2018. Marrë me 17 prill 2020 nga www.bibliotekashkoder.com.
Doja, A. (1999). Morphologie traditionnelle de la société albanaise. Social Anthropology. 7 (1): 42. doi:10.1017/S0964028299000038.
Durham, E. (1909). High Albania. London: Edward Arnold.