Uncategorized

Prejardhja gjenetike në Drenicë

Drenica është një trevë që shtrihet në pjesën veriore të zonës kodrinore mes Rrafshit të Dukagjinit dhe Fushës së Kosovës. Prejardhja e shqiptarëve të kësaj krahine ka interes të veçantë për disa arsye: së pari, sepse Drenica ka pasur historikisht popullsi pothuajse homogjene shqiptare; së dyti, sepse shqiptarët përmenden në Drenicë që në dokumentet e shek.XIV (dhe Drenica del si mbiemër në Lezhë që në shek.XV); dhe së treti, për rolin që ka luajtur Drenica në lëvizjet kombëtare shqiptare gjatë dy shekujve të fundit.

Deri sot, janë testuar 31 fise dhe vëllazëri nga fshatra të ndryshme të Drenicës. Kampioni nga kjo trevë duhet të rritet, ashtu si në gjithë Kosovën, mirëpo duke ditur strukturën e qartë fisnore të zonës, edhe ky me këtë grup rezultatesh mund të nxjerrim disa përfundime paraprake mjaft domethënëse. Ndërkohë ftojmë të gjitha familjet që nuk janë testuar të bëjnë nga një test dhe të anëtarësohen në Projektin Rrënjët.

Linjat atërore (haplogrupet)

Deri tani, ndër të gjitha trevat shqiptare, Drenica është krahina me përqindjen më të lartë të haplogrupit E-V13. Mes 31 rezultateve, plot 20 (64.5%) i takojnë këtij haplogrupi. Degët më të shpeshta janë E-V13>PH2180 dhe E-V13>Y93102, të dyja degë karakteristike të trevave më veriore shqiptare.

Kosovo haplogroups

Ngjashëm me krahinat e tjera, haplogrupet e tjera më të përhapura janë R1b-M269, J2b-L283, I2a-Y3120 dhe I1-M253, etj. Deri tani nuk janë gjetur haplogrupet R1a-M417, I2a-M223, J1-M267 dhe J2a-M410, por mund të gjenden me rritjen e testeve.

Prejardhja nga Lashtësia

Sipas haplogrupeve dhe degëve që janë gjetur deri tani në Drenicë, prejardhja e popullsisë lidhet në pjesën dërrmuese, rreth 90%, me fiset e lashta të Ballkanit. Pjesa tjetër e linjave atërore kanë prejardhje nga fiset gjermanike dhe sllave, përsëri ngjashëm me trevat e tjera shqiptare. Duhet përmendur se një pjesë e rezultateve duhet të përmirësojnë rezolucionin e testit për siguri më të lartë.

Kosovo haplogroups

Prejardhja nga Mesjeta dhe periudha osmane

Ndërsa pjesa dërrmuese e linjave atërore shqiptare ka vazhdimësi nga lashtësia në Ballkanin qëndror/perëndimor, prej atëherë ka pasur lëvizje të shumta me karakter më lokal. Për shembull, gjatë shek.VI-XI, periudhë që përkon me etnogjenezën arbërore/shqiptare, disa linja atërore u përhap në disa drejtime (grupi kryesor me gjasë nisi përhapjen nga ish-territori i Dardanisë së lashtë). Në shekujt në vijim pati zgjerime brenda-krahinore si dhe lëvizje të tjera drejt Greqisë e Italisë. Më pas në periudhën osmane pati zgjerime nga zonat malore drejt trevave më të buta, dukuri që vërehet si në Kosovë, edhe në Maqedoni, Zadrimë, Myzeqe, Korçë, etj. Për shkak të situatës politike në Kosovë, këto lëvizjet e fundit janë manipuluar vazhdimisht për qëllime politike, mirëpo përmes rezultateve të ADN-së prejardhja e një fisi apo vëllazërie mund të verifikohet përtej interpretimeve subjektive.

Rezultate të afërta me Shqipërinë veriore

Mes 31 rezultateve të mbledhura nga fiset dhe vëllazëritë në Drenicë, një grup prej 14 rezultatesh lidhen qartësisht me të njëjtat fise në Shqipërinë veriore, prandaj duhet të jenë zhvendosur drejt Drenicës gjatë periudhës osmane.

Kosovo haplogroups
Rezultatet në Drenicë

Në këtë grup bëjnë pjesë, për shembull, vëllazëri të Berishës në Vasilevë, Poklek, Gllobarë, Polacë, Brojë e Rakitnicë, vëllazëri të Gashit në Llaushë, Gllobarë, Lubovec e Llapushnik, etj. Rreth 2/3 e këtyre familjeve kanë prejardhje nga Puka, kurse 1/3 nga Malësia e Gjakovës (Tropoja), por ka mundësi edhe që një pjesë e grupit nga Puka të kenë banuar në Tropojë ose në Has përpara zhvendosjes përfundimtare në Drenicë. Duhet theksuar se pjesa më e madhe e këtyre vëllazërive bartin haplogrupe që në Shqipërinë veriore duhet të jenë vendosur nga Dardania me një përhapje edhe më të hershme, rreth shek.VI-XI.

Rezultate pa përputhje me fiset në Shqipëri

Një grup tjetër prej 12 rezultatesh nuk ka lidhje me fiset e njëjta në Shqipërinë e veriut. Në këtë grup bëjnë pjesë vëllazëritë e Berishës së Kuqe në Prekaz e Mikushnicë (këto kanë lidhje rreth 500-vjeçare me një familje nga zona e Shtimes) dhe në Obrijë, të Hotit në Likovc, të Shalës në Cikatovë, të Sopit në Llapushnik, etj. Të gjitha këto vëllazëri nuk kanë lidhje brenda 1000 vjetve të fundit me fiset e njëjta në Shqipëri. Nuk përjashtohet mundësia që të gjenden lidhje në të ardhmen me rezultate të reja nga Shqipëria, por deri tani nuk ka përputhje të tilla, prandaj mund të klasifikohen si banorë me vazhdimësi lokale. Edhe brenda këtij grupi, prejardhja nga fiset e lashta të Ballkanit është mbizotëruese me 83.3%, prandaj nëse ky grup shërben si tregues i shtresës së vjetër të popullsisë, edhe kjo shtresë duhet të ketë pasur përbërje gjenetike tipike për trevat shqiptare. Së fundi, për një grup prej 5 rezultatesh nuk është e qartë nëse kanë prejardhje nga Shqipëria e veriut pasi duhet të bëjnë test me rezolucion më të lartë.

Përfundime

Me 31 rezultate nga Drenica është e qartë popullsia e kësaj krahine ka një profil gjenetik të ngjashëm me trojet e tjera shqiptare. Pjesa më e madhe e paraardhësve atërorë të shqiptarëve të Drenicës ishte pjesë e fiseve të lashta të Ballkanit përpara periudhës romake, kryesisht në Dardani dhe në Ilirinë jugore, kurse një grup i vogël u vendos në Ballkan me dyndjet gjermanike dhe sllave. Sot një grup i madh i fiseve kanë prejardhje nga Shqipëria veriore, edhe pse më herët ishin në Dardani, kurse një grup tjetër gjithashtu i konsiderueshëm nuk kanë lidhje të ngushtë me fiset në malësi. U bëjmë thirrje familjeve në Drenicë dhe në përgjithësi në Kosovë që të anëtarësohen në Projektin Rrënjët, që këto përfundime të jenë sa më të sigurta e të hollësishme.