R-BY147912

Linja atërore R-BY147912 është njëra prej dy degëve të R-CTS9219>BY611>Z2705, një ndër grupet më të përhapura dhe më karakteristike të shqiptarëve. Për nëndegët e R-CTS9219 do të shkruajmë me hollësi në të ardhmen, por ajo që ka rëndësi edhe për nëndegën R-CTS9219>BY611>Z2705>BY147912 është se paraardhësi i përbashkët i gjithë këtyre linjave duhet të ketë mbërritur në Ballkan si pjesë e popujve indo-europianë gjatë Epokës së Bronzit. Në fakt, ky grup është pjesë e R-Z2103>Z2108>CTS7559, linjë e gjetur në një skelet nga Epoka e Bronzit në Vojvodinë.

Pas përhapjes fillestare në Europën juglindore, dallohet një efekt i fortë bottleneck deri në fund të Antikitetit/fillim të Mesjetës. Si shumë linja të tjera atërore shqiptare, R-BY147912 ka filluar të përhapet pikërisht gjatë kësaj periudhe. Sot kjo linjë gjendet në shumë krahina shqiptare, por edhe pothuajse në çdo shtet të Ballkanit, gjë e bën mjaft interesant kërkimin e pikënisjes së shpërnadarjes. Kohët e fundit, një numër testesh me rezolucion të lartë kanë zbuluar strukturën e brendshme të grupit dhe kanë sjellë të dhëna të reja mbi prejardhjen e mundshme të tij.

Ndër dy degët e R-BY147912, e para është gjetur në Bosnje. E dyta, R-BY147912>BY105603, ka dy degëzime të tjera: R-BY147912 gjendet në familjet e vëllazërisë Xhaj të fisit Shkrel, që sipas traditës janë anas në atë zonë, dhe në Kosovë; dega tjetër, R-BY147912>BY105603>BY182782, ka shpërndarje më jugore dhe lindore. Nga kjo nëndegë kemi në projekt tre anëtarë që kanë kryer test me rezolucion të lartë, respektivisht nga Lezha, Berati dhe Vlora. Të tre ndajnë një paraardhës të përbashkët që ka jetuar ~1200 vite më parë. Pas analizës shtesë në YFull, u gjet se anëtari nga Vlora ndan një paraardhës edhe më të vonë (nga ~800 vjet më parë) me një rezultat nga Greqia. Këto rezultate kanë të përbashkët mutacionet SNP BY182782 dhe BY182789, si dhe disa vlera STR si DYS393=12, DYS392=11, etj. Pasi të njëjtat vlera vërehen edhe te rezultatet të gjetura nga studime të ndryshme në Shqipëri (nga veriu, nga Tirana, vlleh nga Andon Poçi), Greqi, Maqedoni, Serbi, Bullgari, Rumani, madje edhe nga Italia jugperëndimore, mund të themi se të gjithë ndajnë një paraardhës të përbashkët me anëtarët e R-BY147912>BY105603>BY182782.

Pra, testet me rezolucion të lartë tregojnë se rezultatet e kësaj dege nga Greqia, Maqedonia, Serbia, Bullgaria dhe Rumania vijnë nga një person që ka jetuar rreth 1200 vite më parë, që ka pasardhës sot edhe ndër shqiptarë toskë e gegë, si dhe ndër vllehët e Shqipërisë. Në anën tjetër, dy degët më të vjetra të këtij grupi janë gjetur në Malësi të Madhe dhe në Bosnje por mungojnë në Bullgari dhe Rumani, pra diversiteti më i lartë i gjithë grupit është i përqendruar në Ballkanin perëndimor.

Skema bazohet kryesisht në pemën BlockTree të FTDNA dhe pemën Y-Tree të YFull.com.

Si përfundim, të dhënat e deritanishme sugjerojnë se përhapja e këtij grupi ka filluar në pjesën perëndimore të Ballkanit në mbyllje të Antikitetit ose në Mesjetën e Hershme. Edhe brenda trojeve shqiptare, paçka se sot gjendet pak më shpesh në jug, larmia më e lartë e degës është e përqendruar në veri . Në këtë pikë, si në trojet shqiptare, ashtu edhe në Ballkan, R-Z2705>BY147912 shfaq ngjashmëri me degëzimet e grupit vëllazëror të saj, R-Z2705>BY38894.

Pas përhapjes fillestare nga perëndimi, shpërndarja drejt viseve lindore dhe jugore të Ballkanit, ka gjasa të ketë ndodhur pjesërisht me lëvizje të njohura historike të shqiptarëve, si psh ato të arvanitasve drejt jugut dhe të arbëreshëve drejt Italisë, vendosja (dhe asimilimi) e shqiptarëve në Bullgari gjatë sundimit osman, etj. Megjithatë, nuk përjashtohet që mundësia disa degëzime të jetë veçuar dhe të kenë shtegtuar drejt lindjes ose jugut që në Mesjetën e hershme. Për shembull, ndonjë nëndegë mund të ketë qenë pjesë e grupeve mesjetare vllehe, por kjo duhet verifikuar me teste të thella nga Ballkani verilindor. Një rast mjaft interesant lidhur me R-BY147912 përbën minoriteti turk në Maqedoni, ku kjo linjë është gjetur në 5 prej 100 të testuarve nga Jankova et al (2019). Edhe në projektin tonë kemi në këtë degë një anëtar nga minoriteti turk në Maqedoni, i cili vjen nga një fshat afër Kumanovës që sipas traditës kanë prejardhje nga zona e Dibrës në Shqipëri.