R-CTS9219

Linja atërore R1b-CTS9219 është linja më e përhapur e haplogrupit R1b dhe ndër më të shpeshtat në përgjithësi ndër shqiptarë të të gjitha trojeve, me rreth 14% të gjithë linjave atërore. R-CTS9219 është linjë pasardhëse e haplogrupit R-M269, dhe degës së tij R-M269>L23>Z2103>Z2106>CTS7556. R-Z2103 ishte pjesë e popujve indo-europianë që banonin në Europën lindore dhe stepat e Euroazisë, dhe u përhap rreth fillimit të Epokës së Bronzit në të gjitha drejtimet bashkë me valët që formuar gradualisht edhe grupet kryesore të popullsive europiane që njohim sot, si gjermanikët, keltët, shqiptarët, grekët, etj.

Përhpaja fillestare e R-CTS9219

Ndryshe nga shumica e degëzimeve të R-L23>L51, që pas Europës qendrore e lindore u përhapën vrullshëm drejt Europës veriore dhe perëndimore, shumë prej degëzimeve të R-L23>Z2103 qëndruan në Europën qendrore e lindore dhe Ballkanin verior, ose u përhapën drejt jugut dhe rreth Mesdheut. R-CTS9219, si nëndegë e R-Z2103, duket se i përshtatet kësaj dinamike.

Koha e shfaqjes së R-CTS9219 në pjesën juglindore të Europës dhe në Ballkan ka gjasë të jetë rreth 3800-4500 vite më parë. Fakti që dega paraardhëse R-CTS7566 është gjetur në Vojvodinë në një skelet >3800 vjeçar është provë e fortë në mbështetje të pranisë së R-CTS9219 në Ballkan të paktën që në këtë periudhë, ndërsa prania e degëve të vjetra e të izoluara të R-CTS9219 edhe sot në popuj të Euroazisë (një R-CTS9219 vjen nga Mordavia në Rusi) sugjeron që lindja e CTS9219 para rreth 4600 vitesh (sipas YFull, v.8.09.00) i paraprin shtegtimit drejt Europës qendrore. Nisur nga larmia e degëve të R-CTS9219 sot, si dhe nga rezultati nga Vojvodina, hapësira më e mundshme ku kjo linjë është vendosur në Epokën e Bronzit është zona mes Alpeve Europiane dhe Karpateve. Nga kjo hapësirë, nëndegët kryesore, R-CTS9219>BY250 dhe R-CTS9219>Y18959, u përhapën më tej në disa drejtime, duke përfshirë edhe Ballkanin qendror e perëndimor. Kjo hipotezë mbështetet edhe nga gjetja R-CTS9219 në një skelet nga kufiri verilindor i Dardanisë së periudhës romake (shek 4-5). R1b-CTS9219

Informacioni për skemën dhe rezultatet e huaja vjen nga YFull.com dhe BlockTree në FTDNA.com. Rezultatet shqiptare vijnë vetëm nga anëtarë të projektit tonë.

R-BY250 dhe R-Y18959

Si R-BY250, ashtu edhe R-Y18959 shfaqin larmi të lartë në Ballkan, por kanë edhe mjaft rezultate nga vendet perëndimore. R-BY250 ka diversitet të lartë veçanërisht në trevat veriore të Gjermanisë, ku me shumë mundësi ishte pjese e proçeseve që formuan popullsitë gjermanike që fillojnë të njihen në lashtësi. Në shumicën e rasteve, ndegët ballkanike dhe ato veriore e perëndimore të R-BY250 dhe R-Y18959 duhet të jenë ndarë përpara përfundimit të këtyre proçeseve.

Deri sot (dhjetor 2020), nga 943 anëtarë të projektit, dy i takojnë nëndegës R-CTS9219>BY250, një tjetër nëndegës R-Y18959>FT61900, dhe 125 anëtarë nëndegës R-Y18959>BY611. Sipas YFull, lidhjet gjenetike e secilit prej këtyre degëzimeve me rezultate nga jo-Ballkanike janë respektivisht rreth 3900, 2600, 3200 dhe 2600-3300 vjeçare. Duhet thënë se ka mundësi që koha e formimit dhe zgjerimit të R-BY250>Y19972 dhe R-Y18959>BY611 të jetë nënvlerësuar lehtësisht, por pavarësisht disa datave që duhen konsoliduar, të dhënat e deritanishme sugjerojnë qartë se periudha kur paraardhësit atëror të shqiptarëve nën R-CTS9219 lëvizën drejt jugut ballkanik duhet të jetë 2000-600 p.e.s. Prej asaj kohe, duhet të kenë qenë pjese e popujve të lashtë të Ballkanit si ilirët, dakët, etj.

Nuk mund të thuhet me siguri nëse të gjitha degët shqiptare nën R-CTS9219 ishin pjesë e një shtegtimi të vetëm. Rezultati nga Elbasani, nën R-BY250>Y19469, dhe ai nga Tirana (tradita e kësaj familjeje flet për prejardhje të largët nga Mirdita) nën R-Y18959>FT61900, për nga largësia gjenetike me rezultatet e tjera, sugjerojnë lëvizje të Bronzit të mesëm ose të vonë. Rezultati nga Lunxhëria, nën R-BY250>Y19469>Y19752, mund të ketë lidhje disi më të vona me rezultate të ndryshme nga Europa, por duhet rishikuar mosha e degës me më shumë teste me rezolucion të lartë.

R-BY611

Të gjitha rezultatet shqiptare nën R-BY611 i takojnë nëndegës ~1500 vjeçare R-BY611>Y23373>Z2705. Degëzimet e tjera kanë rezultate nga Italia, Spanja, Amerika, Gjermania/Polonia dhe Hungaria. Përveç këtyre, ka edhe rezultate që nëse përmirësojnë rezolucionin e testimit, mund të formojnë nëndegë të reja nën BY611. Këto vijnë nga Italia veri-lindore, Kroacia dhe Vojvodina. Shpërndarja dhe larmia e gjithë këtyre rezultateve sugjeron një përhapje nga pellgu Panonik mes Alpeve të Europës dhe Karpateve, me gjasë nga pjesa perëndimore e kësaj hapësire. Për të përcaktuar më me saktësi kohën e përhapjes, duhet të kemi edhe disa teste me rezolucion të lartë, por periudha më e mundshme mbetet para 2600-3300 vitesh.

R-BY611>Z2705

Pas mbërritjes në Ballkan R-Y23373/Z2705 kaloi efektin tipik bottleneck, dhe arriti të rifillojë përhapjen e saj vetëm para rreth 1500 vitesh, nga pjesa veriore e trojeve të sotme shqiptare.

R-Z2705 është linja atërore me përhapjen më të njëtrajtshme në trevat shqiptare. Gjithashtu, ndër linjat me moshë 1200-1800 vjeçare, është edhe linja më e shpeshtë, me ~14% të gjithë rezultateve. Për këto dy arsye, mund të themi me siguri të lartë se përhapja e saj lidhet ngushtë me etnogjenezën arbërore gjatë Antikitetit të vonë ose Mesjetës së hershme. Në vendet fqinje gjendet në përqindje më të ulët (2-4%), me përjashtim të trevave me prani historike shqiptare, Sanxhaku, pjesa jugore e Malit të Zi, Nishi, Peloponezi e Atika, etj. Dendësia më e lartë në trojet shqiptare vërehet në rreth Prizrenit, në Mat dhe në Labëri.

R1b-BY611

Informacioni për skemën dhe rezultatet e huaja vjen nga YFull.com dhe BlockTree në FTDNA.com. Rezultatet shqiptare vijnë vetëm nga anëtarë të projektit tonë.

Nisur nga larmia e linjave paraardhëse në lindje të Alpeve të Europës, dhe nga larmia e vetë R-Z2705 në trevat veriore shqiptare dhe në skajet jug-lindore të Malit të Zi, ka mundësi që gjatë periudhës romake, kjo linjë ka qenë në Iliri, Dardani, ose në pjesën jug-perëndimore të Moezisë. Gjatë Mesjetës së hershme, me siguri ka qenë ndër linjat më të shpeshta të Shqipërisë së veriut. Këtë fakt na e tregon së pari larmia e linjave R-Z2705 në Shqipërinë veriore, në Pollog, Kosovë, në jug të Malit të Zi dhe në Sanxhak, hapësirë ku gjenden të gjitha nëndegët e R-Z2705 e zbuluara deri sot. Gjithashtu, në Malësi, R-Z2705 duhet të ketë pasur larmi të lartë që në Mesjetë, pasi është gjetur në familjet që tradita i konsideron si anase, pra banorë vendas, të Shkrelit, Reçit, Grudës, Trieshit, Nikajve dhe ndoshta edhe ndonjë fisi tjetër që mbetet për t’u verifikuar (Kelmendi, Kuçi, etj.). Jo më vonë se 1000 vite më parë, R-Z2705 duhet të ketë pasur përhapje të gjerë në gjithë trojet shqiptare, pasi shumë rezultate nga jugu nuk kanë lidhje më të vona se 900-1200 vjet me rezultatet nga veriu. Po ashtu, edhe prania e shpeshtë e kësaj linje te Arbëreshët na siguron se që në Mesjetë kishte përqindje të lartë në jug. R-Z2705 ka dy nëndegë kryesore: R-BY147912, dhe R-BY38894, të dyja me përhapje në të gjitha trevat shqiptare, dhe me degezime edhe në vendet fqinje. Rezultatet me rezolucion të lartë mund t’i gjeni në skemën e R-Z2705 më lart.

R-Z2705 ndër shqiptarë (eng: R-Z2705 among Albanians)
R-Z2705 ndër shqiptarë

Pas përhapjes fillestare, shpërndarja drejt viseve më lindore dhe jugore të Ballkanit, ka gjasa të ketë ndodhur pjesërisht me lëvizje të njohura historike të shqiptarëve, si psh ato të arvanitasve, apo vendosja (dhe asimilimi) e shqiptarëve në Bullgari gjatë sundimit osman, etj. Megjithatë, nuk përjashtohet mundësia që disa degëzime të jetë veçuar dhe të kenë shtegtuar që në Mesjetën e hershme. Për shembull, ndonjë nëndegë mund të ketë qenë pjesë e grupeve mesjetare vllehe, por kjo duhet verifikuar me teste të thella nga Ballkani verilindor. Një rast mjaft interesant lidhur me R-BY147912 përbën minoriteti turk në Maqedoni, ku kjo linjë është gjetur në 5 prej 100 të testuarve nga Jankova et al (2019). Edhe në projektin tonë kemi në këtë degë një anëtar nga minoriteti turk në Maqedoni, i cili vjen nga një fshat afër Kumanovës dhe sipas traditës kanë prejardhje nga zona e Dibrës në Shqipëri.

R-BY611>Z2705>BY147912

Ndër dy degët e R-BY147912, e para është gjetur në Bosnje. E dyta, R-BY147912>BY105603, ka dy degëzime të tjera: R-BY147912 gjendet në familjet e vëllazërisë Xhaj të fisit Shkrel, që sipas traditës janë anas në atë zonë, dhe në Kosovë; dega tjetër, R-BY147912>BY105603>BY182782, ka shpërndarje më jugore dhe lindore. Nga kjo nëndegë kemi në projekt tre anëtarë që kanë kryer test me rezolucion të lartë, respektivisht nga Lezha, Berati dhe Vlora. Të tre ndajnë një paraardhës të përbashkët që ka jetuar ~1200 vite më parë. Pas analizës shtesë në YFull, u gjet se anëtari nga Vlora ndan një paraardhës edhe më të vonë (nga ~800 vjet më parë) me një rezultat nga Greqia. Këto rezultate kanë të përbashkët mutacionet SNP BY182782 dhe BY182789, si dhe disa vlera STR si DYS393=12, DYS392=11, etj. Pasi të njëjtat vlera vërehen edhe te rezultatet të gjetura nga studime të ndryshme në Shqipëri (nga veriu, nga Tirana, vlleh nga Andon Poçi), Greqi, Maqedoni, Serbi, Bullgari, Rumani, madje edhe nga Italia jugperëndimore, mund të themi se të gjithë ndajnë një paraardhës të përbashkët me anëtarët e R-BY147912>BY105603>BY182782.

Pra, testet me rezolucion të lartë tregojnë se rezultatet e kësaj dege nga Greqia, Maqedonia, Serbia, Bullgaria dhe Rumania vijnë nga një person që ka jetuar rreth 1200 vite më parë, që ka pasardhës sot edhe ndër shqiptarë toskë e gegë, si dhe ndër vllehët e Shqipërisë. Me qenë se dy degëzimet më të vjetra të këtij grupi janë gjetur në Malësi të Madhe dhe në Bosnje por mungojnë në Bullgari dhe Rumani, diversiteti më i lartë i gjithë grupit është i përqendruar në Ballkanin perëndimor. Edhe brenda trojeve shqiptare, paçka se sot gjendet pak më shpesh në jug, larmia më e lartë e degës është pak më e lartë në veri.

R-BY611>Z2705>BY38894 (DYS393=13)

Shumica e degëzimeve të R-Z2705 ndodhen nën R-Z2705>BY38894, që karakterizohet edhe nga mutacioni DYS393=12>13. Nën R-BY38894 gjendet disa nëndegë ndër të cilat R-Y32147 përfshin pak mbi 50% të gjithë rezultateve shqiptare R-Z2705. Përveç R-Z2705>Y32147, që gjendet në çdo rajon, shpërndarja ndryshon sipas degëve. Për shembull, R-FT49932, ku bëjnë pjesë rezultate nga Gruda, Trieshi, Lushnja e Vlora, por edhe fisi malazez Piperi dhe disa rezultate nga Sanxhaku, ka shpërndarje perëndimore dhe kryesisht veri-perëndimore. Dega R-A24000 e gjetur në Librazhd, Skrapar dhe në shumë rezultate nga fisi Bytyç në Malësi e në Kosovë, dhe dega R-Y177765 e gjetur në Mat e Gramsh, deri tani kanë divesitet më qendror. Së fundi, dega R-FTA51671, e gjetur në Kolonjë e në Kosovë, mund të ketë përhapje më lindore. Kurse dega R-BY199059, që është e vetmja që nuk ka anëtarë shqiptarë deri tani, duket se mund të jetë përhapur ndër serbë kryesisht përmes fiseve vllahe. Në drejtimin veri-jug, larmia e degëve të R-BY38894 mbetet pak më e lartë në veri, prandaj mund të hamendësohet që përhapja e saj duhet të ketë ndodhur paralelisht me atë të R-BY147912, fillimisht nga trevat veriore shqiptare, por duke arritur shumë shpejt të përhapet në të gjitha drejtimet.

Ndër rezultatet me rezolucion jo të lartë, kemi një numër të madh R-BY38894, që vijnë nga çdo pjesë e trojeve shqiptare. Në përgjithësi, trevat malore kanë dendësi pak më të lartë. Në jug, dendësia më e lartë gjendet në Labëri, më pas në Devoll, Ersekë e Skrapar. Në veri, përveç Matit, ka përqindje të lartë në Llapushë e në përgjithësi në rajonin e Prizrenit, në Mal të Zi, Maqedoninë perëndimore, dhe në Malësi. Ndër fiset veriore, nën R-A24008 gjendet fisi Bytyç, nën R-BY218801 vëllazëria Kapit e fisit Nikaj kurse nën R-FT49932 gjenden disa vëllazëri të vjetra të Grudës e Trieshit.

R-BY611>Z2705>BY38894>Y32147

R-Y32147 gjendet në të gjitha trevat shqiptare, dhe më gjerë. Shumica e haplotipeve të kësaj dege shfaqin vlera mbi 15 në shënuesin DYS458. Në Labëri, ku pothuajse mungojnë degët e tjera të R-Z2705, kjo degë përbën gati 20% të gjithë linjave atërore. R-Y31247 mbizotëron në të gjitha krahinat e tjera, me përjashtim të trevave më veri-perëndimore shqiptare. R-Y32147 ka tri nëndegë kryesore, të shpërndara në mënyrë të ndryshme:

  • R-FT166340 është gjetur në disa pjesë të Ballkanit, mirëpo rezultatet shqiptare kanë pa dyshim diversitetin më të lartë. Brenda trojeve shqiptare, larmia më e lartë dhe rrjedhimisht edhe vendi i mundshëm i nisjes së përhapjes, është pjesa veri-perëndimore e Shqipërisë, përreth Shkodrës. Në këtë degë ka edhe rezultate nga familje serbe nga zona e Prizrenit, si dhe disa rezultate nga Mali i Zi që sipas traditave të tyre, lidhen me fisin Bukmiri, që në shekujt 15-16 vendosej nga Pulti, në Piper e Kuç, dhe gjatë verë në trevat fushore nën Shkodër. Rezultati më i afërt shqiptar lidhet me këtë nëngrup në rreth 40 breza, dhe vjen nga një familje e fisit Shalë nga Podujeva.

R-FT166340

  • R-Y133365 gjendet më shpesh në veri, duke nisur nga Sanxhaku e nga Plava, Shkodra, Hasi, deri në Gjilan, mirëpo gjendet edhe në Labëri. Edhe në rajon, gjendet më shpesh në veri, si në Sanxhak e në Mal të Zi. Nisur nga larmia e nëndegës, pikënisja duket në një zonë veriore, por nuk mund të përcaktohet më saktësisht se nga cila pjesë e veriut, pasi rezultatet janë mjaft të shpërndara. Ka mundësi që disa prej linjave përbërëse të R-Y133365 të kenë banuar prej shekujsh zonën e sotshme kufitare mes Kosovës dhe Shqipërisë.

R-Y133365

  • R-Y126039 ka shtrirje më të veçantë se dy degët e tjera, pasi ndër shqiparë është gjetur vetëm në anët lindore, si Dibër e Strugë, dhe gjendet gjithashtu edhe në Maqedoni, Bullgari, në Egje e deri në Turqi e Arabi Saudite. Pa dyshim këto rezultate janë vijnë nga familje me të shkuar që lidhjet me lëvizjet e shqiptarëve gjatë Mesjetës (psh vendosjet e Arvanitasve në Greqi) dhe gjatë periudhës së sundimit osman. Përjashtim për tendencën lindore përbëjnë disa rezultate nga Sanxhaku, por larima mbetet qartësisht e përmbledhur në lindje të trevave shqiptare, duke filluar nga verilindja (Malet e Dibrës, Dibra e Madhe), deri në zonën e Strugës dhe Resnjë.

R-Y126039

Pa klasifikim më të thellë, nën R-Y32147 kemi disa vëllazëri të Thaçit, Morinës, Hotit në Prizren, Pejë e Gjilan, po ashtu një pjesë e Fanit, një pjesë e Xhanit të Pultit, shumë rezultate nga Labëria, Devolli, Tirana, Pollogu, etj. Me qenë se nëndegët kryesore tashmë janë të ravijëzuara, shumica e të testuarve të ardhshëm do të kenë mundësi të kuptojnë me përpikmëri më të lartë prejardhjen e tyre atërore.

Përditësimi i këtij artikulli do të vijojë në mënyrë të vazhdueshme me mbërritjen e rezultateve të reja.

(përditësimi i fundit: 10.2021)