R-FGC40202

Prejardhja e largët e R1b-M269>PF7562>PF7563>Z29758>PF7566>FGC40202, si për gjithë haplogrupin R1b-M269, mendohet nga stepat euroaziatike mbi Kaukaz. Mbërritja e paraardhësve të kësaj linje në Ballkan mund të hamendësohet nga degët e zbuluara përmes testeve të popullsisë së sotshme, duke qenë se gjetje nga lashtësia ende nuk ka. Rezultatet e projektit tonë tregojnë një larmi mjaft të lartë të R1b-M269>PF7562>PF7563>Z29758 në trojet shqiptare, gjë që sugjeron një prani të lashtë të saj në Ballkan, ndoshta që në fillimet e Epokës së Bronzit. Edhe rezultatet e kësaj dege nga vendet e tjera, të përqendruara kryesisht në Ballkanin perëndimor dhe në Itali, paraqesin lidhje 4000-5000 vjeçare mes tyre. Gjasat janë që zhvendosja nga stepat kryesisht drejt Europës juglindore të ketë ndodhur me lëvizjet/zgjerimet e popujve blegtoral indo-europianë.

 

 

Si shumë linja atërore të shqiptarëve, R-FGC40202 duket se ka kaluar një efekt të fortë “bottleneck” si pasojë e të cilit deri tani është zbuluar vetëm një linjë që ka mbijetuar deri në mesjetën e hershme. Para rreth 1400 vitesh, ka filluar një zgjerim i fortë i kësaj linje i cili ka shpërndarë pasardhësit e saj në trevat shqiptare, por edhe në disa vende të tjera përreth si Mal i Zi dhe Greqi. Me qenë se kjo është një ndër linjat me më shumë teste të rezolucionit të lartë në projekt, kemi mundur të zbulojmë një numër të madh nëndegësh që na tregojnë për kohën dhe drejtimet e zgjerimit të saj.

*Skema bazohet kryesisht mbi pemën e YFull.com.

 

Rezultatet e testeve na tregojnë që shpërndarja më e vrullshme ka ndodhur pikërisht para rreth 1,400 vitesh, periudhë që përkon me kohën kur një folësit e proto-shqipes u mbijetuan luftërave dhe zhvendosjeve të mëdha të popullsive mes Lashtësisë e Mesjetës. Një periudhë e dytë zgjerimi që ndoshta mund të lidhet me lindjen e formacioneve politike mesjetare arbërore si dhe me fillimet e një sistemi shoqëror sedentar feudal, shfaqet në ndërrim të mijëvjeçarëve deri rreth shek XIII. Pjesa më e madhe e këtyre degëve shfaqen me diversitet të lartë në pjesët lindore të trojeve shqiptare, nga rajoni i Prizrenit, deri në zonën malore mes Korçës e Skraparit. Duhet nënvizuar se përveç rezultateve nga Prizreni, Dibra e Librazhdi, i testuari nga Berati ka prejardhje nga një familje e dokumentuar si shqiptare në Voskopjën e shek 18. Gjithashtu, i testuari nga Qerreti i Pukës ka një gojëdhënë për prejardhje më të largët nga Dibra. Pasi edhe disa anëtarë të projektit nga kjo degë janë në pritje të përfundimit të analizës, diversiteti i saj mund të rishqyrtohet me të dhënat e reja.

Pra, të dhënat e deritanishme flasin për një linjë me prani në Ballkan që në Epokën e Bronzit të hershëm e cila u zgjerua në Mesjetë, ndoshta nga një zonë e Shqipërisë verilindore drejt perëndimit. Nga teste komerciale me rezolucion të ulët duket se kjo linjë gjendet edhe te shqiptarët e Maqedonisë. Testimi i tyre më cilësor mund të na japë më shumë informacion mbi historinë e përhapjes së R-FGC40202.