Ashtu si R1b-M269, edhe R1a-M417 dhe nënëdegët e saj mendohet se e kanë prejardhjen nga stepat mes Europës lindore e Azisë qendrore. Por, ndërsa R1b-M269 u zhvendos kryesisht drejt perëndimit gjatë Epokës së Bronzit, shumë degë të R1a-M417 qëndruan në Europën lindore dhe në stepa, kurse disa shtegtuan në masë edhe drejt Azisë jugore. Në popullsi të Europës lindore, Azisë qendrore dhe Azisë jugore, R1a-M417 gjendet edhe sot në përqindje të larta. Megjithatë, përhapja e R1a, sidomos në Europë, ka ardhur edhe si pasojë e dyndjeve të njëpasnjëshme nga veriu e lindja në Epokën e Hekurit dhe në Mesjetë.
R1a-M417 është gjetur në eshtra të Epokës së Bronzit nga Gjermania deri në Siberi, duke përfshirë edhe një rezultat nga Bullgaria e shek 18-17 p.e.s., me shumë gjasë proto-trak. Në Europën e Epokës së Hekurit është gjetur në Moldavi e Ukrainë.
*Skema është bazuar kryesisht në pemën e YFull.com. Disa degë nuk janë paraqitur për thjeshtësi.
Nëndega R1a-M417>Z645>Z93, si në eshtra të lashta, si në përhapjen e sotshme, lidhet kryesisht me Azinë qendrore dhe popullsitë nomade që e kanë dominuar këtë rajon ndër shekuj, si Hunët, Kumanët, etj. Megjithatë duhet përmendur fakti se skeleti nga Bullgaria i takon pikërisht kësaj dege, prandaj nuk mund të përjashtohet kategorikisht mundësia që ndonjë linjë e sotshme e R1a-Z93 të ketë prani të lashtë në Ballkan. Nëndega R1a-M417>Z645>Z283>Z284 ka përhapje dhe larmi të lartë në Europën veriore, dhe mendohet se ka qenë pjesë e formësimit të popullsive nordike dhe gjermanike. Nëndegët R1a-M417>Z645>Z283>Z282>M458 dhe R1a-M417>Z283>Z282>Z280>CTS1211 janë sot linjat atërore më të përhapura në Europën e lindjes. Mbërritja e tyre në Ballkan mendohet kryesisht gjatë Antikitetit të vonë ose Mesjetës së hershme, me shumë mundësi me sllavët, fiset gjermanike, popujt nomadë nga Azia qendrore, pellgu i Vollgës ose Uralet, etj.
R1a-M417 përben rreth 7% të linjave atërore shqiptare. Përqendrimi më i lartë gjendet në Shqipërinë juglindore, ultësirat perëndimore dhe në zonën mes Bulqizës dhe Librazhdit. Linjat më të përhapura janë R1a-M417>CTS1211 dhe R1a-M417>M458>L1029, me rreth 2.5% secila. Të dyja këto linja do t’i shqyrtojmë më hollësisht në vijim.