R1b-M269

R1b-M269 është haplogrupi i dytë më i përhapur ndër shqiptarë. Edhe pse gjendet në përqindje relativisht të lartë në të gjitha trevat, dendësia më e madhe vërehet në Prizren, Llapushë, Malësi, Mat, Labëri dhe Skrapar, dhe përgjithësisht në zona malore.

Prejardhja e haplogrupit R1b-M269 mendohet nga popullsitë indo-europiane në Stepat e Euroazisë, konkretisht nga Ukraina dhe Rusia jugore mbi Kaukaz. Rezultate të R1b-M269, sidomos të degëzimit R1b-M269>L23, janë gjetur në dendësi tepër të lartë në këto zona në periudha që përkojnë me fillimet dhe më pas zgjerimin e proto-indo-europianëve. Gjatë Epokës së Bronzit, këta popuj kryesisht blegtoral u përhpapën në të gjitha drejtimet duke u veçuar dhe duke formuar grupe të reja gjuhësore si gjermanikët, keltët, italikët, etj. Nga këta popuj mendohet të ketë evoluar edhe gjuha shqipe, si një degë e veçantë e gjuhëve indo-europiane. Kjo përhapje gjuhësore përkon edhe me të dhënat gjenetike nga eshtrat e kohës, pasi pikërisht në Epokën e Bronzit, R1b-M269 fillon të shfaqet edhe në Ballkan dhe në pjesë të tjera të Europës.

R1b-M269 ndahet në dy nëndegë: R1b-M269>PF7562 dhe R1b-M269>L23. Kjo e fundit u degëzua në R1b-M269>L23>Z2103 dhe R1b-M269>L23>L51. Degët R1b-M269 të shqiptarëve u takojnë kryesisht R1b-M269>PF7562>PF7563 (~3-4% e popullsisë) dhe R1b-L23>Z2103>Z2106>Z2108>Z2110>CTS9219 (~15% e popullsisë), kurse rreth 1% e linjave atërore shqiptare janë nën R1b-M269>L23>L51.

*Skema është bazuar kryesisht në pemën e YFull.com. Disa degë nuk janë paraqitur për thjeshtësi.

Sot, degët europiane të R-PF7562 dhe R-Z2103 gjendet sidomos në Europën lindore dhe jugore, kurse R-L51 mbizotëron në perëndim, dhe nisur nga gjetjet e lashta mund të hamendësohet se kjo shpërndarje kishte filluar të merrte formën e sotme që në Epokën e Bronzit. Pas valëve të para indo-europiane, secila nëndegë mund të ketë vijuar përhapjen në mënyrë të pavarur, prandaj secilën degë do ta trajtojmë veças duke nisur që nga Epoka e Bronzit deri te shtrirja që shohim sot në trojet shqiptare.