Selita

Selita është një trevë historike e Mirditës. Tradicionalisht, Selita ishte një prej tre bajrakëve të Ohrit, bashkë me Rrazën dhe Kthellën. Bajrakët e Ohrit u bashkuan me grupin e Mirditës pasi në këtë të fundit bënin pjesë tashmë Oroshi, Spaçi, Kuzhneni, Dibrri dhe Fani. Ndër qendrat kryesore të Selitës janë vendbanimet Kurbnesh, Zajs, Bardhaj, Lëkundaj, Mërkurth, Trangë, Tharr, Lufaj, Kumbull, Gjoçaj, Zall-Gjoçaj, Lam i Madh, Dajç.

Prej shpalljes së pavarësisë, këto fshatra kanë qenë herë nën administrimin e Shkodrës ose Lezhës, e herë të Dibrës ose Matit, shpesh edhe të ndara në dy njësi administrative të ndryshme.

Tradita dhe burimet historike

Sipas traditës, Selita është bajrak heterogjen në prejardhje, pra jo të gjitha familjet vijnë nga një trung i vetëm mashkullor, dhe familje të ndryshme mund të martohen mes tyre. Mark Tirta tregon se ka gojëdhëna për ndonjë lëvizje të hershme nga zona e Ohrit apo e Hotit, por thekson se lidhja e këtyre bajrakëve me Ohrin ka të bëjë më shumë me të qenit nën varësinë adminsitrative të Ohrit se sa me ndonjë prejardhje të popullsisë nga ajo zonë. Rrok Zojzi paraqet gojëdhënën e përhapur të prejardhjes nga Murr Dedi, ashtu si gjendet edhe ndër fise të tjera të Dukagjinit. Mirëpo vetë Selita, ashtu si vendbanimet e saj, madje në disa raste edhe familjet e veçanta, dalin herët nëpër dokumente historike, duke shfaqur një vazhdimësi prej të paktën 400-500 vitesh. Për shembull, fshatrat Selitë e Madhe dhe Selitë e Vogël shfaqen në regjistrin e vitit 1467 si pjesë e zonës së Urakës, kurse në 1671 Selita del tashmë i veçantë që në 1672 në relacionin e S.Gasparit. Familja Lufi, ndër më të njohurat e zonës, shfaqet e dokumentuar të paktën nga vitet 1671 dhe 1733, kurse familja Skura edhe më herët, që në periudhën e Skënderbeut në 1467.

Rezultatet gjenetike

Deri tani, në Projektin Shqiptar të ADN-së “Rrënjët”, kemi 10 anëtarë nga Selita. Rezultatet e tyre janë: J2b-L283>PH1751 (x6), I1-M253 (x2), E-V13>CTS9320>BY20093, R1a-M458>L1029>YP263>Y18892. Nga këto rezultate mund tëdalim në disa përfundime të rëndësishme.

FshatiRezultati
Kthellë e EpërmeE-V13>CTS9320>BY20093
Kthëlle e EpërmeR1a-M458>L1029>YP263>Y18892
MërkurthI1-M253
LekundëI1-M253
Lam i MadhJ2b-L283>PH1751
Lam i MadhJ2b-L283>PH1751
ZajsJ2b-L283>PH1751
BardhajJ2b-L283>PH1751
LufajJ2b-L283>PH1751
Trangë e EpërmeJ2b-L283>PH1751

Përfundime mbi prejardhjen e popullsisë në Selitë

– Është e vërtetë që Selita është bajrak që përmban fise me prejardhje të ndryshme, gjë që dallohet lehtësisht nga fakti që të paktën katër vija të ndryshme atërore gjenden në territorin e saj, dhe të tjera mund të zbulohen me teste te reja në të ardhmen (psh dimë nga teste në 23andme që edhe linja R1b-CTS9219 është e pranishme në Selitë). Pra tradita është e saktë në këtë pikë.

J-Y67851
Pema J-Y67851

– Edhe pse përgjithësisht Selita është fis heterogjen, trungu fisnor që rrjedh nga vija atërore J2b-L283>PH1751 është pa dyshim më i përhapuri dhe përmban një pjesë të mirë, ndoshta edhe shumicën e familjeve. Një prej këtyre familjeve, pasi ka kryer testin me rezolucion maksimal, ka përcaktuar edhe nëndegën J2b-PH1751>Y67581. Nga kjo linjë atërore kanë prejardhje familjet: Buraku nga fshati Zajs, Lufi nga Tranga e Epërme, Nikolli nga Bardhaj, Kaçorri nga Lufaj, Skura dhe Gjokola nga Lami i Madh. Siç shihet qartë, kjo vijë atërore është shtrirë pak a shumë në gjithë hapërisën e Selitës. Gjithashtu, duke qenë se familjet Skura dhe Lufi përmenden në Selitë që prej 400-500 vitesh, dimë që ky trung ka prani të vjetër në këtë zonë, por tashmë kemi të qartë edhe që këto familje të vjetra kanë prejardhje të përbashkët. Gjithashtu, nën J2b-PH1751>Y67581 një familje që prej të paktën disa shekujsh gjendet në Kërçovë ka afërsi më të madhe se të tjerat me linjën e Selitës, pra me gjasë të parët tyre janë shpërngulur nga Selita në një periudhë edhe më të hershme, gjë që përsëri flet për vjetërsinë e kësaj linje në Selitë. Nisur nga këto të dhëna mund të hamendësojmë se përhapja e këtij trungu fisnor gjatë shekujve 15-17 në fshatra të ndryshme ka qenë faktor i rëndësishëm në unifikimin krahinor të tyre, deri sa dalin në 1672 si një rajon i vetëm nën emrin Selitë.

Përveç linjës J2b-PH1751, mund të ketë edhe të tjera që janë përhapur në disa fshatra e që mund të kenë pasur rol përbashkues në procesin e formimit të trevës së Selitës. Linja I1-M253 është gjetur deri tani në anëtarë nga Mërkurthi dhe Lëkunda. Po ashtu, rezultate të ngjashme ka edhe në Bushkash të bajrakut të Rrazës, ku ruhet gojëdhëna e prejardhjes nga një zonë më veriore e Mirditës. Pra, ka të dhëna që edhe kjo linjë të jetë e vjetër dhe e përhapur në Selitë, mirëpo duhen rezultate më të thelluara nga kjo dhe linja të tjera atërore në Selitë për të nxjerrë përfundime më të sigurta.

– Gojëdhënat që lidhin Selitën me prejardhje nga Hoti, Ohri apo nga Murr Dedi nuk gjejnë mbështetje në rezultate gjenetike. Në fakt rezultatet e deritanishme nuk kanë zbuluar asnjë lidhje gjenetike as me Hotin dhe fiset e tjera rreth tij, as me grupin e fiseve të tjera që besojnë se vijnë nga Murr Dedi si Berisha, Oroshi, Spaçi, Kuzhneni, etj. Gjithashtu, mund të përjashtojmë lëvizje të rëndësishme të popullsisë nga zona e Ohrit, pasi rezultatet janë më të afërta me trevat e tjera veriore, se me juglindjen. Nuk mund të përjashtojmë me siguri mundësinë që me testimin më të dendur të zonës, të zbulohen lidhje të ndonje familjeje të veçantë me fiset e lartpërmendura, por nëse flasim për Selitën në përgjithësi, pjesa dërrmuese e popullsisë duhet të jetë në të njëjtën treve të tre bajrakëve të Ohrit që në Mesjetë e vonë dhe më herët.

– Lidhur me prejardhjen më të largët të banorëve të Selitës, mund të thuhet pa dyshim se gjenetikisht janë të një profili karakteristik shqiptar. Shumica e linjave atërore lidhen me fiset e lashta të Ballkanit, me shumë gjasë me ilirët, si grupi i linjës J2b-PH1751. Mbi linjën atërore J2b-PH1751 mund të lexoni më shumë këtu: https://rrenjet.com/j-y21045/#J-PH1751_J-Z38299. Po ashtu edhe rezultati E-V13>CTS9320>BY20093 ka prejardhje nga shtresa ballkanike para-romake që u zgjerua përsëri duke nisur nga Mesjeta, nga pjesa veriore e trojeve shqiptare. Rezultatet më të afërta të kësaj linje, në rreth 1200 vjet largësi, vijnë nga zona e Pezës në Tiranë, nga një grup vëllazërish mes të cilave ekziston një gojëdhënë për prejardhje nga verilindja. Kurse një pjesë më e vogël e linjave atërore, si I1-M253 dhe R1a-L1029>Y18892 kanë prejardhje nga popujt që u vendosën në Ballkan gjatë mijëvjeçarit të parë e.s. Rezultatet I1-M253, siç theksuam më lart, duhen thelluar për të kuptuar më shumë mbi vendosjen dhe përhapjen e tyre, por në pjesën dërrmuese të rasteve lidhen me lëvizje nga Europa veriore, kryesisht me fiset gjermanike; kurse degët e R1a-L1029 lidhen më shpesh me lëvizjet e fiseve sllave, por duhet theksuar se dega R1a-L1029>Y18892 përfshin edhe një rezultat nga Çekia që sipas vlerësimit arkeologjik (jo me radiokarbon) i takon Epokës së Hekurit.

Kthella, Selita dhe Rraza, ashtu si gjithë Mirdita, paraqesin një trevë tepër interesante për studime gjenetike, jo vetëm për shkak të vazhdimësisë së dokumentuar onomastike, por edhe sepse popullsia e zonës është paraqet shtresëzime të njëpasnjëshme që përmbajnë si degë fisesh të përhapura shekujt e fundit, ashtu edhe familje të vjetra (anase) që banojnë këtë zonë që nga Mesjeta. Nisur nga larmia e lartë e linjave atërore, potenticali për zbulime të reja është shumë premtues. U bëjmë thirrje gjithë të interesuarve në zonë, por edhe nga gjithë trojet shqiptare, të na kontaktojnë që t’i udhëzojmë për kryerjen e një testi gjenetik.

Burime:

Zojzi, Rr. (2018)[1962]. Ndamja krahinore e popullit shqiptar. Gegnia, 6-2018. Marrë me 17 prill 2020 nga www.bibliotekashkoder.com.

Tirta, M. Mirdita e moçme e migrime të popullsisë së saj. Marrë me 28 shtator 2021 nga https://mirdita.com/threads/mirdita-e-mo%C3%A7me-e-migrime-t%C3%AB-popullsis%C3%AB-s%C3%AB-saj.755/.

Faqja “Mirdita: Histori dhe Aktualitet” në Facebook: https://www.facebook.com/MIRDITAHistori-dhe-aktualitet-379148285430852.