E-V13 (old)

Haplogrupi E-V13 është haplogrupi më i përhapur ndër shqiptarë, me rreth 25-30% të linjave atërore. Ka shtrirje pak a shumë të njëtrajtshme në të gjitha trevat shqiptare, edhe pse nga një krahinë në tjetrën mund të mbizotërojnë nëndegë të ndryshme.

Të gjithë bartësit e E-V13 kanë një paraardhës të përbashkët që ka jetuar rreth 4900 vite më parë. Zbulimet degëve paraardhëse ose të afërta me E-V13 në lashtësi përfshijnë E-L618 nga Neoliti në Kroaci dhe Hungari, dhe E-Z1919 në Bullgarinë e shek 8-6 p.e.s. (kjo sipas një analize jo-zyrtare), kurse vetë E-V13 është gjetur në mbetje të kulturës së hekurit La Tene në Europën qendrore e në Panoni, në Moldavi: shek 4-2 p.e.s., në Dardaninë e lashtë të periudhës romake (përfshirë edhe një vendbanim në kufinjtë e Dardanisë) ku ishte haplogrupi kryesor në tri vendbanime të shqyrtuara, po ashtu në eshtra të periudhës romake në Kroaci, në Çeki në shek. 4-5, përsëri në Panoni në shekut 7-8 ku ishte gjithashtu ndër haplogrupet kryesore, në Itali: shek 5-6 (Romë) dhe shek 6-7 (Lombardi), në Danimarkë: shek 9-10, dhe ka gjasa që të jetë përhapur edhe në Rusi të paktën që në shek 11.

Nisur nga gjetjet e eshtrave të lashta, E-V13 ose një linjë pararendëse, duhet të ketë mbërritur në Europë të paktën që në Epokën e Neolitit, me shumë gjasë përmes Ballkanit, por zgjerimi i vrullshëm i kësaj linje ka filluar në Epokën e Bronzit. Mungesa e deritanishme E-V13 ndër eshtrat nga Ballkani dhe Italia të Epokës së Bronzit dhe Hekurit sugjerojnë se epiqendra e E-V13 deri në fundin e Epokë së Bronzit mund të ketë qenë hapësira e Ballkanit qendror e verior dhe Europës qendrore-lindore. Edhe fakti që sot E-V13 ka shtrirje dhe larmi të lartë në të gjithë Europën gjithashtu mbështet idenë e përhapjes nga ajo zonë, në valë të ndryshme zhvendosjesh.

E-V13 dhe degëzimet kryesore

*Skema është bazuar kryesisht në pemën e YFull.com. Disa degë nuk janë paraqitur për thjeshtësi.
Map of E-V13 among Albanians
E-V13 ndër shqiptarë

Nga ana tjetër, gjetja e një numri të madh të E-V13 në eshtra nga Moezia dhe Dardania e lashtë, po ashtu nga Kroacia e deri në Moldavi në një individ skith të shek 4-2 p.e.s., dhe vjetërsia rreth  2500-3500 vjeçare e lidhjeve të linjave ballkanike të E-V13 me ato më veriore, tregojnë se nga fundi i Epokës së Bronzit ose nga Epoka e Hekurit, haplogrupi E-V13 duhet të ketë qenë i pranishëm ndër popujt e njohur të Ballkanit të lashtë, si dardanët dhe fiset e tjera ilire, dakët, trakët, etj. Rezultate të ardhshme nga eshtra ballkanike të Epokës së Hekurit mund të na japin edhe informacione më të hollësishme rreth përhapjes së E-V13 ndër fiset e vjetra të Ballkanit.

E-V13 jo vetëm është haplogrupi më i përhapur ndër shqiptar, por edhe gjendet në përinqjde të larta në të gjitha trevat, nga veriu në jug. Deri tani, dendësia më e lartë vërehet në Labëri, në Tiranë e Durrës, në Drenicë, në Rrafsh të Dukagjinit, në Shkodër, në Pult e në Dukagjin, si dhe në disa pjesë të Malësisë. Duhet thënë që pavarësisht prejardhjes së përbashkët, degë të ndryshme të E-V13 mund të kenë ndjekur rrugë të ndryshme shtegtimi, ndaj secila duhet parë më hollësisht në veçantinë e saj. Degët më të përhapura të E-V13 ndër shqiptarë janë kryesisht nën E-V13>Z5017 dhe E-V13>Z5018: E-Z5017>CTS9320>Z17107, E-Z5018>S2979>FGC33625>Y93102, E-Z5018>S2979>FGC11450>Y173822, E-Z5018>S2979>FGC11450>Y146086, E-Z5018>S2979>L241>PH2180, etj. Nën rubrikën e E-V13, do të publikojmë vazhdimisht përmbledhje analizash për secilën prej këtyre degëve, si dhe degëve të tjera më të rralla.

(Përditësimi i fundit: 06.2022)