Prejardhja gjenetike e familjeve fisnike dhe feudale shqiptare

Prejardhja e disa prej familjeve më të famshme në historinë e shqiptarëve është diskutuar gjatë. Nga njëra anë, një pjesë e këtyre familjeve kanë pasur pretendimet e tyre rreth prejardhjes përmes gojëdhënave ose gjenealogjive të dokumentuara; në anën tjetër, teori të ndryshme janë ngritur gjatë shekullit të fundit përmes hulumtimit shkencor historik. Rezultatet e mëposhtme sjellin të dhëna të reja mbi prejardhjen e këtyre familjeve, dhe në rastet më të qarta, mundësojnë vlerësimin e teorive që janë diskutuar tradicionalisht rreth tyre. Nga ana tjetër, duhet theksuar se në rastet kur lidhjet me familjet mesjetare janë trashëguar nga gojëdhëna, lidhja e rezultatit të sotshëm me familjet mesjetare varet nga besueshmëria e gojëdhënës/traditës.

Hyrje

Shumë nga familjet më të famshme të historisë sonë tashmë janë shuar, mirëpo një pjesë ende kanë pasardhës në trojet shqiptare ose në diasporë. Më poshtë rradhiten rezultatet gjenetike të pinjollëve të disa prej këtyre familjeve, rezultate që zbardhin më tej prejardhjen e tyre. Duhet theksuar edhe se gjatë periudhës osmane shumë familje e humbën fillin e tyre gjenealogjik dhe sot ruajnë gojëdhëna jo të sigurta. Prandaj, secili prej rasteve të mëposhtme duhet parë edhe me një sy kritik rreth lidhjes së me familjet më të vjetra fisnike. Sidoqoftë, ne kemi sjellë rezultatet gjenetike dhe ato pak të dhëna që ekzistojnë, pastaj çdo lexues mund t’i gjykojë dhe konstektualizojë sa më saktë rezultatet.

Përkufizimi i fisnikërisë mbetet deri diku arbitrar. Ne kemi sjellë ato familje që kanë pasur një ose disa anëtarë që janë përmendur në pozita sunduese të niveleve të ndryshme politike, ushtarake ose fetare, nga mesjeta deri rreth fundit të shek.19.

Në përgjithësi, është e qartë që shtresat sundimtare, si ajo mesjetare, edhe ajo e periudhës osmane, kanë rrënjë të vjetra në Ballkanin perëndimor. Pra, rezultatet nuk mbështesin teoritë e ndryshme për prejardhje nga kryqëzatat në Mesjetë, nga Lindja e Mesme gjatë sundimit osman, etj. Përtej kësaj, secili rast ka historinë e vet të veçantë që duhet trajtuar si e tillë.

 

Spani/Shpani

Familja Shpani, ose Spani, përmendet në dokumentet mesjetare në disa zona të Arbërisë, si në Drisht, Pult, Mat, Prizren, Novobërdë e në krahina të tjera. Në shek. XV Spanët ishin mes zotërve të Arbërisë veriore dhe morën pjesë në Kuvendin e Lezhës në 1444, që themeloi ushtrinë e përbashkët arbërore me në krye Skënderbeun. No photo description available. Pas pushtimit osman, Pulti i vjetër (zona nga malet pas Drishtit deri në lumin Valbonë) u njoh edhe me emrin “Petrishpan-ili”, në emër të Pjetër Shpanit. Nga ajo kohë, mbiemri Shpani shfaq vazhdimësi në zonën e Ulëzës, ku del në disa fshatra që në regjistrimin e vitit 1467, dhe gjendet edhe sot. Një nga pinjollët e Shpanëve të kësaj zone ka kryer testin e vijës atërore, nga i cili u mësua se kjo familje mbart linjën J2b-L283>PH1751>Y46913, me vazhdimësi nga Epoka e Bronzit në Ballkanin perëndimor. Mundet që edhe Shpanët e Drishtit e të Pultit të kishin të njëjtën prejardhje, mirëpo kjo mbetet e pasigurtë. Ndërkohë nje linjë tjetër atërore rreth 25-35 breza larg asaj të Shpanëve të Matit gjendet në dendësi shumë të lartë në ish-zotërimet e tyre më veriore në fiset e sotshme Nikaj, Krasniqe dhe Gash (J-Y126399).

.

Shtëpani

Mbiemri Shtëpani është ndër më të hershmit që përmenden në Mesjete pasi një Andrea Shtëpani (Andreas Stapanus) ishte një prej garantëve për një marrëveshje mes Arbrit dhe Raguzës në vitin 1210. Nuk dimë gjenealogji të Shtëpanëve mirëpo historiani Pëllumb Xhufi e lidh këtë person me familjen Shtëpani nga Shëngjergji i Tiranës (f.16). Një pjesëtar i familjes Shtëpani ka kryer një test gjenetik dhe rezultati është: J2b-L283>Y21045 (xY52453).
Rezultati: J2b-L283>Y21045.
.

Bua

Bua është një prej mbiemrave që haset më së shpeshti në dokumenta mesjetare që kanë të bëjnë me shqiptarët. Buat kanë qenë një prej fiseve të hershme shqiptare që depërtuan deri në Peloponez, formuan aty njësitë e tyre politike dhe ushtarake dhe ishin mes prijësve kryesorë të qëndresës arbërore ndaj osmanëve në More. Më vonë u zhvendosën edhe drejt Italisë, ku pinjolli më i famshëm i familjes ishte gjenerali Mërkur Bua. Në Shqipëri, familja Bua gjendet edhe sot në Dhërmi. Shkrimtari Petro Marko tregon në librin e tij “Intervistë me vetveten” se fiset Marko dhe Gjoni në Dhermi rrjedhin nga fisi Bua. Rezultati gjenetik i familjes Bua nga Dhërmiu është R1b-Z2103>Z2705>MF5057. Edhe familja Marko ka po të njëjtin rezultat, pra lidhja e gjakut me Buat është e sigurtë. Mirëpo e njëjta linjë atërore gjendet edhe në Vuno dhe në Himarë në familje që nuk mbajnë mend lidhje mes tyre, tregues i qartë i vjetërsisë së këtij trungu gjenealogjik në zonën e bregut. Edhe pse ekzistojnë disa të dhëna historike që lidhin Buat e Dhërmiut me fisin mesjetar Bua të Peloponezit dhe Italisë, nevojitet edhe një verifikim gjenetik siguri të plotë. Në këtë drejtim do të ishte me shumë vlerë të mësohet linja atërore e Buave arbëreshë (ftojmë lexuesit të na ndihmojnë për kontakt nëse njohin dikë prej tyre).

.

Taushani (Arianiti?)

Taushanët kanë qenë një prej familjeve më të fuqishme sundimtare në Shqipërinë e mesme dhe të jugut gjatë periudhës osmane. Pashallarët e parë me mbiemrin Taushani përmenden që në fillim të shek.16 dhe sipas Xhevahir Taushanit ishin pasardhës të familjes së famshme fisnike Arianiti. Kjo lidhje mbetet e dyshimtë pa një verifikim të mëtejshëm të dokumentuar, por edhe pa lidhjen me Arianitët, vetë familja Taushani ka pasur një rol të rëndësishëm në historinë shqiptare sidomos si sundimtarë të Elbasanit për disa shekuj. Në projekt kemi dy anëtarë me mbiemrin Taushani: njëri i takon vijës atërore R1b-Z2103>Z2705>MF5057, kurse tjetri linjës J2a-M410. Nuk është e qartë nëse edhe Taushanët e periudhës së hershme osmane kanë pasur dy linja tatërore, apo njëra është bashkuar me këtë familje me kalimin e kohës.

.

Xhavella

Familja Xhavella ka qenë një prej dy familjeve më të fuqishme të Sulit. Pas sulmeve të Ali Pashës, shumë familje suljote u shpërngulën nga treva e tyre atërore duke u shpërndarë drejt trevave fqinje ose ishujve të Jonit. Disa nga këto familje, përfshirë edhe familjen e Anastas (Tasho) Xhavellës, u vendosën në Melesin të Leskovikut rreth vitit 1804. Mbiemri Xhavella u kthye pas 4-6 brezash në Tasho, sipas emrit të të parit që u vendos në Melesin, mirëpo pjesë e familjes ruajti mbiemri Xhavella dhe është e dokumentuar me këtë mbiemër deri afër luftës së dytë botërore (E.Tasho, Suli dhe suljotët, f.178). Një anëtar i familjes që ka kryer testin zbuloi se mbart linjën atërore E-V13>Y30977>Y30976*. Shumë degë të haplogrupit E-V13 janë shpërndarë në Ballkan në Epokën e Hekurit, me gjasë nga Ballkani verior dhe qendror (ndoshta nga Dardania), mirëpo Y30977 është ndër degët më të vjetra dhe dihet se që në lashtësi gjendej si në Ballkanin perëndimor edhe në atë lindor. Përtej prejardhjes së largët, duhen pritur rezultate të tjera më të afërta për të zbuluar historinë më të vonë të kësaj linje.

Rezultati: E-V13>Y30977>Y30976*.

.

Bushati (Bushatllinjtë)

Bushatllinjtë e Shkodrës kanë qenë familja sundimtare e qytetit dhe rrethinave që vareshin prej pothuajse gjatë gjithë periudhës osmane. Rreth prejardhjes së Bushatllinjve ka shumë teori të ndryshme. Një nga pinjollët e kësaj familje ka kryer një test gjenetik me rezolucion të lartë dhe rezultati është E-V13>PH2180>FT232287. Kjo është linjë karaktestike shqiptare sidomos për trevat në veri të Drinit. Rezultati më i afërt me Bushatllinjtë vjen nga një pinjoll i familjes tjetër feudale të Shkodrës Çausholli. Të dyja këto familje mbahen për pasardhëse të familjes së Koxha Jusuf Beut, sundimtarit të parë të Shkodrës pas pushtimit osman. Kjo lidhje është tashmë e vërtetuar përtej çdo dyshimi dhe tregon se të dyja familjet kanë qenë në Shkodër prej të paktën 500 vjetësh.

Rezultati: E-V13>PH2180>FT232287.

.

Çausholli

Çaushollët e Shkodrës, siç u tha më lart, ishin ndër familjet sundimtare të qytetit dhe pretendonin se ishin pasardhës të familjes së Koxha Jusuf Beut, sundimtarit të parë të Shkodrës pas pushtimit osman. Rezultati i familjes Çausholli, E-V13>PH2180>FT232287, është i afërt me atë të Bushatllinjve, që kanë ruajtur një gojëdhënë të ngjashme. Edhe Çaushollët rrjedhin janë në Shkodër prej të paktën 500 vjetësh, por edhe prejardhja më e largët lidhet me trojet më veriore shqiptare.

Rezultati: E-V13>PH2180>FT232287.

.

Vrana Konti?

Vrana Konti ishte një prej komandatëve më të shquar të Skëndërbeut në luftrat kundër turqve. Rreth prejardhjes së tij nuk ka informacione të sigurta historike, mirëpo dimë se sot ka familje në Mat dhe në Rekën e Epërme që ruajnë gojëdhëna se vijnë nga familja e tij. Në Macukull të Matit kjo lidhje mendohet me familjen Vranaj, kurse në fshatin Rimnicë të Rekës së Epërme, një fis që ruajnë traditën e prejardhjes nga Vrana Konti njihen edhe sot si “kontallarë”. Një pjesëtar i kësaj vëllazërie ka kryer një test gjenetik dhe linja e tyre atërore është: R1b-Z2103>Z2705.

Rezultati: R1b-Z2103>Z2705.

.

Berisha e Dibrës

Vëllezërit Nikollë dhe Dhimitër Berisha ishin mes fisnikëve më të besuar të Skënderbeut. Sipas traditës në Dibër, pasardhës të tyre gjenden në Muhurr, edhe sot me mbiemrin Berisha. Një anëtar i kësaj familje ka rezultuar se i takon haplgrupit J2a-M410, dega J2a-M67>Z1847>Z467>Y44916>BY63730. Duhet thënë se ky rezultat nuk përkon me trungun më të madh atëror të fisit Berishë që gjendet në Pukë, Tropojë, Has e Kosovë dhe që mbart linjën E-V13>FGC33625>Y93102. Mbetet të zbulohet në të ardhmen nëndega specifike e J2a për këtë familje.

Rezultati: J2a-M67>Z1847>Z467>Y44916>BY63730.

 

Çoku (Gropa?)

Familja Çoku ishte një ndër familjet kryesore sundimtare në Dibër gjatë periudhës osmane, me prejardhje nga fshati Kllobçisht. Nga kjo familje kanë dalë patriotë të shquar të periudhës së Rilindjes Kombëtare, si Iljaz Pashë Çoku (Dibra), Hamdi bej Çoku (Ohri), etj. Rezultati i familjes Çoku është R1a-L1029>Y133367, një linjë atërore e përqendruar në Dibër dhe krahinat pranë saj. Sipas një tradite, kjo familje mund të jetë pasardhëse e familjes fisnike mesjetare Gropa, një mundësi që mbetet të verifikohet me teste të mëtejshme. Një fakt interesant është se familja Hajdaraga sipas traditës rrjedh nga Çoku, mirëpo një anëtar i kësaj familje që ka kryer testin ka rezultatuar se ka linjën atërore E-V13>CTS9320>Z25461>Y189173, pra kjo traditë nuk mbështetet nga të dhënat gjenetike.

Rezultati: R1a-M458>L1029>Y133367.

 

Bosi

Sipas Dhimitër Shuteriqit, Bosi ishte një prej familjeve të fisnikërisë së ulët, vasalë të Arianitëve në zonën e Librazhdit dhe një prej tyre ishte përfaqësues i fisit Berishë në marrëveshjen e tyre me Venedikun. Kjo lidhje mbetet e diskutueshme, kurse prania e familjes Bosi në disa fshatra të Librazhdit që në kohën e Arianitëve është e sigurtë. Një familje Bosi nga Librazhdi ka kryer një test gjenetik dhe rezultati është E-V13>CTS9320>Z25461. Bëhet fjalë për një linjë të lashtë ballkanike që mes shqiptarëve e gjejmë edhe në Peqin, Fier dhe në Bregun e Labërisë, si dhe në një familje me prejardhje vllahe nga Korça.

Rezultati: E-V13>CTS9320>Z25461>Y189173.

.

Negri

Familja Negri është një prej familjeve të vjetra të qytetit të Shkodrës. Përmendja e parë e mbiemrit Negri vjen nga regjistri venedikas i Shkodrës, 1416-1417, ku Johan Negri (ose Johan Nigri) shfaqet Peshkop i Shkodrës. Gati tre shekuj më vonë, në 1693-1702, Anton III Negri nga Dajçi ishte Ipeshkv. Kurse në vitin 1736, Negri del si një prej rreth 180 familjeve katolike të Famullisë së lagjes Tophanë në Shkodër. Një anëtar i kësaj familjeje ka kryer një test gjenetik, prej të cilit u përcaktua linja atërore e familjes: I2a-M223>L701>S25733>PH2670>Y226397. Haplogrupi I2a-M223>L701 është gjetur në eshtra indo-europiane dhe ballkanike nga fillimi i Epokës së Bronzit. Kurse dega më e ngushtë I-PH2670 gjendet e përqendruar në trojet shqiptare, prej ku është përhapur si pjesë e etnogjenezës arbërore në Mesjetën e hershme.

Rezultati: I2a-M223>L701>PH2670.

.

Bixhili

Familja Bixhili nga Dhërmiu përmendet vazhdimisht në dokumenta të shekujve 16-19 si një prej familjeve më të njohura të zonës së Himarës. Për rreth 3 shekuj, pinjollë të kësaj familje u shquan si luftëtarë dhe kapedanë në shërbim të fuqive europiane kundër sundimit osman, deri sa në kapërcim të shek. 19, arritën të emërohen konsuj të Perandorisë Ruse në Shqipërinë osmane. Një anëtar i familjes Bixhili rezulton se mbart linjën atërore J2a-M410>L25>Y197827, linjë mjaft e përhapur në Bregdet dhe sidomos në Dhërmi. Përhapja fillestare e paraardhësve të kësaj dege duhet të lidhet me popujt që përhapën bujqësinë në Ballkan gjatë Neolitit, kurse për të kuptuar lëvizjet e periudhave historike nevojiten më shumë rezultate të përafërta. Megjithatë, fakti që një familje nga Labova e Gjirokastrës ka një lidhje nga mesjeta e hershme me paraardhësit e Bixhilëve dhe disa familjeve të tjera të Dhërmiut flet për prani të paktën mesjetare të kësaj linje në zonën ku gjendet edhe sot.

Rezultati: J2a-M410>L25>Y197827.