Gashi

Gashi është një ndër fiset shqiptare më të përhapura në Shqipërinë veriore, Kosovë dhe në Maqedoni. Gashi është edhe ndër fiset që përmenden më së shpeshti në dokumenta duke nisur nga shekulli i 17. Territori i sotëm i Gashit shtrihet në pjesën veriore të Malësisë së Gjakovës, mbi lumin e Valbonës, kurse degë të ndryshme të fisit gjenden në të gjithë territorin e Kosovës, në Luginë të Preshevës e më gjerë. Më poshtë do të shqyrtohet zanafilla dhe përhapja e Gashit, së pari sipas dokumentacionit historik dhe gojëdhënave të trashëguara ndër breza, dhe së dyti duke krahasuar këto me rezultatet e Gashit në Projektin Shqiptar të ADN-së “Rrënjët” (https://www.facebook.com/Projekti-Rrenjet-101700961530810/).

Gashi dhe zanafilla historike e tij

Zanafilla e fisit të Gashit është e dokumentuar qartësisht nga një vizitë që Frang Bardhi i bëri fshatrave të Pultit në 1638. “Ky emën i Gashit, me të cilën fjalë quhen të gjitha ato shtëpi të sipër shënueme, asht edhe mbiemeni i një konaku 95 frymësh, të gjithë prej 3 vellaznive që ishin të tre gjallë dhe njihnin pasardhesit e vet deri në breznin e katërt.”[1] Pra në 1638, Gashi ishte tashmë në brezin e pestë duke nisur nga i ati i vëllezërve që përmend Bardhi, që do të thotë se ky i parë i fisit duhet të ketë lindur rreth viteve 1500-1550. Nga i njëjti relacion mbetet e hapur mundësia që fshati Gash të ketë qenë i populluar nga disa fise të ndryshme, me qenë se vetëm një pjesë kishin mbiemrin Gashi. Ky fshat ndodhej mes Drinit e Valbonës, në zonën ku sot është fshati Geghysen i Krasniqes.

Letra e krenve të Gashit (1689)

Dokumentacioni mbi fisin e Gashit vijon të jetë i bollshëm përgjatë gjithë shekullit të 17, kur Gashi ishte qendër e Dioqezës së Pultit. Gashi e Krasniqja ishin në hasmëri të shpeshta mes tyre, siç tregojnë relacione deri në vitin 1680, kur Pjetër Bogdani arriti të pajtojë 24 gjaqe mes dy fiseve[2]. Në vitin 1689, krerët e Gashit iu drejtuan me një letër Vatikanit, duke kërkuar mbështetje më të madhe me klerikë e materiale[3]. Kjo letër është një ndër dokumentet më të vjetra në gjuhën shqipe. Gjatë luftës Austro-Turke 1683-1699, Gashi dhe fiset e tjera katolike të zonës mbështetën austriakët, dhe për këtë arsye u ndëshkuan nga pushtetarët osmanë pas humbjes së Austrisë[4]. Në vitet 1690-1693, fshati Gash u dogj nga Pashai i Pejës dhe popullsia e tij u dëbua drejt Llapit në Kosovë[5], por disa familje ose u kthyen në trevat e para ose i shpëtuan përndjekjes, pasi në 1693-1697 dalin në dokumenta fshatrat gashjanë Luzhë e Botushë[5][6]. Sidoqoftë gjatë kësaj periudhe trazirash e përndjekesh, fisi i Gashit u kthye nga një fis i përqendruar në një fshat në një grup vëllazërish të shpërndara në fshatra të ndryshme në Malësi të Gjakovës, Fushë-Kosovë, Llapt, etj.

Vëllazëritë e Gashit në Malësinë e Gjakovës

Në Malësi të Gjakovës, territori i Gashit përfshin gjithë fshatrat nga Lumi i Gashit deri në Qafë të Morinës, si dhe Luzhën e Botushën. Edhe pse gjithë këto fshatra (me përjashtim të Astës, Kojelit, Vuçidolit dhe pjesërisht Tropojës që banoheshin nga familje Berishë) quhen Gash, dokumentet dhe gojëdhënat përputhen në faktin se ato banohen nga tri fise me prejardhje të ndryshme: Bardhajt, Shipshani dhe Botusha me Luzhën. Secili prej këtyre tri fiseve, sipas gojëdhënave përkatëse, u formua nga rritja e një bërthame familjare pa lidhje me dy të tjerat.

Bardhajt, që populluan pjesën mes lumit të Gashit dhe lumit të Tropojës mbahen si pasardhës të Brahim, Ali dhe Memi Bardhit. Siç mund të dallohet nga emrat, tre vëllezërit, që sipas llogaritjes së brezave mund të kenë jetuar rreth 400 vjet më parë, ishin myslimanë. Në një relacion të vitit 1698, Bardhajt përmenden si fis tashmë i formuar e i përhapur në disa vendbanime mbi lumin e Valbonës: “Fshati Bardhi me 68 shtëpi në katër katunde, ka shumë gra të krishtera; burra asnjë, por të gjithë turq e renegatë“[7]. Që këta ishin fis i ndryshëm nga fisi i atëhershëm i Gashit është e qartë si nga fakti që Bardhajt tashmë kishin 4 katunde për të cilat nuk përmendet lidhje me Gashin, edhe nga besimi i ndryshëm, pasi gashjanët ishin ende kryesisht katolikë. Për prejardhjen e të parit të Bardhajve, ka disa gojëdhëna të ndryshme, por ndër kryesoret janë ajo e mbledhur nga Rrok Zojzi, që thotë se Bardhët erdhën nga Kuçi i Malit të Zi, dhe një tjetër që thotë se Bardhi ishte nga Kosova. Kurse për vendin ku u vendos Bardhi me të bijtë, gojëdhëna përmend qartësisht zonën e Gosturanit, pra në zonën ku Bardhajt patën bajrakun e tyre dhe ku banojnë edhe sot[8].

Ali Ibër Neza i Shipshanit

Shipshani është fisi që banon në zonën mes lumit të Tropojës dhe Qafës së Morinës. Sipas gojëdhënës, shipshjanët janë pasardhës të vëllezërve Gegë, Buçë dhe Papë Kalla, rreth 14-15 breza më parë[8]. Fillimisht Shipshani ishte pjesë e bajrakut të Bardhajve, po me rritjen e popullsisë Shipshani u bë bajrak i veçantë me qendër në Kasaj. Prejardhja e tre vëllezërve nuk është plotësisht e sigurtë as nga gojëdhënat as nga dokumentet, por dihet që Gegaj, Buçaj dhe Papaj janë vendbanime të Shipshanit me disa fshatra secili, pra duket se ndryshe na Bardhajt, dy brezat e parë të fisit ishin të besimit katolik. Nisur nga llogaria e brezave, mund të hamendësohet se edhe përhapja e Shipshanit në territorin e sotëm nisi rreth 400 vjet më parë.

Luzha dhe Botusha, sipas gojëdhënës, janë dy fshatrat e Malësisë së Gjakovës ku banon popullsi vazhduese e fisit të Gashit të shek. 17. Siç thamë më lart, në atë periudhë Gashi gjendej në Geghysenin e sotëm. Si pasojë e kundërshtimit të vazhdueshëm ndaj sundimit osman, Gashi u ndëshkua disa herë përmes ekspeditave ushtarake, gjë që në vitet 1690-1743 solli largimin e popullsisë nga vendbanimi i parë dhe konvertimin gradual në Islam. Banorët e sotëm të Luzhës mbajnë mend paraardhësit e tyre deri në 15 breza, prej të cilëve 3-4 të parët kanë emra katolikë, kurse pjesa tjetër myslimanë[8]. Edhe në Botushë e në Deçan, mbahen mend rreth 10-11 breza me emra myslimanë, kurse brezat përpara me emra katolikë[9]. Këto llogari për kohën e konvertimit gjejnë edhe mbështetje historike pasi në 1693-1694 del se priftërinjtë katolikë vizitonin edhe disa fshatra përtej kufirit të Dioqezës së Pultit, ndër të cilët përmenden Luzha dhe Batusha[5][6]. Lidhja e Luzhës me Gashin del e qartë në relacionin e vitit 1697 ku thuhet: “Po ashtu Luzha, fshat me 12 shtëpi katolike, është farë e fis me Gashin, edhe pse është rreth 4 milje drejt maleve të Bytyçit“[5]. Edhe sipas etnografit Rrok Zojzi “fiset malësore Gash dhe Bytyç kapërcyen lumin e Tropojës, që formon kufinin e Alpeve të Veriut nga jugëlindja dhe zbritën deri në lumin e Skaticës dhe u vendosen me banim të përhershëm në këtë vend që i takonte Dukagjinit, tue e shtri kufinin e e Malësisë mbi këtë zone“[10]. Pra, me braktisjen graduale të fshatit Gash, një pjesë e madhe e banorëve u shpërngul drejt pjesëve të ndryshme të Kosovës, kurse një pjesë mundi të qëndrojë në Malësi të Gjakovës, në fshatrat Luzhë dhe Botushë. Sa i takon prejardhjes edhe më të hershme të fisit të Gashit, shumë gojëdhëna e lidhin me Toplanën e Shllakun[11][12], gjë që mbetet për t’u verifikuar.

Nga analiza e dokumenteve dhe gojëdhënave, del se vëllazëritë e sotme të Gashit janë banorë të hershëm të Malësisë së Gjakovës: Botusha e Luzha janë pasardhës të Gashit të Pultit me fillesë që në shek 16; Bardhajt ishin vendosur në territorin e sotëm të paktën nga fillimi i shek. 17; Shipshani sipas llogarive të brezave po ashtu banonte në zonën e sotshme nga fillimi i shek. 17. Sipas gojëdhënave të zonës, Gashi mori formën që njohim sot kur Aga i Gashit në Botushë, duke mos patur mundësi të mbrojë banorët e fisit të tij në Luzhë nga fise më të fuqishme përreth, e bashkoi këtë fshat me bajrakun e Bardhajve dhe me Shipshanin[8].

Gashi në treva të tjera shqiptare

Përveç Malësisë së Gjakovës, ku përmendet më së hershmi, vëllazëri e familje të fisit të Gashit gjenden anë e mbanë trevave shqiptare në Kosovë, Serbi, Maqedoni dhe në Shqipërinë veriore. Në Kosovë fisi i Gashit është i pranishëm në çdo krahinë. Disa familje e quajnë veten Gash i Gurit, kurse disa vetëm Gash.

Shumë nga familjet e Gashit në Kosovë ruajnë kujtimin e prejardhjes nga Malësia e Gjakovës, si psh në fshatrat Carrabreg, Kryshec, Radishevë, Llaushë, Lubovec, etj. Në fakt, ndër të dhënat më të vjetra për praninë e Gashit në Kosovë është relacioni i lartpërmendur nga viti 1697, ku thuhet: “Fshati Gashi me 120 shtëpi, të cilat u dëbuan nga Pashai i Pejës, tani janë vendosur në fushën e Kosovës, në një vend të quajtur Llap, dhe kjo tash 8 vjet, të cilat janë pa priftërinj dhe kanë filluar të bëhen turq dhe skizmatikë nga mungesa e priftërinjve katolikë“[7]. Po kështu, etnografët serbë të shek. 20 që kanë shënuar përkatësinë fisnore të banorëve të fshatrave të Kosovës, kanë gjetur shpesh familje të hershme të Gashit në Kosovë, siç është rasti i vëllazërisë Geci në Llaushë, që autori serb Vukanoviç thotë se kanë ardhur aty nga Malësia prej fundit të shekullit të 16[13].

Por shumë familje të tjera gashjane në Kosovë nuk e kanë një traditë të prejardhjes nga Malësia e Gjakovës. Ka mundësi që një pjesë e vogël t’a ketë harruar prejardhjen me kalimin e shekujve, mirëpo në shumë raste mund të bëhet fjalë për banorë të vjetër të Kosovës që i janë bashkuar fisit Gash pas mbërritjes së vëllazërive të Gashit nga Malësia. Pra përkatësia fisnore Gash e familjeve shqiptare në Kosovë nuk lidhet detyrimisht me prejardhje nga Shqipëria e veriut. Etnografët serbë kanë spekuluar shpesh me raste të tilla, duke i cilësuar familjet e vjetra të Kosovës si serbë të shqiptarizuar. Këto teza gjejnë përgjigjet më bindëse në rezultatet e analizave gjenetike, që deri tani kundërshtojnë këto spekulime (lexo më poshtë). Mirëpo numri i të familjeve të testuara në Kosovë mbetet më i ulët se në trevat e tjera, prandaj u bëjmë shqiptarëve nga çdo trevë, por sidomos nga Kosova, të kryejnë nga një test gjenetik për zbulimin e prejardhjes së tyre familjare dhe përmirësimin e kampionit të përgjithshëm për shqiptarët e Kosovës.

Rezultatet gjenetike

Tabela e mëposhtme paraqet rezultatet e 31 anëtarëve të projektit Rrënjët nga fisi i Gashit (dhe një nga Gashajt e Trieshit). Me qenë se një pjesë e madhe e këtyre familjeve identifikohen vetëm si Gash, kurse disa edhe me një vëllazëri të veçantë, si psh Gashi i Gurit, Shipshani apo Bardhajt, prandaj janë shënuar sipas traditës përkatëse.

Fshati/QytetiFisi/VëllazëriaRezultati
Vanofc, PodujevëGash i GuritE-V13>CTS9320>Y20805
PodujevëGashE-V13>CTS9320>Y20805
Stubëll e Epërme, GjilanGashE-V13>CTS9320>Z17107
Budakovë, SuharekëGashE-V13>FGC33625>Y93102
Skivjan, GjakovëGash-ShipshanE-V13>L241>PH2180
Gegaj, TropojëGash-ShipshanE-V13>L241>PH2180
Kasaj, TropojëGash-ShipshanE-V13>L241>PH2180
Kamenicë, TropojëGash-ShipshanE-V13>L241>PH2180
TropojëGash-ShipshanE-V13>L241>PH2180
Kuçanë, TropojëGash-ShipshanE-V13>L241>PH2180
Babinë, TropojëGash-BardhajE-V13>L241>PH2180
Babinë, TropojëGash-BardhajE-V13>L241>PH2180
Myhejan, TropojëGash-BardhajE-V13>L241>PH2180
Llokoshiq, ObiliqGashE-V13>L241>PH2180
Rrezallë, SkënderajGashE-V13>L241>PH2180
Ceravik, KlinëGashR1b-M269>PF7563>FGC40202
Zhur, PrizrenGashR1b-M269>BY611>Z2705
Bekaj, TuzTriesh-GashajR1b-M269>BY611>Z2705>FT49932
Brezne, DragashGashJ2b-L283>Z638>Y21045
Luzhë, TropojëGashJ2b-L283>Y21045>PH1751
Luzhë, TropojëGashJ2b-L283>Y21045>PH1751
MitrovicëGash i GuritJ2b-L283>Y21045>PH1751
Lismir, Fushë-KosovëGashJ2b-L283>Y21045>PH1751
Mramorë, PrishtinëGashJ2b-L283>Y21045>PH1751
Llaushë, SkënderajGashJ2b-L283>Y21045>PH1751
Carrabreg i Poshtëm, DeçanGashJ2b-L283>Y21045>PH1751
Lubovec, SkënderajGashJ2b-L283>Y21045>PH1751
GjakovëGashJ2b-L283>Y21045>PH1751
Aqarevë, MitrovicëGashI2a-L460>P37>Y3120
DrenasGashI1-M253>Z63>Y60985
SuharekëGashJ1-M267>Y19093
Majac, PrishtinëGashJ2a-M410>Z6046>Y26651
Zhabar, MitrovicëGashG2-P15>L1259>PF3147

Përfundime

Siç dallohet nga tabela, gashjanët u takojnë një numri të madh linjave atërore, por disa linja kryesore përmbledhin shumicën e familjeve. Rezultatet sqarojnë përfundimisht disa të vërteta rreth prejardhjes së Gashit në Shqipërinë veriore dhe në Kosovë, edhe pse nevojiten më shumë teste, sidomos në Kosovë, Luginë të Preshevës dhe në Maqedoni, për përfundime më gjithpërfshirëse.

Formimi dhe zhvillimi i Gashit në Malësi të Gjakovës

Siç theksuam më lart, Gashi ka rrënjë të paktën nga shek 16 në zonën ku sot ndodhet Gegëhyseni, por pas zhvendosjeve të fund-shekullit të 17, shumë familje nga fshati Gash u larguan për në Llap e Fushë-Kosovë.

Gashi, Nikaj dhe Krasniqja
J-Y126399: Gashi, Nikajt dhe Krasniqja në Malësi të Gjakovës

Nga fshati Luzhë, që përmendet si i fisit të Gashit që në shek 17, kemi dy rezultate që i takojnë të njëjtës linjë atërore: J2b-L283>PH1751>Y126399. Pra fshati i hershëm i Gashit duhet të ketë patur popullsi të kësaj linje. Prejardhja e tyre e largët lidhet me fiset e lashta të Ballkanit, me prani prej të paktën 3500 vitesh në rajonin ku ndodhet edhe sot. Lidhja e supozuar me Toplanën dhe Shllakun, deri tani nuk gjen mbështetje në rezultatet gjenetike, pasi anëtarët e testuar të këtyre dy fiseve kanë lidhje gjaku mes tyre, por jo me Gashin. Në fakt, lidhjet më të afërta janë me fisin e Krasniqes dhe Nikajve, rreth 750-850 vjet largësi (~25-30 breza), prandaj me shumë gjasë të parët e këtyre fiseve kanë qenë banorë të zonës së Pultit që në Mesjetë, të paktën nga shekujt 13-14 (lidhja mes Gashit, Krasniqes dhe Nikajt: https://www.facebook.com/101700961530810/posts/301135728253998/).

Nga përkimet në shënuesit gjenetikë STR, në dy raste të verifikuara edhe me SNP, mund të thuhet se nga ky trung kanë prejardhje edhe shumë familje të Gashit nga Kosova dhe Sanxhaku i Nishit. Mund të dalim në përfundimin se dëbimi i gashjanëve nga fshati i tyre gjatë Luftës Austro-Turke 1683-1699 vërtetohet edhe gjenetikisht, por një pjesë e familjeve mundën të vendosen përsëri në Malësi të Gjakovës dhe përreth, si në fshatin Luzhë, në Botushë, Carrabreg, etj.

Pjesa tjetër e vëllazërive të Gashit në Malësi të Gjakovës, pra Bardhajt dhe Shipshani, janë banorë të vjetër të zonës së Alpeve Shqiptare por nuk kanë lidhje gjaku në vijë atërore Luzhën e Botushën. Të gjitha vëllazëritë e testuara të Bardhajve dhe Shipshanit i takojnë vijës atërore E-V13>L241>PH2180 e cila gjithashtu lidhet me popujt e lashtë të Ballkanit, me gjasë nga Epoka e Hekurit. Në trojet shqiptare, kjo vijë atërore gjendet në përqendrim shumë të lartë në Malësi dhe në Drenicë, kurse në jug të Pukës pothuajse mungon plotësisht, pra paraardhësit mesjetarë të Bardhajve dhe Shipshanit duhet të kenë qenë gjithashtu përreth zonës së Malësisë. Lidhur me gojëdhënën e prejardhjes nga Kuçi, edhe pse vetë fisi Kuç ka prejardhje tjetër, ka fise të tjera si Kiri, Berisha e Kuqe, etj, që gjithashtu ruajnë gojëdhëna për prejardhje nga pjesa juglindore e Malit të Zi dhe kanë lidhje me Bardhajt dhe Shipshanin. Lidhja mes Bardhajve, Shipshanit dhe këtyre fiseve e vëllazërive të tjera shqiptare nën E-V13>L241>PH2180 mbetet të përcaktohet më me saktësi pasi të përfundojë një test me rezolucion të lartë nga Bardhajt. Edhe nga Bardhajt e Shipshani ka familje të vendosura në Kosovë, por në numër më të vogël se nga trungu i vjetër i Gashit.

Nga çfarë thamë më sipër del se Gashi në Malësi të Gjakovës përbëhet nga tri fise kryesore: Gashi i vjetër me pasardhës në Luzhë e Botushë, Bardhajt, dhe Shipshani. Luzha dhe Botusha kanë të njëjtën prejardhje, por nuk lidhen me Bardhajt dhe Shipshanin. Pra, rezultatet gjenetike janë në përputhje me të dhënat historike dhe gojëdhënat e trashëguara në breza.

Gashi në Kosovë e në treva të tjera

Nga rezultatet e deritanishme, del qartë se fisi i Gashit në Kosovë ka disa burime kryesore:

– Familjet e ardhura nga Malësia e Gjakovës. Siç thamë më lart, ka pasur lëvizje të vazhdueshme nga Malësia drejt Llapit, Fushë-Kosovës, Drenicës, etj. Ndër familjet gashjanë të Kosovës që kanë prejardhje nga Malësia, shumica lidhen me Gashin e vjetër (linja J2b-Y126399), lidhje tashmë e verifikuar gjenetikisht për familje në Carrabregu të Poshtëm, Luboveci, Llausha, Mramora në Kosovë, dhe disa familje me prejardhje nga Sanxhaku i Nishit. Zhvendosja kryesore mund të lidhet me luftën Austro-Turke, mirëpo duhet të theksohet se familjet e këtij trungu në Kosovë nuk u zhvendosën të gjitha në të njëjtën kohë, pasi ka pasur lëvizje të vazhdueshme, sidomos nga zona e Junikut. Gashi në Lubovec të Drenicës, për shembull, sipas një gojëdhëne vjen nga Carrabregu[14], kurse Vukanoviç[13] thotë se kanë prejardhje serbe. Rezultati gjenetik mohon kategorikisht tezen e Vukanovicit por edhe na paraqet një rast të lëvizjeve që nuk lidhen me luftën Austro-Turke. Edhe pse më rrallë, në Kosovë ka edhe familje gashjane nga Shipshani dhe Bardhajt. Nga Shipshani kemi anëtarë në fshatin Skivjan të Gjakovës, kurse disa familje gashjane nga Rrezalla dhe Llokoshiqi që për shkak se i takojnë vijës atërore E-V13>L241>PH2180 mund të kenë prejardhje nga Bardhajt ose Shipshani, por kjo mbetet për t’u verifikuar me teste më të thella.

– Familjet e ardhura nga Buzhala dhe Komani. Një lëvizje tjetër ka ndodhur nga zona e Komanit në drejtim sidomos të Anadrinit deri në Klinë, por edhe në krahina të tjera të Kosovës. Familje gashjane nga këto treva përputhen në linjat atërore R1b-M269>PF7563>FGC40202 dhe I1-M253>Y60985 me familje nga Komani e Qerreti në Pukë. Përderisa nuk ka lidhje me vëllazëritë e lartpërmendura të Gashit të Malësisë, nuk është e qartë nëse këto familje ishin u bashkuan me Gashin pas vendosjes në Kosovë apo ishin Gash edhe më herët, në Koman.

– Familjet vendase (ose për të cilat nuk ka të dhëna për mbërritjen në Kosovë). Një pjesë e mirë familjeve të Gashit në Kosovë nuk kanë përputhje gjenetike as me fiset e Malësisë së Gjakovës, as me ato të Komanit. Deri tani, këto u takojnë linjave atërore E-V13>Y20805, E-V13>Z17107, E-V13>Y93102, R1b-Z2705, I2a-Y3120, J1-Y19093, J2a-Y19093, G2-PF3147. Për disa prej këtyre mund të bëhet fjalë gjithsesi për prejardhje nga treva të tjera dhe bashkim me fisin e Gashit në Kosovë. Për shembull, një familje gashjane nga Budakova që lidhet me Berishën dhe Sopin nën E-V13>Y93102 me siguri duhet të jetë bashkuar me fisin e Gashit të disa familjeve të tjera që jetonin në fshat. Po ashtu një familje I2a-Y3120 nga Aqareva thuhet se ka ardhur nga Mali i Zi. Por pjesa dërrmuese e këtij grupi nuk ka lidhje të ngushtë me ndonjë fis në Shqipërinë e veriut, prandaj shumica mund të jenë banorë më të vjetër të Kosovës që përkatësinë fisnore e kanë marrë nga banorë të ardhur më vonë.

Thamë më lart se autorët serbë kanë spekuluar shpesh rreth prejardhjes së këtyre familjeve, duke i quajtur serbë të shqiptarizuar ato familje që nuk i lidhnin dot me fiset në Malësi. Mund të përmendim këtu disa raste që lidhen me Gashin. Për gashjanët e Lubovecit, Vukanoviç thotë se ishin banorë të vjetër serbë ortodoksë të Istogut, që u vendosën në Lubovec në 1685 dhe u konvertuan në 1745, duke u shqiptarizuar gradualisht. Rezultati gjenetik J2b-Y126399 hedh poshtë këto pretendime, pasi vërteton jo vetëm që kjo vëllazëri i takon një linje atërore tipike shqiptare, por edhe vërteton gojëdhënën e ruajtur në Carrabreg për lidhjen e tyre me Gashin në Carrabreg, Botushë, Luzhë, etj. Po ashtu, për Gashin në Rezallë, Vukanoviç thotë se ishin banorë të vjetër serbë në Drenicë që u myslimanizuan rreth fillimit të shek. 17. Testi gjenetik i një prej familjeve gashjane në Rezallë vërtetoi se i takojnë vijës atërore E-V13>L241>PH2180, përsëri një linjë e shpeshtë ndër shqiptarë, sidomos në Malësi e Drenicë, me gjasë në Ballkan që në Epokën e Hekurit. Për Gashin në Zhur të Lumës në Prizren, autori Filipoviç thotë se janë banorët më të vjetër të fshatit, sipas tij edhe këta me prejardhje serbe[15]. Mirëpo linja atërore gjenetike e një prej familjeve të Gashit në Zhur është R1b-Z2705, edhe kjo një linjë e lashtë ballkanike që lidhet ngushtë me etnogjenezën shqiptare në Mesjetën e hershme. Përveç këtyre rasteve specifike, edhe rezultate të tjera që nuk lidhen me Gashin në Malësi, si E-V13>Y20805, J1-Y19093, etj., lidhen me popujt e lashtë që banonin në Ballkanin para-romak.

– Në Malësi të Madhe. Në Triesh gjendet vëllazëria anase Gashaj, e cila pavarësisht emrit nuk mbahet se ka lidhje me fisin Gash, por nisur nga gojëdhënat e Bardhajve dhe Shipshanit për zonën e Kuçit, ja vlen të përmendet. Kjo vëllazëri i takon vijës atërore R1b-Z2705>FT49932, që lidhet me Bekajt e Trieshit, një pjesë të Lulgjurajve, fisin Piper, disa rezultate nga Myzeqeja, etj. Pra edhe kjo vëllazëri nuk ka lidhje gjaku me familjet e Gashit në Malësi të Gjakovës dhe në Kosovë.

Ftojmë të gjithë shqiptarët nga të gjitha trevat të bëhen pjesë e Projektit Shqiptar të ADN-së “Rrënjët” duke kryer nga një test gjenetik që të zbulojë prejardhjen familjare të secilit dhe të ndihmojë në studimin e prejardhjes së gjithë popullit shqiptar. Me rritjen e kampionit, ky dhe artikujt e tjerë të projektit do të zgjerohen e përmirësohen vazhdimisht.

 

Përditësimi i fundit: 27 maj 2022

 

Burime:

[1] Zamputi, I. (1963). Relacione mbi gjendjen e Shqipërisë veriore e të mesme në shekullin XVII: teksti origjinal dhe përkthimi përgatitur nga Injac Zamputi. Tiranë: [Universiteti Shtetëror, Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë].

[2] Palnikaj, M. (2020). Klerikë atdhetarë, f.32. Tiranë.

[3] Bartl, P. & Camaj, M. (1967). Ein Brief in albanischer Sprache aus Gashi vom Jahre 1689, në: Zeitschrift für Balkanologie, Jg. 5, Heft 1, München 1967, f. 23-33.

[4] Akademia e Shkencave të Shqipërisë. (2002). Historia e popullit shqiptar. Toena, Tirana.

[5] Palnikaj, M. (2020). Relacione për gjendjen e Shqipërisë në shek. XVII-XVIII. Relacioni i Fra Egidio D’Armento, f.69, 1697.

[6] Palnikaj, M. (2022). Dioqeza e Pultit në dokumentat e arkivave të Vatikatit. Relacion i Misionit Françeskan në Pult, f.193, 1693/1694. Arte Graphic: Tiranë

[7] Palnikaj, M. (2020). Relacione për gjendjen e Shqipërisë në shek. XVII-XVIII. Relacioni i Filipit nga Shkodra, f.95r-95v, 1697. Fast Print: Tiranë.

[8] Malaj, I.K. (2004). Tropoja në breza, f.207-214, 255-257 & 265-270. Dardania: Tiranë.

[9] Qorraj, B. (2017) Fisi si lidhje sociale në zonën e Dukagjinit: Rasti i fisit Gash në të dy anët e kufirit shtetëror Kosovë-Shqipëri. Mikrotezë për mbrojtjes e gradës Master Shkencor (drejtues shkencor: Nebi Bardhoshi). Marrë nga https://prezi.com/hrgjhdqgwj9x/presentation/ me 16 maj 2022.

[10] Zojzi, Rr. (2018)[1962]. Ndamja krahinore e popullit shqiptar. Gegnia, 6-2018. Marrë me 17 prill 2020 nga www.bibliotekashkoder.com.

[11] Nopcsa, F., Malaj, E., Verli, M., & Zallari, M. (2013 (1908)). Fiset e malësisë së Shqipërisë veriore dhe e drejta zakonore e tyre. Qendra e Studimeve Albanologjike Instituti i Historisë.

[12] Durham, M. E. (1909). High Albania. Marrë me 16 maj 2022 nga https://digital.library.upenn.edu/women/durham/albania/albania.html

[13] Vukanoviç, T. (1998)[1934-1937]. Drenica. DD Grafika: Prizren.

[14] Loshi, A. (2020). Carrabregu, f.24. Agimi De: Deçan. Marrë me 16 maj 2022 nga https://fliphtml5.com/mabgu/hgek/basic.

[15] Filipoviç, M.S. (1967). Zhuri dhe fshatrat përreth. Beograd.