Fisi Kelmend

Fisi Kelmend është një ndër fiset më të vjetra, por edhe më të mëdha shqiptare, si shtrirje dhe si popullsi. Gjatë shekujve të parë të periudhës osmane, fisi Kelmendit fitoi rëndësi të madhe ushtarake dhe politike, duke qenë shpeshherë në pozicion dominues në pjesën më të madhe të trevave rreth Alpeve Shqiptare1.

Shtrirja e këtij fisi përmbledh hapësira të gjera që sot gjenden në katër shtete. Baza historike e fisit gjendet në pjesën veriore të Malësisë së Madhe në Shqipëri, ku Kelmendi kishte tre bajrakët fillestarë – Selca, Vukli e Nikçi – dhe bajrakun e katërt – Bogën – që u bashkua me tre të parët gjatë shek 191. Nga ky rajon, Kelmendi u përhap në disa drejtime: në luginën e Gucisë, (Vuthaj, Martinaj, etj), e prej aty, në Çerem e Valbonë të Malësisë së Gjakovës; në bjeshkët e Rugovës dhe më tej në Llap e në treva të tjera të Kosovës e deri në Sanxhakun e Nishit2; në Peshter të Sanxhakut të Novi Pazarit3; në ultësirën bregdetare veri-perëndimore, kryesisht në afërsi të Lezhës, e në shumë treva të tjera shqiptare.

Fisi Kelmend në histori e gojëdhëna

Gojëdhënat e ndryshme, mbledhura nga Bogdani4, Hecquardi5 e deri te Nopcsa6 dhe Durham7 ne fillimet e shek. XX, i përmbahen një forme të përafërt: i pari i fisit, Kelmendi, kishte pasur disa djem, dhe secili prej tyre filloi një familje, e më vonë, vëllazëri të veçantë; këto vëllazëri u zhvilluan deri deri në formën e fshatrave që njohim sot. Në pikëpamje etnografike, Zojzi vlerëson se Kelmendi, ashtu si fiset e tjera malësore rreth Alpeve Shqiptare, kanë prejardhje nga treva më veriore8.

Përveç gojëdhënave dhe traditës, për Kelmendin ka edhe të dhëna të bollshme historike. Në regjistrin osman të 1497, përkthyer nga S. Pulaha, në nahijen e Kelmendit përmenden dy fshatra: Selçisha, me katundin Liçen, dhe Içpaja me katundet Gjonoviq, Leshoviq, Muriq dhe Kolemad9. Po aty, përmenden edhe disa individë që ndoshta mund të jenë themeluesit e trungut kryesor të fisit: Vukza, i biri i Kelmendit, Vladi i biri i Kelmendit, dhe Gjoni, i biri i Kelmendit (Klemendit), në Selçishë; Vuku, i biri i Kelmendit, në Içpajë-Gjonoviq; Deda, i biri i Kelmendit, dhe Stepani i biri i Kelmendit në Içpajë-Muriq9.

Kelmendi: harta e trojeve kelmendase nga Malësia e Madhe deri në Rugovë.
Vendbanime kelmendase rreth Alpeve shqiptare

Nisur nga analiza e regjistrit të 1497 dhe atij të 1582, Pulaha del në përfundimin se ngulitja e përhershme (sedentare), dhe formimi i fisit territorial ishte në zhvillim e sipër në 1497, dhe ishin plotësisht të përfunduara në fund të shek. XVI. Rënia e numrit të popullsisë gjatë këtij shekulli, sipas Pulahës, sugjeron se vëllazëri blegtorale të Kelmendit mund të jenë larguar nga katundet Muriq dhe Kolemad, drejt trevave që sot gjenden në Mal të Zi, si Muriqani apo Goljemadi10.

Rezultatet gjenetike

Deri sot (nëntor 2020), kemi 15 anëtarë kelmendas në Projektin Rrënjët. Sipas nojhurive të secilit, asnjë nuk ka lidhje më afër se tre breza me të testuarit e tjerë. Prej tyre, 9 janë nga pjesa e Malësisë së Madhe që përfshihej në katër bajrakët e lartpërmendur, kurse 6 janë nga zona të tjera, por që ruajnë në familje traditën e përkatësisë fisnore Kelmend. Brenda grupit të dytë, katër familje ruajnë edhe gojëdhënën e prejardhjes nga fshatrat e Kelmendit, kurse një familje mendohet që është bashkuar me vëllazëritë e fisit që u vendosën në ultësirën afër Lezhës. Po i paraqesim të gjitha rezultatet në tabelën e mëposhtme:

 

Qyteti/Fshati/LagjiaVllaznia/BajrakuRezultati
Selcë, Malësi e MadheSelcëE-V13>Z5017>CTS9320>Z16988>BY62310
Lëpushë, Malësi e MadheVukëlE-V13>Z5017>CTS9320>Z16988>BY62310
Vukël, Malësi e MadheVukëlE-V13>Z5017>CTS9320>Z16988>BY62310
Muriq, Malësi e MadheVukëlE-V13>Z5017>CTS9320>Z16988>BY62310
ShkodërVukëlE-V13>Z5017>CTS9320>Z16988>BY62310
Nikç, Malësi e MadheNikçE-V13>Z5017>CTS9320>Z16988>BY62310
Nikç, Malësi e MadheNikçE-V13>Z5017>CTS9320>Z16988>BY62310
Nikç, Malësi e MadheNikçE-V13>Z5017>CTS9320>Z16988>BY62310
Bogë, Malësi e MadheBogëE-V13>Z5017>CTS9320>Z16988>BY62310
Okol, Bogë, Malësi e MadheBogëE-V13>Z5017>CTS9320>Z16988>BY62310
Bogë, RugovëBogëE-V13>Z5017>CTS9320>Z16988>BY62310
Valbonë, TropojëE-V13>Z5017>CTS9320>Z16988>BY62310
TiranëE-V13>Z5017>CTS9320>Z16988>BY62310
ShkodërR1b-M269>Z2103>BY611>Z2705>Y32147
LezhëJ1-M267>P58>Z643>Z2331>Y3081>Y179831

 

Diskutim

–     Siç dallohet lehtë nga tabela, fisi Kelmend është nje fis mjaft homogjen në prejardhjen e vijës atërore. Shumica dërrmuese e të testuarve i takojnë një linje të vetme: E-V13>CTS9320>BY62310. Vetëm dy nga 15 rezultate nuk i takojnë këtij trungu. Madje edhe vëllazëria Pepushaj, që thuhet se janë anas3, janë gjithashtu të kësaj linje. Në Projektin Boshnjak të ADN-së11 ka edhe kelmendas të tjerë të testuar, shumica po ashtu në degën E-V13>BY62310, dhe një numër i vogël rezultatesh nën J2b-L283>Y23094 dhe R1b-BY611>Z2705.

–     Kelmendasit kanë prejardhje nga popujt e lashtë të Ballkanit. E-V13>CTS9320>BY62310, si nëndegë e E-V13>CTS9320, lidhet me një numër të madh linjash të tjera që gjenden te shqiptarët, si E-V13>CTS9320>Z17107, E-V13>CTS9320>Y84585, E-V13>CTS9320>BY4526, E-V13>CTS9320>BY34282. Brenda E-V13>BY62310, lidhjet më të afërta të trungut të Kelmendit janë me një të testuar në Pukë dhe një tjetër nga zona e Kolonjës në Korçë (me prejardhje vllahe). Për vjetërsinë dhe prejardhjen e gjithë kësaj dege do të shkruajmë më hollësisht në të ardhmen, por ndërkohë mund të themi se është një linjë që duhet të lidhet me popujt e lashtë Ballkanikë, me gjasë të anëve veri-perëndimore të gadishullit.
—–Ndër linjat e tjera:
—–R1b-M269>BY611>Z2705>Y32147, rezultat i një personi nga Shkodra që sipas traditës ka prejardhje nga Nikçi. Kjo degë gjendet në dendësi relativisht të lartë në Malësi, sidomos në familjet anase, prandaj, edhe pa rezultate të ngjashme nga Kelmendi, ka mundësi që gojëdhëna të jetë e saktë. Në Projektin Boshnjak të ADN-së janë disa anëtarë të kësaj dege që mendohet se kanë prejardhje nga Kelmendi (Muriqi), në largësi rreth 1000-1100 vjet nga personi nga Shkodra. Edhe kjo linjë ka prejardhje nga popujt e lashtë paleo-Ballkanikë.
—–J2b-L283>Y23094, që përmendëm më lart, ka gjithashtu prejardhje nga popujt e vjetër të Ballkanit dhe ka dendësi e larmi të lartë në Malësi.
—–Dega J1-M267>P58>Y3081 ka gjasa të jetë përhapur në Mesdhe gjatë Epokës së Bronzit dhe ttë Hekurit. Duke qenë se nuk e gjejmë as në Malësi, as në treva të tjera të Kelmendit, duket se vërtetë të jetë bashkuar me fisin në ultësirat e Lezhës.

– Ka mundësi që pjesa më e madhe e fisit, vëllazëritë nën E-V13>CTS9320>BY62310, të kenë prejardhje të largët nga treva më veriore në Ballkan, por nuk ka prova që kjo lëvizje të ketë ndodhur 1000 vitet e fundit. Rezultatet më të afërta me kelmendasit E-V13>BY62310 vijnë nga trojet e sotshme shqiptare prandaj lëvizjet e këtij mijëvjeçari duhet të jenë përqendruar në pjesën veriore të trevave shqipfolëse.

– Pavarësisht disa rezultateve të ndryshme, gojëdhëna që tregon se vëllazëritë e ndryshme të fisit kanë prejardhje të përbashkët, duket përgjithësisht e saktë. Nuk mund të thuhet me siguri, pa rezultate edhe nga disa vëllazëri të pa-testuara, sa familje në Selcë, Nikç e Vukël, i takojnë degëve të tjera, mirëpo rezultatet e deritanishme tregojnë bindshëm që pjesa dërrmuese janë të të njëjtit trung gjenealogjik.

– Gojëdhëna e prejardhjes së fshatit Valbonë tregon se i pari i fshatit ishte një kelmendas që nguli nga Vuthajt në Valbonë. Rezultatet vërtetojnë lidhjen e gjakut mes Valbonës e kelmendasve në Malësi të Madhe. Edhe në vëllazëritë e fshatit Vuthaj që lidhen me Valbonën duhet të jenë të kësaj linje, megjithëse duhen rezultate edhe nga ky fshat për provën përfundimtare.

Prijësi kelmendas, Prek Cali

– Te kelmendasit jashtë Malësisë së Madhe, edhe pse E-V13>BY62310 mbetet mbizotëruese, vërehet larmi më e lartë. Kjo mund të vijë si pasojë e dy fenomeneve. Së pari, familje me prejardhje të ndryshme mund të jenë bashkuar me fisin në rajonet ku ky ka shtegtuar, si në rastin e rezultatit nga Lezha. Së dyti, siç sugjeron Pulaha, vetë fisi i Kelmendit mund të ketë qenë më heterogjen në periudhën e hershme të territorializimit të tij10, deri sa një vëllazëri dominoi pjesën tjetër të familjeve, duke i shpërngulur këto të fundit. Kjo dinamikë e homogjenizimit gradual deri në përputhje të territorit me përhapjen e bërthamës fisnore vërehet edhe te fise të tjera. Në rastin e Kelmendit, mbështetje për këtë skenar mund të japin rezultatet e linjës R1b-BY611>Z2705>Y32147. Fakti që në Projektin Boshnjak ka anëtarë të vëllazërisë Muriqi me rezultatin këtë rezultat, ndërsa një familje që banon sot në lagjen Muriq është testuar E-V13>BY62310 mund të jetë një rast i zëvendësimit të një vëllazërie më të vogël nga familje të trungut kryesor. Megjithatë, për të folur me më shumë siguri duhen të paktën rezultate nga lagjia Muriq.

– Boga, si bajrak i veçantë deri në shek. 19, ka ngjallur vazhdimisht interes e debate rreth lidhjes me Kelmendin. Disa gojëdhëna e paraqesin edhe Bogën si pasardhëse të një vëllai tjetër të të parëve të Selcës, Vulit e Nikçit, por si Nopcsa6 edhe Malcolmi1, kanë supozuar se gojëdhëna është tjetërsuar për të justifikuar bashkimin politik të Bogës me Kelmendin. Rezultatet tregojnë se, pavarësisht a është ndryshuar gojëdhëna apo jo, lidhje gjaku mes Kelmendit e Bogës ka. Gjithashtu, gojëdhëna e regjistruar nga Mark Krasniqi12 mbi prejardhjen së fshatit Bogë në Rugovë nga Boga në Malësi të Madhe mund të gjejë mbështetje gjenetike në afërsinë mes anëtarëve nga të dy fshatrat, gjë që do të verifikohet me përmirësimin e rezolucionit të testeve të tyre. Me dy rezultate nga ky fshat dhe një nga Boga e Rugovës, nuk mund të thuhet ende nëse gjithë popullsia e Bogës lidhet me pjesën tjetër të Kelmendit. Megjithatë, duke qenë se dy rezultatet nga Boga në Malësi të Madhe vijnë nga dy familje relativisht të mëdha dhe pa lidhje me njëra-tjetrën, madje nga lagje të ndryshme të fshatit, dhe rezultati nga Boga në Rugovë sigurisht nuk lidhet me ta për të paktën 8 breza, mund të themi që të paktën një pjesë e mirë e Bogës janë të një gjaku me Kelmendin.

Siç theksuam më lart, mbeten shumë të panjohura për t’u ndriçuar edhe më tej përmes zgjerimit dhe thellimit të kampionit. Dy anëtarë të projektit të linjës atërore E-V13>BY62310 janë në pritje të testeve me rezolucion të lartë. Ndërkohë, ftojmë gjithë kelmendasit që kanë kryer teste të kromozomit Y, të bashkohen me projektin Rrënjët, dhe ata që nuk janë testuar ende, të bëjnë një test e të anëtarësohen, që të mësojmë sa më shumë për prejardhjen e këtij fisi.

L

 

Burime:

L

1
Malcolm, N. (2020). Rebels, Believers, Survivors: Studies in the History of the Albanians. Oxford University Press, USA. H

2
Hahn, G.H. (1858). Travels in Dardanian Albania. Retrieved November 1st, 2020 from http://www.albanianhistory.net/1858_Hahn/index.html. 

3
Elsie, R. (2015). Fiset Shqiptare. Artini: Tiranë. 

4
Malcolm, N. (2000). The Kelmendi: Notes on the Early History of a Catholic Albanian Clan. Südost-Forschungen, (59-60), 149-163. 

5
Hecquard, H. (2016). Histoire et description de la Haute-Albanie-Ou Guégarie. Collection XIX. 

6
Nopcsa, F., Malaj, E., Verli, M., & Zallari, M. (2013 (1908)). Fiset e malësisë së Shqipërisë veriore dhe e drejta zakonore e tyre. Qendra e Studimeve Albanologjike Instituti i Historisë. 

7
Durham, M. E. (2017). High Albania. Lulu.com. 

8
Zojzi, Rr. (2018). Ndamja krahinore e popullit shqiptar. Gegnia, 6-2018. Marrë me 17 prill 2020 nga www.bibliotekashkoder.com

9
Pulaha, S. (1974). Defteri i regjistrimit të Sanxhakut të Shkodrës i vitit 1485. Akademia e Shkencave e RP të Shqipërisë, Instituti i Historisë. 

10
Pulaha, S. (1975). Kontribut për studimin e ngulitjes së katuneve dhe krijimin e fiseve në Shqipërinë e veriut shekujt XV-XVI. Studime Historike, I. Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit.

11Bosnjacki DNK Projekat. https://bosnjackidnk.com/baza-bez-markera/

12
Krasniqi, M. (1978). Vendbanimet e Rugovës.