J2b-L283

J2b-L283 është haplogrupi i tretë më i përhapur ndër shqiptarë, me rreth rreth 16% të gjithë linjave atërore. Epiqendra e shtrirjes së sotshme të këtij haplogrupi janë trojet shqiptare, pasi në asnjë popull tjetër nuk gjendet më shpesh se në 5% të meshkujve. Shpërndarja në trojet shqiptare ka shfaq gjithashtu një përshkallëzim të dendësisë me epiqendër në Shqipërinë veriore e verilindore dhe përqindje më të ulëta sipas largësisë nga kjo zonë. Prejardhja e degëve të haplogrupit J2b-L283 lidhet me fiset e lashta ilire, mirëpo degëzime të ndryshme kanë përhapje specifike të tyret në zonën e Ballkanit perëndimor dhe qendror.

Prejardhja e hershme e J2b-L283

Të gjithë bartësit e J2b-L283 kanë një paraardhës të përbashkët që ka jetuar rreth 5500-6000 vite më parë. Gjetjet më të vjetra të J2b-L283 vijnë nga zona në veri të Kaukazit dhe Europa lindore. Një mostër mbi 6000 vjeçare J2b-L283 është gjetur mbi Kaukaz, në Rusinë jugore. Mosha e këtij skeleti përkon me periudhën e formimit të J2b-L283 (një rast i rrallë për haplogrupet e mëdha) prandaj vendndodhja e tij është e dhëna më domethënëse për prejardhjen e këtij haplogrupi. Skeletet e tjera më të vjetra janë mbi 5000 vjeçare dhe janë gjetur në Moldavi. Sipas autorëve përkatës, në të tri rastet bëhet fjalë për gjetje nga kultura indo-europiane Jamna (Yamnaya), në faza të ndryshme të zhvillimit të saj. Pra, gjatë mijëvjeçarëve 3-4 p.e.s., haplogrupi J2b-L283 duhet të ketë qenë i përqendruar në Europën lindore dhe zonën mes Detit të Zi dhe Kaspikut, pikërisht në hapësirën ku u formuan indo-europianët.

J2b-L283 map
Gjetjet e J2b-L283 nga Epoka e Bronzit dhe përhapja e mundshme nga faza indo-europiane deri te ilirët.

Përhapja e J2b-L283 në Ballkan & Itali

Gjetje pak më të vona ka nga sidomos Europa juglindore dhe nga Kaukazi. Si duket ndonjë degë mbeti pranë Kaukazit dhe më pas prej aty u përhap edhe drejt jugut, mirëpo degët kryesore, ato që më vonë arritën të shumëfishohen dhe të mbizotërojnë hapësira më të mëdha, u zhvendosën më në perëndim. Nga 2100-1800 p.e.s., J2b-L283 del në kulturën Maros në Vojvodinë, dhe pak më vonë (1880-1600p.e.s) shfaqet dendur në 1800p.e.s. në skelete nga Shqipëria veriore deri në Cetinë të Kroacisë. Nisur nga rezultati në Vojvodinë, a mundësi që përhapja drejt Adriatikut filloi nga një zonë më qendrore të Ballkanit, mirëpo për t’a thënë me siguri duhen më shumë të dhëna. Sidoqoftë, në periudhën kur dalin në histori fiset e para ilire, J2b-L283 ishte tashmë prej shekujsh një haplogrup kryesor i zonës dhe me siguri ishte edhe haplogrup kyç për vetë ilirët.

Mbizotërimi i J2b-L283 në Adriatikun lindor në pjesën e parë të mijëvjeçarit të dytë p.e.s. u ndoq nga shfaqja e J2b-L283 edhe në krahun e tij perëndimor në Pulja, po ashtu në Etruri dhe deri në Sardenjë, ku gjithsesi ishte një haplogrup më i rrallë se në Ballkanin perëndimor. Nuk është e sigurtë nëse zhvendosja e tyre ishte kryesisht detare, apo edhe tokësore, por me shumë gjasë këto lëvizje përfshinë edhe paraadhësit e Mesapëve, që edhe autorët e lashtë u jepnin prejardhje ballkanike. Po ashtu, nga shek.17 p.e.s, J2b-L283 është gjetur edhe në skelete mikenase, mes të cilëve përsëri ishtë një linjë më e rrallë. Ka mundësi që bëhet fjalë për linja me prejardhje nga zona më veriore të Ballkanit, megjithatë duhen rezultate më cilësore për një përfundim më të sigurtë.

J2b-L283 ndër shqiptarë

Gjatë periudhës romake, dhe më vonë në periudhën e dyndjeve, dendësia e J2b-L283 u ul ndjeshëm në shumicën e hapësirës ku ishte përhapur. Sot, në Kroaci, Mal të Zi, Itali, Greqi, nuk mbërrin askund më shumë se 5% të linjave atërore. Vetëm mes shqiptarëve, sidomos në Shqipërinë veriore, J2b-L283 arriti të mbijetojë me disa degëzime që nga Mesjeta e hershme nisën të përhapen përsëri. Sot, dendësia më e lartë gjendet në Malësinë e Gjakovës (Tropojë), Deçan, Gollak, në Malësinë e Madhe, në Mat e Dibër, ku në disa raste përbën >40% të gjithë linjave atërore. Kurse larmia e degëzimeve është e përqendruar në një hapësire edhe më të ngushtë nga Puka deri në Martanesh e Dibër.

J2b-L283 map
J2b-L283 në trojet shqiptare

Shumica dërrmuese e linjave shqiptare J-L283 gjenden në nëndegën J-L283>Z638, me moshë rreth 4200 vjeçare. Deri tani, Z638 është gjetur në Shqipëri (Epoka e Hekurit), Mal të Zi, Pulja, Etruri dhe në veri të Dubrovnikut, ku duket se ka qenë kufiri verior i përhapjes së saj ballkanike. Mbi këtë zonë, mbizotëronte dega e saj vëllazërore J2b-L283>Y15058, e cila është ndarë nga Z638 rreth 2500 p.e.s. Ky dallim sugjeron se prejardhja ilire e shqiptarëve të sotshëm lidhet kryesisht me fiset më jugore dhe lindore ilire, një trend që vërehet edhe në haplogrupe të tjera.

Nën J2b-L283>Z638, nëngrupet më të mëdha janë J-Z638>Y20899>PH1751J-Z638>Y20899>Y109700, J-Z638>Z1297>Y82533, J-Z638>Z1297>Z1295>Y21878, dhe J-Z638>Z1297>Z1295>Z631 me disa degëzime më të vogla. Secili prej këtyre degëzimeve duhet të ketë qenë i pranishëm te ilirët jugorë dhe lindorë në lashtësi, mirëpo me të dhënat e deritanishme mund të veçohet J2b-Y21878, që është gjetur tashmë në eshtra 3200-3400 vjeçare afër Kotorrit, 3000 vjeçare në Pulja dhe 2500 vjeCCare në Kukës, prandaj duhet të ketë qenë një prej linjave atërore të Ardianëve, Mesapëve dhe ndoshta edhe Dardanëve. Po ashtu, J-Z28300 (ku bëjnë pjesë PH1751 & Y109700) ka diversitet >3000 vjeçar me tri degëzime të ndryshme të përqendruara në zonën Pukë-Mat-Mirditë-Martanesh, prandaj mund të ketë qenë linjë e rëndësishme atërore e ilirëve të kësaj zone.

(përditësimi i fundit: 03.2025)