R-Z29758

Prejardhja e largët e R1b-M269>PF7562>PF7563>Z29758, si për gjithë haplogrupin R1b-M269, mendohet nga stepat euroaziatike mbi Kaukaz. Mbërritja e paraardhësve të kësaj linje në Ballkan mund të hamendësohet nga degët e zbuluara përmes testeve të popullsisë së sotshme, duke qenë se gjetje nga lashtësia ende nuk ka. Megjithatë fakti që lidhjet më të afërta të zbuluara deri sot me të testuar nga Rusia, Ukraina, etj., llogariten mbi 4500 vjeçare, R-Z29758 duhet të ketë qenë e pranishme në Europë të paktën që në Epokën e hershme ose të mesme të Bronzit. Gjasat janë që zhvendosja nga stepat kryesisht drejt Europës juglindore të ketë ndodhur me lëvizjet/zgjerimet e popujve blegtoral indo-europianë.

Rezultatet e projektit tonë tregojnë një larmi shumë të lartë të R-Z29758 në trojet shqiptare. Në fakt, i vetmi vend me larmi të krahasueshme të kësaj dege është Italia. Rezultatet italiane dhe ato shqiptare ndajnë paraardhës të përbashkët që kanë jetuar rreth 3500-4500 vite më parë. Këto të dhëna sugjerojnë se vendosja e R-Z29758 në hapësirën e sotshme duhet të ketë filluar gjithashtu gjatë Epokës së Bronzit, ndoshta pak pas mbërritjes në Europë. Si në trojet shqiptare, ashtu edhe në Itali, diversiteti më i lartë gjendet në jug. Nën R-Z29758, në projekt kemi dy rezultate që përbëjnë linja të veçanta rreth 4400 vjeçare, pasi nuk kanë lidhje më të afërt me asnjë të testuar deri tani, si dhe dy nëndegë me përhapje më të gjerë: R-Y32042 dhe R-FGC40202.

R-Y32042

Linja atërore R-Y32042 deri tani është gjetur vetëm në Toskëri, pothuajse në çdo pjesë të saj përveç Labërisë. Nuk është ndër nëndegët më të përhapura, por nisur nga larmia, mund të hamendësojmë se është vendosur në Ballkan (ndoshta pikërisht në Epir ose Ilirinë jugore) në parahistori. Ndarja e parë në dy degëzime që deri tani mbeten shqiptare ka ndodhur rreth 3500 vite më parë, por zgjerimi kryesor nis në Mesjetën e hershme, një fenomen karakteristik i shumicës së linjave atërore shqiptare. Mund të themi pothuajse me siguri se kjo përhapje ka filluar nga Shqipëria e jugut.

Nga studime shkencore dhe teste të tjera komerciale, dimë se kjo nëndegë duhet të gjendet po ashtu në përqindje të ulëta edhe në Greqi dhe deri në Izmir. Mbetet për t’u parë nëse përhapja e saj në vendet fqinjë ka lidhje me ngulimet arvanitase apo ndonjë popullsi më të hershme.

R-Z29758 dhe nëndegët e saj (R-PF7562>PF7563>Z29758 and its subclades).

Informacioni për skemën dhe rezultatet e huaja vjen nga YFull.com dhe BlockTree në FTDNA.com. Rezultatet shqiptare vijnë vetëm nga anëtarë të projektit tonë.

R-FGC40202

Ashtu si R-Y32042, edhe R-FGC40202 duket se ka kaluar një efekt të fortë “bottleneck” si pasojë e të cilit deri tani është zbuluar vetëm një linjë që ka mbijetuar deri në mesjetën e hershme. Para rreth 1400 vitesh, kjo linjë ka filluar një zgjerim i shpejtë, duke u shpërndarë në trevat shqiptare, por edhe në disa vende të tjera përreth si Mal i Zi dhe Greqi. Me qenë se kjo është një ndër linjat me më shumë teste të rezolucionit të lartë në projekt, kemi mundur të zbulojmë një numër të madh degëzimesh që na tregojnë për kohën dhe drejtimet e zgjerimit të saj.

Rezultatet e testeve na tregojnë që shpërndarja më e vrullshme ka ndodhur pikërisht para rreth 1400 vitesh, periudhë që përkon me kohën kur një folësit e proto-shqipes u mbijetuan luftërave dhe zhvendosjeve të mëdha të popullsive mes Lashtësisë e Mesjetës. Një periudhë e dytë zgjerimi që ndoshta mund të lidhet me lindjen e formacioneve politike mesjetare arbërore si dhe me fillimet e një sistemi shoqëror sedentar feudal, shfaqet në ndërrim të mijëvjeçarëve deri rreth shek XIII.

Me të dhënat e deritanishme, duket qartë që përhapja e R-FGC40202 duhet të ketë filluar nga pjesa veriore ose qëndrore e trojeve shqiptare dhe të jetë përhapur drejt jugut sidomos gjatë Mesjetës së vonë. Përveç linjës së veçantë në bajrakun e Qerretit në Pukë, edhe R-FGC40202>Y187625 ka deri tani divesitet të lartë në veri, me një rezultat nga pjesa e Anamalit që ka mbetur në Mal të Zi, një rezultat nga Nikshiqi dhe një nga Dibra. Kurse brenda nëndegës R-FGC40202>Y145535 dallohet një diversitet mjaft i lartë në pjesët lindore të trojeve shqiptare, nga rajoni i Prizrenit, deri në zonën malore mes Korçës e Elbasanit. Duhet nënvizuar se përveç rezultateve nga Prizreni, Dibra e Librazhdi, i testuari nga Berati ka prejardhje nga një familje e dokumentuar si shqiptare në Voskopjën e shek 18. Pra, të dhënat e deritanishme flasin për një linjë me prani në Ballkan që në Epokën e Bronzit të hershëm e cila u zgjerua në Mesjetë, ndoshta nga një zonë e Shqipërisë veriore ose të mesme. Nga teste komerciale me rezolucion të ulët duket se kjo linjë gjendet edhe te shqiptarët e Maqedonisë. Testimi i tyre më cilësor mund të na japë më shumë informacion mbi historinë e përhapjes së R-FGC40202.

Shënim: Ky artikull është zgjerim dhe përditësim i artikullit të mëparshëm mbi R-FGC40202. Artikullin e vjetër mund ta gjeni këtu.