Hoti është një prej fiseve më të vjetra të veriut. Territori kryesor i Hotit shtrihet pjesërisht në Mal të Zi dhe pjesërisht në Shqipëri, por ka edhe fshatra Hot në troje të tjera shqiptare, dhe shumë familje të tjera të fisit Hot, të shpërndara në krahina të ndryshme. Hoti është një prej fiseve me gojëdhënat më të imtësishme rreth prejardhjes së tij, prandaj rezultatet gjenetike kanë interes jo vetëm për zbulimin e prejardhjes, por edhe për krahasimin me këto gojëdhëna të trashëguara në breza.
Historia dhe gojëdhënat
Ndër fiset e sotshme shqiptare, Hoti është fisi që shfaqet më herët në dokumentacionin historik mesjetar. Që në vitin 1330, shfaqet toponimi Malet e Hotit afër Plavës (aty është edhe sot fshati Hot), kurse në fillim të shek.XIV hotjanët dalin si aleatë të Venedikut në zonën rreth Liqenit të Shkodrës, kurse disa individë ishin tashmë pjesë e fisnikërisë. Në fund të shekullit XV, në kohën e pushtimit përfundimtar të trojeve shqiptare nga osmanët, Hoti ishte tashmë një fis i konsoliduar që përfshinte disa fshatra. Sipas traditës, Hoti ishte fis i parë në Malësi, në kuptimin që u printe fiseve malësore në luftë.
Në Malësi të Madhe
Sipas gojëdhënave, Hoti i Malësisë së Madhe është një fis me prejardhje të përbashkët, pra të gjitha vëllazëritë kryesore besojnë se rrjedhin nga një stërgjysh i përbashkët. I pari i fisit të Hotit mendohet të ketë qenë Gega, biri i Lazrit, i cili ishte i biri i Lazër Keqit të Keqë Prekës. Në disa raste thuhet se ky trung mashkullor mbërriti nga zona e Bosnjes. Një version i kësaj gojëdhëne i mbledhur në shekullin e 19 thotë se Lazri ishte vëlla me të parët e fiseve Triesh, Krasniqe, Mërkojeviç, Vasojeviç dhe Piper. Nga numërimi i brezave mendohet se Gegë Lazri jetoi para rreth 16 brezash. Martesat mes familjeve që rrjedhin nga pasardhësit e Gegës kanë qenë gjithmonë të ndaluara. Sot pasardhësit e Gegës gjenden përsëri në trojet ku ka qenë bajraku i Hotit në Malësi të Madhe, por edhe në Shkodër e në fushat përreth, po ashtu edhe në disa vendbanime në Mal të Zi, etj.
Këtu hyjnë vëllazëritë kryesore nga djemtë e Gegës: Gjon, Pjetër, Junç dhe Lajq Gega. Në gojëdhënë përmenden edhe disa familje anase në zonën e Hotit, të cilat nuk mbahen si pjesë e këtij trungu mashkullor, prandaj martesat me këto familje janë lejuar. Mendohet se kur fisi i Hotit nguli në trojet e sotme, këto familje i gjetën aty, pra si banorë më të hershëm.
Në treva të tjera
Në treva të tjera, familje të fisit Hot ka në Plavë, në Malësi të Gjakovës (Tropojë), në Deçan, Drenicë, Llap e në shumë krahina të tjera në Kosovë. Po ashtu, fshatra me emrin Hot, Hotesh, ose forma të ngjashme, ka në disa krahina nga Dibra deri në Kumanovë. Ka edhe shumë familje nga treva të ndryshme që kanë ruajtur gojëdhëna për prejardhje nga Hoti.
Hoti i Plavës, sipas traditës së vendit, rrjedh i gjithi nga një paraardhës. Edhe Berbati, një vëllazëri e madhe e Hotit në Tropojë, ruan gojëdhënën e prejardhjes nga Hoti i Plavës, ashtu si edhe disa familje hotjane nga zona Has-Rahovec në Kosovë. Edhe në Sanxhak të Novi Pazarit ka shumë familje hotjane, që edhe pse në shumë raste tashmë vetë-identifikohen si boshnjakë, e kanë ruajtur përkatësinë e tyre fisnore. Kurse prejardhje nga Hoti në Malësi mendohet se kanë disa familje në Mirditë, Lurë, etj.
Rezultatet gjenetike
Deri tani, në projekt janë mbledhur 23 rezultate nga familje të fisit Hot. Nga këto, 10 janë nga zona e Malësisë së Madhe (në të dy anët e kufirit), kurse 12 rezultate janë nga treva të tjera. Harta e mëposhtme përmbledh rezultatet:
Në Malësinë e Madhe
Nga këto rezultate del qartë se familjet që në traditën e tyre rrjedhin nga Gegë Lazri, edhe pse u takojnë vëllazërive të ndryshme, kanë një stërgjysh të përbashkët. Linja e tyre atërore është J2b-L283>Y21878>FT125046>FT124983. Kjo linjë ka prejardhje ilire, dhe linja të afërta me të janë gjetur në skelete ilire nga Kukësi (shek.6 p.e.s.) dhe nga Mali i Zi (shek.11 p.e.s.). Përhapja e sotshme duket se ka nisur në Antikitetin e vonë, diku në hapësirën e dikurshme ilire. Përveç se në Hot, ky trung mashkullor gjendet edhe në Grizhë dhe Hoten, në familje me prejardhje nga Hoti, po ashtu edhe në një familje të vetme (sipas traditës anase) në Triesh, dhe një familje të vetme në Bogë. Rezultatet e tjera më të afërta janë në Kukës, Kaçanik dhe Elbasan, si dhe një rezultat nga Sllovenia. Rezultatet gjenetike nuk mbështesin lëvizje të kësaj vije atërore nga Bosnja, sidomos në Mesjetën e vonë, si pretendohet në disa raste. Nisur nga rezultatet e afërta në Malësi, mund të hamendësojmë se kjo linjë ndodhej pak a shumë në të njëjtën hapësirë në shekujt e fundit të Mesjetës.
Nga ana tjetër, familjet anase kanë linja të ndryshme atërore. Dy janë E-V13>CTS9320>FT17132 dhe kanë një lidhje të afërt me Kelmendin, një është E-V13>FGC11450>Y140828, kurse një familje e asimiluar në serbe/malazeze që pretendon prejardhje nga Hoti i takon vijës atërore R1b-Z2705>FT49932 dhe lidhet me disa familje në Triesh, Grudë dhe fisin Piper.
Në treva të tjera
Hoti i Plavës i takon vijës atërore J2b-L283>PH1751>Y290702, pra linjë e ndryshme nga Hoti i Malësisë së Madhe, pavarësisht të njëjtit haplogrup. Edhe në Hotin e Plavës, me shumë gjasë, pjesa dërrmuese e familjeve janë të një trungu mashkullor, pasi dy familje nga dy vëllazëri të ndryshme kanë të njëjtin rezultat. Lidhjet më të afërta janë nga Edhe kjo linjë ka prejardhje nga fiset ilire, me gjasë nga diku zonën mes Dibrës, Matit dhe Pukës që në Epokën e Bronzit.
Mes familjeve që sipas gojëdhënave rrjedhin nga Hoti i Plavës, janë testuar Berbati në Malësinë e Gjakovës dhe një familje hotjane nga Krusha e Madhe. Linja atërore e familjeve të Berbatit është R1b-Z2705>Y32147>Y133384, me prejardhje nga pjesa veriore e trevave shqiptare, dhe me gjasë prej shekujsh në zonën kufitare Shqipëri-Kosovë. Kurse familja nga Rahoveci ka vijën atërore R1b-PF7563>Y168201 që duhet të jetë në Ballkan prej fillimit të Epokës së Bronzit dhe në Kosovë të paktën nga Mesjeta e hershme. Pra, asnjera nga këto familje nuk lidhet me Hotin e Plavës. Në fakt, Berbati ka lidhje relativisht të afërta me rezultate të fisit Thaç-Elshan, kurse familja nga Rahoveci me fisin Shalë.
Përveç këtyre rezultateve kemi edhe shumë familje të tjera të Hotit që në përgjithësi kanë linja të ndryshme nga njëra-tjetra, psh: J2b-L283>PH1751* afër Deçanit, E-V13>PH2180 në Drenicë, R1b-L51 në Llap, E-V22>L1250 në Kamenicë, T-L70>CTS8489 nga Prishtina, L-M22>FGC36845, etj. Deri tani, asnjë nga familjet hotjane në Kosovë nuk ka lidhje në vijë atërore me as Hotin në Malësinë e Madhe, as me Hotin e Plavës. Edhe në Mirditë e Dibër, familjet që pretendojnë prejardhje nga Hoti kanë rezultate të ndryshme nga fisi i Hotit në Malësi. Të vetmet përputhje gjenetike jashtë Malësisë janë nga Sanxhaku, ku ka edhe familje që rrjedhin nga Hoti i Malësisë së Madhe, edhe të tjera që e kanë prejardhjen nga Hoti i Plavës.
Gojëdhënat sipas rezultateve të ADN-së
Rezultatet tregojnë se gojëdhënat e trashëguara brez pas brezi, në rastin e fisit Hot, janë të sakta deri në një pikë të caktuar. Gojëdhëna tregon saktë se të gjitha vëllazëritë e Hotit në Malësi janë të një gjaku, me përjashtim të familjeve anase. Rezultatet e vërtetojnë këtë pjesë të gojëdhënës, pasi vetëm anasit kanë vijë atërore të ndryshme nga shumica e fisit. Edhe në Hot të Plavës, gojëdhëna për prejardhjen e përbashkët të familjeve të fshatit vërtetohet nga testet.
Përtej kësaj, pretendimet e tjera nga gojëdhënat, janë përgjithësisht të pavërteta. Lidhja e supozuar e Hotit me Trieshin, Krasniqen, Vasojeviçin, Piperin dhe Mërkojeviçin nuk qëndron, pasi secili prej këtyre fiseve ka një trung kryesor mashkullor të ndryshëm nga të tjerët. Asnjë nga vëllazëritë e Hotit në Malësi, përfshirë edhe anasit, edhe Hotin e Plavës, edhe Berbatin, nuk lidhet më së afërmi me fiset e përmendura në këtë gojëdhënë. Në fakt, edhe dokumentat historike hedhin poshtë të paktën përcaktimin kohor të gojëdhënës, e cila pretendon se Lazër Keqi, vëllai i Ban Keqit, jetoi para rreth 16 brezash (pra afërsisht shek. 16), por që në 1330 shfaqet toponimi “Kasollja e Ban Keqit”. Pra, Ban Keqi me siguri ka jetuar të paktën 200-300 vjet përpara të parit të fisit të Hotit, sipas numërimit të brezave.
Ftojmë shqiptarët e çdo treve të bëjnë nga një test të vijës mashkullore, që prejardhja e fisit të tyre por edhe e shqiptarëve në përgjithësi të njihet edhe më thellësisht.