Linja E-V13>Z5018>L241>BY5617>Y96696>PH2180, shkurt E-PH2180, është ndër nëndegët kryesore të haplogrupit E-V13 ndër shqiptarë, me rreth 4% të gjithë linjave atërore. Bartësit e E-PH2180 lidhen në vijë atërore me gjithë anëtarët e haplogrupit E-V13 në rreth 2800-4900 vjet, ndërsa me njëri-tjetrin kanë lidhje më të afërta, deri në rreth 1400-1600 vjeçare. Kjo linjë është sot shumë e përhapur në rreth Alpeve Shqiptare, në Drenicë e në Pukë, kurse më rrallë gjendet në pjesë të tjera të Kosovës, Maqedonisë, etj.
Prejardhja fillestare
Si gjithë degët e haplogrupit E-V13, mendohet se paraardhësit e linjës E-PH2180 mbërritën në Europë me popujt që përhapën bujqësinë nga Lindja e Mesme gjatë Neolitit, por u përhapën masivisht në Ballkan gjatë Epokave të Bronzit dhe të Hekurit. Pavarësisht se nuk është gjetur në eshtra të lashta deri tani, shpërndarja dhe diversiteti i degës E-V13>L241 sugjeron se përhapja fillestare mund të ketë nisur në fillim të Epokës së Hekurit në zonën e Ballkanit verior ose Europës qendrore. Gjetja e E-V13>L241 në Antikitetin e vonë në Çekinë e sotshme e mbështet këtë mundësi, ashtu si edhe një rezultat E-V13>L241>BY5617 nga Hungaria mesjetare, dhe shumë rezultate moderne nën E-V13>L241 nga Ukraina, Rumania, Sllovakia, Çekia, Polonia, Gjermania, etj. Duhet theksuar se deri tani, shumica dërrmuese e linjave shqiptare ndahet prej atyre të Europës qendrore në rreth 2500-3000 vjet, gjë që sugjeron përhapje me fillimet e Epokës së Hekurit. Së fundi u zbulua se një familje nga Algjeria që është vendosur aty gjatë periudhës osmane lidhet në rreth 1700-1800 vjet me E-PH2180. Me shumë gjasë kjo familje ka prejardhje ballkanike, ndoshta shqiptare.
E-PH2180 nga Mesjeta deri sot
Vetë E-PH2180 ka nisur të shpërndahet prej fundit të Antikitetit ose fillimit të Mesjetës, ashtu si shumë linja të tjera atërore shqiptare, duke shfaqur një efekt të fortë bottleneck (një rrallim i degëzimeve, gati deri në zhdukje) deri në periudhën që përkon me fundin e trazirave të shkaktuara nga zhvendosjet masive të popujve veriorë e lindorë drejt Perandorisë Romake. Prej shek 6-10 e.s, kohë që përkon me etnogjenezën e shqiptarëve, E-PH2180 ka kaluar një zgjerim të vrullshëm por gati ekskluzivisht pjesët më veriore të trojeve shqiptare, si dhe në disa zona të afërta. Dy zonat me përqendrimin dhe larminë më të lartë të E-PH2180 deri tani janë Malësia dhe Drenica. Duke parë mungesën e plotë në Shqipërinë qendrore dhe jugore, mund të hamendësojmë se përhapja e kësaj linjë ka nisur diku rreth Alpeve Shqiptare ose në Kosovë.
Një numër më i ulët rezultatesh E-PH2180 gjenden edhe në vendet fqinje, përqendruar kryesisht në treva me prani shqiptare, si në disa hapësira të Malit të Zi e Sanxhakut, dhe në Serbinë juglindore. Një pjesë prej këtyre me siguri duhet të kenë prejardhje shqiptare, por nuk përjashtohet që një pjesë të jetë asimiluar në zonën mesjetare të simbiozës shqiptaro-vllehe. Megjithatë, E-PH2180 mbetet pa dyshim një linjë atërore karakteristike veçanërisht për shqiptarët.
E-PH2180 ka shumë nëndegë, prej të cilave po shtjellojmë më hollësisht ato që kanë informacion më të bollshëm në bazë të rezultateve. Përveç këtyre nëndegëve, kemi edhe rezultate që për shkak të rezolucionit jo-maksimal nuk janë klasifikuar në ndonjë nëndegë të veçantë. Këto janë kryesisht nga Malësia e Madhe dhe nga Drenica.
E-PH2180>Y30588: Thaçi i Pukës, Berisha e Kuqe në Drenicë, etj.
Kjo degë rreth 1300 vjeçare përfshin rezultate nga fisi Thaç i Pukës, nga Berisha e Kuqe në Drenicë dhe nga një familje Berishë e Shtimes, dhe Nga knjë rezultat nga Argjentina, por me prejardhje nga ishujt e Dalmacisë. Thaçi është i vetmi fis nën Drin që gjendet nën E-PH2180. Sipas Rrok Zojzit, prejardhja e Thaçit lidhet me Alpet Shqiptare, tezë që përputhet me lidhjet gjenetike të gjetura deri tani. Ka edhe gojëdhëna të ndryshme që e lidhin prejardhjen e Thaçit me Malin e Zi apo zona të tjera veri-perëndimore. Gjithsesi bëhet fjalë për lëvizje shumë të hershme, përpara formimit të vëllazërive të sotshme të fisit. Të njëjtin rezultat e kemi gjetur edhe ndër familje të fisit të Thaç në Drenicë dhe në Kaçanik.
Në Drenicë, PH2180 gjendet në disa fshtra ku mbizotërojnë vëllazëri të Berishës së Kuqe (psh Prekaz, Obri, Galicë, Mikushnicë, etj.). Ndër këto, vëllazëria Jasharaj e Prekazit është e konfirmuar nën Y30588. Po ashtu, vëllazëria Delia (nga kjo vëllazëria ishin Ahmet e Mursel Delia) është nën PH2180, dhe me shumë gjasë gjithashtu nën Y30588. Në këtë rast mund të përmendim se pretendimin e autori serb Vukanoviç që Deliajt janë me prejardhje serbe, gjë që rezultati e hedh poshtë pa asnjë dyshim. Këto familje lidhen në rreth 500 vjet me një familje të fisit Berishë nga Shtimja. Lidhja gjenetike sugjeron se prania e këtyre vëllazërive në pjesën qendrore të Kosovës mund të jetë mjaft e vjetër, ndoshta nga mesjeta, megjithatë duhet të presim më shumë rezultate për siguri më të lartë.
E-PH2180>Y230317: Gashi i Bardhë, Shipshani, etj.
Nën këtë degë kemi tri degë nga një zonë e ngushtë në Malësi të Gjakovës. Njëra degë përfaqëson familje të Gashit të Bardhë, e dyta një ndër vëllazëritë e Shipshanit dhe e treta një vëllazëri nga Botusha. Më shumë informacion për vëllazëritë e Gashit mund të gjeni këtu. Deri tani, të gjitha familjet nga Gashi i Bardhë dhe nga Shipshani janë nën E-PH2180, mirëpo në Shipshan ka dy nëndegë me mbi 1000 vjet largësi. Familja nga Botusha, sipas traditës, nuk lidhen me pjesën tjetër të familjeve të fshatit pasi janë gjithashtu të ardhur para shumë brezash nga një zonë e afërt e Malësisë. Këto tri dege kanë një lidhje rreth 500 vjeçare. Duke qenë se të trija vijnë nga e njëjta trevë, mund të themi me siguri të lartë se para rreth 500 vjetësh, paraardhësit e Bardhajve të Gashit dhe të paktën një pjese të Shipshanit duhet kenë qenë në të njëjtat troje. Me konsolidimin dhe territorializimin e fiseve kryesore, disa linja pasardhëse arritën të zgjerohen më shumë se të tjerat.
Skema është bazuar në pemën BlockTree të FTDNA.com dhe në pemën YFull.com. Disa degë nuk janë paraqitur për thjeshtësi.
E-PH2180>PH1954: Mavriqi, Kiri
Fisi Mavriq gjendet sot i shpërndarë nëpër Kosovë, por dihet mirë nga gojëdhëna dhe dokumente historike se është larguar nga Malësia gjatë periudhës osmane. Fillimisht është larguar nga lugina e sotshme e Shalës drejt zonës së Currajve në Nikaj, më pas edhe prej aty u largua për në Kosovë. Rezultati i një familje të këtij fisi nga Llapi gjithashtu përforcon këtë skenar, duke ditur larminë e lartë të PH2180 në Malësi. Sipas ngjashmërisë në shënuesit gjenetikë STR, dy familje të fisit të Kirit duhet të jenë gjithashtu nën PH1954, që përsëri tregon që epiqendra e saj mund të ketë qenë në Pultin mesjetar. Po në këtë nëndegë gjenden edhe një serb dhe një rumun nga zona kufitare Serbi-Rumani. Rezultati rumun ndoshta mund të jetë tregues i një linje mesjetare vllahe që ka shtegtuar drejt veri-lindjes.
E-PH2180>FT176420: Bushatllinjtë, Çaushollët, Ponari.
Nën FT176420 kemi dy rezultate nga Shkodra, një nga Tropoja dhe një nga Tirana. Këtu është zbuluar një lidhje mjaft interesante mes dy familjeve më në zë ndër sundimtarët e Shkodrës gjatë periudhës osmane: Bushati dhe Çausholli. Lidhja mes tyre daton prej 600-900 vjetësh. Vlen të përmendet se Bushatllinjtë mendohet se ishin pasardhës të sundimtarit të parë osman të Shkodrës, Koxha Jusuf Beu, ndoshta pinjoll i konvertuar i ndonjë familje fisnike mesjetare të zonës. Edhe Çaushollët, edhe pse në konflikt me Bushatllinjtë, kanë pretenduar historikisht se vijnë nga sundimtari i parë osman në Shkodër. Shpesh, pretendime të tilla shërbejnë për të rritur legjitimitetin e familjeve sundimtare, mirëpo ky rast duket se mbështetet në një të vërtetë historike, pasi gjenetikisht të dyja familjet rrjedhin nga i njëjti trung me prejardhje qartësisht shqiptare. Kjo lidhje vërteton edhe vjetërsinë e këtyre familjeve në Shkodër, që duhet të datojë të paktën nga periudha e hershme osmane. Një linjë tjetër e kësaj nëndege i takon vëllazërisë Ponari, që sipas traditës janë ndër banorët më të vjetër në Tropojë. Lidhja e Ponarëve me dy familjet shkodrane është rreth 1300 vjeçare. Kurse familja nga Tirana vjen nga zona e Shëngjergjit, por duke qenë se nuk ka bërë testin me rezolucion maksimal, largësia e saj me tri linjat e tjera mbetet e papërcaktuar. Megjithatë, nisur nga rezultatet e kësaj nëndege dhe të gjithë PH2180, mund të thuhet me siguri se prejardhja e saj është nga trevat më veriore shqiptare.
Burime
Malaj, I.K. (2004). Tropoja në breza. Dardania: Tiranë
Meçi, Xh. (1996). Kanuni i Lekë Dukagjinit – Varianti i Pukës. Çabej: Tiranë
Dushi, A. (2014). Bushatllinjtë e Shkodrës. Marrë në mars, 2020, nga ShkodraDaily.com