Uncategorized

Fisi Krasniqi dhe fisi Nikaj

Artikulli i mëposhtëm mbi prejardhjen e fiseve Krasniqe dhe Nikaj ështuë botuar në nëntor 2021 në revistën Studime Historike të Institutit të Historisë (Akademia e Shqipërisë). Versionin online në faqen e revistës mund t’a gjeni këtu.

 

Nr. 3-4 Studime Historike 2021

Alban Lauka, Ardian Muhaj & Gjergj Bojaxhi

PREJARDHJA E FISEVE KRASNIQE E NIKAJ NËN DRITËN E TË DHËNAVE GJENETIKE, HISTORIKE DHE TRADITËS BURIMORE

 

Abstrakt:

Nevoja e ndërmarrjes së studimeve ndërdisiplinore në hulumtimin historik bëhet gjithnjë e më e theksuar me shtimin e të dhënave shkencore të disponueshme të cilat shpien në sinteza gjithnjë e më të sakta të dukurive historike. Në këtë punim, si rast studimi kemi zgjedhur fiset Krasniqe dhe Nikaj si dy ndër fiset më të mëdha shqiptare, prej të cilave kemi mbledhur 23 mostra për sekuencim gjenetik. Të dhënat gjenetike mbështesin një sërë të dhënash të tjera të karakterit historik, etnografik, antropologjik dhe njëkohësisht shërbejnë si pasurim i mëtejshëm i historisë së këtyre fiseve dhe si plotësim i mozaikut të të dhënave mbi popullatat apo fiset që përbëjnë etninë shqiptare. Rezultatet tregojnë se vëllazëritë kryesore të të dy fiseve kanë prejardhje të përbashkët në vijë atërore, dhe se vëllazëritë e Krasniqes lidhen më afër mes tyre se me ato të Nikajve. Gjithashtu, anëtarë të të dy fiseve trashëgojnë një haplogrup karakteristik për shqiptarët e Veriut, i cili lidhet edhe me disa rezultate të lashta nga rajoni. Të dhënat gjenetike duke u trajtuar dhe përdorur në cilësinë e
burimit historik, shërbejnë për historicizimin e të dhënave të mjegulluara nga koha dhe të parikthyeshme përmes metodave tradicionale historiografike.

Fjalë kyçe

Krasniqja, Nikajt, Gashi, fiset shqiptare, analiza gjenetike, historia, prejardhja, autoktonia, lashtësia.

Hyrje

Nevoja e ndërmarrjes së studimeve ndërdisiplinore në hulumtimin e së kaluarës bëhet gjithnjë e më e theksuar me shtimin e të dhënave shkencore të disponueshme. Qasja ndërdisiplinore, pra, nënkupton nivele të shumëfishta analize të cilat shpien në sinteza e përfundime gjithnjë e më të sakta dhe në kuptime gjithnjë e më të qarta dhe më të thella të dukurive historike.

Studimi dhe njohja e prejardhjes së popullatave apo fiseve që përbëjnë një popullsi, etni apo shoqëri të caktuar është gur themeli për njohjen e prejardhjes apo origjinës së popullsisë, etnisë apo shoqërisë si tërësi.

Në këtë punim, si rast studimi kemi zgjedhur fiset Krasniqe dhe Nikaj jo vetëm për faktin se janë ndër fiset më të mëdha shqiptare, por edhe sepse nga këto fise kemi të dhënat më të plota gjenetike. Nëpërmjet këtyre të dhënave, provojmë të zbardhim më tej historinë e tyre duke u dhënë përgjigje disa pyetjeve të diskutuara gjatë, si: a janë Krasniqja e Nikajt fise homogjene në vijë atërore, pra a janë formuar nga përhapja e një trungu gjenetik apo nga bashkimi apo aleanca e disa vëllazërive të ndryshme? A kanë lidhje gjaku mes tyre? Nëse po, sa të afërta janë? A kanë lidhje me fise të tjera përreth? Çfarë prejardhje të largët kanë anëtarët e këtyre dy fiseve?

Studimi i të dhënave gjenetike të mbledhura dhe analizuara në rastin e fisit të Krasniqes dhe Nikajt mbështet një sërë të dhënash të tjera të karakterit historik, etnografik, antropologjik dhe njëkohësisht shërben si mbështetje dhe pasurim i mëtejshëm i historisë së kësaj popullate. Kjo shërben si plotësim i mozaikut të të dhënave mbi popullatat apo fiset që përbëjnë një nga gurthemelet e etnisë shqiptare. Të dhënat gjenetike, duke u trajtuar dhe përdorur në cilësinë e burimit historik, shërbejnë për historicizimin e të dhënave të mjegulluara nga koha apo të humbura dhe të parikthyeshme përmes metodave tradicionale dhe të mirëfillta historiografike.

Metodologjia

Në këtë punim, materiali gjenetik i mbledhur në mënyrë empirike dhe përmes analizave të mirëfillta laboratorike do të përdoret në cilësinë e burimit historik. Një nga arsyet e përdorimit të të dhënave gjenetike si burim historik është edhe karakteri më i gjurmueshëm empirikisht i tyre dhe gjithashtu për faktin se “veçoritë antropologjike të një popullsie janë më konservatore dhe zhvillohen me ritëm më të ngadaltë sesa ato shoqërore[1]

Konkretisht, në rastin e të dhënave gjenetike duhet sqaruar se meqenëse kromozomi Y, në pjesën më të madhe të tij, kalon nga babai tek i biri pa kombinim me gjenomin e nënës, studimi i tij mundëson zbardhjen e lidhjeve gjenetike të vijës atërore. Kështu, edhe studimi i
prejardhjes, formimit dhe zhvillimit të “fiseve” shqiptare të ndërtuara mbi lidhje gjaku të vijës atërore, mund të realizohet me metoda dhe saktësi të ngjashme me ato të shkencave natyrore. Për këtë studim janë mbledhur 23 kampionë gjenetikë nga anëtarët e fiseve Krasniqe dhe Nikaj nga fshatrat e banuara prej tyre në Malësinë e Gjakovës (Tropojë), ku mendohet se këto fise u formuan dhe u zgjeruan fillimisht. 17 nga të testuarit u takojnë vëllazërive të ndryshme të fisit Krasniqe, kurse 6 janë nga fisi Nikaj.* Asnjë prej të testuarve nuk ka dijeni për lidhje gjaku më të afërt se 6 breza me të testuarit e tjerë. Kampionët janë sekuencuar, analizuar dhe klasifikuar nga kompani private ndërkombëtare (YSEQ, Dante Labs dhe YFull). Përveç 23 të testuarve rishtas, si bazë krahasimore do të shfrytëzohet edhe databaza e Projektit Shqiptar të ADN-së “Rrënjët”, ku janë mbledhur vullnetarisht 1301 rezultate nga hapësira e trojeve shqiptare.

Nga analizat e kampionëve janë nxjerrë të dhëna mbi shënues të caktuar SNP të kromozomit Y që mund të paraqesin mutacione të përbashkëta tek të testuarit, duke treguar trashëgimi të përbashkët në vijë mashkullore. Pesë prej këtyre mostrave janë analizuar përmes testeve WGS (ang: whole genome sequencing) që sekuencojnë gjenomin në tërësinë e tij, kurse pjesa tjetër janë sekuencuar vetëm në segmentet me pozicionet e kromozomit Y që paraqesin interes për këtë hulumtim. Tabela 4.1 përmbledh gjithë kampionin e mbledhur.
Të dhënat gjenetike, duke u vendosur në kontekstin historik mesjetar, e sidomos të shekujve të parë të periudhës osmane, si dhe duke u krahasuar me të dhënat burimore nga të dy fiset, do të shfrytëzohen për t’u dhënë përgjigje pyetjeve që ngritëm më lart.

Konteksti historik

Në periudhën e zanafillës së Krasniqes dhe Nikajve dhe zhvillimit të tyre progresiv si dy fise të veçanta, edhe pse me vetëdijen e ruajtur historike e të qenit të afërt, në rrafshin historik dhe demografik kemi të bëjmë me zgjerimin dhe shtrirjen e tyre hapësinore në vendbanime të reja me zhvillim të qëndrueshëm. Një dukuri e tillë është e ngjashme formalisht me atë të shekujve të fundit të Antikitetit dhe të filleve të Mesjetës, kur edhe ndodh procesi etnogjenetik si rezultat i të cilit lind etnia shqiptare. Ky proces etnogjenetik i shek. VII-IX, është pika lidhëse mes ilirëve të lashtësisë dhe shqiptarëve. Edhe pozicioni i autorëve më autoritativë shqiptarë mbi vazhdimësinë nga Antikiteti në Mesjetë shprehet në një mënyrë të ngjashme. Që në periudhën e kalimit mes dy epokave, pra Antikitetit të Vonë dhe Mesjetës së Hershme, shumë prej qyteteve të vjetra pavarësisht transformimeve ekonomike e politike shërbyen si qendra kryesore të transmetimit të kulturës materiale e shpirtërore të Antikitetit ilir në Mesjetën shqiptare. Natyrisht këta autorë nuk harrojnë të theksojnë se popullsia e këtyre qyteteve ishte autoktone dhe trashëgimtare e drejtpërdrejtë e etnosit ilir. Këta autorë në fakt nuk përdorin termin transferim (translacion), por një term të ndryshëm që nënkupton të njëjtin proces, pra termin apo fenomenin e quajtur prej tyre si “métastaze”: që shpjegohet si zhvendosja e qyteteve të Antikitetit të Vonë dhe themelimi i qyteteve të reja në shek. VII-VIII.[2]

Nga ana tjetër, në shekujt në shqyrtim, vendosja e sundimit osman solli edhe ndryshime në aspektin ekonomik e shoqëror, gjë që është plotësisht e natyrshme. Në këtë rast nuk kemi zhvendosje popullsish autoktone dhe mbivendosje popullsish të tjera. Pra, nuk ripërsëriten proceset historike të antikitetit të vonë ku popullsitë e dyndura në Iliri nuk sjellin një shfrytëzim të ri e më efikas të territorit, por mbivendosen në të njëjtat zona që tashmë ishin humanizuar më përpara nga vendasit. Në fundin e Antikitetit, nuk kemi një humanizim të ri të territorit, apo të territoreve të reja, por në përgjithësi ndodh një dehumanizim i territorit, pasi një numër i madh i vendbanimeve të vjetra shkretohen dhe ndodh një regres human në zënien e territorit.**

Me përfundimin e marrëveshjes së paqes mes Perandorisë Osmane dhe Venedikut (1479), ku Venediku ia njohu territoret e Shkodrës Perandorisë, kjo e fundit bëri organizimin administrativ të territoreve të reja. Po atë vit u krijua sanxhaku i Shkodrës me qendër në qytetin e Shkodrës.[3] Në vitin 1485, vit në të cilin hartohet edhe Defteri i regjistrimit të pasurive, sanxhaku i Shkodrës ndahej në katër kaza, që ishin njësi më të vogla administrative: kazaja e Shkodrës, e Podgoricës, e Pejës dhe e Bihorit.[4] Organizimi i ri administrativ përkoi edhe me një gjallërim ekonomik të dukshëm, nëpërmjet atij procesi të cilin A. Ducellier e quan “rigjetja e funksionit të tranzitit të tokave shqiptare në tregtinë mes Adriatikut dhe brendësisë së Ballkanit”.[5] Ky autor shton se ky proces është dëshmi e një rikthimi në atë traditë që përbënte çelësin e suksesit ekonomik të Ilirisë së lashtë, pasi në shek. XV një pjesë e mirë e trafikut të brendësisë së Ballkanit kishte si pikënisje e pikëmbërritje bregdetin shqiptar, gjë e cila padyshim i detyrohej unifikimit të tokave shqiptare nën sundimin perandorak.[6] Nëse disa bërthamave urbanizimi u ra rëndësia, kjo u kompensua nga ana tjetër nga lindja e zhvillimi i qendrave të reja dhe nga rigjallërimi i atyre të vjetra. Kështu Gjakova deri në fundin e shek. XVI ishte thjesht një fshat me 46 shtëpi.[7]

Pasqyra më e qartë e rritjes ekonomike është shtimi i nivelit të urbanizimit. Selami Pulaha e konsideron me rëndësi për sqarimin e jetës ekonomike e shoqërore procesin të cilin e quan “gjallërimi i jetës urbane në shek. XVI, i lidhur ngushtë me zhvillimin e ekonomisë fshatare”. Ky gjallërim i jetës urbane në disa zona, veçanërisht në Kosovë dhe Çamëri kishte nisur që në fundin e shek. XV. Kështu, në vitin 1477, Prishtina ishte një qytet me 401 shtëpi, ndërsa Novobërda në vitin 1498 kishte tashmë 887 shtëpi.[8] Rimëkëmbja e qytetit shqiptar në shek. XVI siç e quan S. Pulaha, u shoqërua me shtimin e numrit të popullsisë jo vetëm si pasojë e rritjes demografike, por edhe për shkak të migrimit të brendshëm nga fshati në qytet.[9]

Pra, qyteti shqiptar në shek. XVI hyn në një fazë të përshpejtuar zhvillimi në krahasim me Mesjetën. Rënia e disa qyteteve me karakter fortifikues, u kompensua nga lindja e qyteteve të reja me funksion tregtar ndërkrahinor, si edhe nga zhvillimi i vrullshëm i atyre të mëparshmeve. Organizimi hapësinor dhe vendosja e tyre tashmë kishte një logjikë të qartë tregtare dhe ndërlidhëse, ashtu si edhe balancuese mes qytetit si treg krahinor e ndërkrahinor dhe hinterlandit agrar që këto qytete u shërbenin si tregje.

Qyteti i Shkodrës, nga fundi i shek. XVI po fitonte përsëri rëndësinë e vet si qendra kryesore ekonomike për krahinat përreth. Gjatë shek. XVII, qyteti vazhdon procesin e zhvillimit, duke qenë një nga më të rëndësishmit e Shqipërisë Veriore me rreth dy mijë banesa. Gjatë gjysmës së dytë të shek. XVIII, Shkodra kthehet në treg ndërkrahinor për një sërë krahinash. Rritja e qytetit, veçanërisht gjatë gjysmës së dytë të shek. XVIII shtronte nevojën e krijimit të zonave të reja të banuara.[10] Në zonën e Ballkanit situata e re krijoi një gjendje ndërvarësie mes hapësirave dikur të izoluara.[11] Në shek. XV, trojet shqiptare ishin të parcelizuara e të palidhura në mënyrë organike ndërmjet tyre përmes tregjeve që të bënin të mundur lëvizjen e njerëzve, ideve dhe shkëmbimin e mallrave ndërmjet zonave e krahinave të ndryshme. Ekzistonte një moskomunikim dhe izolim i thellë i krahinave të ndryshme nga njëra-tjetra. Nga Shkodra deri në Pejë, në distancë rreth 200 kilometra, nuk ekzistonte asnjë qendër urbane që të shërbente si pikë lidhëse tregtare e njerëzore për komunitetet
e Alpeve shqiptare. Kjo duket se ishte edhe arsyeja që i dha shkas themelimit dhe suksesit ekonomik të Gjakovës, në rrëzë të Alpeve shqiptare në pikëtakimin e tyre me Rrafshin e Dukagjinit. Në defterin osman të vitit 1485, Gjakova përmendet si fshat me 67 shtëpi. Në shek. XVI-XVII u zhvillua vrullshëm si qytet në rrugën tregtare ndërmjet Shkodrës e Rrafshit të Dukagjinit, me pazarin në afërsi të xhamisë së Hadimit. Evliya Çelebi e përmend si qytet të lulëzuar dhe të bukur në vitin 1662 me dy mijë shtëpi.[12]

Ngjashëm me rastin e Gjakovës e të Elbasanit dhe në përputhje me logjikën ekonomike, u rithemelua Tetova, në rrëzë të Malësisë së Sharrit, në pikëtakimin e saj me fushën e begatë të Pollogut dhe pellgun e Vardarit. Në bazë të defterit të vitit 1455, Tetova përmendet si fshat me pak familje shqiptare në bazë të emrave. Gjatë shek. XVI-XVII, Tetova u shndërrua në një qytet të zhvilluar me shpejtësi si qendër e rëndësishme tregtare. Mëkëmbja e ekonomisë fshatare dhe qytetare gjatë shek. XVI sipas S. Pulahës, solli krahas zgjerimit të tregut të brendshëm edhe zhvillimin e tregtisë së jashtme.[13]

Në shek. XVI-XVII, kohë e cila përkon jo vetëm me periudhën e artë të Perandorisë Osmane, por edhe me atë të Habsburge dhe në përgjithësi me periudhën e artë të Mesdheut, shqiptarët janë të kudondodhur në Mesdhe dhe në Evropë dhe padyshim edhe në trojet e veta janë më aktivë dhe të pranishëm.[14]

Nuk mungojnë burimet historike që mund të përdoren për hulumtimin e prejardhjes së popullatave apo fiseve të ndryshme të trojeve të banuara historikisht me shumicë nga shqiptarët. Megjithatë përdorimi shkencor i tyre mbetet i kufizuar nëse nuk mbështetet në të dhëna të tjera, të shkencave si gjenetika, gjeografia, arkeologjia, gjuhësia etj. Duhet theksuar se fjala fis në gjuhën shqipe nuk ka pasur asnjëherë kuptimin e fjalës tribu në gjuhët europiane. Rrjedhimisht nuk do të përdoret me atë kuptim as në këtë punim.[15]

Megjithatë duhet theksuar se të dhënat historike në rastin e hulumtimeve të tilla janë të vonuara në kohë. Ato asnjëherë nuk e paraprijnë dukurinë gjenetike, ndërkohë që periudha ndërmjet lindjes së dukurisë gjenetike dhe dokumentimit historik është e ndryshme. Keqkuptimi më i madh që ndodh në punimet historiografike është kur identifikohet dokumentimi i dukurisë së hulumtuar me zanafillën e saj.

Në kuadër të të dhënave historike të cilat gjithnjë janë më të vonshme sesa dukuria gjenetike, në vitin 1485 përmenden Shoshani, Dragobia dhe Nikaj. Nisur nga përmendja e tyre edhe më e hershme se e vetë Krasniqes, si dhe nga vazhdimësia e këtyre emërtimeve deri në ditët e sotme, Pulaha hipotezon edhe vazhdimësi të popullsisë së këtyre fshatrave, që mund të jetë bashkuar më vonë me Krasniqen16. Në vitin 1582 del fshati Kuqa në Nikaj.[17] Në relacionin e Benedikt Orsinit të vitit 1628 tashmë përmendet mes të tjerash edhe Crastignichieia (pra, Krasniqja) si fshatra tashmë të formuara në këtë zonë.[18] Krahas Krasniqes që del për herë të parë, në këtë vit përmendet sërish fshati Nikaj. Përmendja e Krasniqes (Crastenigeia) pak vite më vonë, më 1634 nga Gjergj Bardhi dhe po ashtu më 1638 nga Frang Bardhi është dëshmi e fortë se Krasniqja ishte tashmë bashkësi e konsoliduar.[19] Në vijim, në vitin 1671 nga Gaspari përmenden si Nicagni (Nikaj) ashtu edhe Krasniqja.[20] Ngjashëm edhe në hartën e Koronelit të vitit 1688, del si lumi Grastenicchia ashtu edhe Nicaj. Në këtë rast krahas Nikajt përmendet edhe Mërturi.[21] Në fundin e shek. XVII, në 1695-1696, përmenden edhe Kol gezzai dhe Kolmekshaj, shenja që Krasniqja tashmë kishte nisur të zgjerohej e të territorializohej pak a shumë në trevat ku e njohim sot.

Krasniqja dhe Nikajt në materialin burimor

Natyra fluide e gojëdhënave të trashëguara ndër breza në raport me dokumentet historike kërkon që shfrytëzimi i tyre në funksion të hulumtimit të së kaluarës, dhe në rastin konkret të hulumtimeve historike dhe gjenetike, të kalojë përmes filtrash të rreptë shkencorë. Pavarësisht kësaj, gojëdhënat paraqesin një burim të vyer materiali që mund të shërbejë për të plotësuar, dhe sipas rastit edhe për të orientuar kërkimin e provave të tjera, më të ngurta shkencore. Edhe këtu, pas një pasqyrimi përmbledhës, materiali burimor do të ballafaqohet me të dhëna historike e gjenetike.

Gojëdhënat e trashëguara në breza mbi prejardhjen e Krasniqes dhe Nikajve vijnë në disa trajta të ndryshme, por me një bosht të përbashkët të ndërtuar mbi idenë se të dy fiset janë të një gjaku. Franz Nopcsa tregon se Nikajt thonë se i pari i tyre ka qenë një bari krasniqas, dhe se kanë lidhje gjaku, përveçse me Krasniqen, edhe me Hotin.[22] Duhet thënë se në Hot ka qenë e njohur gojëdhëna e prejardhjes së Hotit dhe Krasniqes nga dy prej katër apo pesë vëllezërve*. Sipas versionit që Durham mblodhi më 1908 nga Marash Uci i Hotit, Hoti është i një gjaku me Krasniqen, e duke llogaritur se Nikajt si degë e Krasniqes, nuk mund të martoheshin me asnjërën palë, për shkak të traditës ekzogamike të tyre.[23] Për fisin Nikaj, Durham thotë se 20 shtëpi janë me prejardhje nga Kelmendi, kurse pjesa tjetër janë degë e fisit Krasniqe.[24] Në gojëdhënat e mbledhura në Nikaj nga Rrok Zojzi në vitet 1950, theksohet gjithmonë lidhja e fisit Nikaj me Krasniqen, më konkretisht me vëllazërinë Kolmeksh të saj.[25] Kurse në versionin e I. Malaj i pari i Nikajve del vëlla me Gecin, të parin e Kolgecit, dhe Mekshin, i pari i Kolmekshit dhe Hysenmekshit, edhe pse theksohet se në Nikaj njihet edhe version i lidhjes më të afërt mes Nikajve e Kolmekshit.[26] Edhe sipas Prognit dhe Pecnikajt, Nikajt vijnë nga Nikë Mekshi, vëllai i Kolë Mekshit.[27]

Malaj jep edhe hollësi mbi fshatra e vëllazëri të veçanta të Krasniqes. Rreth vëllazërive të fshatit Margegaj, për shembull, dhe për një pjesë të fshatit Markaj, thuhet se janë të ardhur po nga Shkreli.[28] Po kështu, thuhet se në territor të Krasniqes e të Nikajve, por pa lidhje gjaku me të dy fiset, janë vëllazëri si Ponari, Dushaj, Berbati, Kapiti, Ndrevata, Vatoci, Pepnikaj etj. Prejardhja e ndryshme e Berbatit tregohet edhe në një material të mbledhur nga Rrok Zojzi në Bujan, por për disa prej këtyre vëllazërive ka edhe pikëpamje të tjera. Bashkurti paraqet Pepë Nikën si një ndër djemtë e Gegë Hysenit, pra pjesë e vijës atërore të Hysenmekshit të Krasniqes.[29] Po ashtu, në një intervistë mbledhur më 2018, Osman Vocrri nga Margegaj numëronte brezat paraardhës të tij dhe jepte Mark Gegën, të parin e fshatit, si djalë të Kolë Mekshit,[30] duke hedhur poshtë idenë e prejardhjes nga Shkreli.

Rreth vendndodhjes së paraardhësve të Krasniqes e Nikajve para formimit të tyre si fise, gojëdhënat kanë dallime edhe më të mëdha. Sipas tregimit të Marash Ucit, bashkë me Hotin dhe disa fise të tjera, Krasniqja e Nikajt duhet të kenë prejardhje nga Bosnja. Vlen të theksohet se evidentimi i toponimit Hot në afërsi të Plavës që prej vitit 1330 lë hapur mundësinë që me termin “Bosnjë”, të jenë nënkuptuar trevat lindore të territorit të sotëm të Malit të Zi. Ngjashëm, në Tropojë ruhet gojëdhëna e prejardhjes nga Hoti, por ka mbijetuar edhe një tjetër që thotë se të parët e Krasniqes kanë ardhur nga Drenica.[28] Ekziston edhe një gojëdhënë për prejardhje nga Reci. Për këtë ka shkruar Rrok Zojzi kur ka folur për Recin. Pas mbërritjes në Tropojë, thuhet se Krasniqja ishte vendosur fillimisht në brigjet veriore të Drinit, gjë që përforcohet nga prania në atë zonë e disa toponimeve që, siç shpjegon Malaj [28], lidhen me emrat e të parëve të disa vëllazërive (Bregdoç, Bregvukaj, Bregec etj.) si dhe përkon me të dhënat historike të përmendura më lart. Bashkërisht, traditat e ndryshme paraqesin disa veçori, mirëpo bashkohen në prejardhjen e përbashkët të fiseve Krasniqe e Nikaj.

Rezultatet gjenetike

Rezultatet e pesë analizave të plota WGS treguan se të pestë i takojnë haplogrupit J2b2a(J-M241) dhe degëzimit të tij J2b2a1 (JL283).[31] Më konkretisht, pas analizës së tyre nga YFull, u përcaktua se të pestë kanë trashëguar mutacionin G > A në Y126399. Më tej, katër individët që i takojnë fisit Krasniqe kanë trashëguar edhe mutacionet C > A në FT174196 dhe T > C në Y162882, kurse individi i pestë, që i takon fisit Nikaj, nuk ka trashëguar këto dy vlera. Këto pesë rezultate, përveç verifikimit të prejardhjes së përbashkët të të pesë personave të testuar, zbuluan edhe strukturën e brendshme të prejardhjes mes tyre, duke treguar se katër anëtarët e fisit Krasniqe kishin një paraardhës të përbashkët edhe më të vonë se paraardhësin e përbashkët që i lidh me anëtarin nga Nikajt.

Për të parë nëse prejardhja e përbashkët si dhe degëzimi në dy vija atërore sipas dy fiseve do të verifikohej edhe në të gjitha fshatrat e vëllazëritë e tjera, pjesa tjetër e mostrave u sekuencuan në mutacionet kyçe për këtë grup: të gjitha u sekuencuan në segmentin që përfshin FT174196, më pas ato që nuk kishin mutacion në FT17496, u sekuencuan edhe në segmentin që përfshin Y126399. Tabela 5.1 përmbledh të gjitha rezultatet.

Rezultatet tregojnë se të gjithë të testuarit kanë trashëguar një mutacion të përbashkët në Y126399, kurse të gjithë ata që vijnë nga fisi Krasniqe kanë trashëguar edhe mutacionin në FT174196, i cili mungon tek anëtarët e fisit Nikaj.

Diskutim

Rezultatet gjenetike lejojnë nxjerrjen e disa përfundimeve me rëndësi për prejardhjen e fiseve Krasniqe e Nikaj, kontekstin historik të formimit dhe zhvillimit të tyre si dy fise të afërta, por të veçanta.

Prejardhja dhe formimi i fiseve

Prejardhja e përbashkët e Krasniqes dhe Nikajve, siç përmendet në gojëdhënat e mbledhura nga Nopcsa, Durhami, Zojzi, Malaj etj., vërtetohet përtej çdo dyshimi nga rezultatet e mësipërme. Anëtarët e të dy fiseve kanë një paraardhës të përbashkët në vijë mashkullore, kurse anëtarët e Krasniqes kanë edhe një paraardhës më të vonë që duhet të jetë i pari i fisit të tyre. Edhe Nikajt me gjasë kanë një paraardhës të përbashkët specifik për këtë fis, pra më të vonë se paraardhësi që i bashkon me Krasniqen, por kjo duhet verifikuar në mënyrë përfundimtare përmes edhe një testi tjetër me rezolucion maksimal nga Nikajt. Sidoqoftë, të dy fiset shfaqen homogjene në vijën gjenetike atërore.

Duhet theksuar se mund të ketë ndonjë vëllazëri ose familje të veçantë nga këto fise që nuk kanë prejardhje të njëjtë me pjesën tjetër. Në fakt, në databazën e Projektit “Rrënjët”, janë disa rezultate nga vëllazëri të tilla që nuk lidhen me trungun kryesor të fisit, mirëpo bëhet fjalë për familje që janë të vetëdijshme për prejardhjen e tyre të veçantë nga linja kryesore e fisit, e që edhe janë martuar me vëllazëritë e tjera, si Kapiti, Berbati, Ponari e Dushajt. Nga ana tjetër, homogjeniteti i rezultateve nga fshatra e vëllazëri të ndryshme që mbahen me prejardhje Krasniqe ose Nikaj, na shtyn drejt përfundimit se thelbi i gojëdhënës mbi prejardhjen e përbashkët, si brenda dy fiseve, si mes tyre, është i saktë. Madje edhe disa prej vëllazërive për të cilat ndonjë gojëdhënë pretendon se nuk kanë lidhje gjaku me Krasniqen ose Nikajt në vijë atërore, si p.sh. Pepnikajt, Markajt, Vatoci, Margegajt e Ndrevata, rezultojnë po ashtu me prejardhje të përbashkët me pjesën tjetër të fisit përkatës.

Secila prej gojëdhënave që kemi përmendur më lart ka të vërtetat dhe pasaktësitë e veta. Rreth lidhjes mes fiseve Krasniqe e Nikaj, versioni i mbledhur nga I. Malaj (2003) qëndron disi më afër të vërtetës, duke qenë se nuk paraqet lidhje të ngushtë mes Nikajve dhe Kolmekshajve. Por edhe ky version nuk ka ruajtur plotësisht të saktë lidhjen më të afërt mes të gjitha degëve të Krasniqes me njëra-tjetrën, se sa me Nikajt. Me shumë gjasa, bërthama e saktë e traditës së prejardhjes së përbashkët, duke u përcjellë brez pas brezi në kujtesën kolektive të të dy fiseve, është pasuruar e shkrirë vazhdimisht edhe me elemente të reja, kushtëzuar nga rrethanat politike e ekonomike, derisa ka ardhur te ne në formën që njohim sot. Kjo dëshmohet jo vetëm nga versionet e ndryshme të gojëdhënës, por edhe nga përputhja në masë të madhe, por jo të plotë, mes tyre dhe rezultateve gjenetike. Të dhënat gjenetike dhe ato të gojëdhënave përputhen në prejardhjen e përbashkët mes Nikajve dhe Krasniqes, nga njëra anë, dhe të prejardhjes së ndryshme mes dy fiseve fqinje Nikaj dhe Mërtur. Për këtë arsye lidhjet martesore në Nikaj përqendrohen midis Nikajve (57% meshkuj; 36,6% femra) dhe Mërturit (24% dhe 43,7 % përkatësisht).[33]

Momenti historik i zhvillimit të Krasniqes dhe Nikajve

Sipas S. Pulahës, Krasniqja dhe Nikajt u formuan dhe filluan të territorializohen rreth shek. XVI, duke u përforcuar përfundimisht në shekullin pasardhës, hipotezë që e mbështet nga shfaqja në këtë periudhë në regjistrat osmanë e fshatrave që do të mbizotëroheshin nga këto fise deri në ditët tona.[34] Sipas YFull, mutacioni në FT174196 që karakterizon Krasniqen ka ndodhur para rreth 500 vjetësh,[35] prandaj paraardhësi i përbashkët i gjithë fisit mund të ketë jetuar gjatë shek. XVI, datë që përputhet me përfundimet e hulumtimit të Pulahës.

Në këtë rast mund të shquajmë një përputhje e cila ia vlen të hulumtohet më tej, ndërmjet të dhënave historike, demografike, ekonomike, etnografike dhe atyre gjenetike e antropometrike.[36] Një nga të dhënat që mbështet këtë humanizim të shtuar të territoreve të brendshme e të larta malore është edhe shtrirja e krahinave etnografike të Mesjetës së Vonë në territore fqinje ose të tjera. Si shembull ilustrues, kemi shtrirjen e konceptit të Dukagjinit si krahinë që gjatë Mesjetës dëshmohet jo vetëm në jug të Drinit, por edhe në veri të tij.[37]

Të gjitha të dhënat demografike të disponueshme përmes regjistrimeve periodike të popullsisë nga autoritetet shtetërore osmane, ashtu edhe relacionet dhe informatat e mbërritura nga autoritet fetare katolike dëshmojnë një rritje të qëndrueshme të popullsisë dhe vendbanimeve në shek. XVI-XVII.[38] Në këtë aspekt, degëzimi i fisit është dëshmi e krijimit të vendbanimeve të reja, të shkëputura nga vatra kryesore dhe e ndërthurur edhe me të dhënat e tjera tregon rritjen demografike që qëndron në themel të shtrirjes gjeografike dhe territorializmit të fiseve të reja. Ndarja gjenetike e Krasniqes që shpie te fillimi i shek. XVI dhe shtrirja e qëndrueshme e kësaj linje gjenetike në shekujt pasardhës mund të lidhet me atë dukuri të “eksplozionit demografik” që dëshmohet edhe në zonat e fiseve fqinje.[39]

Në anën tjetër, hipoteza e Pulahës mbi vazhdimësinë e popullsisë në Shoshan nuk gjen mbështetje në rezultatet gjenetike. Të dy vëllazëritë e testuara të fshatit, si Biberaj edhe Çuti, janë pjesë e trungut kryesor gjenealogjik të Krasniqes, pra nuk janë bashkuar me fisin pa pasur lidhje gjaku. Një përgjigje përfundimisht negative nuk mund të jepet ende, pasi nuk mund të përjashtohet mundësia që ndonjë vëllazëri tjetër në Shoshan ose në Dragobi të ketë prejardhje të ndryshme. Ndërsa vazhdimësia në trevat e sotme mbetet e qartë, përhapja e një trungu familjar në fshatra të dokumentuar e të banuara edhe më herët, dëshmon raste të lëvizjes apo mbivendosjes së popullsisë brenda së njëjtës trevë.

Fiset Krasniqe e Nikaj në sfondin gjenetik shqiptar dhe ballkanik

Siç u theksua më sipër, anëtarët e të dy fiseve u takojnë vijës atërore J2b2a (J-M241) dhe degëzimit të saj J2b2a1 (J-L283), e cila i vendos brenda spektrit të larmisë së sotme gjenetike shqiptare. Kjo vijë atërore gjendet në përqindje relativisht të lartë te shqiptarët. Nëpër studime të ndryshme, frekuenca e saj ndër shqiptarë është rreth 14-18% [40], me përqendrim më të lartë në veri.[41] Një pamje më e hollësishme rreth shpërndarjes së J2b2a1 te shqiptarët përftohet nga databaza e Projektit “Rrënjët”, ku kjo linjë përfaqëson rreth 15-16% të mbi 1301 rezultateve shqiptare, dhe vërehet në përqindjet më të larta (mbi 30%) në Tropojë, në Malësi të Madhe, në Gollak, Junik, Mirditë e Dibër.[42] Në popujt e tjerë përreth, J2b2a gjendet ndjeshëm më rrallë. Në studime të ndryshme gjenetike mbi rumunët[43], serbët[44], grekët[45], kroatët[46], boshnjakët[47] e bullgarët[48] përqindja e haplogrupit J2b nuk i kalon 5%. Edhe në Itali, frekuenca lëviz nga zero deri në 8,3% sipas rajonit.[49]

Në planin filogjenetik, jashtë dy fiseve në shqyrtim, lidhja më e afërt e gjetur deri sot, llogaritur nga YFull si rreth 800-vjeçare, është me një person po nga Tropoja, e fisit Gashi e nga fshati Luzhë. Fqinjësia e sotshme gjeografike mes Krasniqes, Nikajve dhe Gashit ka vijuar me pak ndryshime të paktën prej fillimit të shek. XVII, kur Gjergj Bardhi i përshkroi si Krasniqen edhe Gashin pranë bregut verior të Drinit.[50] Afria tashmë e zbuluar gjenetike sugjeron se përhapja fillestare e trungut mashkullor prej të cilit rrjedhin të tria fiset, mund të ketë nisur në trojet ku gjenden sot, ose diku pranë, gjatë Mesjetës së Vonë. Nga ana tjetër, nga krahasimi i të dhënave me rezultatet e tjera shqiptare në databazën e Projektit “Rrënjët”, nuk gjendet përputhje gjenetike në vijë atërore me Hotin apo fiset e tjera në Malësi të Madhe, të përmendura në gojëdhënat e mbledhura nga Hahn, Nopcsa etj. Lidhja gjenetike e zbuluar me rezultatin nga fisi i Gashit në mungesë të gojëdhënave për prejardhje të përbashkët, dhe mungesa e lidhjeve gjenetike me anëtarë të Hotit dhe fiseve të tjera të lakuara në gojëdhëna, tregon se kujtesa dhe identitetet e përbashkëta nuk u ndërtuan ekskluzivisht mbi lidhje gjaku, por u ndikuan vazhdimisht edhe nga faktorë të tjerë shoqërorë, ekonomikë apo politikë.

Lidhjet e tjera të fiseve Nikaj e Krasniqe përmes vijës atërore, të përqendruara më fort në trevat veriore të hapësirës së sotme shqipfolëse, janë të shumta, dhe sipas YFull datojnë kryesisht nga Mesjeta e Hershme. Nga ana tjetër, lidhjet edhe më të largëta janë më të rralla, por paraqesin një vazhdimësi degëzimesh të linjës atërore që përfshin këto fise, nga Epoka e Bronzit deri në zgjerimin mesjetar. Edhe këto lidhje vijnë kryesisht nga hapësira historikisht të banuara nga shqiptarët.

Përveç shpërndarjes së sotshme të degëzimeve më të afërta, prejardhja më e hershme e J2b2a dhe degëzimit J2b2a1 mund të shqyrtohen lehtësisht përmes rezultateve gjenetike të eshtrave të lashta. Paçka se ende nuk kemi rezultate të tilla nga hapësira ku banojnë sot shqiptarët, vlen të përmendet se lidhja parahistorike e J2b2a1 me Mesdheun Verior është tashmë e dokumentuar përmes gjetjeve të shumta të saj në eshtra nga Epoka e Bronzit në Dalmaci.[51] Rezultate të tjera vijnë nga Epoka e Bronzit në Vojvodinë[52] e Sardenjë[53], nga Epoka e Hekurit në Slloveni e Kroaci[54], nga Epoka e Hekurit dhe Antikiteti në Pulja[55] (mes fiseve japige) dhe në Romë[56], si dhe nga skaji verilindor i Dardanisë romake.[57]

Lidhjet e afërta e të largëta me rezultate gjenetike bashkëkohore e të lashta sugjerojnë se prej Epokës së Bronzit, paraardhësit atërorë të fiseve Krasniqe e Nikaj kanë qenë pjesë e popullsive paleoballkanike që u përfshinë gjatë Mesjetës së Hershme në procesin e etnogjenezës shqiptare, dhe prej atëherë u përhapën në gjithë hapësirën shqipfolëse.

Përfundime

Të dhënat gjenetike, të përdorura në këtë artikull si burim historik, qartësojnë dhe mbështesin vazhdimësinë e linjave mashkullore të zonës dhe popullatës së marrë në shqyrtim që nga periudha e Bronzit deri në ditët e sotme. Kjo vazhdimësi gjenetike është e bashkëshoqëruar me një qëndrueshmëri gjeografike të theksuar, duke qenë se dokumentimi gjenetik i paraardhësve të popullatës së Krasniqes dhe Nikajve është i lidhur me një hapësirë pak të ndryshueshme gjeografike, të lidhur ngushtë me trevat veriore të hapësirës shqiptare. Presim që publikimi në të ardhmen i analizave gjenetike të skeleteve të lashta nga trevat shqiptare të mundësojë përcaktimin me saktësi edhe më të madhe të vendndodhjes së paraardhësve të këtyre fiseve.

Afria mes të dy fiseve që është përmendur gjatë në traditën e trashëguar të tyre, tashmë është e vërtetuar edhe gjenetikisht. Të dy fiset shfaqin homogjenitet të lartë në vijë atërore, në përputhje me traditat ekzogamike të martesave ndërfisnore. Të dhënat gjenetike janë, në përputhje me dokumentimin historik, flasin për një përhapje të shpejtë të trungjeve kryesore gjenealogjike të Krasniqes dhe Nikajve, sidomos gjatë shek. XVI-XVII.

Summary

THE ORIGIN OF NORTH ALBANIAN TRIBES OF KRASNIQE AND NIKAJ BASED ON Y-DNA PHYLOGENY, HISTORICAL DATA AND ORAL TRADITION

The broadening range of data available to scientific inquiry requires ever more interdisciplinary approaches for research in the historical sciences. In this paper, we have elected to concentrate on the Krasniqe and Nikaj clans of Northern Albania as two of the largest Albanian clans, from which we collected 23 samples for genetic sequencing. Y-DNA data from these clans’ members’ support the findings of several other lines of research from the fields of History, Ethnography and Anthropology, at the same time enriching the history of these clans in the context of the plethora of clans, brotherhoods and other groups that make up the Albanians as an ethnic group. We find that, in agreement with local legends of common ancestry, patrilineally, members of all the main brotherhoods of Krasniqe and Nikaj descend from one common male ancestor, while members of all the largest Krasniqe brotherhoods also share a more recent common ancestor which the Nikaj members do not descend from. These findings support the establishment and generational expansion of kinship-based groups as a key mechanism in the foundational stage of northern Albanian clans which endured into the 20th century. In the case of Krasniqe and Nikaj, a core cluster of closely related lineages subsequently diffused into several brotherhoods, and eventually even into two distinct clans which retained tales of kinship. On the other hand, social, economic and political factors must have played an important role in formation and evolution of collective memories and identities, as neither Krasniqe nor Nikaj claim kinship with the Gashi clan, despite sharing more a more distant common ancestor with at least some of its brotherhoods. Y-DNA haplogroup and subclade assignments for both Nikaj and Krasniqe members place their paternal ancestry in highly concentrated affinity to other Albanians, especially from the northern areas, and in more distant relation to several previously published ancient DNA results from the wider region. Utilized alongside historical facts, genetic data such as the results presented here, facilitate the historicization of poorly documented truths which would be difficult to verify through traditional historiographical methodology.

 

Burime

[1] Aleksandër Dhima, Antropologjia etnike e shqiptarëve, Tiranë: UET Press, 2017, f. 10-11.

[2]Skënder Anamali, “L’état actuel des recherches sur l’origine des villes du Moyen Âge en Albanie”, në Actes du XIe congrès international d’archéologie chrétienne, Lyon, Vienne, Grenoble, Genève, Aoste, 21-28 septembre 1986, Rome: École Française de Rome, 1989, f. 2617-2635.

** Dëshmia më e sigurt dhe e qartë e dehumanizimit të territorit në fundin e Antikitetit është zhdukja e dioqezës së Shkodrës nga burimet historike për tre shekuj (VI-IX).

[3] Defteri i regjistrimit të Sanxhakut të Shkodrës i vitit 1485, Paraqitja, hyrja, transliterimi, përkthimi dhe komentet nga Selami Pulaha, Akademia e Shkencave e RP të Shqipërisë, Instituti i Historisë, Tiranë: 1974, f. 5.

[4] Po aty, f. 4. Mbi kufijtë mes Drishtit dhe Shkodrës në shek. XV shih edhe Acta Albania Veneta, saeculorum XIV et XV, Josephi Valentini S. J. Labore, reperta et transcripta ac typis mandata. Pars secunda. Saeculi praescanderbegianam periodum complectens, Tomus duodecimus, Annos MCDXXIV ad MCDXXVI illustrans, Centro Internazionale di Studi Albanesi “Rosalino Petrotta”, etj., München-Roma: 1971, dok. nr. 3075, f. 286-287.

[5] Alain Ducellier, “Genesis and Failure of the Albanian State in the Fourteenth and Fifteenth Century”, në Studies on Kosova, bot. Arshi Pipa & Sami Repishti. East European Monographs CLV, Boulder, Colorado: 1984, f. 3-22, ku thekson “after 1460, western merchants, especially the Ragusans, redescovered the virtues of a unified state in the Balkans. Thanks to the Turkish invasion, caravan traffic to Macedonia resumed, with the Turkish port of Vlorë as the point of departure. And though Prizren and Prishtinë became important stages on the route, where Albanian traders participated in the transactions”. (f. 16).

[6] Alain Ducellier, “Les mutations de l’Albanie au XVe siecle. Du monopole ragusain a la redecouverte des fonctions de transit”, në Etudes Balkaniques nr. I, Sofje: 1978, f.76.

[7] Selami Pulaha, “Qytetet e Rrafshit të Dukagjinit dhe të Kosovës gjatë gjysmës së dytë të shek. XVI në dritën e të dhënave të reja të regjistrimeve kadastrale osmane”, në Gjurmime albanologjike, seria e shkencave historike, IX, 1979, Prishtinë: 1980, f. 13.

[8] Selami Pulaha, “Qytetet shqiptare nën regjimin feudal ushtarak osman gjatë shekujve XV-XVI”, në Monumentet, nr. 1, Tiranë: 1984, f. 17-18.

[9] Po aty, f. 29, 35.

[10] Emin Riza, “Vështrim mbi urbanistikën e qytetit shqiptar (shek. XII-XX)”, në Monumentet, nr. 13, botim i Institutit të Monumenteve, Tiranë: 1977, f. 61-62.

[11] Në aspektin ekonomik, “a la place des nombreux octrois et peages, consequence du morcellement feudal de la Peninsule avant la conquete ottomane, l’on a etabli un systeme douanier unique, fait pour favoriser les rapports commerciaux entre les diverses regions des Balkans”. Andrei Pippidi, Hommes et idées du Sud-est européen à l’aube de l’âge moderne, Bucarest: Editura Academiei Republicii Socialiste Romania, 1980, f. 27.

[12] S. Pulaha, “Qytetet e Rrafshit të Dukagjinit dhe të Kosovës…”, f. 13; Mbi themelimin e Gjakovës shih Hasan Kaleshi, Hans-Jürgen Kornrumph, “Das Vilajet Prizren im 19 Jahrhundert”, Südost Forschungen, 26, München: 1967, f. 209.

[13] S. Pulaha, “Qytetet shqiptare nën regjimin feudal ushtarak osman gjatë shek. XVXVI…”, f. 36.

[14] “les Albanais… ils en sont peut-etre l’element le plus remuant car, soldats ou agents diplomatiques, ils sont partout, a Constantinople et a Bucarest, a Venise et a Varsovie”. A. Pippidi, Hommes et idées…, f. 25; Gjerësisht për shtrirjen e pranisë së shqiptarëve në Mesdhe, Detin e Kuq dhe në Afrikë e Oqeanin Indian në shek. XVIXVII, shih: Ardian Muhaj, Nga Ballkani në Mesdhe. Shqiptarët prej Mesjetës në agimin e Kohës së Re, Akademia e Studimeve Albanologjike, Instituti i Historisë, Tiranë: 2019.

[15] Edhe në këtë punim fjala “fis” do të përdoret sipas kuptimit lokal dhe tradicional shqiptar. Kuptimi i fjalës “fis” në traditën diturake shqiptare ka domethënien e grupeve që rrjedhin nga një stërgjysh i përbashkët, fiktiv ose jo, të lidhur mes tyre me marrëdhënie shoqërore e familjare e në njëfarë mase edhe me interesa ekonomike të veçanta prej banorëve të fiseve të tjera. Rrok Zojzi, “Ndamja krahinore e popullit shqiptar”, në Etnografia Shqiptare, vëll. I, Tiranë: 1969, f. 16-17; Mark Tirta, Etnologjia e shqiptarëve, Tiranë: Geer, 2007, f. 115; A. Dhima, Antropologjia etnike e shqiptarëve…, f. 22. Termi shqip fis është shpesh i ndërkëmbyeshëm me termin bajrak. Dallimi mes tyre qëndron në atë se termi “fis” nënkupton lidhje gjaku (reale ose të imagjinuara), kurse termi “bajrak” nënkupton territor. Robert Elsie, The Tribes of Albania: History, Society and Culture, London/New York: I.B. Tauris, 2015 f. 4; po ashtu: Azeta Kola, “From Serenissima’s Centralization to the Self-Regulating Kanun: The Strengthening of Blood Ties and the Rise of Great Tribes in Northern Albania, 15th to 17th Century”, në Acta Histriae, 25/2, Koper: 2017, f. 349-374.

[17] Në regjistrin ose Defterin e Sanxhakut të Shkodrës të vitit 1485, dalin Nikijt (Nikajt) me 7 shtëpi. Defteri i regjistrimit të sanxhakut të Shkodrës i vitit 1485, Paraqitja, hyrja, transliterimi, përkthimi e komentet Selami Pulaha, vëll. I, Instituti i Historisë, Tiranë: 1975, f. 146-146 (fl. 335-337).

[18] Relacione mbi gjendjen e Shqipërisë Veriore dhe të Mesme në shekullin XVII, Teksti origjinal dhe përkthimi përgatitur nga Injac Zamputi, vëll. I (1610-1634), Universiteti Shtetëror, Tiranë: 1963, f. 386, dok. nr. 29, fl. 171v. (cituar më pas: I. Zamputi, Relacione…,)

[19] Po aty, f. 460, dok. nr. 39, fl. 65. Në këtë relacion Krasniqja jepet me 50 shtëpi e 450 frymë.

[20] Krasniqja sipas Gasparit kishte 20 shtëpi me 200 frymë. Stefano Gaspari, “Relazioni delle Diocesi di Serbia, Pulati, Scutari, Sapa, Alessio, Durazzo e Antivari del 1671,” në Hylli i Dritës, Shkodër: 1930, f. 492-498 (fl. 68-69).

[21] Në këtë hartë përmendet edhe Nicagni (Nikaj) dhe Mortur (Mertur). Ermano Armao, Localitá, chiese, fiumi, monti e toponimi varii di un’antica carta dell’Albania Settentrionale, Istituto per l’Europa Orientale, Roma: 1943, f. 87.

[22] Franc Nopça, Fiset e malësisë së Shqipërisë Veriore dhe e drejta zakonore e tyre, përkthyer nga Mihal Zallari, përgatitur për botim nga Marenglen Verli, Edmond Malaj, Qendra e Studimeve Albanologjike, Instituti i Historisë, Tiranë: 2013.

* Kjo gojëdhënë jepet në versione të ndryshme sipas vendit dhe kohës ku është mbledhur, dhe zakonisht përfshin dhe fiset e tjera si Piperi, Vasojeviçi, Trieshi etj. 23 Abaz Dojaka, “Ekzogamia tek shqiptarët”, në Etnografia Shqiptare, nr. 5, Tiranë: 1974, f. 44-46.

[24] Edith Durham, Shqipëria e Epërme. Një udhëtim në Shqipërinë e Veriut të vitit 1908, Tiranë: IDK, 2012, f. 209-210.

[25] Rrok Zojzi, “Shala”, vëll. III, 42/5, 1956, në ASA, Arkivi i Institutit të Antropologjisë ulturore dhe Studimit të Artit, Tiranë.

[26] Ibrahim Malaj, Tropoja në breza, Tiranë: Dardania, 2003, f. 36-38.

[27] Dodë Progni, Zef Doda, Nikaj-Mërturi: Vështrim Historik, Shkodër: Shtjefni, 2003.

[28] I. Malaj, Tropoja në breza…, f. 49-50.

[29] Qemal Bashkurti, Brez pas brezi në shekuj, Tiranë: 2018, f. 49.

[30] Intervistë e mbledhur nga Alban Lauka, 2018.

[31] International Society of Genetic Genealogy. Y-DNA Haplogroup Tree 2019, Versioni: 15.73, Data: 11.07.2020, http://www.isogg.org/tree/, 03.11.2021.

[32] Bashkime të tilla, për arsye politike, ekonomike apo shoqërore, nuk janë të rralla në Shqipërinë Veriore.

[33] A. Dhima, Antropologjia etnike e shqiptarëve…, f. 191. Po ashtu, në rastin e Krasniqes, martesat më të shumta të subjekteve të studiuara nga autori janë lidhur me Gashin: 69% e meshkujve dhe 34,8% e femrave, sikurse 51,5% e femrave nga fshatrat e ndryshme të Gashit rezultojnë të jenë martuar në rrethinën e Krasniqes. Po aty, f. 192.

[34] Selami Pulaha, “Mbi gjallërimin e lidhjeve farefisnore dhe krijimin e fiseve në Shqipërinë e Veriut në shek. XVI-XVII”, në Studime historike, nr. 2, Akademia e Shkencave e RPSH, Instituti i Historisë, Tiranë: 1975, f. 130-132. Pulaha thekson se mospërmendja e fiseve të Shalës, të Shoshit, të Nikaj Mërturit, të Gashit, të Krasniqes, në regjistrimet osmane dëshmon për moskrijimin e tyre ende në shek. XV-XVI.

[35] YFull, Ytree v.9.05.00, 21.10.2021. https://www.yfull.com/tree/J-Y126399/.

[36] Lidhje të ngushta tregojnë grup-popullsitë malore të Kelmendit dhe Krasniqes, çka përkon me panoramën e deritanishme sepse të dyja seritë në fjalë u takojnë dy ndarjeve respektive të grupi të madh etnokulturor të Malësisë. A. Dhima, Antropologjia etnike e shqiptarëve…, f. 324, 331.

[37] Emërtimi i zonës së Shalës në veri të Drinit si Dukagjin i ri është domethënës. Po aty, f. 17, fig. 1. Në këtë drejtim kuptimor shkon edhe emërtimi Malësi e Vogël e zonës që përfshin edhe Krasniqen, Gashin dhe Bytyçin. Pra, Malësia e Vogël në kuptimin e zanafillës së imagjinuar nga Malësia e Madhe. Në mes të dy Malësive, u shtri Dukagjini i Ri, që futet si “pykë” midis dy pjesëve të Malësisë. Po aty, f. 38.

[38] Vladimir Misja, Ylli Vejsiu, Arqile Berxholi, Popullsia e Shqipërisë. Studim demografik, Universiteti i Tiranës, Tiranë: 1987, f. 63-64.

[39] Në rastin e Dukagjinit të Ri, prania e shumë kishave katolike, që datojnë në shek. XVI-XVIII, na dëshmon se kjo rrethinë pati njohur një eksplozion demografik” në këta shekuj. A. Dhima, Antropologjia etnike e shqiptarëve…, f. 83.

[40] Haplogrupi J2b del rreth 14,5% në Shqipëri sipas Vincenza Battaglia, Simona Fornarino, Nadia Al-Zahery, Anna Olivieri, Maria Pala, Natalie M. Myres, Roy J. King et al. “Y-chromosomal evidence of the cultural diffusion of agriculture in Southeast Europe,” në European Journal of Human Genetics, 17, no. 6, United Kingdom: 2009, f. 820-830. 14.1% në Maqedoni; 18.2% në Shqipëri sipas Stefania Sarno, Sergio Tofanelli, Sara De Fanti, Andrea Quagliariello, Eugenio Bortolini, Gianmarco Ferri, Paolo Anagnostou et al., “Shared language, diverging genetic histories: high-resolution analysis of Y-chromosome variability in Calabrian and Sicilian Arbereshe”, në European Journal of Human Genetics, 24, no. 4, United Kingdom: 2016, f. 600-606.

[41] Haplogrupi J2b gjendet në 25,2% të gegëve dhe 11,5% të toskëve te Sarno et al, 2016, kurse haplogrupi më i gjerë J2 në 23% të gegëve dhe 16,5% të toskëve sipas Gianmarco Ferri, Sergio Tofanelli, Milena Alù, Luca Taglioli, Erjon Radheshi, Beatrice Corradini, Giorgio Paoli, Cristian Capelli, and Giovanni Beduschi, “Y-STR variation in Albanian populations: implications on the match probabilities and the genetic legacy of the minority claiming an Egyptian descent”, në International journal of legal medicine, 124, no. 5, Gjermani: 2010, f. 363-370.

[42] Projekti Shqiptar i ADN-së “Rrënjët”. Statistikat. 2021. www.rrenjet.com/statistikat.

[43] Begoña Martinez-Cruz, Mihai Ioana, Francesc Calafell, Lara R. Arauna, Paula Sanz, Ramona Ionescu, Sandu Boengiu et al. “Y-chromosome analysis in individuals bearing the Basarab name of the first dynasty of Wallachian kings,” në PLoS One 7, no. 7, San Francisco, Cambridge: 2012, e41803.

[44] Maria Regueiro, Luis Rivera, Tatjana Damnjanovic, Ljiljana Lukovic, Jelena Milasin, and Rene J. Herrera. “High levels of Paleolithic Y-chromosome lineages characterize Serbia”, në Gene, vol. 498, no. 1, Amsterdam, New York: 2012, f. 59-67.

[45] V. Battaglia et al., “Y-chromosomal evidence…”.

[46] Po aty.

[47] Po aty.

[48] Sena Karachanak, Viola Grugni, Simona Fornarino, Desislava Nesheva, Nadia AlZahery, Vincenza Battaglia, Valeria Carossa et al. “Y-chromosome diversity in modern Bulgarians: new clues about their ancestry”, në PLoS One 8, no. 3, 2013, e56779; Martinez-Cruz, Begoña et al. “Y-chromosome analysis…”.

[49] Viola Grugni, Alessandro Raveane, Francesca Mattioli, Vincenza Battaglia, Cinzia Sala, Daniela Toniolo, Luca Ferretti et al. “Reconstructing the genetic history of Italians: new insights from a male (Y-chromosome) perspective”, në Annals of human biology 45, no. 1, UK: 2018, f. 44-56.

[50] I. Zamputi, Relacione…, II, f. 147, dok. nr. 30, fl. 154.

[51] Ian Mathieson, et al. “The genomic history of southeastern Europe”, në Nature, 555.7695, UK: 2018, f. 197-203.

[52] A. Žegarac, et al. “Ancient genomes provide insights into family structure and the heredity of social status in the early Bronze Age of southeastern Europe”, në Scientific Reports, 11.1, UK: 2021, f. 1-11.

[53] Joseph H. Marcus, Joseph H., “Genetic history from the Middle Neolithic to present on the Mediterranean island of Sardinia”, në Nature communications, 11.1, UK: 2020, f. 1-14.

[54] N. Patterson, Isakov, M., Booth, T. et al. “Large-scale migration into Britain during the Middle to Late Bronze Age”, në Nature (2021). https://doi.org/10.1038/s41586-021-04287-4

[55] Serena Aneli, Tina Saupe, Francesco Montinaro, Anu Solnik, Ludovica Molinaro, Cinzia Scaggion, Nicola Carrara et al. “The genetic origin of Daunians and the PanMediterranean southern Italian Iron Age context”, në bioRxiv (2021). (https://www.biorxiv.org/)

[56] Margaret L. Antonio, Ziyue Gao, Hannah M. Moots, Michaela Lucci, Francesca Candilio, Susanna Sawyer, Victoria Oberreiter et al. “Ancient Rome: A genetic crossroads of Europe and the Mediterranean”, në Science 366, no. 6466, SHBA: 2019, f. 708-714.

[57] Iñigo Olalde, Pablo Carrión, Ilija Mikić, Nadin Rohland, Shop Mallick, Iosif Lazaridis, Miomir Korać et al. “Cosmopolitanism at the Roman Danubian Frontier, Slavic Migrations, and the Genomic Formation of Modern Balkan Peoples”, në bioRxiv (2021). (https://www.biorxiv.org/)