Fisi Kelmend është një ndër fiset më të vjetra, por edhe më të mëdha shqiptare, si shtrirje dhe si popullsi. Gjatë shekujve të parë të periudhës osmane, fisi Kelmendit fitoi rëndësi të madhe ushtarake dhe politike, duke qenë shpeshherë në pozicion dominues në pjesën më të madhe të trevave rreth Alpeve Shqiptare1.
Shtrirja e këtij fisi përmbledh hapësira të gjera që sot gjenden në katër shtete. Baza historike e fisit gjendet në pjesën veriore të Malësisë së Madhe në Shqipëri, ku Kelmendi kishte tre bajrakët fillestarë – Selca, Vukli e Nikçi – dhe bajrakun e katërt – Bogën – që u bashkua me tre të parët gjatë shek 191. Nga ky rajon, Kelmendi u përhap në disa drejtime: në luginën e Gucisë, (Vuthaj, Martinaj, etj), e prej aty, në Çerem e Valbonë të Malësisë së Gjakovës; në bjeshkët e Rugovës dhe më tej në Llap e në treva të tjera të Kosovës e deri në Sanxhakun e Nishit2; në Peshter të Sanxhakut të Novi Pazarit3; në ultësirën bregdetare veri-perëndimore, kryesisht në afërsi të Lezhës, e në shumë treva të tjera shqiptare.
Fisi Kelmend në histori e gojëdhëna
Gojëdhënat e ndryshme, mbledhura nga Bogdani4, Hecquardi5 e deri te Nopcsa6 dhe Durham7 ne fillimet e shek. XX, i përmbahen një forme të përafërt: i pari i fisit, Kelmendi, kishte pasur disa djem, dhe secili prej tyre filloi një familje, e më vonë, vëllazëri të veçantë; këto vëllazëri u zhvilluan deri deri në formën e fshatrave që njohim sot. Në pikëpamje etnografike, Zojzi vlerëson se Kelmendi, ashtu si fiset e tjera malësore rreth Alpeve Shqiptare, kanë prejardhje nga treva më veriore8.
Përveç gojëdhënave dhe traditës, për Kelmendin ka edhe të dhëna të bollshme historike. Në regjistrin osman të 1497, përkthyer nga S. Pulaha, në nahijen e Kelmendit përmenden dy fshatra: Selçisha, me katundin Liçen, dhe Içpaja me katundet Gjonoviq, Leshoviq, Muriq dhe Kolemad9. Po aty, përmenden edhe disa individë që ndoshta mund të jenë themeluesit e trungut kryesor të fisit: Vukza, i biri i Kelmendit, Vladi i biri i Kelmendit, dhe Gjoni, i biri i Kelmendit (Klemendit), në Selçishë; Vuku, i biri i Kelmendit, në Içpajë-Gjonoviq; Deda, i biri i Kelmendit, dhe Stepani i biri i Kelmendit në Içpajë-Muriq9.

Nisur nga analiza e regjistrit të 1497 dhe atij të 1582, Pulaha del në përfundimin se ngulitja e përhershme (sedentare), dhe formimi i fisit territorial ishte në zhvillim e sipër në 1497, dhe ishin plotësisht të përfunduara në fund të shek. XVI. Rënia e numrit të popullsisë gjatë këtij shekulli, sipas Pulahës, sugjeron se vëllazëri blegtorale të Kelmendit mund të jenë larguar nga katundet Muriq dhe Kolemad, drejt trevave që sot gjenden në Mal të Zi, si Muriqani apo Goljemadi10.
Rezultatet gjenetike
Deri sot (korrik 2025), kemi 34 anëtarë kelmendas në Projektin Rrënjët. Sipas nojhurive të secilit, asnjë nuk ka lidhje më afër se tre breza me të testuarit e tjerë. Prej tyre, 16 janë nga pjesa e Malësisë së Madhe që përfshihej në katër bajrakët e lartpërmendur, kurse 18 janë nga zona të tjera, por që ruajnë në familje traditën e përkatësisë fisnore Kelmend. Nga gjithë këto rezultate, 6 janë nga teste me rezolucion maksimal, gjë që na lejon të ndërtojmë pemën gjenealogjike të trungut kryesor të Kelmendit:

Përfundime
– Siç dallohet lehtë nga tabela, fisi Kelmend është nje fis mjaft homogjen në prejardhjen e vijës atërore. Shumica dërrmuese e të testuarve (~85%), i takojnë një linje të vetme: E-V13>CTS9320>FT17132>BY92885. Vetëm 5 nga 34 rezultate nuk i takojnë këtij trungu. Madje edhe vëllazëria Pepushaj, që thuhet se janë anas3, janë gjithashtu të kësaj linje. Në Projektin Boshnjak të ADN-së11 ka edhe kelmendas të tjerë të testuar, shumica po ashtu në degën E-V13>BY62310, dhe një numër i vogël rezultatesh nën J2b-L283>Y23094 dhe R1b-BY611>Z2705.
– Kelmendasit kanë prejardhje nga popujt e lashtë të Ballkanit. E-V13>CTS9320>FT17132, si nëndegë e E-V13>CTS9320, lidhet me një numër të madh linjash të tjera që gjenden te shqiptarët, po ashtu edhe me rezultate të Antikitetit, përfshirë një në afërsi të Nishit. Brenda E-V13>FT17132, lidhjet më të afërta të trungut të Kelmendit janë me një të testuar në Pukë dhe me një grup familjesh në Ferizaj që mbahen me fis Krasniqe. Kurse lidhjet më të largëta janë me një familje nga Librazhdi dhe disa familja me prejardhje vllahe nga zona e Kolonjës dhe Korçës. Deri tani, kjo është dega më e vjetër me rezultate shqiptare nën E-V13: mosha e saj është rreth 2200 vjet sipas YFull (në FTDNA mund të jetë pak më e vjetër), pra prek periudhën para-romake. Si hapësirë e prejardhjes fillestare, gjasat janë që lidhet me Ballkanin perëndimor dhe qendror.
—–Ndër linjat e tjera:
—–R1b-M269>BY611>Z2705>Y32147, rezultat i një personi nga Shkodra që sipas traditës ka prejardhje nga Nikçi. Kjo degë gjendet në dendësi relativisht të lartë në Malësi, sidomos në familjet anase, prandaj, edhe pa rezultate të ngjashme nga Kelmendi, ka mundësi që gojëdhëna të jetë e saktë, ose ndoshta prejardhja lidhet me një zonë të afërt me Kelmendin. Në Projektin Boshnjak të ADN-së janë disa anëtarë të kësaj dege që mendohet se kanë prejardhje nga Kelmendi (Muriqi), në largësi rreth 1000-1100 vjet nga personi nga Shkodra. Edhe kjo linjë ka prejardhje nga popujt e lashtë paleo-Ballkanikë.
—–J2b-L283>Y23094, që përmendëm më lart, ka gjithashtu prejardhje nga fiset ilire të Ballkanit perëndimor dhe ka dendësi e larmi të lartë në Malësi.
—-
– Ka mundësi që pjesa më e madhe e fisit, vëllazëritë nën E-V13>CTS9320>FT17132>BY92885, të kenë prejardhje të largët nga treva më veriore në Ballkan, por nuk ka prova që kjo lëvizje të ketë ndodhur 1000 vitet e fundit. Rezultatet më të afërta me kelmendasit E-V13>FT17132>BY92885 vijnë nga trojet e sotshme shqiptare prandaj lëvizjet e nga periudha romake deri sot ka gjasa të jenë të përqendruara në pjesën veriore të trevave shqiptare.
– Pavarësisht disa rezultateve të ndryshme, gojëdhëna që tregon se vëllazëritë e ndryshme të fisit kanë prejardhje të përbashkët, duket përgjithësisht e saktë. Nuk mund të thuhet me siguri, pa rezultate edhe nga disa vëllazëri të pa-testuara, sa familje në Selcë, Nikç e Vukël, i takojnë degëve të tjera, mirëpo rezultatet e deritanishme tregojnë bindshëm që pjesa dërrmuese janë të të njëjtit trung gjenealogjik.
– Sipas rezultateve e thella del se lidhjet mes familjeve kelmendase mbërrijnë deri rreth 700-800 vjet largësi. Në regjistrin osman të vitit 1491 shfaqen në Kelmend individë të shënuar i “biri i Kelmendit”, gjë që mund të interpretohet si një provë se një person me emrin Kelmendi mund të ketë qenë i pari i fisit pak më herët në shek.15, por kjo mundësi nuk përputhet me paraardhësin gjenetik të kelmendasve rreth shek.13-14. Ndoshta emri personal Kelmend mund të jetë përdorur në fis vazhdimisht pa qenë detyrimisht themeluesi i fisit, ose ndoshta ky Kelmendi i shek.15 mund t’i ketë dhënë emrin fisnor jo vetëm pasardhësve të vet, por edhe disa vëllazërive të tjera të afërta.
– Gojëdhëna e prejardhjes së fshatit Valbonë tregon se i pari i fshatit ishte një kelmendas që nguli nga Vuthajt në Valbonë. Edhe disa vëllazëri në fshatin Vuthaj që janë testuar, kanë rezultuar në trungun kryesor të fisit. Pra, rezultatet vërtetojnë lidhjen e gjakut mes Valbonës, Vuthajt e kelmendasve në Malësi të Madhe.

– Te kelmendasit jashtë Malësisë së Madhe, edhe pse E-V13>FT17132>BY92885 mbetet mbizotëruese, vërehet larmi pak më e lartë. Kjo mund të vijë si pasojë e dy fenomeneve. Së pari, familje me prejardhje të ndryshme mund të jenë bashkuar me fisin në rajonet ku ky ka shtegtuar. Së dyti, siç sugjeron Pulaha, vetë fisi i Kelmendit mund të ketë qenë më heterogjen në periudhën e hershme të territorializimit të tij10, deri sa një vëllazëri dominoi pjesën tjetër të familjeve, duke i shpërngulur këto të fundit. Kjo dinamikë e homogjenizimit gradual deri në përputhje të territorit me përhapjen e bërthamës fisnore vërehet edhe te fise të tjera. Fakti që në Projektin Boshnjak ka anëtarë të vëllazërisë Muriqi me rezultatin këtë rezultat, ndërsa një familje që banon sot në lagjen Muriq është testuar E-V13>FT17132>BY92885 mund të jetë një rast i zëvendësimit të një vëllazërie më të vogël nga familje të trungut kryesor. Megjithatë, për të folur me më shumë siguri duhen të paktën edhe disa rezultate nga lagjia Muriq.
– Boga, si bajrak i veçantë deri në shek. 19, ka ngjallur vazhdimisht interes e debate rreth lidhjes me Kelmendin. Disa gojëdhëna e paraqesin edhe Bogën si pasardhëse të një vëllai tjetër të të parëve të Selcës, Vulit e Nikçit, por si Nopcsa6 edhe Malcolmi1, kanë supozuar se gojëdhëna është tjetërsuar për të justifikuar bashkimin politik të Bogës me Kelmendin. Rezultatet tregojnë se, pavarësisht a është ndryshuar gojëdhëna apo jo, lidhje gjaku mes Kelmendit e Bogës ka. Gjithashtu, gojëdhëna e regjistruar nga Mark Krasniqi12 mbi prejardhjen së fshatit Bogë në Rugovë nga Boga në Malësi të Madhe mund të gjejë mbështetje gjenetike në afërsinë mes anëtarëve nga të dy fshatrat. Me 4 rezultate nga ky fshat dhe 1 nga Boga e Rugovës, mund të themi me siguri se shumica e Bogës lidhet me pjesën tjetër të Kelmendit. Përjashtim në Bogë përbën një rezultat të haplogrupit J2b-L283, të afërt me fisin e Hotit.
– Disa familje anase në Hot janë gjithashtu pjesë e degës kryesore të Kelmendit dhe duhet të kenë prejardhje nga ky fis, gjë që përforcon praninë e gjatë të të dyja palëve në zonën e Malësisë së Madhe.
– Në pjesën verilindore të Kosovës dhe në Medvegjë gjendet një numër i madh vëllazërish kelmendase, të cilat përmenden në atë zonë nga Hahn në mesin e shek.19. Anëtarët e testuar në këto zona vijnë nga fshatrat Brainë, Orllanë & Ballofc në Podujevë, nga Tërpeza e Medvegjës, nga Vushtrria. Deri tani, të gjitha këto i takojnë vijës kryesore atërore, pra në përputhje me kelmendasit në Malësi dhe në Peshter. Kurse një familje kelmendase nga Obiliqi i takon haplogrupit J2b-L283, me gjasë një tjetër linjë më e rrallë nga Kelmendi në Malësi.
Siç theksuam më lart, mbeten shumë të panjohura për t’u ndriçuar edhe më tej përmes zgjerimit dhe thellimit të kampionit. Ftojmë gjithë kelmendasit që kanë kryer teste të kromozomit Y, të bashkohen me projektin Rrënjët, dhe ata që nuk janë testuar ende, të bëjnë një test e të anëtarësohen, që të mësojmë sa më shumë për prejardhjen e këtij fisi.
(përditësimi i fundit: 06.2025)
Burime:
L
1Malcolm, N. (2020). Rebels, Believers, Survivors: Studies in the History of the Albanians. Oxford University Press, USA. H
2Hahn, G.H. (1858). Travels in Dardanian Albania. Retrieved November 1st, 2020 from http://www.albanianhistory.net/1858_Hahn/index.html.
3Elsie, R. (2015). Fiset Shqiptare. Artini: Tiranë.
4Malcolm, N. (2000). The Kelmendi: Notes on the Early History of a Catholic Albanian Clan. Südost-Forschungen, (59-60), 149-163.
5Hecquard, H. (2016). Histoire et description de la Haute-Albanie-Ou Guégarie. Collection XIX.
6Nopcsa, F., Malaj, E., Verli, M., & Zallari, M. (2013 (1908)). Fiset e malësisë së Shqipërisë veriore dhe e drejta zakonore e tyre. Qendra e Studimeve Albanologjike Instituti i Historisë.
7Durham, M. E. (2017). High Albania. Lulu.com.
8Zojzi, Rr. (2018). Ndamja krahinore e popullit shqiptar. Gegnia, 6-2018. Marrë me 17 prill 2020 nga www.bibliotekashkoder.com.
9Pulaha, S. (1974). Defteri i regjistrimit të Sanxhakut të Shkodrës i vitit 1485. Akademia e Shkencave e RP të Shqipërisë, Instituti i Historisë.
10Pulaha, S. (1975). Kontribut për studimin e ngulitjes së katuneve dhe krijimin e fiseve në Shqipërinë e veriut shekujt XV-XVI. Studime Historike, I. Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit.
11Bosnjacki DNK Projekat. https://bosnjackidnk.com/baza-bez-markera/
12Krasniqi, M. (1978). Vendbanimet e Rugovës.