Përcaktohet lidhja gjenetike mes fiseve Gash i Gurit, Nikaj e Krasniqe.
Prej pak ditësh ka përfunduar analiza e parë me rezolucion të lartë nga fisi i Gashit, i cili plotësoi pemën gjenetike të vijës atërore J2b-L283>Y21045>PH1751>Y52453>Y126399, ku tashmë ishin vendosur rezultate nga Nikajt dhe vëllazëritë e Krasniqes.
Rezultatet tregojnë qartë se Gashi i Gurit, Nikajt dhe Krasniqja kanë prejardhje të përbashkët. Paraardhësi i fundit i përbashkët i të tri fiseve ka jetuar para rreth 700-900 vitesh. Vija atërore e fisit të Gashit është veçuar që prej asaj kohe, kurse Nikajt e Krasniqja ndajnë paraardhës të përbashkët edhe më të afërt, deri rreth 600-700 vite më parë.
Në terma më të thjeshtë: një burrë që jetoi rreth shek XI-XIII është stërgjyshi i largët i dy vijave të mëdha atërore ndër shqiptarët e veriut:
- Njëri prej djemve, nipave ose stërnipave të tij ishte i pari i Gashit të Gurit, që sot ka shtrirje në Luzhë të Malësisë së Gjakovës, në Botushë të Junikut, në shumë fshatra të Deçanit, Drenicës, Gollakut, e në shumë treva të tjera shqiptare. Duhet theksuar se ky person është vetëm paraardhës i Gashit të Gurit, kurse vëllazëri të tjera të fisit Gash, psh: Bardhajt, Shipshani, etj., kanë prejardhje të ndryshme. Duhet të presim edhe një test me rezolucion të lartë nga Gashi i Gurit për të mësuar kur kanë nisur të veçohen degët e ndryshme të fisit.
- Kurse një pasardhës tjetër i tij ishte i pari i fiseve Nikaj e Krasniqe. Rezultatet tregojnë qartë se edhe brenda këtij degëzimi më të ngushtë, ekzistojnë të paktën dy vija atërore: njëra përfshin të gjitha vëllazëritë kryesore të Krasniqes (Kolmekshi, Hysenmekshi dhe Kolgeci), tjetra përfshin rezultate nga Nikajt. Edhe këtu duhet të përmendim se disa vëllazëri të tjera, si Dushajt e Ponarët në Malësi të Gjakovës, dhe shumë vëllazëri me fis Krasniqe në krahina të ndryshme të Kosovës kanë prejardhje tjetër.
Shumë shpejt do të publikojmë artikuj të plotë mbi gjithë rezultatet e mbledhura nga Gashi, Krasniqja e Nikajt. Ndërkohë, ftojmë gjithë anëtarët e këtyre fiseve që kanë dëshirë të zbulojnë rrënjët e tyre gjenetike, të na bashkohen në projektin tonë mbarëkombëtar.