Prej vitesh tashmë, përparimi i teknologjisë së zbatuar biokompjuterike ka mundësuar shfrytëzimin e të dhënave gjenetike për studimin e historisë. Veçanërisht përmes analizës së kromozomi Y, i cili përçohet drejtpërdrejt nga babai te i biri, pa kontribut gjenetik nga nëna, çdo familje apo fis mund të gjurmojë prejardhjen e vijës atërore, apo siç njihet botërisht, haplogrupit. Kurse mbledhja e një kampioni përfqësues rezultatesh gjenetike mundëson edhe hulumtimin e prejardhjes në shkallë krahinore apo vendi.
Deri tani, në Projektin Shqiptar të ADN-së “Rrënjët” janë mbledhur në mënyrë vullnetare rezultatet e 1322 anëtarëve nga të gjitha trevat shqiptare. Nga krahasimi i tyre si me analiza gjenetike të eshtrave të lashta në Ballkan e Europë, ashtu edhe me rezultate nga popujt e sotshëm, dalin qartë disa përfundime të cilat po i paraqesim në mënyrë të përmbledhur më poshtë. Ndërkohë ftojmë çdo familje shqiptare të kryejë një test gjenetik të kromozomit Y dhe të anëtarësohet në projekt. Për më shumë rreth mënyrës së regjistrimit në projekt mund të na kontaktoni drejtpërdrejt përmes faqes “Projekti Rrënjët” në Facebook: https://www.facebook.com/Projekti-Rrenjet-101700961530810, ose të ndiqni udhëzimet në faqen tonë: https://rrenjet.com/#Si_te_regjistroheni.
Përmbledhje statistikore
Nga drejtpeshimi statistikor i 1322 rezultateve, del se rreth 10 haplogrupet më të shpeshta përmbledhin rreth 94.6% të gjithë linjave atërore shqiptare. Afërsisht një e katërta e rezultateve u takojnë anëtarëve nga Kosova, Maqedonia dhe trevat e tjera shqiptare jashtë Republikës së Shqipërisë. Me rritjen e numrit të anëtarëve në këto treva, sidomos në Kosovë, përqindjet mund të pësojnë ndryshime të lehta, por duhet të mbesin brenda rrezeve të sigurisë 95%. Më poshtë gjeni shpeshtinë e secilit haplogrup:
Haplogrupi | Përqindja | Rrezja e sigurisë 95% |
---|---|---|
E-V13 | 27.7% | 25.2 - 30.1% |
R1b-M269 | 21.3% | 19.1 - 23.5% |
J2b-L283 | 15.3% | 13.4 - 17.3% |
I2a-Y3120 | 7.5% | 6.0 - 8.9% |
R1a-M417 | 5.9% | 4.7 - 7.2% |
I1-M253 | 5.5% | 4.2 - 6.7% |
J2a-M410 | 4.3% | 3.2 - 5.4% |
J1-M267 | 2.5% | 1.6 - 3.3% |
I2a-M223 | 2.5% | 1.6 - 3.3% |
G-M201 | 1.6% | 0.9 - 2.2% |
E1b-M123 | 0.7% | 0.3 - 1.2% |
Në mënyrë të përmbledhur, nga tabela dallojmë se një përqindje e vogël e linjave atërore shqiptare (1-4%) janë të vendosura e të përhapura në Ballkan prej më shumë se 4500 vitesh kryesisht me përhapjen e bujqësisë, shumica prej 72-77% u përhapën rreth 2500 deri 4000 vite më parë me fiset e lashta të ballkanit si ilirët, dardanët, dakët, etj. Vala e fundit që ka lënë gjurmë të rëndësishme gjenetike prej të cilave vijnë 16-19% e linjave atërore shqiptare mbërriti para rreth 1200-1800 vitesh, gjatë periudhës së dyndjeve të fiseve gjermanike, sllave, etj.
Historia e linjave atërore shqiptare
Përtej statistikave të përgjithshme, secili haplogrup ka historinë e tij dhe duhet studiuar në thellësi për të kuptuar kohën dhe mënyrën e vendosjen dhe përhapjes. Prandaj më poshtë paraqesim një nga një periudhat e ndryshme arekologjike dhe historike me rëndësi për kuptimin e prejardhjes së shqiptarëve.
Para Epokës së Bronzit
Mendohet se njeriu modern mbërriti në Europë para më shumë se 30.000 vitesh. Ndër linjat atërore më të vjetra të gjetura në Europë deri në periudhën e Mesolitit janë haplogrupet C, I, F, më pas I1, I2-P37, I2-M223, I2-L596, R1b-V2219, etj. Europianët e kësaj periudhe ishin popuj nomadë që merreshin kryesisht me gjueti, duke ndjekur gjahun nga një zone në tjetrën. Edhe pse ka shqiptarë të cilët bartin disa prej linjave atërore të lartpërmendura, nuk mund të flitet për vazhdimësi gjenetike të tyre në popullin shqiptar sot, pasi pjesa dërrmuese e këtyre linjave kanë lëvizur nëpër Europë derisa kanë arritur të rishpërndahen, në shumicën e rasteve nga Europa veriore ose lindore, duke u vendosur në Ballkan relativisht vonë. Përqindja e paraardhësve atërorë të shqiptarëve që kanë banuar vazhdimisht në Ballkan prej Mesolitit është nën 0.5%.
Prej 7000-9000 më parë, popuj që kishin përvetësuar bujqësinë në Levant filluan të përhapen drejt Ballkanit dhe Europës në përgjithësi. Kjo lëvizje është vënë re prej kohësh në arkeologji, por së fundi kemi mësuar edhe që linjat atërore që mbërritën në Europë gjatë kësaj kohe ishin kryesisht degëzime të haplgrupeve G, E, J1, J2, T, etj. Revolucioni bujqësor, brenda pak vitesh, ndërroi në mënyrë drastike përbërjen gjenetike të Europës jugore dhe qendrore, duke zëvendësuar linjat atërore mesolitike me të ardhurat rishtazi nga lindja. Kështu, haplogrupi G është qartazi mbizotërues në gjithë gjetjet neolitike në studime shkencore në Ballkan, ndërsa haplogrupe të tjera të gjetura në Ballkan përfshinin degëzime të caktuara të J2a, J1, etj. Sot haplogrupin G e mbartin më pak se 2% e shqiptarëve, kurse linjat e tjera qartësisht neolitike gjenden edhe më rrallë. Në Toskërinë veriore dhe lindore kjo përqindje është pak më e lartë por gjithesi nuk kalon 5%. Duke marrë parasysh faktin se një pjesë e këtyre linjave mund të jenë vendosur edhe në periudha më të vona nga drejtime të ndryshme, mund të themi me siguri se më pak se 4% e gjithë paraardhësve atërorë të shqiptarëve gjendeshin ndër popujt neolitikë (pra, para-ilirë) të trojeve të sotshme shqiptare.
Nga Epoka e Bronzit deri në Antikitet
Pas disa mijëravjeçarëve zgjerimi të bujqësisë dhe linjave atërore të popujve që e shpërndanë, me fillimin e Epokës së Bronzit nisën edhe dyndjet masive të indo-europianëve. Në vendorigjinën e tyre në Stepat e Euroazisë, kjo popullsi me strukturë shoqërore patriarkale merrej kryesisht me bletori, dhe kishte përvetësuar edhe përdorimin e kuajve dhe më vonë edhe të karrocave, dhe kishin fituar imunitet të lartë ndaj sëmundjeve të kafshëve dhe tolerancë ndaj laktozës. Nga zona e Stepave, indo-europianët u përhapën në të gjitha drejtimet, duke u shtrirë në pak breza nga Europa perëndimore deri në Kinë e Indi. Grupet e mëdha gjuhësore të Europës së sotshme, si grupi i gjuhëve latine, i atyre gjermanikët, sllave, keltët, ashtu si edhe shqipja e greqishtja, kanë rrënjë të përbashkët pikërisht nga gjuha që fliste ky popull. Mbërritja e indo-europianëve në Europën qendrore dhe në Ballkan është e mirëdokumentuar jo vetëm gjenetikisht, por edhe në arkeologji.
Ndër popujt e Stepave që lëvizën drejt perëndimit gjatë Epokës së Bronzit, haplogrupi kryesor ishte R1b-M269, kurse haplogrupe të tjera përfshinin R1a-Z93, I2-M223. Ka shumë mundësi që zgjerimi drejt trojeve të sotshme shqiptare mos të ketë qenë një lëvizje e njëtrajtshme, por një seri zhvendosjesh që nisin nga Epoka e Bronzit e vijojnë deri në Antikitet, duke asimiluar e përfshirë edhe popuj të tjerë në këto dyndje. Linjat atërore kryesore të shqiptarëve që janë vendosur në Ballkan prej kësaj periudhe nga veriu dhe verilindja janë R1b-PF7562, J2b-L283, E-V13, R1b-CTS9219, I2-L701, etj.
R1b-PF7562 dhe J2b-L283, në pjesën dërrmuese të tyre, janë vendosur në trojet e sotshme shqiptare prej Epokës së Bronzit. Për prani mbi 3000 vjeçare flasin si gjetjet nga lashtësia, ashtu edhe diversiteti i linjave modern. J2b-L283 është gjetur edhe në eshtra ilire nga Epoka e Bronzit dhe e Hekurit në Dalmaci, Slloveni dhe Vojvodinë, nga Epoka e Hekurit ndër mesape të Puljas, dhe në Antikitetin e vonë në Moezi dhe Dardani. Në përputhje me këto gjetje, në databazën e Projektit Rrënjët, vërehet se nëndegët e R1b-PF7562 ndër shqiptarët e sotshëm janë veçuar prej 3400-4000 vitesh, kurse ato të J2b-L283 prej 3100-3600 vitesh. Sot R1b-PF7562 gjendet në dendësi të ngjashme (3-4%) në gjithë trojet shqiptare, kurse J2b-L283 gjendet shumë më dendur në veri (15-30% sipas zonës) se në jug (7-10%). Këto dy linja atërore përmbledhin rreth 20% linjave atërore shqiptare.
Për linjat atërore E-V13 dhe R1b-CTS9219, ka më shumë mundësi që vendosja në Ballkanin perëndimor ka nisur nga veriu, me gjasë nga zona mes Alpeve Europiane dhe Karpateve, duke filluar nga fundi i Epokës së Bronzit e përgjatë Epokës së Hekurit deri në Antikitet. R-CTS9219 është gjetur në kufi të Dardanisë së periudhës romake, kurse linja të afërta me të janë gjetur edhe në Vojvodinë nga Epoka e Bronzit. Për këtë linjë atërore, pellgu panonik duhet të ketë qenë ndalesa mes Stepave dhe Ballkanit. Kurse E-V13 ishte një linjë e rrallë atërore e mbijetuar ndër pasardhësit e popujve bujqësorë që indo-europianët i gjetën në Europën qendrore e lindore, por përhapja e saj nisi gjithashtu gjatë Epokës së Bronzit. Gjetja e linjave të afërta në Ballkanin verior dhe në Hungari, dhe prania masive e vetë E-V13 në Moezi dhe në kufi të Dardanisë në periudhën e vonë romake dhe më rrallë në kulturat kelte të Europës qendrore, gjithashtu tregon se në trojet e sotshme shqiptare duhet të ketë mbërritur kryesisht nga veriu e veri-lindja. R-CTS9219 gjendet e përhapur me dendësi të njëtrajtshme (14%) në trojet shqiptare, kurse E-V13 ka shumë nëndegë, secila me shpërndarjen e saj të veçantë. Si nëndegët e sotshme shqiptare të R-CTS9219, ashtu edhe ato të E-V13, kanë lidhje gjenetike rreth 2500-3500 vjeçare me linja atërore jashtë ballkanit, kryesisht në Europën qendrore. Pra vendosja e këtyre dy linjave në trojet e sotshme mund të hamendësohet rreth fundit të Epokës së Bronzit ose gjatë Epokës së Hekurit. Këto dy linja atërore përbëjnë rreth 40-45% të gjithë linjave atërore shqiptare.
Përveç linjave të lartpërmendura, edhe nëndegë të I2-L701, R1b-L51, J2a-M410 dhe J1-M267 mund të jenë vendosur në trojet e sotshme shqiptare mes Epokës së Bronzit dhe Antikitetit. Në përmbledhje, me të dhënat e deritanishme, rreth 75% e gjithë linjave atërore shqiptare duhet të kenë qenë në Ballkanin qendror e perëndimor prej asaj kohe, duke qenë edhe pjesë e fiseve ilire.
Antikiteti i vonë dhe Mesjeta e hershme
Me dobësimin e Perandorisë Romake, fise të ndryshme nga Europa veriore e lindore filluan të depërtonin kufinjtë perandorak, duke vërshuar rregullisht edhe drejt Ballkanit. Ndër dyndjet më të famshme mund të përmendim ato të gotëve, hunëve, vandalëve, avarëve, sllavëve, etj. Elementi i lashtë ballkanik arriti t’u mbijetojë këtyre vërshimeve, por duke përthithur edhe prurje të reja, diku më rrallë e diku më dendur. Një studim i fundit mbi trashëgiminë gjenetike të ballkanasve të lashtë dhe dyndjeve sllave, vlerëson se shqiptarët dhe grekët u prekën nga këto lëvizje më pak se serbët, bullgarët, rumunët e kroatët.
Linjat atërore që u bashkuan në këtë periudhë me ata banorë të Ballkanit që u mbijetuan dyndjeve janë I1-M253, R1a-CTS1211 e R1a-M458, I2a-Y3120, N-P189.2, etj. Të gjitha këto mugojnë në gjetjet e lashta deri në periudhën perandorake romake, dhe linjat moderne që gjenden ndër shqiptarë zakonisht lidhen me linja nga Europa veriore dhe lindore në rreth 1400-2000 vjet. I1-M253 është e lidhur më ngushtë me lëvizjet e fiseve gjermanike, N-P189.2 me ato të popujve të Euroazisë (avarët, magjarët, etj.), kurse R1a-CTS1211, R1a-M458 dhe I2-Y3120 me ato të sllavëve. Megjithatë, nuk përjashtohet që ndonjë nëndegë e veçantë e R1a ose I2-Y3120 të ketë lëvizur me fiset gjermanike, ose ndonjë degëzim I1-M253 me ato sllave. Sot I1-M253 është më e përqendruar në treva malore si Kurveleshi, Puka dhe zona mes Matit e Mirditës, kurse R1a-M417 dhe I2-Y3120 gjenden më shpesh në treva fushore. Gjithë këto linja së bashku përbëjnë rreth 16-19% të linjave atërore shqiptare sot, ndër të cilat rreth ¾ kanë mbërritur me fiset sllave, kurse pjesa tjetër kryesisht me fiset gjermanike.
Etnogjeneza arbërore
Pas kalimit të trazirave nga rënia e Perandorisë Romake, dyndjeve të njëpasnjëshme barbare dhe epidemive të ndryshme, popujt e sotshëm të Ballkanit filluan të ravijëzohen gjatë Mesjetës së Hershme. Populli arbër, i cili del në dokumente nga shekulli i XI, arriti të ruajë një gjuhë që rridhte nga gjuhët e lashta të Ballkanit. Edhe në rrafshin gjenetik, vëmë re se shekujt e fundit të Antikitetit ishin periudhë e vështirë për paraardhësit tanë, pasi shumica e linjave tona kanë kaluar efektin bottleneck (rrallim i degëzimeve të linjës atërore) gjatë kësaj kohe.
Shqiptarët e sotëm të të gjitha linjave atërore, në tërësi janë pasardhës i asaj popullsie të tkurrur me prejardhje në kryesisht paleo-Ballkanike dhe trashëguese të një gjuhe të lashtë, që u mbijetoi përmbysjeve të shekujve 3-7. Në përputhje me këtë vërejtje, një studim i vitit 2013 thekson se shqiptarët janë populli më homogjen në Europë, dhe shumica vijnë nga paraardhës të përbashkët që përbënin një popullsi të vogël por kompakte para rreth 1500 vitesh.
Përfundim
Si përfundim, duhet theksuar se gjenetika e popujve është disiplinë e re e në zhvillim, prandaj ky artikull do të zgjerohet dhe përmirësohet vazhdimisht, si me rritjen e kampionit të shqiptarëve të sotëm, ashtu edhe me daljen në dritë të rezultateve të reja nga eshtra të lashta. Nga ana tjetër, numri i rezultateve te sotshme e të lashta na lejon tashmë të përmbledhim me siguri prejardhjen e linjave atërore shqiptare në tri grupe kryesore: (1) një pakicë shumë e kufizuar, nën 4%, që mund të jetë pasardhëse e popujve neolitikë në të njëjtat troje si sot; (2) një pakicë e rëndësishme, rreth 20%, që vjen nga fiset që u vendosën këtu mes shekujve 3 dhe 7; dhe (3) shumica dërrmuese, rreth 75%, që vjen nga fiset e lashta ballkanike që mbërritën mes Epokës së Bronzit dhe Antikitetit.
Informacion më të hollësishëm rreth secilit haplogrup mund të gjeni këtu: https://rrenjet.com/linjat-aterore/. Për pyetje apo ndonjë paqartësi, mund të kontaktoni një prej vullnetarëve të projektit përmes faqes në Facebook ose adresave të email-it që gjenden këtu: www.rrenjet.com/rreth-nesh.
Përditësimi i fundit: janar 2022.